LAJMI I FUNDIT:

Shënime mbi ‘Dekalogun…’ e shkruar nga Agron Shala

Shënime mbi ‘Dekalogun…’ e shkruar nga Agron Shala
Durim Taçi (Foto: A. Sh.)

Nga: Durim Taçi

… nga Kieślowski në ditët tona


Kur prodhohej Dekalogu, një seri prej10 filmash me metrazh të mesëm nga regjisori polak Krzysztof Kieślowski, në vitet 1988-1989, unë kisha mbaruar studimet për letërsi e bëhesha gati të ndiqja një kurs dyvjeçar teoriko-praktik për skenar letrar në Kinostudion Shqipëria e Re, në Tiranë. Gjatë leksioneve, një vit më vonë, vrisja mendjen për ide e disa prej tyre arrinin të filtronin në rrjetën e disiplinës së profesorit të skenarit Vath Koreshi, visheshin pastaj me kostumin shik të estetikës së filmit prerë saktë nga profesori Kristaq Dhamo dhe nga letrarë shndërroheshin në skenarë regjisorial, pastaj kalonin në studion e regjisorit Pirro Milkani, derisa humbisnin tevona në disa prova xhirimi për t’i dhënë jetë një filmi me metrazh të shkurtër, titulluar ‘Fotografi i shkretëtirës’. Ky është fati i skenarit, të lindë si një larvë, të bëhet flutur dhe të jetojë deri në momentin sa të shndërrohet në film. Vetë filmi nuk u bë, në vitet ’90 filloi një periudhë e njohur e rrëmujshme tranzicioni e cila e ndërpreu për ca kohë prodhimin e filmave në Shqipëri.

Sidoqoftë, në ato dy vite, kineastët tanë na flisnin herë-herës me pasion për shkollat lindore filmit, ku kishin studiuar, për raste kur kishin qenë në një klasë me regjisorë tanimë me famë botërore, si Miloš Forman, për shembull, por emrin e Kieślowskit, unë do ta dëgjoja shumë më vonë, kur kisha emigruar në Itali dhe lidhja ime me kinemanë ishte bërë shumë e largët, ndërsa vetë kryeveprën e tij, do ta shikoja vetëm këto ditë, pas nxitjes që më erdhi me daljen e librit të Agron Shalës DEKALOGU (nga Moisiu deri te Kieślowski)”.

E pra, bëhet fjalë për një regjisor që vinte nga mjedise të periudhës së komunizmit, e ngjashme me realitetin shqiptar e, megjithatë kaq e ndryshme, pasi ne nuk krijuam dot vepra si kjo, të cilat vazhdojnë të përcjellin edhe sot një mesazh universal e të mësohen në shkollat botërore të kinemasë.

Mirëpo, në kushtet kur ‘trendet e kinematografisë së promovuar nga mediat apo librat’ kalojnë oqeanin, vështirë t’i shkonte mendja ndokujt t’i kushtonte atij një libër. Dhe, për hir të së vërtetës kjo ka ndodhur rrallë, pasi ky është në fakt libri i tretë që i kushtohet këtij regjisori. Por, siç sqaron Agron Shala në librin e tij, arsyet përse sillet pikërisht Kieślowski në qendër të vëmendjes, janë të shumta, e përgjithësisht janë të natyrës estetike. Megjithatë, sipas Shalës, një shtysë tjetër, jo thjesht estetike, që e ka bërë atë të shkruajë këtë libër, është që vepra e Kieślowskit të mund të bëhet frymëzim për kineastët e sotëm shqiptarë si model guximi pavarësisht nga mundësitë e pakta materiale në dispozicion.

Lexova librin me endje, një e shkruar e rrjedhshme si të ishte vetë një vepër fiksioni dhe pata shtysën të shikoj vetë episodet e filmit. Një kalim i çuditshëm nga teksti i shkruar, libri, tek imazhi i filmit, e pastaj një rikthim tek fjala, i ngërthyer në një peizazh semiotik që vinte e pasurohej përmes një komunikimi dinamik midis gjuhës dhe vizuales.

Pra, libri më i fundit i Agron Shalës përqendrohet tek “Dekalogu” i Kieślowskit, një vepër me 10 episode, e cila na tregon nga një histori të jetës së përditshme që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me njërin nga dhjetë urdhëresat biblike. Mirëpo, para se të bëjë një përshkrim të hollësishëm të kryeveprës së regjisorit, pasi flet për rolin dhe vendin e fesë gjatë tranzicionit polak, Agron Shala ndalet të shpjegojë të shkuarën dhe të sotmen fetare në botën shqiptare, duke theksuar pastaj atë që mbetet universale: rezultanten etiko-morale, mbi të cilën ngrihet e gjithë vepra.

Episodi i parë dhe urdhëresa e parë të thotë: Nuk do të kesh Zot tjetër para meje. Krzysztofi, fizikan dhe profesor universiteti, ndarë nga gruaja, është i detyruar të rrisë të birin Pawel. E përshkruan jetën matematikisht përmes kompjuterit, realiteti ka një dimension transcendent për të, nuk ka Zot. Një ditë, liqeni bri banesës ngrin dhe ai lejon të birin të rrëshqasë me patina. Sipas përllogaritjeve me kompjuter nuk ka rrezik që akulli të çahet. Por kjo ndodh. Të gjitha shenjat e çojnë babain drejt vendit të tragjedisë, por ai dorëzohet vetëm kur zhytësit nxjerrin trupin pa jetë.

Simbologjia e episodit dhe e filmit ngrihet mbi temën e masës së lëngshme: këtu janë uji, çaji, boja e shkrimit, qumështi. Mbyllet me profesorin që rrëzon shandanët në kishë e njëri prej qirinjve rrjedh si lot poshtë syrit të Shën Mërisë, simbol i një Zoti të ndjeshëm për vuajtjet njerëzore.

Vihet re prania e një ‘ëngjëlli’ krejt njerëzor, një ‘dëshmitar i heshtur’ edhe në episodet e tjera, përjashto të dhjetin, si prani ëngjëllore ndaj vuajtjeve njerëzore. Ai shfaqet në pikat kthesë të ngjarjeve, edhe pse vetë regjisori nuk qartëson rolin që luan.

Episodi i dytë të thotë: Nuk duhet të zësh në gojë kot emrin e Zotit. Dorota, grua në krizë, ndërsa burri i saj Andrzej po vdes në spital, zbulon se pret një fëmijë nga dashnori. Nëse burri do të jetojë, do heqë fëmijën, nëse vdes, do fillojë një jetë të re me dashnorin dhe fëmijën. Mjeku zbulon se ka humbur të gjithë familjen gjatë një bombardimi, prandaj përballë përgjegjësisë për një familje tjetër, asaj të Dorotas, e këshillon ta lindë fëmijën, duke iu përbetuar se i shoqi nuk do mbijetojë. Gruaja ndjek këshillën e tij, por pas pak kohësh burri shërohet, jeton me të shoqen i lumtur se do bëhet edhe me fëmijë.

Edhe këtu është e pranishme tema e lëndës së lëngshme: uji i nxehtë për t’u larë, uji që rrjedh nga çatia e spitalit, pija që Dorota e lë t’i bjerë nga tavolina. ‘Ëngjëlli’, ‘dëshmitar i heshtur’ këtu na paraqitet në rolin e një infermieri spitali që vetëm vrojton.

Episodi i tretë: Kujtohu t’i shenjtërosh festat. Është pragu i Krishtlindjeve, Januszi shfaqet para familjarëve si Babadimri, gjithë hare, por në meshën e mesnatës shikon midis besimtarëve Evën e më pas në shtëpi i vjen prej saj një telefonatë.

Eva e Januszi, kanë pasur një marrëdhënie jashtëmartesore, e ndërprerë nga ky i fundit përmes një telefonate anonime burrit të saj dhe tani ajo, me pretekstin se nuk ka më lajme nga i shoqi, e detyron Januszin ta kalojnë bashkë natën e Krishtilindjeve nëpër rrugët e Varshavës. Gruas i thotë se po shkon të gjejë taksinë e vjedhur, por ajo e nuhat motivin e largimit, edhe pse nuk i thotë gjë. Gjatë natës Januszi kupton se Eva po e gënjen, derisa ajo i tregon vetë që jeton vetëm, burri e ka lënë. Nata e kaluar me të dashurin  ka qenë një tentativë tjetër e Evës për të mbijetuar, përndryshe do vetëvritej. Januszi është i kënaqur që e ka shpëtuar nga vdekja, por nuk ndjen asgjë tjetër. Të nesërmen qetëson dhe të shoqen, nuk do të dalë më.

Uji, këtë herë na paraqitet si një instrument torture në një qendër kurimi alkoolistësh për t’i sjellë ata në vete. Na shfaqet më pas edhe në formën e borës, që ka mbuluar gjithë Varshavën në prag të Krishtlindjeve. ‘Dëshmitari i heshtur’ na duket një herë si shofer tramvaji.

Episodi i katërt: Ndero babanë dhe nënën: Është e hënë Pashkësh dhe sipas traditës polake laget tjetri me ujë, si shaka. Kështu e zgjon Anka të atin, i cili ia kthen. Një skenë familjare midis babait dhe së bijës studente e artit dramatik. Por, paqja trazohet kur Anka zbulon një zarf mbi të cilin babai ka shkruar “duhet hapur pas vdekjes sime”. Nuk duron, e hap e zbulon një letër të shkruar nga e ëma ku thuhet se Michali nuk është babai i saj i vërtetë. Nis një raport tjetër, i ndryshëm nga ai prind e vajzë. Anka i thotë se ajo nuk është më fëmijë, por grua e rritur, por Michali nuk tundohet. Të nesërmen del nga shtëpia dhe largohet, teksa Anka i shkon mbrapa pa e ditur se ai ka dalë thjesht të marrë qumështin. I thotë se e ka shkruar vetë atë letër. Të dy kthehen në shtëpi dhe djegin letrën e vërtetë pa e hapur, për të jetuar sikur ajo të mos kishte ekzistuar. Mirëpo nuk digjet plotësisht, Anka arrin të lexojë fillimin: “Michali nuk…” Por, nderimi i marrëdhënies midis babait dhe bijës, tani e tutje nuk mund të jetë më një formalitet dogmatik.

Gjatë marrjes së ashensorit protagonistët takojnë mjekun e episodit të dytë, ndërsa personazhi i heshtur na shfaqet vetëm në një rast, hipur mbi një varkë. Uji këtu është i pranishëm përmes liqenit dhe paraqitjes së tij në një poster në dhomën e Ankës.

Episodi i pestë: Mos vrit. Jacek, një vandal pa pikë ndjeshmërie morale, vihet përballë Piotrit, njeri me parime që i beson drejtësisë, por është kundër dënimit me vdekje. Jacek, pa motiv vret taksistin, arrestohet e dënohet me vdekje, ndërsa Piotri që është avokati i tij ndjehet në faj, pasi beson se mund të kishte bërë më shumë për ta shpëtuar djaloshin. Para ekzekutimit Jacek i flet atij për nënën. Avokati, që ndjek skenën e ekzekutimit, nuk arrin të bëjë ndonjë dallim midis krimit të tij dhe atë që bën shteti duke e vrarë të dënuarin.

Në këtë episod nuk ka ngjyra, mbizotëron thjesht një kolorit i verdhë. Personazhi i heshtur është një punëtor i burgut ku bëhet ekzekutimi.

Episodi i gjashtë: Mos kryej akte të ndyra. Tomeku, nëpunës poste, jetim, që rron me një grua të moshuar marroset pas Magdës. Ajo banon në pallatin përballë dhe ai e vrojton ditë e natë, derisa vendos t’i rrëfehet. Gruaja në fillim e revoltuar, ndryshon sjellje dhe pranon ftesën e tij për darkë. Djaloshi është i dashuruar, por ajo do ta bindë që dashuria nuk ekziston, e josh dhe pas një raporti seksual jo të plotë, djaloshi jepet. Kupton se gruaja e idealizuar prej tij është një krijesë e rëndomtë dhe do të vrasë veten, pret venat dhe përfundon në spital. Tani është Magda e dashuruara, por Tomek ja pret shkurt: “Nuk të përgjoj më”. Inkuadratura e fundit është imazhi i gruas që sfumohet.

Këtu, personazhi i heshtur haset dy herë nga Tomek, veshur me të bardha dhe me një valixhe në dorë, ndërsa tema e ujit përfaqësohet nga shpërndarja e qumështit.

Episodi i shtatë: Mos vidh. Majka është nja vajzë e re që nuk ndjehet mirë në familje, pasi e ëma Eva e trajton keq, ndërsa babai, Stefani nuk reagon. Një ditë, rrëmben të motrën e vogël Ania, me të cilën shkon mirë, Eva përpiqet t’i gjejë vajzat e saj, por pa sukses. Ato të dyja fshihen tek shtëpia e Wojtekut, ish i dashuri i Majkës. Me t’u ndjerë e sigurt Majka i tregon Anias së vogël se ajo nuk është e motra, por nëna e saj. E ka lindur me Wojtekun mësues në shkollën ku e ëma Eva ishte drejtoreshë. Akuzon nënën se i ka vjedhur të bijën. Edhe Wojteku kur sheh të bijën pushtohet nga instinkti prindëror. Majka ka një pasaportë gati, do të shkojë me vajzën në Kanada, por në pritje të trenit, nëna, arrin t’ia rrëmbejë edhe një herë vogëlushen, kështu ajo detyrohet të largohet e vetme.

Këtu personazhi i heshtur na shfaqet një herë në stacionin e trenit.

Episodi i tetë: Mos bëj dëshmi të rreme. Gjatë një leksioni universitar profesoreshë Zofia pranon në auditor Elżbietën, një gazetare që vjen nga Amerika. Aty analizohet etika dhe gazetarja sjell një fakt të ndodhur në Varshavë në 1943, kur dy të rinj katolikë, burrë e grua, që kishin ndihmuar më parë hebrenjtë, ofrohen të kungojnë një vajzë që ajo të mund të strehohej pastaj në një familje katolike të qytetit, ku i duhet një çertifikatë kungimi. Por, në çastin e fundit çifti i ri nuk e jep ndihmën e premtuar, duke përdorur si motiv se nuk mund të gënjenin para Zotit. Rrëfim i gazetares e turbullon Zofian, e cila pas leksionit i afrohet dhe aty merret vesh se është ajo gruaja që nuk i ka dhënë ndihmën dikur. Kalojnë mbrëmjen bashkë. Zofia i zbulon Elżbietas se historia e ‘dëshmisë false para Zotit” ishte një justifikim, pasi familja që do merrte vajzën e vogël bashkëpunonte me Gestapon dhe do të vinte në rrezik organizatën ilegale në të cilën çifti bënte pjesë. Më vonë u mor vesh që edhe ky lajm ishte i rremë, por dëmi tani ishte bërë. Përmes Zofias Elżbieta gjen burrin që e kishte shpëtuar e dëshiron të njihet me të, por ai nuk flet, nuk do të ketë asnjë lidhje më me luftën.

Gjatë leksionit këtu, një studente tregon historinë e episodit të dytë, të gruas shtatzënë me dashnorin. Ndërsa ‘dëshmitari i heshtur’ këtu është një student në auditor.

Episodi i nëntë: Mos dëshiro gruan e tjetrit. Romani, kirurg, dyshon se është impotent, gjë që ja vërteton kolegu i tij mjek Mikolaj. Tronditet, por Hanka, gruaja, e siguron për marrëdhëniet midis tyre, edhe pse ka me kohë një dashnor, Mariuszin. Romani i ndjek dhe i zbulon, Hanka do të kthehet tek i shoqi, por Mariuszi ngulmon. Di që Hanka ka shkuar e vetme për të bërë ski dhe e ndjek pa dijeninë e saj. Kur Romani e zbulon, tenton të vrasë veten, ndërsa Hanka rreket ta bindë se u gjend para faktit të kryer. Romani zgjohet në spital, kur Hanka e di të vdekur, i telefonon asaj dhe bashkohen sërish.

Dëshmitari i heshtur këtu është një djalë me biçikletë që shfaqet në fillim dhe në fund të filmit.

Episodi i dhjetë: Artur e Jerzy, dy vëllezër të ndryshëm midis tyre, takohen pas shumë vitesh në varrimin e të atit, që u ka lënë një koleksion pullash poste me vlerë të madhe. U duhet një pullë, për të plotësuar një seri të çmuar. Një ekspert filatelie ua premton në këmbim të një veshke për vajzën e sëmurë. Mashtrohen dhe vëllezërit akuzojnë njeri-tjetrin, por gjithçka e ka bërë një grup i organizuar, ndaj të cilëve janë të pafuqishëm. Si kanë humbur gjithçka, por janë pajtuar dhe vijojnë pasionin që u la babai për filatelinë.

Mirëpo ‘Dekalogu’ i Agron Shalës, sigurisht nuk është filmi, ai pasuron filmografinë shqiptare, por nga ana tjetër është një tekst me strukturë analitike, na fut në një qerthull dilemash ngacmuese mbi judaizmin, krishterimin dhe islamin, pranëvë fjalët dhe urdhërat, humbjen dhe fitoren, duke na ftuar pavarësisht besimeve tona të përballemi me sfidën etike e morale, si e vetmja që e shoqëron njeriun në çdo rrethanë e sistem shoqëror. Do ta mbyllja me fjalët e autorit në fund të librit: “Dhjetë Urdhrat janë për ta përmirësuar natyrën njerëzore, siç është Dekalogu i Kieślowskit një tentim tjetër për t’u ballafaquar me anët tona të errëta, për ta njohur e pranuar të vërtetën, si dhe për ta çmuar të bukurën, të mirën e të drejtën”.