LAJMI I FUNDIT:

“Radio Iliria”, të hënën në TQP “Dodona”

“Radio Iliria”, të hënën në TQP “Dodona”

Të hënën, më 29 shtator, në ora 19:30, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës - “Dodona” jepet shfaqja “Radio Iliria”.

“Radio Iliria” është një dramë e shkruar nga Iris dhe Erand Sojli, ndërsa tema shtjellohet rreth personazhit Pali – shqiptar i Kosovës i ikur në Shqipëri në vitet ’60 të shekullit të kaluar, për t’i shpëtuar UDB-së jugosllave, e që persekutohet me 25 vjet burg nga diktatura komuniste shqiptare.


Drama ndahet në dy periudha dhe vende të ndryshme të jetës së tij. Pali plak (interpretuar nga Mërkur Bozgo) ndodhet në ditët e sotme, në dhomën e tij të varfër. Pali i ri (interpretuar nga Arben Bajraktaraj) ndodhet në qeli, i burgosur. Dy personazhet, nën hijen e dashurisë (interpretuar nga Erjeta Cufaj) përshkojnë 25 vjet burgimi, nëpërmjet gjithë fazave të shndërrimit të njeriut nën kushte izolimi.

Debati i tyre thyen barrierat e kohës dhe të hapësirës, meqë i riu jeton në vitet ‘70 të shekullit të kaluar dhe plaku në ditët e sotme. Njëri është në burg e tjetri rrethuar nga muret e shtëpisë së tij. Radio i bashkon; dashuria e humbur gjithashtu. Plaku sheh veten në naivitetin e të riut, ndërsa i riu shqetësohet nga fjalët e plakut: I kujt është faji, dashuria, e shkuara dhe e ardhmja? Çfarë këshillash e ç’pendime mbart secili prej nesh kur shikon pas?

I riu dhe plaku, një njeri, dy epoka, dy njerëz e një skenë, mbartin fajin pafajësinë e të gjitha viktimave të një sistemi që mbretëroi në Shqipëri për 50 vite, duke lënë pas plagë të cilat nuk janë shëruar ende.

Autorë: Iris Sojli dhe Erand Sojli

Regjia: Erand Sojli

Producente: Iris Sojli dhe Ori Kuçi

Asistente regjie: Flonja Kodheli

Konsulent: Idlir Azizi

Në role: Arben Bajraktaraj, Mërkur Bozgo dhe Erjeta Cufaj

Muzika: Elina Duni

Kostumet: Eri Daka

Skenografia: Arjan Riasvani

/Telegrafi/