LAJMI I FUNDIT:

Qershia e hidhur e 12 miljeve në tortën e pajtimit greko-shqiptar

Qershia e hidhur e 12 miljeve në tortën e pajtimit greko-shqiptar

Ditët e fundit, Kryeministri grek Cipras, ka bërë një deklaratë të rëndësishme, të cilën bash për këtë arsye ka zgjedhur ta emetojë nëpërmjet një komunikimi në radion publike greke, pra, në formën e një mesazhi drejtuar kombit grek. Përmbajtja e këtij komunikimi është diç- ka e pazakontë për Kryeministrin grek të sotëm, Cipras, i cili përgjithësisht është shquar për një profil të ulët në marrëdhëniet me rajonin, për një profil akoma më të ulët në marrëdhënien me Shqipërinë gjatë mandatit të tij të parë apo në këtë të dytin, kur numërohen me gishta qëndrimet e tij publike në lidhje me Shqipërinë, në lidhje me shqiptarët.

Cipras rezulton të jetë përgjithësisht një politikan, që ka mbajtur qëndrime të kufizuara, pra, nuk është shprehur në mënyrë kritike ndaj Shqipërisë, nuk është shprehur në mënyrë kritike ndaj shqiptarëve. Ndaj, kur papritmas ai zgjedh të kumtojë se 1) ne jemi të gatshëm për një marrëveshje partneriteti strategjik me Shqipërinë, se 2) ka lajmëruar liderët grekë të partive të opozitës në lidhje me domethënien e këtij partneriteti strategjik, në lidhje me negociatat e zhvilluara deri më tani dhe se 3) nën udhëheqjen e tij, Greqia është duke rimarrë rolin e liderit për shkak të paqësimit me fqinjët e tjerë, përkatësisht me Shqipërinë dhe Maqedoninë, kjo nuk është diçka e zakonshme.


Kemi një shfaqje unike të Ciprasit në një rol udhëheqës në politikën e jashtme greke, sa i takon normalizimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, e cila nëse do të shkojmë thellë në histori, vetëm atij mund t’i takonte si kreu i një partie trashëgimtarësh të heronjve partizanë, të cilët kanë bashkëluftuar me komunistët shqiptarë në Luftën e Dytë Botërore. Në fakt, Cipras, me këtë që po bën, është përmbyllës i një procesi që ka nisur vartësi i tij, ministri i tij i Jashtëm Kotzias-negociatat me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky normalizim kaloi intensivisht nëpërmjet trajtimit të një pjese të madhe të së shkuarës dhe problemeve të së sotmes, në dy takime, që kanë zgjatur tri ditë secili, në Kretë dhe Korçë, ku palët duket se kanë gjetur zgjidhje pajtuese për një pjesë të madhe të problemeve. “

Si për të helmuar atmosferën relaksuese që ka krijuar deklarata si etapë e rëndësishme e procesit paqësues mes dy palëve, “Panorama” sot sjell një intervistë të ministrit Kotzias, ku flitet se ne do të zgjerojmë me 12 milje detin territorial dhe shqiptarët e kanë pranuar këtë. Nga kjo deklaratë, për të cilën po bëhet zhurmë, po arrihet në përfundimin infantil që mund të shfryhet shpejt, se Shqipëria jo vetëm ka konfirmuar marrëveshjen e Berishës, por ka dhënë dhe 12 milje të tjera.

Kjo ngjan banale. Nga aq pak sa ka folur Kotzias në këtë intervistë, nga aq pak sa dihet prej burimeve të tjera, kuptohet se Marrëveshja është rinegociuar, ndonëse pa lëvizur në termat kryesorë juridikë. Deti territorial prej 12 miljeve u mundësohet shteteve që ndajnë det vetëm atje ku hapësira është më shumë sesa 24 milje. Çka do të thotë se, nëse Greqia në zonën e Korfuzit do të ketë në pjesë të caktuara det territorial prej 12 miljesh, edhe Kontinenti, d.m.th Shqipëria, do ta ketë. Nuk ka asnjë mundësi tjetër, sepse ky është parim elementar i Marrëveshjes së Detit.

Ah, nuk kemi të dhëna të tjera për rinegocimin, por për pjesën e 12 miljeve, kjo duket plotësisht e qartë. Me gjithë entuziazmin dhe deri diku qartësinë e gazetarit grek, që pastaj e pyet Kotziasin për Zonën Ekskluzive ekonomike, kjo ngjan se është e vetmja e vërtetë në lidhje me 12 miljet. Kjo përgjigje ngjan si tullumbace e qëllimshme propagandistike për opinionin grek, që po ushqen dhe opinionin shqiptar në formën e një qershie të hidhur… mbi tortën e marrëveshjes.

Pritet që Cipras të vizitojë Shqipërinë me gjasë në prill, ku do të nënshkruhet një marrëveshje partneriteti strategjik dhe më pas për ratifikimin e saj parlamentar, Rama mendohet se do të kthejë vizitën në Athinë. Po kryhet kësisoj ajo që i është kontestuar Ramës, një shkëmbim vizitash të nivelit të lartë në kryeqytetet respektive. Kjo marrëveshje i zë vendin një traktati miqësie të nënshkruar në vitin 1996, të cilës i ka mbaruar afati 20 vjet pas hyrjes së tij në fuqi.

Ndaj është zgjedhur një formë tjetër akti, që gjithsesi do të ratifikohet në parlament për të theksuar në një mënyrë më moderne intensitetin apo cilësinë e re të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Kjo është, si të thuash, në pikëpamje të kuptimit diplomatik, domethënia e deklaratës së Cipras, që në një farë mënyre përmbylli një proces marrëdhëniesh mes palëve me ulje -ngritje dramatike.

Ky proces ka nisur me polemika të palës shqiptare (qeveria e Ramës që në 2013) me pozicione të forta kritike, me largim të PBDNJ-së nga qeverisja, hyrje e pjesshme e PDIU, me rritje të dinjitetit të Shqipërisë, me distancim nga politika e mëparshme e paraardhësit Berisha, me qëndrime të forta për çështjen e Himarës, me “aventurizma” të Ramës dhe jo vetëm, për shembull për çështjen e Akropolit të Athinës etj. Shqipëria në këtë proces ka hyrë me dinjitet dhe ky zotim solemn i Cipras, se Greqia do t’i japë votë pro Shqipërisë për në BE, është diçka e jashtëzakonshme.

…Nga deklarata solemne, gati triumfaliste e Cipras, ka një aspekt që vlen edhe për Ramën. Cipras ka ftuar gjithë liderët kryesorë grekë për t’i njoftuar në lidhje me negociatat me Shqipërinë. Nga ky kumt i palës greke del detyrimi që edhe Rama të bëjë të njëjtën gjë për krerët e palëve politike apo dhe për presidentin, për ta informuar në lidhje me Greqinë.

Në shtetet serioze, zakonisht kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, palët antagoniste e informojnë njëra-tjetrën duke tentuar kompromise. Duket se pala greke e ka arritur kompromisin e brendshëm mbështetur dhe në mënyrën se si e kanë trajtuar ministrin Kotzias gjatë interpelancës së ditës së hënë…

Cila është përmbajtja e kësaj marrëveshjeje të partneritetit strategjik, që presupozohet se do të ndërtojë një marrëdhënie të re midis dy vendeve? Është e kuptueshme që një marrëveshje e tillë, ndërsa saktëson në mënyrë të përgjithshme se si do zgjidhen keqkuptimet, mosmarrëveshjet e së shkuarës, do duhet të theksojë nga ana tjetër se midis dy palëve do të ketë një partneritet strategjik në fushën e investimeve, integrimit euroatlantik, mbrojtjes, punëve të brendshme, sigurisë. Ajo nënkupton konsultime, favorizim të njëra-tjetrës në raporte dy ose shumëpalëshe etj.

Nënkupton privilegjin reciprok të palëve, një stad akoma më intensiv në marrëdhëniet mes dy vendeve. Marrëveshja, pikën e saj më të rëndësishme e ka ratifikimin parlamentar, e cila i jep fuqi të plotë dhe nënkupton konsensus të gjerë në politikën ndaj Shqipërisë. Po detajisht? Dihet se mes dy vendeve rëndojnë disa çështje, të cilat janë sa të lidhura sa me të shkuarën, aq edhe aktuale, ku më e rëndësishmja është çështja e ligjit të luftës.

Pse? Sepse ligji i luftës bllokon gëzimin e pronave të mëdha të shqiptarëve pa dallim, çamë dhe joçamë në Greqi, cenon lëvizjen e lirë në zonat kufitare, të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve, mënyrën si palët e shohin rolin e njëra-tjetrës gjatë Luftës së Dytë, por dhe sot. Jo pa shkak, pala greke insistonte se kot kërkohej prej nesh që ligji të shfuqizohej, sa kohë që gjendja e luftës nuk ekzistonte. Rikthimi në tavolinë i kësaj çështjeje është një arritje e madhe, po të mbahen parasysh ekspertët grekë, (më i fundit ishte Tasos Teloglu, që thoshte se Shqipëria e humbi trenin e trajtimit të saj me ngjarjet e 1997-s) të cilët e shihnin si të pamundur rihapjen e kësaj çështjeje.

Burime të informuara thonë se është gjetur një kompromis, sipas të cilit do shfuqizohet ligji i luftës nëpërmjet një dekreti presidencial dhe ndërkohë, do të miratohet apo amendohet një kuadër ligjor, në mënyrë të tillë që shqiptarët të gëzojnë të drejtat pronësore, por të kufizuara ama. Shqiptarët nuk do të kenë eventualisht të drejtën t’i kërkojnë këto të drejta pronësore për periudhën nga viti 1940-2017, por të fillojmë t’i kërkojnë prej vitit 2018- ose restitucion, ose përfitim qirash me vlerë tregu. Kjo duket diçka logjike për palën greke: nëse shqiptarët do të kenë të drejtë të kërkojnë të ardhurat nga përdorimi i pronave të tyre në vitet 1940-2018, fatura e borxhit që Greqia i ka Shqipërisë do të jetë disamiliardëshe.

Rritja e çmimit të tokës, (një tokë që ka qenë më parë pyll, mund të jetë shndërruar në aeroport, repart ushtarak, autostradë, duke e shumëfishuar vlerën) e vështirëson përcaktimin e faturës. Greqia ka synuar të shmangë këtë pjesë të borxhit, e cila do të ishte e papërballueshme për ekonominë e saj. Pse një dekret presidencial grek? Ai ngjan se është forma më e përshtatshme për palën greke, megjithëse e Drejta Kushtetuese e vendit fqinj ka kundërthënie: disa ekspertë kanë thënë se ligji i luftës do duhet të shfuqizohet nga Parlamenti, për shkak të implikimeve ligjore që përmban.

Ekspertë të tjerë kanë thënë se duke qenë se Ligji i luftës është miratuar me një dekret mbretëror në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së Parlamentit, atëherë do duhet shfuqizuar me një dekret të ngjashëm. Por kjo është një çështje shumë e komplikuar… Ka një çështje tjetër, për të cilën është diskutuar me siguri në takimet e Kretës dhe Korçës, – e ashtuquajtura marrëveshje e detit. Burime të informuara thonë se kjo marrëveshje do rishikohet, por jo në tekstin e saj të miratuar mes palëve, por në zbatimin e saj teknik.

Pretendimet e palës shqiptare do të merren në konsideratë siç ne kemi informuar më parë gjatë takimit të Kretës, kur kjo marrëveshje të zbatohet në terma konkretë, domethënë, të formulohet protokolli i saj i zbatimit. Duket e vështirë që mes zbatimit praktik të një marrëveshjeje dhe kuadrit juridik, të ketë diferencim kaq të madh, por, sa kohë nuk ka informacion të plotë, më mirë është të mos flitet qesim. Nga palët pretendohet që të jetë arritur marrëveshje e njohjes së patentave, rishikimit të teksteve, njohjes së viteve të pensionit, etj., për të cilat ka pasur qëndrime të ndryshme.

Në këtë kuptim, gjithë paketa e çështjeve apo shporta e problemeve të së kaluarës, por edhe të sotmes, siç u përdor një term rutinor nga palët në dialog, duket se është trajtuar me përjashtim të çështjes çame, si konceptohet në Shqipëri. Megjithatë, Kryeministri Rama dhe ministri Bushati thonë se është trajtuar dhe ajo, ndërsa Kotzias, i pyetur nga opozita greke, ka përsëritur refrenin se kjo çështje nuk ekziston. Kuptohet: ajo krijon ndjeshmëri të larta në publikun grek, jo për shkak të vendosjes së gishtit mbi një plagë të marrëdhënieve shqiptaro-greke, por për shkak se pranimi i saj në publik do ngjante si dobësi e palës greke.

Kush është ekspert i arsyeshëm, e di se rishikimi i kuadrit ligjor për pronat dhe ligjin e luftës do të ketë një impakt edhe mbi popullsinë çame. Pse Greqia “u dorëzua”? Pse zgjodhi këtë qëndrim në marrëdhëniet me Shqipërinë? Këtë gjë e qartëson Kryeministri Cipras, në deklaratën e tij, kur thotë se Greqia kthehet në rolin lider të saj në Ballkan, duke mbyllur disa fronte lufte që kishte pasur me fqinjët e afërt në rajon. Greqia vendosi të mos harxhojë energji të tepruara në luftërat e veta me fqinjët e vegjël, ndaj normalizoi marrëdhëniet me ta.

Duke u sjellë kështu, ajo tenton të rikthejë rolin e saj të rëndë- sishëm në rajon, duke krijuar hapësirë të re, të humbur përkohësisht për investitorët grekë, për kompanitë greke të ndrydhura nga sistemi i ashpër antikrizë i taksave në Greqi. Me gjasë, modeli i ndarjes së detit me Shqipërinë mund të përdoret dhe me vende të tjera si Libia, Egjipti, dhe të përdoret si precedent presioni ndaj Turqisë. Ndaj, duket se Greqia ka shumë arsye për të qenë e lumturuar. Ky është leximi që, me siguri, kanë përqafuar edhe partitë e tjera greke, ndonëse situata nuk është më e mira për partinë e z.Cipras. Kështu shpjegohet me gjasë pse ato kanë vendosur të japin mbështetje për negociatat me Tiranën dhe për t’i dhënë Shqipërisë votën pro në procesin e integrim-stabilizimit.

A mjafton ky arsyetim? Duhet të ketë pasur një faktor të madh të fuqishëm diplomatik, që ka ndikuar në pajtimin shqiptarogrek. Më i fuqishëm se secili prej tyre dhe aleat i të dy palëve. Gjermania po se po, ndonëse Gjermania e sotme ende nuk ka dalë nga kriza. SHBA-të? Me gjasë, po, dhe këtu faktori naftë mund të ketë ndikuar, por jo vetëm: riorientimi i aleancave dhe rreziqeve për Greqinë në rrethanat e reja. Ka fituar një linjë e propozuar që herët në politikën e jashtme greke: në vitin 2000, ekspertët grekë të ELIAMEP (mes tyre dhe një këshilltar i Kryeministrit të kohës, Papandreu-Aleksis Rondas), i thoshin qeverisë së kohës që të riorientohet nga shqiptarët, duke braktisur Serbinë dhe boshtin pro ortodoks, që u bombardua nga NATO.

Kosova do të bëhej e pavarur, sugjeronin ekspertët realistë grekë, dhe Greqisë nuk i leverdis të armiqë- sohet me faktorin shqiptar. Edhe një herë, një theksim i fundit. Klima politike nuk është më e mira, por Ramës i takon të informojë homologët e vet, madje të shfrytëzojë këtë rast për t’u afruar me ta. Madje, është e çuditshme pse krerët e partive politike të opozitës nuk po i kërkojnë atij t’i informojë për bisedimet me Greqinë. Ky gjest është më minimali, duke i treguar se interesi kombëtar është më i rëndësishëm se interesi partiak. /Konica.al/