LAJMI I FUNDIT:

Regjistrohen 2,941 biznese, shuhen 404 prej tyre gjatë tremujorit të parë 2021

Regjistrohen 2,941 biznese, shuhen 404 prej tyre gjatë tremujorit të parë 2021
Foto: Ilustrim

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 në Kosovë janë regjistruar 2,941 biznese të reja, kurse janë shuar 404 prej tyre.

Kështu thuhet në raportin “Repertori statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë, tremujori i parë 2021” të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkruan Telegrafi.


“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 804 biznese, prodhimi me 344, ndërtimtaria me 340, akomodimi dhe aktivitetet të shërbimeve me ushqim me 293, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 293 dhe informacioni e komunikimi me 173 biznese”, thuhet në raport.

Sipas ASK-së, shumica e ndërmarrjeve janë në kategorinë deri në 4 të punësuar.

“Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2,831 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor apo 96.3 për qind, me 5 deri 9 të punësuar janë 65 sosh me 2.2 për qind, 10 deri në 19 të punësuar 31 apo 1.1 për qind, 20 deri 249 të punësuar me 13 me 0.4 për qind, ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar kemi vetëm 1 ndërmarrje”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.

Numri i ndërmarrjeve të regjistruara dhe atyre të shuara sipas tremujoreve | Burimi: ASK

Për sa i përfshirjes gjeografike, rajoni i Prishtinës ka pjesëmarrjen e më të madhe të bizneseve të reja.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujorë mbizotëron Komuna e Prishtinës me 860 ndërmarrje të regjistruara apo 29.24 për qind, Ferizaj me 258 me 8.77 për qind, Prizreni me 236 me 8.02 për qind, Gjilani me 156 me 5.3 për qind, Peja me 148 me 5 për qind dhe Fushë Kosova me 125 me 4.2 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, përfundon raporti i ASK-së.

Në fund, ASK thotë se në këtë tremujor, krahasuar me atë paraprak ka ngritje për 2.54 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara, ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka ngritje për 27.26 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. /Telegrafi/