LAJMI I FUNDIT:

Rreziku nga politika imperialiste rusomadhe

Rreziku nga politika imperialiste rusomadhe

Eksperimenti praktik në Krime, një akt veprues me primesa të provës ekspansioniste për ta sjellë Evropën para aktit të kryer (ipso facto), ishte hyrja e Rusisë në rrugën e fillimit të zbatimeve të strategjive imperialiste. Shkolla e dikurshme e kësaj praktike, ishte fati i gjysmës së Evropës për të mbetur nën kulmin e saj, pas vitit 1945. E, ndërsa që muret e kësaj shkolle u rrënuan në fund të shekullit, rreth 20 vite më vonë po del që “muret janë rrënuar”, por jo edhe mësimet, teoritë, lëndët dhe grixhat e kësaj shkolle. Implikimi politik dhe ushtarak i Rusisë, ka vazhduar pas invadimit në Krime edhe në territorin e brendshëm të Ukrainës.

Moska nuk ka dyshim që po e pretë momentin për të ndërhyrë në Ukrainë. Krimea ishte një test efikas prej kamuflazhi dhe eksperimenti, si pjesë e hyrjes së Rusisë në zbatimin e misionit të strategjisë imperialiste. Çka do të thotë kjo?


Rusia, po provon t’i kthejë territoret e ish perandorisë komuniste të Bashkimit Sovjetik, duke ndjekur shembullin e rrezikshëm të Gjermanisë naziste. Nuk është se shteti që di të pushtojë, siç është Rusia, që di të shfrytëzojë e shtyp popuj e vende anë e kënd globit, i mungon vullneti në këtë drejtim. Kësaj here, ndryshe nga shekulli i kaluar XX, Moska po kthehet në protagonist të shpartallimit të rendit ndërkombëtar evropian, duke i investuar kapitalet e strategjisë imperialiste.

Implikimi rus në Ukrainë, nuk do koment! Separatistët prorusë nuk po defilojnë (në Donjeck, në Lugansk, në Slaviansk etj.), vetëm me koktej molotovi, me maska dhe me automatikë! Ata po defilojnë edhe me tanke, por edhe raketa tokë-ajër! Së paku katër helikopterë të ushtrisë ukrainase janë rrëzuar me raketa, qëkur ka filluar konflikti. Kjo tregon se separatistët prorusë po mbështeten nga ama e tyre. Kapardisja e tyre e përgjakshme, nuk po bëhet rastësisht!

Ukraina po hyn gjithnjë e më shumë në rrethin e errët të së nesërmes. Konflikti që ka shpërthyer gjatë fundit të prillit në lindje të vendit, po bartet gradualisht edhe në jug të vendit, më konkretisht në regjionin e Odesës. Bartja e konfliktit në jug në vendin me rreth 45 milionë banorë dhe me mbi 650 mijë kilometra katrorë, mundëson pashmangshëm implikime graduale edhe në rajonin e Rodopeve. Jo rastësisht qeveria e Moldavisë e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, më 05 maj 2014, si preventivë e përkeqësimit të situatës në jug të Ukrainës. Autoritetet në Kishinjev kanë bërë të ditur se “pranë kufijve të Moldavisë paraqitet gjendje e rrezikshme për shkak të dhunës që po ndodh në shtetin fqinj, Ukrainë, dhe se forcat e sigurisë janë urdhëruar që të marrin të gjitha masat e nevojshme për ta ruajtur rendin në vend”.

Ndërkaq, siç dihet, një krahinë e tërë, ajo e Pridnjestrovljes, ka kërkuar që t’i bashkohet Rusisë. Në këtë krahinë janë të stacionuar rreth 1500 trupa ruse. Gjërat, po zhvillohen jashtë parashikimeve analitike dhe politike. Disa veprime që po ndodhin në Kremlin po na e kujtojnë Rajhstagun e fillimviteve të ‘40-ta të shekullit XX! Dallimi i vetëm është se atëbotë nuk kishte bomba atomike, celularë dhe internet. Por, qe do: kishte politika fashiste të konceptit nacionalist dhe imperialist, objektivi i të cilave politika ishte një ekspansionizëm koherent gjerman: qoftë si hakmarrje ndaj Versajes (1919), qoftë si vizion për Gjermaninë deri në Ural.

Strategjia aktuale imperialiste ruse prandaj, duket sikur po shpërthen: si hakmarrje për vitet e ‘90-ta, vite këto kur u shpërbë ish BRSS dhe që në Kremlin mendohet që “shpërbërja: erdhi me ndihmën e Perëndimit”.

Padyshim, në të dy rastet, në fund të fundit bëhet fjalë për areola strategjikisht puro imperialiste me çka historia është e mbushur përplot! Prandaj, po bëhet gjithnjë e më e qartë gjithandej botës se Rusia putiniste po e legjitimon politikën e ekspansionit, duke e prishur rendin dhe sigurinë ndërkombëtare të mos cenimit të sovranitetit dhe kufijve ndërkombëtarë.

Rusia, po e hap Kutinë e Pandores, madje me përdorimin e mjeteve të forcës. Aneksimi rus i Krimesë dhe infiltrimi në punët e brendshme të Ukrainës, po e delegjitimojnë rendin aktual ndërkombëtar duke e kërcënuar dhe vënë në rrezik paqen globale. Por, cilido parlament në botë që ka një deputet si Zhirinovski, ta zëmë, apo Dagtjarevi, nuk e prejudikon as formatin minimal demokratik të një shteti dhe të mos flasim për formatin e pacenueshmërisë së kufijve, të sigurisë ndërshtetërore, të bashkëpunimit e koekzistencës etj.

Ky i fundit, deputeti Dagtjarev, e ka kërcënuar Republikën e Malit të Zi, një shtet i vogël me rreth 700 mijë banorë dhe, në një largësi të madhe nga Rusia. Pse vallë? “Mali i Zi do të ishte cak legjitim i raketave ruse, nëse i bashkohet paktit NATO”, ka thënë hapur ky deputet kontrovers dhe me tipologji e karakter të pafshehur nacionalist, duke propozuar edhe themelimin e një pakti të ri ushtarak me Kinën. Digresioni kërcënues që vjen nga politika e Moskës, pasqyron tonet e rrezikshme të shpërthimit eruptiv të imperializmit rusomadh, shtrirja e dikurshme e të cilit duket që ka nisur të vizatohet në sytë e ftohtë dhe të pasinqertë të atyre që e përfaqësojnë në nivelet më të larta politikën zyrtare ruse, ose imazhin imperialist.

Ç’e keqe i ka ardhur ndonjëherë Rusisë nga Evropa? Unë nuk jam historian, por e di që Evropa më shumë se sa e keqja e vetës, nuk është treguar më e ashpër apo më njerkë ndaj Rusisë! Përjashto Napoleonin dhe Hitlerin, të cilët ishin agresivë dhe pushtues brenda vetë kontinentit, populli dhe shteti rus është trajtuar nga Evropa pothuajse si një popull evropian në çdo aspekt, pavarësisht shtrirjes gjeografike, komunikimit dhe bashkëpunimit që ka pasur dhe që vazhdon të ketë me popujt dhe vendet aziatike! Në kontekst, shefi i diplomacisë gjermane, Frank Valter Shtajnmajer, ka thënë gazetën polake Viborça se do të ishte gabim skandaloz që të ndërpritet dialogu me Rusinë. Ai ka thënë po ashtu se për dallim prej vitit 1914, sot Evropa mbahet mbi diplomacinë e saj dhe se nuk ka anëtarë të UE-së që do të dëshironte t’i dërgonte ushtarët e tij në frontin lindor. E kundërta: shteti rus ka ndjekur në koherencë politika goxha tinzare dhe në rivalitet ekspansionist me popujt dhe me vendet evropiane.

Rusia, me veprimet e veta të papërgjegjshme dhe në shërbim të politikave imperialiste, po përhap rreziqe jo vetëm për rajonin në Ukrainë por, edhe për gjithë Evropën. Absolutisht nuk duhet paragjykuar interesimin e cilitdo shtet për pakicat etnike dhe, në kontekst as interesimin e Rusisë për pakicën ruse e cila jetojnë në Ukrainë, mirëpo përdorimi i pakicave për interesa nacionaliste e nxjerr në sipërfaqe areolën e të fortit dhe politikën imperialiste.

“Konflikti në Ukrainë, po merr formë të rrezikshme, e që neve në Evropë na është dukur i pamundur. Prandaj, është real kërcënimi i ndarjeve në Evropë”, ka thënë z. Shtajnmajer.

Me veprimet e këtilla, domethënë duke e shmangur politikën e bashkëpunimit dhe të dialogut, njësoj edhe duke e shmangur fqinjësinë normale dhe koekzistente, Rusia, e njohur historikisht për kultivimin e traditave të politikave ekspansioniste, është duke e rrezikuar paqen në Evropë dhe më gjerë.