LAJMI I FUNDIT:

Regresi me FMN dërgon sinjale negative

Regresi me FMN dërgon sinjale negative

Në vazhdimësi të deklaratës së fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi ridizajnimin e marrëdhënieve me Kosovën, Instituti Riinvest shpreh shqetësimin e vet në drejtim të qëndrueshmërisë financiare dhe perspektivës ekonomike të vendit.

Kalimi nga një marrëveshje formale me përfitime financiare si ajo “Stand-By Agreement” e korrikut 2010 në një marrëveshje joformale dhe pa asistencë financiare si kjo “Staff Monitored Program” e majit 2011 ndikon rëndë në financimin e deficitit të planifikuar, rrezikon proceset integruese të Kosovës në organizmat ndërkombëtar dhe dërgon sinjale negative tek investitorët e huaj.

Riinvest shpreh shqetësimin mbi qëndrueshmërinë financiare të vendit nëpër vite. Humbja e asistencës financiare për vitin 2011 do të krijojë nevojën e financimit të deficiti nga bilanci bankar i mbledhur nëpër vite, duke bërë kështu vendin mjaft jo-likuid në përmbushjen e obligimeve financiare në periudhë afatmesme.

“Regresi në relacion me FMN dërgon sinjale negative në mekanizmat si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kreditë e së cilës kanë qenë shpresë serioze e rimëkëmbjes ekonomike tonë. Në të njëjtën kohë, Riinvest shpreh pakënaqësi në mënyrën se si ky relacion i ri do të reflektojë në Raportin e Progresit 2011 dhe integrimet evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Rinvestiti.


Riinvest fton institucionet shtetërore që të adresojnë problemet e lindura dhe të ndërtojnë një konsensus mbi këtë bazë. Injorimi i humbjeve kaq madhore për vendin vë në rrezik enorm qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. /Telegrafi/