LAJMI I FUNDIT:

Rrëzimi i mitit të zgjedhjeve të ndershme

Në Kosovë këto ditë rrëfenjat për zgjedhjet janë kthyer në modë. Njerëz të thjeshtë tregojnë se si në filan komunë votat kishin tentuar të bliheshin me ndonjë thes miell, si në filan fshat apo qendër votimi ishin mbushur kutitë, se si dikush kish hedhur vota për gjithë farefisin, të vdekur e të gjallë, e se si në ndonjë vend komisionerët e partive të ndryshme ishin bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët, një grusht para në këmbim të procesverbaleve.

Në një nivel tjetër, atë institucional ku beteja po zhvillohet e ashpër dhe serioze, po faktohen rrëfenjat e vjedhjes së votave. Vendimi i KZAP-it për të anuluar zgjedhjet e raundit të dytë në tri komuna, dy nga të cilat të mëdha, Prizreni dhe Gjilani është përligjie e plotë e një procesi të kompromentuar i cili, pas raundit të parë u cilësua nga kryeministri i vendit, si “mrekulli.” Në të vërtetë anulimi i votimeve në komunat e mësipërme nuk është gjë tjetër veçse një rrëzim i mitit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Kosovë.


E kur përmendim këtë fjali, nuk kemi sesi të mos e kthejmë pak kokën prapa e të kujtojmë frazën e famshme, të përsëritur e ripërsëritur pas çdo procesi zgjedhor në Kosovën e pasluftës se kjo e fundit ishte shembull në rajon përsa i përket procesit të zgjedhjeve. Ata që kanë informacion më shumë e dinë mirë se pse kjo fjali ishte e nevojshme për tu thënë nga ndërkombëtarë e vendorë, se pse vjedhja e votave nuk denoncohej, pse denoncimi nuk bëhej publik e pse publikut i hidhej hi syve. Ata që kanë informacion më shumë apo kanë qenë ndihmës në këtë proces e dinë mirë se rezultatet e zgjedhjeve janë dizajnuar jo nga vetë qytetarët në kutitë e votimit, por nga vendorë e ndërkombëtarë, në qendrën e madhe të numërimit të votave në Fushë-Kosovë, sipas kërkesave së kohës për balance politike.

Atëherë përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve ka qenë UNMK-u dhe OSBE-ja.
Se sa e vërtetë është kjo mjafton të sjell një shembull nga zgjedhjet e vitit 2007, ku vëzhguesit e partive politike në këtë qendër të madhe numërimi ishin si kukulla që qëndronin në largësi të mjaftueshme për të mos para asgjë, e hyrja e një gazetari tek pjesa ku rrinin ndërkombëtarët që numëronin e shkruanin rezultatet ishte më e vështirë sesa në vetë burgun famëkeq të Guantanamos.

Por parregullsitë, vjedhjet apo dyndja e kutive të mbushura sipas qejfit me forgona personalë, si në 2007 ishin më të parëndësishme se procesi politik dhe stabiliteti i vendit. Tani kur situata është ndryshe, vjedhja e votave të një rivali politik është bërë më e vështirë e gjithsesi më e zhurmshme.

Dhe meritë kryesore për këtë pati një femër. Ajo ishte Mimoza Kusari, e cila refuzoi të pajtohej me parregullsitë në komunën e Gjakovës, përkundër presionit të madh si nga opinioni publik, ashtu edhe ai institucional që nuk e çoi drejtësinë në vend. Por refuzimi i saj shërbeu si një pasqyrë tepër e rëndësishme. Përfshirja në procesin zgjedhor të Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese është dëshmi e mungesës së pavarësisë së institucionit që përkujdeset për zgjedhjet, pra Komisionit Qendror. Nëse drejtësia nuk do të çohet në vend, edhe pavarësia e dy gjykatave në fjalë do të komprometohet.

E në këtë mënyrë, nuk do të jetë Shqipëria, opozita e së cilës ka marrë rrugët në kërkim të votës së vjedhur, ajo që do ta mbajë në dorë flamurin e zgjedhjeve të parregullta, e as Maqedonia me gjithë krismat e armëve që i kanë shoqëruar, por vetë “shembulli i mirë” i deritanishëm i rajonit ku të paktën në tre komuna u shpall zyrtarisht hajdutëria apo “hajnia” siç e thonë në Kosovë. E nëse flasim jozyrtarsht, tre komunat ku u anuluan zgjedhjet janë vetëm maja e ajsbergut. Një ajsbergu, që kryetarja e KQZ-së, zonja Lushta e as kryetari KZAP-it zoti Rraca, duket se nuk kanë guximin t’ia zbulojnë 7/8 e tij.

Por ka dhe një moment tjetër që ja vlen për tu ndalur në të gjithë këtë histori. E ai është që këto dy institucione reagojnë vetëm nga presioni i partive të mëdha apo të forta, sic janë PDK, LDK e AAK, të afta jo vetëm për të shpërdoruar votën por edhe për ta rikthyer atë. Partitë e vogla duket se dhe për një kohë do të shërbejnë për të mbushur kutitë e partive të “forta.”

E duke qenë se këto ishin edhe zgjedhjet e para që shteti i ri organizoi e menaxhoi krejtësisht vetë, mund të thuhet se ra dhe në provimin e parë. Imagjinoni për një çast raportet konfidenciale të vëzhguesve të huaj, nëpër shtetet e tyre, shumica e të cilëve janë të angazhuar për të ndihmuar Kosovën në procesin e njohjeve. Sa për raportimet e vazhdueshme për parregullsi të mëdha nga ana e grupit të organizatave monitoruese “Demokracia në veprim” duket se KQZ nuk e çau kokën. Mbase edhe me vetë fajin e shoqërisë civile, e cila në Kosovë ende nuk ka mundur të krijojë staturën e një fuqie domethënëse.

Rivotimet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan, për të cilat KZAP-i ka rekomanduar të zhvillohen në tërësi dhe jo vetëm në qendrat problematike të votimit, nëse nuk do të arrijnë të zhvillohen sipas standardeve më të larta zgjedhore, do ta komprometojnë të gjithë procesin e zgjedhjeve lokale 2009 dhe demokracinë e brishtë në këtë vend.

(Autorja është analiste politike pranë gazetës Kosova Sot)