LAJMI I FUNDIT:

RTK , Si të avancohet në një medium të vërtet publik?

Financimi i RTK-së?

Sërish për problemin e RTK-së. Jemi lodhur duke folur për RTK-në. Me RTK-në merret tani edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për të vendosur se a do të paguhen 3.5 euro në muaj për Radio Televizionin e Kosovës përmes faturave të Korporatës Energjetike të Kosovës. Thuhet se RTK i ka mbetur borxh KEK-ut 40 milionë euro. RTK-ja vitin e fundit ka thënë të kundërtën. Ndërsa akoma nuk është hequr mjegulla se si duhet të gjendet zgjidhja e financimit për mediumin publik. Politika, gjegjësisht qeveria akoma nuk është prononcuar, përveç kryetarit të Parlamentit te Kosovës Jakup Krasniqi se RTK do të financohet nga teksa 3.5 Euro si deri më tani, përmes faturave të KEK-ut.


Martesa me KEK-un duket se dështoi, duhet tani zgjedhur një metodë tjetër të mbledhjes së takës për RTK-në. Si model mund të merret modeli gjerman. Gjithë ata që kanë televizion dhe radio paguajnë një shumë të caktuar p.sh. 5 euro. Të hyrat nga gjitha taksa do të shkonin në Agjencinë për mbledhjen e takës radiotelevizive dhe jo në xhirollogarinë e Qeverisë. Organi më i larte do të jetë Këshilli i Agjencisë i përbërë prej 5 vetave i cili do të vendos për tarifat e pagesës dhe do të bëjë llogarinë e shpenzimeve, hyrje-daljeve për çdo vit, pra do ta bëje bilancin se sa të holla i duhen RTK-së të për mbuluar misionin e vet garantuar me ligj, gjegjësisht llogaritjen e shpenzimeve, për të realizuar programin dhe ky raport i dorëzohet parlamentit për miratim.

Këshilli i Agjencisë për përllogaritje të buxhetit programor

Këshilli duhet të jetë profesional. Aty duhet të jenë ekonomistë dhe menaxherë që menaxhojnë të hyrat. Ata nuk kanë qasje në të holla por vetëm bëjnë raportin e përllogaritjeve buxhetore për programin radioteleviziv të mediumit publik. Anëtaret e Këshillit nuk duhet të kenë konflikt interesi me RTK-në. Nuk duhet të jenë në Bord të RTK-së, zyrtarë shtetëror apo në parti politike apo të kenë lidhje me biznes, ndërsa administrata për pagesa do të ishte institucioni përkatës që lëshon mjetet dedikuar RTK-së. 6 përqind e gjithë buxhetit mund tu lihen në dispozicion programit për minoritete, ndërsa me 2 përqind e gjithë taksës së mbledhur do të paguhen pagat e Këshillit të Agjencisë, Administratës së Agjencisë dhe Institutit për Kërkime Shkencore.

Agjencia i mbledh të hollat përmes parapagimit në këste për tre apo gjashtë muaj. Rastet sociale do të liroheshin konform ligjit me që rast shteti do të plotësonte nga buxheti shtetëror për të paguar për të papunët taksën për RTK-në përmes entit social i cili do të bënte kërkesë tek agjencioni për rastet sociale dhe lirimin e tyre.

Konsumatorët që kanë teknik për kapjen e sinjalit radio televiziv gjithë do të jenë të detyruar të paguajnë, pavarësisht se a e shikojnë RTK- në apo jo, sepse teknika atyre u mundëson të kapin sinjalin tjetër, atë privat. Kundër atyre që nuk do të paguajnë rastet do ti përcillen gjykatës dhe do të zgjidhen rastet në rrugë ligjore. Ndërsa për Radio televizionet private mënyra e financimit do të jetë vetëm reklama. Ndërsa RTK-së do ti ndalohet reklama tërësisht ose të krijohet kanali i dytë të cilit do ti lejohet 10 përqind mbulim të shpenzimeve nga reklama.

Në këtë kanal RTK2, mund të ri-punësoj një pjesë te madhe e ish gazetarëve të RTP-së. Kuvendi i Kosovës me tutje mund ta financoj gjithë programin për minoritetet, programet edukativo- arsimore dhe kanalin satelitor për shtetasit e Kosovës jashtë atdheut.

Bordi politik pa ndikime politike në program
Nëse duam përfaqësim politik, nga grupe tjera të shoqërisë, në Bordin e RTK-së duhet ta ndryshojmë ligjin, siç është në Gjermani, ta rrisim numrin e anëtarëve të Bordit në të cilin secili subjekt politik do të delegonte përfaqësuesit e vet, akademia e shkencës një, universiteti një shoqata e gazetarëve, e besimeve fetare, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përfaqësues të minoriteteve.

Kjo mund të jetë edhe mundësi ndoshta më e mirë e kontrollit të programit. Ta zëmë në rast se një emision Televiziv del i keq, ka shumë më shumë mundësi të reagohet, nga brenda,sepse do të reagojnë në radhë të parë anëtarët e bordit, që janë ndier të keqtrajtuar në emision. Vetëm kështu mund të shtrihet kontrolli i vërtet shoqëror dhe ai parlamentar.

Reformim të kuadrit gazetaresk, udhëheqës me përkushtim

Ne RTK të punësohen gazetaret të shkolluar, ata që janë të përkushtuar të jenë objektiv, neutral, të pavarur , ta avancojnë gazetarinë publike e cila ka për qëllim të jetë, jo vetëm si ndërmjetësuese e një dialogu mes qytetarëve dhe politikës, por edhe bashkëvepruese. Çdo devijim i tyre nga këto koncepte dhe shkeljet që ndonjë punëtor do ti bënte ndaj mediumit publik, do mund të përjashtohej nga vendi i punës, por natyrisht duke patur të drejt të ankohet në rrugë ligjore.

Çdo ndërhyrje e politikes mbi mediumin publik, do të bëhet publik dhe rasti do ti procedohet gjykatës. Koncepti i RTK-së mund të ketë sukses vetëm atëherë kur gazetarët punojnë temat problemore pa patur frikë se do të ketë ndërhyrje politike, ose të perdorin cenzurën në kokë, për të mos u konfrontuar me politikën.
Ky medium publik mund të ketë sukses vetëm atëherë nuk do ti shërbej politikës, qeverisë të cilës sot i prinë Hashim Thaçi e nesër mund ti prij dikush tjetër. Për më tepër ruajtja e pavarësisë së mediumit publik nga qeveria do ti bënte nder vet kësaj të fundit, jo pavarësi, sa për sy e faqe, por pavarësi të njëmend. RTK duhet tu shërbej taksa paguesve.

Prezantimi i qeverisë, forcave politike në RTK- duhet të bëhet sipas konceptit gazetaresk, rëndësisë se ngjarjeve dhe vendimit të pavarur gazetaresk, të peshuar dhe racional duke u bazuar në etikën profesionale, duke e kryer gjithnjë më shumë funksionin e kontrollit dhe kritikës.

Emisioni i Jeta Xharrës Jeta në Kosovë model i paanshmërisë

RTK-në mund te avancohet ne një medium të fort publik, një ARD apo ZDF gjerman nëse përfillim e transferojmë idealin e shembullit të emisionit të Jeta Xharrës në një politikë redaksionale të gjithëmbarshme për gjithë RTK-në. Kështu mediumi ynë publik do tu shërbente interesave të qytetarëve, ndërsa menaxhmenti i RTK-së do të pasurohet edhe me ndonjë profesionist plotësues për ta kryer detyrën me nder dhe profesionalizëm për faktin se qytetarët do të kërkojnë llogari për paranë e tyre publike.

Mediumi publik përveç që duhet të informojë, pa i skandalizuar ngjarjet, ky medium si gjithë të tjerët duhet të jap zgjidhje në problemet e paraqitura dhe të mbetet dritare e hapur edhe për minoritetet. Nuk duhet të bëjë program për quotë, për interesa biznesi a interesa politike, por vetëm për interesa të qytetarëve. RTK duhet të bëjë kronika për fenomene për ti mbrojtur interesit e qytetarëve, edhe nëse një pikëpamje nuk i pëlqen qeverisë dhe shtetit.

RTK duhet të jetë edhe zë i shoqërisë civile, i iniciativave qytetare, jo zë i interesave dhe grupimeve të interesit, qofshin ato ekonomike, politike apo tjetër fare. RTK duhet të jetë i të gjithëve qytetarëve të Kosovës.
7.10.2009

(Autori ka magjistruar në Universitetin e Lirë të Berlinit në degën e Publicistikës dhe Shkencave të Evropës Lindore)