LAJMI I FUNDIT:

​Qerim Qerimi zgjidhet rektor i ri i UP-së

​Qerim Qerimi zgjidhet rektor i ri i UP-së

Ka përfunduar votimi i fshehtë i nëntë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së për zgjedhjen e rektorit.

Me gjashtë vota për, Këshilli Drejtues ka zgjedhur Qerim Qerimin për rektor me mandat të përgjysmuar.


Kandidati Sefer Avdiaj ka marrë një votë, Ermir Rogova një votë dhe But Dedaj një votë.

Ne programin e tij, Qerimi ka paraqitur një strategji të qeverisjes prej dhjete pikave per një drejtim të ri të universitetit “përballë sfidave dhe kohëve në ndryshim”. Aty përfshihen veprimet e nevojshme për rritjen e cilësisë së studimeve, të kërkimeve dhe të pozitës ndërkombëtare te UP-së.

Ai synon ta ndryshojë dhe avansojë “bazën juridike të UP-së”, duke filluar nga Statuti e deri te rregulloret që lidhen me integritetin akademik dhe disiplinën. Gjithashtu përfshihen nevoja për ripërtëritjen e personelit akademik dhe rekrutimin e anëtarëve të rinj me një procedurë “konkurruese dhe rigoroze”, e cila mbështetet në “përfshirjen edhe te profesorëve ndërkombëtarë në procesin e vlerësimit të aplikimeve”.

Sipas prof. Qerimit, “universiteti nuk duhet të bëjë asnjë investim më të rëndësishëm sesa atë për ndërtimin dhe mbështetjen e një personeli akademik të jashtëzakonshëm”.

“Shkenca është e shtrenjtë, por është jashtëzakonisht e rëndësishme. Megjithatë, investimet aktuale nuk arrijnë ta vlerësojnë këtë rëndësi”, thotë ai, ndërsa zotohet për rritjen e investimeve në kërkime dhe inovacion, duke propozuar dhjetë masa konkrete për ta arritur këtë objektiv.

“Ne mund të mos jemi në gjendje të prodhojmë fitues të çmimit Nobel (një propozicion teorik që nuk duhet përjashtuar nga aspiratat e së ardhmes), por kemi çdo arsye për të aspiruar lart dhe për të prodhuar studiues shumë kompetentë dhe konkurrues ndërkombëtarisht”, thekson ai.