LAJMI I FUNDIT:

Sekretariati i Energjisë nis hetim kundër Kosovës për shkak të termocentralit ‘Kosova e Re’

Sekretariati i Energjisë nis hetim kundër Kosovës për shkak të termocentralit ‘Kosova e Re’

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka dërguar një letër të hapur zyrtare Qeverisë së Kosovë, ku ka treguar se ka hapur hetim për termocentralin “Kosova e Re”.

Sekretariati që është një organizatë ndërkombëtare me bazë në Vjenë dhe që bashkon vendet e Bashkimit Evropian për të krijuar një treg të integruar energjetik, thotë se ka gjetur disa aspekte të caktuara të kontratës si blerja për 20 vjet e disponueshmërisë së energjisë nën marrëveshjen për blerjen e energjisë, transferi i pronësisë, garancitë shtetërore, përjashtimi nga TVSH dhe të tjera përfitime paraqesin ndihmë shtetërore të sanksionueshme me ligj.


“Duke dërguar një letër të hapur, Sekretariati inicion një procedurë preliminare, arsyeja e të cilës është dhënia e mundësisë për Kosovën që ajo të reagojë në dy muajt e ardhshëm e të mos jetë në kundërshtim me ligjet e Komunitetit Energjetik”, kanë shkruar ata në letër.

Pas ankesës së Balkan Green Foundation (BGF), Institutit GAP, Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) në muajin maj 2019, te Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë se marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e Kosovës dhe Contour Global (GenCo) për termocentralin “Kosova e Re” përmbajnë elemente të ndihmës shtetërore.

“Organizatat e lartcekura në vazhdimësi kanë argumentuar që kjo kontratë, përveç dëmit shkatërrues financiar dhe mjedisor, do të dëmtoj edhe rrugën integruese të Kosovës pasi dëmton liberalizimin e tregut dhe konkurrencën dhe favorizon përtej çdo logjike një investitor privat karshi të tjerëve dhe në dëm të interesit publik. Kujtojmë se, që nga tetori i vitit 2015, Kosova është palë nënshkruese e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Neni 77(c) i kësaj marrëveshjeje, ngjashëm me ligjet e BE-së, ndalon angazhimin e përkrahjes së shtetit për subjekte në rast se mund të ndikojë konkurrencën. Dështimi për t’iu përmbajtur kësaj marrëveshjeje mund të ndërpresë negocimin për hyrje në BE”, thuhet në njoftimin e organizatave.

Në fund, BGF, Instituti GAP, GLPS dhe INDEP i bëjnë thirrje Qeverisë në ardhje, që të ketë në konsideratë të gjitha këto fakte dhe sipas tyre të tërhiqet nga kjo kontratë e dëmshme. /Telegrafi/