LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e konsideron sukses të madh publikimin e informacioneve për shpërndarjen e fondeve publike për shoqërinë civile

Qeveria e konsideron sukses të madh publikimin e informacioneve për shpërndarjen e fondeve publike për shoqërinë civile

Qeveria e Republikës së Kosovës ka prodhuar dhe aprovuar praktikat, standardet dhe kriteret për shpërndarjen e fondeve publike për shoqërinë civile.

Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave përgatiten dhe publikuan Raportin për Ndihmën Financiare Publike për OShC-të nga institucionet e Republikës së Kosovës për vitet 2015-2016.


Për shumë analistë të politikave dhe aktivistë të shoqërisë civile, kjo është konsideruar si një sukses i madh politik, pasi që informacionet mbi financimin e qeverisë për shoqërinë civile nuk janë bërë asnjëherë publike në të kaluarën. Për më tepër, në qershor 2017, Ministria e Financave ka krijuar një sistem transparent dhe të përgjegjshëm të hartuar për financimin e OShC-ve duke miratuar Rregulloren Nr. MF-04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat Themelore për Financimin Publik të OJQ-ve.

Kjo rregullore ka mundësuar një sistem të financimit publik për Organizatat e Shoqërisë Civile të bazuara në merita, duke përfshirë rregulla të përcaktuara qartë dhe transparencë si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë  Zyres së Kryeministrit Habit Hajre​dini theksoi se bashkë me Ministrinë e Financave dhe të mbështetur nga Projekti i Asistencës Teknike i financuar nga Bashkimi Evropian kanë dhënë një kontribut të vazhdueshëm në avancimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë në ofrimin e mbështetjes financiare publike për OShC-të gjatë tre viteve të kaluara.

Ky kontribut është përqendruar në ofrimin e mbështetjes për zyrtarët publik, si dhe organizatat e shoqërisë civile përmes trajnimeve të përbashkëta dhe në vendin e punës, në funksion të zbatimit të saktë të rregullores nr. MF. 04/2017 “. mirëpo përkundër kësaj ende ka sfida, kështu që Zyra për Qeverisje të Mirë/ Zyra e Kryeministrit inkurajon të gjitha institucionet publike të forcojnë mekanizmat e tyre edhe më shumë, në mënyrë që të zbatojnë kërkesat e legjislacionit dhe rregullores në fuqi që kanë të bëjnë me financimin publik të OSHC-ve.

Përmirësimi është i dukshëm në disa aspekte. Të dhënat tregojnë se mbështetja financiare publike e ofruar nga institucionet publike për OShC-të , përfshirë institucionet qendrore (Kuvendi, Presidenca, Zyra e Kryeministrit dhe Ministritë), agjencitë e pavarura dhe komunat për vitin 2019 është pothuajse 21 milion euro. Në krahasim me dy vjet më parë, ka një rritje prej 5 milion eurosh. Në nivelin e ministrive, shuma totale është 14 milion euro, dhe në nivelin e komunave 6,5 milion.

Gjithashtu, agjencitë shtetërore kanë ofruar rreth 315.000 euro. Një numër i përgjithshëm prej 1.308 OShC kanë marrë mbështetjen e shtetit nga burime kombëtare dhe lokale. Numri i OShC-ve përfituese në nivelin lokal është më i lartë se numri në nivelin e qendror. Qindra aktivitete u mbështetën në fusha të ndryshme. Në nivel kombëtar, kontributi ka qenë në fusha si: arsim dhe shkencë, zhvillim i qëndrueshëm, ekonomi, njerëz me aftësi të kufizuara, mjedis dhe natyrë, shërbime sociale, punësim, teknologji informacioni, energji, rini, barazi gjinore, mosdiskriminim, kulturë . Në nivelin komunal, përqendrimi i mbështetjes ishte në: sport, rini, të drejtat e fëmijëve, kulturën, artin, të drejtat e njeriut.

Për më tepër, transparenca dhe përgjegjshmëria e fondeve publike për OShC-të është forcuar edhe më shumë me krijimin e Platformës Online për Financim Publik, ku të gjitha të dhënat mund të gjenden me kërkim të lehtë në platformën  publike ojqfinancime.rks-gov.net; Të gjithë qytetarët e interesuar mund të njihen me shumën e pranuar nga secila Organizatë e Shoqërisë Civile, me shumën e fondeve që secili institucion u ka ofruar OShC-ve dhe për çfarë qëllimesh janë shpenzuar paratë.

Kjo do të kontribuojë në rritjen e besimit në institucionet publike dhe partneritetet me organizatat e shoqërisë civile, si dhe mund të frymëzoj qytetarët që të bëhen edhe më aktivë në shoqërinë civile dhe të kontribuojnë në dobi të komunitetit. Zbatimi i procedurave, kritereve dhe standardeve për transparencën, përgjegjshmërinë dhe konkurrencën do të mundësojë arritjen e objektivave të ardhshëm strategjik për transparencë dhe llogaridhënie.