LAJMI I FUNDIT:

Serenditipy

Një ndër konceptet e shumta të gjeneruara nga hulumtimet sociologjike, është edhe nocioni serenditipy. Ky term, në fakt ka rezultuar si rrjedhojë e një përvoje konkrete hulumtuese, dhe nënkupton faktin se në procesin e hulumtimeve sociale, kur jemi duke hulumtuar aspekte të caktuara, apo kur jemi duke e pasur një fushë interesimi të caktuar, derisa jemi duke aplikuar metodologji të besueshme, të pranuar dhe valide hulumtimi, ne mund të vijmë deri te njohuri të caktuara, krejt të papritura, gjetje këto të cilat rrënjësisht dallojnë nga ato të cilat i synojmë fillimisht në projektin tonë hulumtues.

Le të themi për ilustrim se derisa jemi duke e hulumtuar relacionin e divorceve në një populacion si rrjedhojë e ndikimit të industrializimit, ne rastësisht mësojmë se ekspozimi i fëmijëve në filmat që përmbajnë dhunë, reflektohet me rritje të agresivitetit në jetën reale. Pra, serenditipy në përvojën e hulumtimeve sociologjike nënkupton një zbulim të papritur dhe të pa synuar nga hulumtuesi.


Para se të e qartësojmë edhe më tej këtë koncept duke inkluduar edhe reperkusionet e tij konceptuale në jetën sociale dhe politike, për ata që eventualisht nuk e njohin të njëjtin, fillimisht le t`i themi disa fjalë për substratin dhe rrethanat sociale të cilat kanë pasur ndikim në zhvillimin shkencor, respektivisht metodologjisë hulumtuese shkencore të aplikuar në shkencat sociale, nga ku është gjeneruar i njëjti.

Fillimisht të themi se ky nocion derivon nga aktivitetet hulumtuese sociale (më saktë sociologjike) të cilat janë realizuar në shoqëritë e zhvilluara perëndimore, apo të sistemit kapitalist (neoliberal), i cili ka arritur superioritet në formësimin, funksionalizimin edhe integrimin e strukturës dhe proceseve dinamike politiko-sociale, por edhe metodologjike në sferën hulumtuese shkencore. Si rrjedhojë e kësaj, në këto shoqëri është arritur një diferencim më i gjithanshëm në pothuajse të gjitha sferat e jetës. Kjo është reflektuar edhe në sferën e hulumtimeve sociale, ku janë krijuar avantazhe të dukshme nga studimet sociologjike, të cilat avantazhe i shohim se manifestohen si në aspektin sasiorë edhe atë cilësorë.

Kolapsimi i të ashtuquajturës Sociologji e vendeve socialiste e cila vinte nga varfëria metodologjike e saj hulumtuese e konfirmon këtë, pasi dihet se vetëm para disa dhjetëra vitesh flitej për sociologji marksiste dhe sociologji borgjeze.

E para merrej me hulumtimin e problemeve empirike sociale në nivel makro, por jo edhe me probleme konkrete dhe të prekshme sociale të cilat i kishte para vetes, dhe si e tillë ishte ne funksion të ideologjisë oficiale, të cilës i sub-ordinohej edhe në rastet kur realizonte hulumtime të pakta.
Kjo qasje nuk kishte si të arrinte progres në metodologjinë hulumtuese, së paku për dy arsye, të cilat janë;

– së pari, nuk kishte një spektër të gjerë hulumtimi social (apo llojllojshmëri hulumtimesh);
– së dyti, nga fakti se edhe gjetjet eventuale i interpretonte në pajtim me ideologjinë zyrtare.

Prandaj, si rezultat i kësaj varfërie metodologjike në sferën e hulumtimeve empirike sociale, interpretimi i gjetjeve harmonizohej me konkludimin gjeneralizues lidhur me “domosdoshmërinë e përmbysjes së sistemit kapitalist dhe me fitoren e pashmangshme të komunizmit… dhe se… përmbysja së sistemit kapitalist ishte çështje kohe” që nuk ishte aspak qasje serioze nga aspekti shkencorë si metodologji hulumtuese.

Përkundër kësaj, sociologjia borgjeze, nuk qante kokën për çështje ideologjike pasi ishte një koncept i hapur mendimi me një qasje plurale. Hulumtimet e saj ishin realizuar në një spektër shumë më të gjerë problemesh nga jeta konkrete, siç thuhet të një qarku në nivelin mikro dhe mezo, dhe gjetjet nga këto hulumtime ishim më të shumta, më objektive dhe më të besueshme. Prandaj, të njëjtat rrjedhimisht ishin edhe më të aplikueshme dhe vlefshme për t`u shfrytëzuar nga ato institucione të cilat kishin nevojë për të dhëna nga provenienca sociale, gjë që pa dyshim se edhe ndihmuan në zhvillimin tërësorë të shoqërisë. Pluraliteti social manifestohej me pluralitet metodologjik dhe interpretativ shkencor.

Ky avantazh në hulumtimet sociale, konsiderojmë se origjinën e suksesit e ka nga modeli pluralist social dhe politik. I njëjti, në sferën politike manifestohet si instalim i “demokracisë nga lartë”, dhe ilustrim për këtë janë zhvillimet në Turqi, përderisa aktualisht i njëjti model manifestohet edhe në relacion me vendet e dala nga sistemi socialist. Ky model i instalimit të “demokracisë nga lart” sikur po ngjason me ish rolin e “avangardës komuniste ”, e cila u aplikua si koncept nga ish vendet socialiste lidere (BRSS, Kina), pasi të njëjtat e konsideronin veten se janë model që duhet ndjekur edhe vendet tjera, në rrugëtimin drejt komunizmit. Sikur duket paradoksale kjo analogji mes dy ish kontrapunkteve. Në kontekstin aktual, le të paramendojmë situatën kur dikush do të mund të jetë parimisht kundër privatizimit si koncept neoliberal, përderisa i njëjti është në ekspansion. Thjeshtë do të cilësohej egalitarist i pa perspektivë.

Nuk mund të mohohet fakti se metodologjia hulumtuese në sferën sociale, sikurse niveli i demokracisë sociale si ideologji, ka pësuar një zhvillim shumë më të hovshëm në këto vende (demokratike), të cilat janë aktualisht duke e mbajtur “dub” demokracinë kosovare. Ky eksport ideologjik, në këtë rast i vendeve neoliberale, aplikohet posaçërisht në vendet demokratikisht vasale, të cilat si pasojë e kalimit nga një sistem tjetër, ende janë në fazat fillestare (embrionale) demokratike. Një rast i tillë është edhe Kosova, e cila pos ndërrimit të sistemit politiko-social, ka pësuar edhe ndërrimin e statusit të saj (paraprak) kolonial..

Avancimi hulumtues metodologjik sigurisht se përcillet me më shumë ekzaktësi shkencore në gjetjet e realizuara nga hulumtimet empirike. Kjo vjen si rrjedhojë e vëllimit më të madh hulumtimeve të realizuara dhe llojllojshmërisë së hulumtimeve sociale, që ka sjellë edhe superioritet gnoseologjik. Megjithëse kontrapunkt, konstatimi marksist i shndërrimit të kuantitetit në kualitet, si një ndër ligjshmëritë e pretenduara sociale të zbuluara nga ky drejtim, duket se në këtë rast e përshkruan plotësisht këtë moment.

Duke pasur pasiguri lidhur me alternativen e marrë drejt së cilës rrugëtojmë në rrafshin politik, konsiderojmë se edhe në sferën e hulumtimeve sociale, shoqëria jonë, institucionet hulumtuese (konsiderojmë të pakta), duhet të jetë e mveshura apo pajisura me principe dhe metodologji hulumtuese të akceptuara, sikurse nga bota e industrializuar dhe demokratike.

Shtrohet pyetja, sa ka të ngjarë që të ballafaqohemi me evidencimin eventual edhe të efektit serenditipy në hulumtimet (e munguara) empirike te ne, të cilat do të duhej të bëheshin dhe nga ku konsiderojmë se do të mund të rezultonte evidencimi i dukurive eventualisht të “pa pritura”. Kjo sigurisht ka gjasa të mëdha se do të mund të ngjante nëse nuk do t`i mbyllnim sytë, me apo pa qëllim, para këtij fenomeni?

Situatat e këtilla do të mund të ishin vërtetë të pa pritura, sikurse efekti serenditipy. Le të themi se p.sh se demaskuesi i korrupsionit do të mund të evidencohej si një i korruptuar, anatemuesi i nepotizmit një anëtarë klani, demokrati një antidemokrat, liberalisti një despot, sekularisti një njeri religjioz dogmatik, institucionalisti një anarkist, pacifisti një militarist, humanisti një karrierist, nacionalisti një oportunist, misionari demokratik një imponues vulgar dhe tiran.

Apo edhe do të mund demaskohej profili i vërtetë i atyre organizimeve shoqërorë që e vendosin veten në pozitën e të sakrifikuarit, sikurse segmente të caktuara të shoqërisë civile të cilat vjelin pa meritë fonde jo të pakta financiare dhe shoqërisë nuk i kthejnë asgjë si kundërvlerë nga angazhimet e tyre pseudopublike.

Në sferën politike do të mund të evidencoheshin gjetje të cilat edhe do të komprometonin karakterin “demokratik” të disa veprimeve, posaçërisht në imponimet politik, e si proces i instalimit të “demokracisë nga lartë”.

Tek e fundit efekti hulumtues serenditipy vjen pikërisht nga vendet e zhvilluara dhe demokratike si përvojë pozitive hulumtimi, dhe s`ka arsye pse të mos aplikohet edhe te ne. Kjo nënkupton ky efekt duhet të aplikohet edhe në rastet kur avangarda demokratike dhe neoliberale mund të jenë subjekt i hulumtimeve të ndryshme, dhe posaçërisht kjo duhet të vijë në shprehje te konstatimi i veprimeve politike, sidomos në gjetjet që janë të pa përtypshme nga aspekti përmbajtjesor demokratik. Demokracia dhe republikanizmi përjashtojnë çfarëdo atributi favorizues për këdo, përderisa maksima “ligji mbi të gjitha” pranohet si i parim inherent i demokracisë.

Fenomeni serenditipy ka të ngjarë të ndihmoj në Kosovë, sepse kushdo qoftë mund të bie në këtë grackë efektive metodologjike hulumtuese.

I njëjti ka të ngjarë të vijë në shprehje, nëse duam, apo më saktë guxojmë, të e vemi pikën mbi i, në të adresuarit e gjetjes së shkaqeve reale që kanë ndikim në (i)racionalizimin dhe (de)funksionalizimin e zhvillimeve sociale në Kosovën post koloniale. Çështja është sa jemi të guximshëm, objektiv, dhe netural në interpretimin e gjetjeve të hulumtimeve sociale.

Nëse kjo nuk do të mundësohet që të ndodhë, atëherë interpretimi apo edhe keqinterpretimi i gjetjeve lidhur me realitetin social, siç thotë sociologu Michael Harolombas, ka të ngjarë që përherë do të bëhet sipas “interesit ideologjik”, ndoshta edhe momental.