LAJMI I FUNDIT:

Roli i mediave për barazinë gjinore – bëhet thirrje që të ndryshohet diskursi “burrë dhe grua”

Roli i mediave për barazinë gjinore – bëhet thirrje që të ndryshohet diskursi “burrë dhe grua”

Në edicionin e gjashtë të Konferencës për Integritetin e Informacionit “DISICON”, që po mbahet në Prishtinë, është diskutuar edhe për një mjedis medial të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të barabartë.

Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu i cili ishte pjesë e panelit diskutues u shpreh se mediat kanë rol të rëndësishëm për të shtyrë përpara barazinë gjinore.


Hajrullahu pati kritika edhe për partitë politike, për të cilat tha se duhet të jenë më të hapura për përfaqësim nga gratë.

“Kritikë për partitë politike të Kosovës, për shkak se shpesh herë kur tema diskutimi janë ështje të mëdha në panele diskutimi nuk dërgohen gratë por burrat.

Dezinformimi gjinor, rrezik për demokracinë - në Prishtinë nis konferenca për integritetin e informacionit
Lexo po ashtu Dezinformimi gjinor, rrezik për demokracinë - në Prishtinë nis konferenca për integritetin e informacionit

Ka shumë gra në Kosovë në fusha të ndryshme që janë eksperte dhe mund të japin kontribut të jashtëzakonshëm. Roli i mediave është i rëndësishëm që me shty përpara barazinë gjinore”, u shpreh Hajrullahu.

Tatjana Lazareviq, kryeredaktore në portalin KoSSev, u shpreh se gazetaria është bërë biznes i grave.

“E them me qëllim gazetaria e jo mediat, sepse më të ballafaquara në media janë gratë… Po flas për redaksitë te mediave në gjuhën serbe në Kosovë ku gratë dominojnë”, tha Lazareviq.

Ajo përmendi faktin që shpesh herë kur gratë që janë në media raportojnë për çështje delikate, ato janë cak i sulmeve të ndryshme.

Analisti politik, Agon Maliqi theksoi se fuqia e medias është shumë e fortë kur bëhet fjalë për raportimin e rasteve të ndjeshme.

“Nuk kuptohet se kur raportohet për një rast të vrasjes dhe fillojnë diskutohet se çfarë ka bërë ajo grua që është vrarë, atëherë kjo prodhon një rast që të sulmohet ai person mbi baza gjinore”, ka thënë Maliqi.

Ai shtoi se mediat shpeshherë kur janë temat me rrezik siç është rasti i ngjarjeve në veri, i dërgojnë gratë kurse kur bëhet fjalë për tema të mëdha në Bruksel shkojnë burrat.

Donika Emini, drejtoresh ekzekutive e Civi-Kos, tha se nuk ka nevojë studim i thellë për të parë trendin negativ ndaj grave në Kosovë.

“Ne duhet të trajnohemi për të qenë pjesë e debateve sidomos atyre televizive. Kur je e vetmja grua pjesëmarrëse në panel asnjëherë nuk jam ndier si Donika Emini por vetëm si grua dhe çfarëdo që bëjë dhe them unë mbaj barrën për të gjitha gratë”, u shpreh Emini.

Ajo ka shtuar se gratë shpeshherë në media ekspozohen vetëm për tema sociale.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, Imer Mushkolaj theksoi se hapësira publike në Kosovë është e kontaminuar, në kuptimin e asaj se çfarë thuhet dhe si veprohet.

“Është fakt që nuk është e njëjtë si të jesh burrë dhe grua në hapësirën publike në Kosovë. Rrjetet sociale e kanë bërë që të shpërfaqet më shumë gjuha e urrejtjes ndaj grave”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj shtoi se është përgjegjësi e jona si shoqëri, po ashtu edhe mediave që të ndryshojmë këtë diskurs.

Në fund të këtij diskutimi u bë thirrje që Edukimi Medial të jetë i pranishëm në shkolla, e po ashtu që të ndryshohet diskursi “burrë  e grua” në hapësirën publike. /Telegrafi/