LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët e Kosovës me vlerë rekorde të depozitave në bankat komerciale

Qytetarët e Kosovës me vlerë rekorde të depozitave në bankat komerciale

Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga Banka Qendrore e Kosovës, niveli i depozitave tashmë ka kaluar vlerën prej 4 miliardë euro, që është vlera më e lartë historike që nga themelimi i sistemit bankar në vend.

Në kontekst të strukturës, rreth 60 për qind e depozitave janë depozita pa afat, 27 për qind depozita me afat dhe 13 për qind depozita të kursimit.


“Rritja e depozitave në sektorin bankar, me një trend të përshpejtuar gjatë viteve të fundit, pasqyron besimin e klientëve në sektorin bankar, sektor që rregullohet dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës. Bankat vazhdimisht kanë avancuar platformat e tyre për pagesa dhe klientët tashmë kanë mundësi që të aplikojnë bankingun elektronik. Avancimet në fushën rregullative si dhe mbikëqyrja profesionale, e përafërt dhe dinamike, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e besimit të klientëve ndaj sektorit bankar”, thuhet në raportin e BQK-së, përcjell Telegrafi.

Përveç depozitave, kreditimi bankar ka shënuar rimëkëmbje të plotë duke arritur nivelet e kreditimit të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Kreditë e reja të lëshuara nga bankat vetëm gjatë muajit korrik 2020 kanë arritur vlerën prej 145 milionë euro që paraqet vlerë shumë të përafërt me kreditimin e një viti më parë prej 146.2 milionë euro apo edhe duke e tejkaluar mesataren e kreditimit gjatë periudhën korrik 2015 – korrik 2019 prej 110.1 milionë euro.

Vlera e depozitave | Burimi: Banka Qendrore e Kosovës

Rimëkëmbja e kreditimit është reprezentative edhe sa i përket sektorëve, ku rreth 60 për qind e kredive u janë dhënë bizneseve.

Po ashtu, pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vendin tonë.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për gjashtë muajt e parë të vitit 2020, mërgata ka dërguar 27.8 milionë euro më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar, shkruan Telegrafi.

Të dhënat tregojnë se më së shumti u sollën në muajin maj 2020, në vlerë prej 104 milionë euro.

Diaspora për gjashtë muaj thyen rekord të remitencave, solli në Kosovë mbi 430 milionë euro
Lexo po ashtu Diaspora për gjashtë muaj thyen rekord të remitencave, solli në Kosovë mbi 430 milionë euro

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, pjesa më e madhe janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

Duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës për gjashtë muaj ka sjellë 433.2 milionë euro.

Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës, e ndjekur nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/