LAJMI I FUNDIT:

Qeveritë teknokrate – eksperiment me demokracinë

Kriza e tregjeve financiare dhe ajo ekonomike ka shpërfaqur çështjen e legjitimitetit demokratik të qeverive teknokrate në një lagje shtetesh në Evropë, e bashkë me të edhe vetpezullimin e demokracisë si sistem. Dështimi më i shpejtë i këtyre qeverive teknokrate, pas një dimri të madh, do të inauguroj pranverën evropiane.

Fisnikëria klerikale evropiane në kulmin e zhvillimit të shtetit absolutist, për të shpëtuar rendin shoqëror të etabluar, kishte filluar të koketoj hapur me Parlamentin e oborreve mbretërore, duke mbytur edhe atë pak frymë lirie që kishte inauguruar fisnikëria kalorsiake. Rendi kishte vënë në veprim tërë mekanizmin e tij për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Por, do të jetë Revolucioni i vitit 1789, ajo ngjarje madhore historike, që do t`i jap fund këtij koketimi të fisnikërisë klerikale me oborret mbretërore dhe aparatin absolutist në Evropë, për t’ia lëshuar radhën agimit të një rendi të ri shoqëror e politik.


Disi ngjashëm, si ndërmjetësues mes politikës “kalorsiake” moderne dhe parlamenteve e qeverive legjitime që kanë humbur besimin e popujve në njërën anë dhe të armatës së të indinjuarve, në anën tjetër, po pretendohet të veprohet edhe përmes qeverive teknokrate në Itali dhe Greqi sot. Të mandatuarit për ngritjen e kabineteve qeverisëse, si në Athinë edhe në Romë, sollën në ekzekutiv ekipe ekspertësh nga fusha e ekonomisë, shkencës dhe administratës, por çuditërisht kanë përjashtuar krejtësisht politologët si ekspert më të thirrur të përafrimit të politikës si aktivitet dhe shkencës.

Qëllimi është i qartë: të shpëtohet rendi ekonomik duke pretenduar që të instalohet sërish një lloj stabiliteti politik. Por ky mision, duket të jetë i pamundur.

Greqia dhe Italia përmes këtij akti po hyjnë në epokën e eksperimentit më të veçantë historik, pas shembjes së eksperimentit të të ashtuquajturit rend socialist në Evropën Lindore dhe atë Juglindore në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Edhe nëse këto qeveri teknokratësh do të tregoheshin përkohësisht të suksesshme, eksperimenti do të shitet i amabalazhuar shpejt si sukses politik i rendit të demokracive neoliberale. Por defektet e produktit nuk i mbulon ambalazhimi edhe më luksoz. Eksperimenti me vet shtetin demokratik, megjithatë do të ketë koston e lartë për klasën politike që u davarit në dafrungën e neoliberalizmit për më se katër dekada radhas.

Fuqia e përqendruar në duart e teknokratëve si përpjekje për të krijuar baraspeshën e domosdoshme mes grupeve të interesit dhe për të arritur një tip të balancës së jashtme demokratike, po përjashton në esencë qeverisjen demokratike bazuar në vullnetin e qytetarëve. Megjithëse ky pezullim nuk po ndodh për herë të parë në historinë e përpjekjeve të amortizimit të situatave të këtilla çfarë prodhojnë krizat ekonomike. Pavarësisht kësaj, roli i ekspertëve në jetën politike përherë ka qenë i kufizuar dhe i rreptësisht i kontrolluar, qoftë edhe për vet natyrën e këtyre dy sferave të dijes, pra shkencës dhe politikës si aktivitet.

Pavarësisht motiveve përse sot, në këtë epokë të zhvillimeve të hovshme shkencore, tekniko-teknologjike dhe të vetëdijes politike, ne ndodhemi para aktit kur shohim qartë se si po nëpërkëmbet dinjiteti i demokracisë, siç do të shprehej jo pa shqetësim filozofi gjerman Jyrgen Habermas, shikuar në këtë kontest politik, qeveritë teknokrate në Greqi dhe Itali, por edhe gjetkë, ku ato po përgatiten ta marrin pushtetin, paraqesin në mënyrën më të hapur aktin e vetpezullimit të demokracisë.

Ndërkaq rasti i Kosovës është më eklatant. Këtu, që pas çlirimit të vendit nga Serbia, u inaugurua tipi i qeverive të dëgjueshme. Ndërkaq pas shpalljes së pavarësisë, qeveritë në Republikën e dytë shqiptare nuk paraqesin asgjë më shumë se një konglomerat miks mes teknokratëve të rinj dhe përfaqësuesve besnik të neoliberalizmit ekstrem.

Në prag të “ndryshimeve” të kësaj natyre, si rezultat i krizës financiare, tashmë është edhe Sllovenia dhe Qiproja. Ndërkaq rrëshqitja e Sllovenisë në batakun e krizës mund të ketë efekt domino për Austrinë dhe Hungarinë.

Kriza e tregjeve financiare që tashmë është shndërruar gjithandej në eurozonë në krizë ekonomike. Kudo ajo po shpërfaq çështjen e legjitimitetit demokratik dhe në esencë paaftësinë qeverisëse nga klasa aktuale politike. Greqia dhe Italia, si dy shtete bartëse të kulturës politike evropiane, po shërbejnë si një fillim i një epoke të re politike.

Dështimi nga ana e Nikolas Sarkozy-it, Angela Merkel-it dhe krerëve tjerë të UE-së, në sprovat e tyre për përballje dhe për të vënë nën kontroll “Imperativën sistemike të ashpërsimit të skajshëm të kapitalit financiar” (Habermas), flet jashtëzakonisht shumë për perspektivën e qeverive teknokrate, por mbi të gjitha për domosdoshmërinë e rishikimit të sistemit politik, që në themel ka filozofinë politike që do të garantonte më shumë drejtësi sociale.

A do të jetë ky pezullim i demokracisë afatshkurtër apo më afatgjatë, kjo varet nga vetëdija dhe pjekuria politike e qytetarëve grekë, italianë e nesër edhe më gjerë në rrafshin evropian. Zgjedhjet e fundjavës që lamë pas në Spanjë, dëshmuan se vetpezullimi i demokracisë lehtë mund të na kthejë në epokën e Frankut dhe në prag të Luftës së Dytë Botërore.

Në rast se ky pezull i demokracisë do të zgjasë tej mase pa u veneruar, repsektivisht pa hasur në rezistencë qytetare aktive, atëherë ky tip i qeverive teknokrate dhe aleatet e tyre, si kjo që po krijohet në Madrid, do të shfrytëzohen nga përfaqësuesit e korporatave shumëkombëshe të instaluar në këto vende për rikthimin në rrugë legjitime të epokës së absolutizmit me formë e përmbajtje moderne. E kundërta e kësaj, që d.t.th. dështimi më i shpejtë i këtyre qeverive teknokrate, natyrisht si rezultat i zgjimit dhe veprimit aktiv të të indinjuarve, pas një dimri të madh, do të inauguroj pranverën evropiane. Kjo do të pasoj meqë të indinjuarit do ta kuptojnë se veprimi politik është produkt i qasjes aktive, vendimeve historike madje edhe në situata të përshkallzuara, e jo ruajtja e status kuosë dhe mbarshtrimi dhe përpunimi i të njohurave.