LAJMI I FUNDIT:

Qytetari kosovar përballë zgjedhjeve

Qytetari kosovar përballë zgjedhjeve

Kosovarët po edukohen të kenë një mentalitet egocentrist. Për fat të keq, për të atillë edhe po investohet në plan të edukimit. Për ta kuptuar më mirë, mjafton të shikoni vetëm subjektet politike, shkaqet e krijimit të tyre, mungesën e planprogrameve, filozofisë politike, ideve progresive, qasjes ndaj qytetarëve-shoqërisë, mënyrën si jetojnë, thënë troç – numrin e madh të tyre. Vetëm numri kaq i madh i subjekteve politike, që nuk ekziston në asnjë vend të botës në proporcion komparatist me Kosovën, jep të nënkuptohet se kosovarët janë egocentristë: duan që veten gjithmonë ta kenë në qendër të vëmendjes, të prijnë vetë ata dhe të jenë epiqendra.

I vetëdijshëm se përgjithësimi gjithmonë është i gabuar, sigurisht se mendojmë se ka edhe nga ata pak kosovarë që s’janë pjesë e këtij kategorizimi; ata që nuk janë pjesë aktive e ndonjë subjekti politik.


Partia politike është një grup që bashkon një pjesë të njerëzve rreth një individi, lideri. Kështu mendojnë kosovarët. Ndërsa, në realitet është krejt ndryshe. Definicioni më i njohur për to është se ato janë forma të veçanta të organizmit social. Pra, subjekti apo partia politike është një program që ndërtohet nga përvoja e filozofëve (nga të cilët sipas Platonit edhe duhet të drejtohet) e që rreth vetes ofron njerëz që i besojnë dhe punojnë në jetësimin e atij programi, asaj filozofie.

Definicionin e politikës se politika është proces përmes së cilit organizohet jeta e përbashkët në një shoqëri, tek ne, në plan etimologjik e njohin thuajse të gjithë ata që merren me politikë. Mirëpo, po t’i pyesësh në rrafshin profesional, rrallëkush mund të të argumentojë se ç’është politika apo një subjekt politik. Kjo flet për kualitetin e politikës që ka Kosova.

Le të jemi më konkret! Kosova është ndoshta vendi i vetëm në botë që në proporcion me numrin e banorëve ka shumë parti politike. Numri i subjekteve politike, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur që garuan në zgjedhjet e fundit në Kosovë ishte 101.

Arsyeja e krijimit të kaq shumë subjekteve politike, sidomos iniciativave qytetare dhe kandidimit të kandidatëve të pavarur, pa dyshim është mospajtimi me realitetin nga i cili derivuan subjektet e reja, iniciativat dhe kandidatët.

Për shembull, nga LDK-ja, si parti me filozofi, të tilla në Kosovë kemi vetëm tri: LDK djathtiste, PDK djathtiste vetëm me emër, Lëvizja Vetëvendosje majtiste. Për shkak të disa mospajtimeve derivoi LDD-ja, e më vonë edhe “Lista Ibrahim Rugova”. Nga PDK-ja derivoi Nisma dhe disa iniciativa qytetare.
Kështu, duke mos pasur fuqinë e ndryshimit brenda partive, apo se partitë u hermetizuan asisoj sa s’pranonin mendimin ndryshe, individë të ndryshëm dolën nga partia për të marrë një pjesë të elektoratit, me shpresë se do të marrin edhe një copë pushtet. Mirëpo, edhe nga partia e derivuar derivoi iniciativë, e nga ajo edhe kandidat i pavarur. Kjo logjikë pa asnjë dyshim drejton nga mendimi egocentrist se kur s’pajtohem e bëj vet.

Mirëpo, shtrohet pyetja se ç’program kanë këto parti të derivuara, këto iniciativa apo kandidatë. Ata doemos mbeten nën hije të programit apo filozofisë së partisë nga e cila kanë dale (nga ajo që është parë gjer tani). Nëse kanë program dhe filozofi të re, kjo do t’ua siguronte jetëgjatësinë, përndryshe, në çdo rast tjetër do të kenë jetë të shkurtër, për një apo dy mandate.

Pa dyshim se edhe qytetari i angazhuar ndjehet shumë i zhgënjyer kur para tij paraqiten 101 mundësi për të përzgjedhur votën. Në fakt, edhe ai e mendon (ndodh edhe e thotë): “krejt janë njësoj”. Kjo thënie e tij dëshmon më së miri mentalitetin egocentrist që ka qytetari i Kosovës që është pjesë aktive e ndonjë subjekti politik.

Thjesht, qytetari s’ka zgjidhje kur ka shumë zgjidhje. Atij (kosovarit që s’është në nivel të emancipimit me shoqëritë evropiane), duhet lehtësuar çështjen duke eliminuar fillimisht kandidatët e pavarur, iniciativat, pastaj edhe subjektet e derivuara (kuptohet se vetëm në rast se nuk kanë program apo filozofi tjetër nga “nëna” prej të cilës kanë dalë).

Arsyeja është se qytetari ka nevojë për një program që është i dobishëm për të dhe shoqërinë në përgjithësi dhe jo të “strehojë” individë në Kuvendin e Kosovës, të atillë që pas hyrjes në Kuvend s’kujtojnë kurrë qytetarin (zakonisht edhe telefonat s’ua hapin). Sepse, një numër jo i vogël nga 101 mundësitë që ka qytetari konkurron veç sa për të zënë një vend pune apo për të pasur lidhje. A s’është ky egoizëm?

Arsyeja e dytë që ndoshta është jo më pak e rëndësishme se e para; është mesazhi që jepet te qytetarët. 101 mundësi të votimit; “politika jonë qenka pikë e pesë”, mund të thotë qytetari. Është e padiskutueshme se ai merr një mesazh negativ, po ashtu edhe një edukatë negative – ndarjen. “Edhe unë do ta bëj vetë. S’e kanë mirë ata”, mund të thotë qytetari, i edukuar gabim, i shndërruar në egocentrist. Kështu, ky edukim i gabuar prodhon edhe asocializimin e qytetarit. Ndërsa, Aristoteli thotë: “Nëse nuk pajtohesh me jetën në shoqëri, duhet të pajtohesh me jetën në vetmi, por me vetëdijen se je ose bishë ose Perëndi”.

Çdo teprim është i dëmshëm. Ndërsa, tek ne, si demokracia, edhe pluralizmi po është më shumë i dëmshëm se i dobishëm. Në fakt, ne edhe ashtu jemi popull që shpejt entuziazmohemi.

Qytetari edhe mund të mos ketë simpati për asnjërën prej partive politiike, dhe ky s’është një gabim. Por, ai gjithsesi duhet të votojë dhe të mendojë kë voton. Vota e tij, për të mirën e tij dhe të shoqërisë, duhet të drejtohet te subjekti, iniciativa apo kandidati që ka program dhe filozofi origjinale, të dobishme për shoqërinë në përgjithësi dhe vetë individin.