LAJMI I FUNDIT:

Qëndrime të ndryshme të partive politike në Maqedoni për listat zgjedhore në zgjedhjet komunale (Video)

Qëndrime të ndryshme të partive politike në Maqedoni për listat zgjedhore në zgjedhjet komunale (Video)

Para një muaji u skadoi mandati krerëve të komunave. Në mungesë të kushteve për shpalljen e zgjedhjeve, mandati i tyre u vazhdua deri në plotësimin e kushteve mbajtjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet lokale parashikohet të mbahen më 15 tetor, por sa janë përmbushur kushtet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve?! Nga LSDM thonë se medoemos duhet të bëhet pastrimi i listës zgjedhore, njëherë e përgjithmonë. Sipas kësaj partie, rezultati nuk do të jetë real nëse në zgjedhje shkohet më listën aktuale zgjedhore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në këtë moment, lista zgjedhore nuk mundet që kështu siç është ta pasqyrojë gjendjen reale të qytetarëve. Duhet që të bëhet pastrim i tërësishëm i listës zgjedhore”, tha për TV21, Tomisllav Tuntev, koordinator parlamentar i LSDM-së.


Për Lëvizjen Besa besueshmëria ndaj procesit zgjedhorë është shumë e vogël. Ata thonë se qeveria duhet të ndërmarre veprimet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i drejte

“Në këto zgjedhje Lëvizja BESA duhet të ketë një anëtar në KQZ dhe në komisionet lokale dhe vendore që gjithçka të zhvillohet në bazë të ligjit por ky proces ende nuk ka filluar dhe kjo na e shton dyshimin se gjerat do të ndryshojnë”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes Besa.

Për OBRM-PDUKM-në nuk ekziston asnjë problem i cili i tangon procesin e mbajtës së zgjedhjeve lokale. Sipas anëtarit të komisionit ekzekutiv të OBRM-PDUKM-së, Trajko Veljanovskit, LSDM-ja, me dyshimet që ngrit për listën zgjedhore, dëshiron të ju ik zgjedhjeve lokale.

“Me listën zgjedhore nuk kishim probleme në zgjedhjet parlamentare, nuk e di përse tani duhet të ketë problem për zgjedhjet lokale. Nëse LSDM dëshiron që të iu ikë zgjedhjeve lokale, atëherë ajo përsëri do të gjej ndonjë arsye si lista zgjedhore apo çka do qoftë për të ju ikur zgjedhjeve lokale”, tha Veljanosski.

KSHZ-ja ka marrë rekomandime nga OSBE për përmirësim të sistemit zgjedhor, të cilat i quan relevante dhe transparente. Anëtari i këshillit të KSHZ-së Subhi Jakupi, thotë se këto rekomandime nuk kanë anime politike, por vetëm kanë qëllim të avancimit të sistemit zgjedhor. Jakupi nuk mohon se lista zgjedhore ka të meta dhe se regjistrimi i popullsisë nuk ka të bëj fare me pastrimin e listës zgjedhore.

“Në aspekt profesional, regjistrimi i popullatës nuk e tangon listën zgjedhore. Nga ekspertët që merren me këtë problematik, ata kanë thënë se nuk ka nevojë që të komplikojmë situatën me regjistrimin e popullatës”, tha Jakupi.

30 mijë votuesit që u nxorën si të kontestueshëm në zgjedhjet parlamentare të 2016, tani më janë kthyer në listë. Kryqëzimi i të dhënave të KSHZ-së me nëntë institucione tjera nuk ishte edhe aq i frytshëm, pasi që gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit u raportuan një numër i konsiderueshëm i parregullsive./Telegrafi/