LAJMI I FUNDIT:

Qendra “Labirinti”: Shpresa për shpëtim nga kthetrat e drogave (Foto)

Qendra “Labirinti”: Shpresa për shpëtim nga kthetrat e drogave (Foto)

Përdorimi i llojeve të drogave është fenomen që sot nuk po gjen zgjidhje përfundimtare në shoqëri. Por, cila është arsyeja e përdorimit të saj? Sikur të dihej kjo “pse”, sigurisht se do të ishte më i lehtë shtjellimi i kësaj problematike. Ndërsa, edhe personat përgjegjës do të mund ta parandalonin atë më lehtë atë. Telegrafi vizitoi qendrën rehabilituese “Labirinti” në Prishtinë. Kjo qendër merret me parandalimin dhe trajtimin e personave të cilët janë përdorues të drogës. Udhëheqës i qendrës është defektologu Safet Blakaj.

LEXO PO ASHTU: Rrëfim tronditës: Jeta në humnerën e heroinës!

“‘Labirinti’ në total i ka 27 të punësuar. Prej tyre 18 janë të rregullt. Kjo qendër i ka dy sektorë: sektorin e parandalimit dhe sektorin e trajtimit. Në sektorin e parë përgatisim projektet për parandalim. Varësisht nëse kemi donator, ne edhe i zbatojmë ato projekte. Pjesën e trajtimit e kryejmë me shërbime direkte. Asnjë prej tyre nuk kthehet pa ndonjë shërbim, pra funksionojmë njëjtë si institucionet tjera shëndetësore publike”, ka thënë Blakaj.


Numri i përgjithshëm i përdoruesve, që është paraqitur në këtë qendër, është 1224 deri më sot. Ata që janë të varur dhe që kanë probleme jo vetëm personale, por edhe me rrethin, quhen përdorues problematikë të drogave. Në fakt, termi “përdorues i drogës” është shumë më i gjerë, sepse përfshin të gjithë ata që kohë pas kohe e përdorin drogën – kushtimisht nga ato më të “lehtat”. Prandaj, tek “Labirinti” regjistrohen vetëm “problematikët”.

“Përveç të dhënave personale, regjistrimi përfshin të dhënat tjera të historikut të përdorimit të drogës ose problematikat e përdorimit të tij. Marrim informacione të zgjeruara dhe të gjitha i fusim në një databazë e cila gjeneron raporte – statistikore dhe raporte dinamike. Në fazën e trajtimit bëhet vlerësimi i përgjithshëm, që nënkupton mundësitë tona për trajtimin e personit. Në raste të skizofrenisë p.sh. së pari duhet të trajtohet kjo e pastaj trajtimi për drogat. Në fazën e dytë bëhet marrja e të dhënave.

E, në fazën e tretë bëhet vlerësimi se për çfarë lloj tretmani ka nevojë personi. Konkretisht, klienti e din më mirë se çfarë i duhet atij, prandaj në bashkëpunim me të dhe familjarët e bëjmë vlerësimin se në cilin modalitet të programit duhet të bashkëpunojmë e të vazhdojmë me përcjelljen e situatës”.

“Labirinti” kryen disa shërbime tjera, si identifikimi i sëmundjeve ngjitëse – HIV-AIDS, Hepatiti B dhe Hepatiti C – që ndërlidhen me përdoruesit intravenoz të drogave.

“Deri tash nuk kemi asnjë rast të identifikuar me HIV, ndërsa me Hepatitin C janë të infektuar rreth 27 për qind e klientëve tanë. Relativisht qëndrojmë mirë sa i përket infeksioneve në regjion”.

Në mënyrë që këto sëmundje të parandalohen, kjo qendër ofron edhe shërbime tjera, që njihen si “zvogëlimi i dëmit”.

“Nëse dikush nuk mundet ose nuk dëshiron ta braktisë drogën (që janë numër i madh), sigurisht që ata nuk duhet të lihen në rrugë. Ne ua ofrojmë shiringat e pastër. Ata gjithashtu kanë mundësi që t’i bëjnë testimet anonime. I kemi edhe grupet vetëndihmëse. Mblidhen këtu dy herë në javë, bashkë me mbikëqyrës e me psikologun. Ne jo vetëm që ju ndihmojnë të kenë njohuri për rreziqet nga drogat, por edhe t’i pranojnë brenda vetes ato rreziqe”.

Terapitë grupore, sipas Blakajt, janë hap i vogël i procesit dhe integrimit në shoqëri. Tek “Labirinti” ato janë treguar të suksesshme.

“Janë mundësi për ta pranuar veten e për t’u integruar në shoqëri”.
Blakaj mundohet të sqarojë se pse këta individë bëhen përdorues të drogës. Por, thekson se nëse analizohen ranglistat e arsyeve – të hulumtimeve të ndryshme – ato shpeshherë dalin kundërthënëse.

“Përmendet kureshtja. Personalisht nuk e përkrah këtë ide, sepse kureshtje kemi të gjithë. Vetëm një pjesë e provojnë drogën, e prej atyre që e provojnë një pjesë e vogël vazhdon ta konsumojë. Problematika e drogës ngërthen shumë aspekte, të çdo gjëje, si prej psikologjisë, mjekësisë, sociologjisë, kriminologjisë e shumë gjëra të tjera”, tha ai, duke shtuar se qasja më e lehtë ndaj drogave ka dëshmuar se ndikon në rritjen me shpejtësi të numrit të përdoruesve.

Kohëzgjatja e trajtimit dhe shërimit të personave, nuk është e përcaktuar, sepse gjithçka varet nga vet personi.

“Në bazë të shkencës së deontologjisë, nuk është e përcaktuar kohëzgjatja e shërimit total të tyre. Mirëpo, ata që vendosin ta lënë përgjithmonë përdorimin e drogës shkojnë deri në katër për qind, ndërsa ata të cilët e lënë dhe i rikthehen pas një viti është janë afro 19 për qind”.

Blakaj po ashtu thekson se dallojnë llojet e drogave nga shtresat të cilat i përdorin.

“Kokainën e përdorin shtresat e larta. Grami i kokainës nga 80 euro ka rënë në 60 euro. Ndërsa, çmimi i heroinës është rritur në 20 euro për gram. Marihuanën e provojnë të gjitha shtresat. Përdorimi i saj është shtuar shumë në katër vitet e fundit”.

Lidhshmërinë e përdorimit të drogave vite Blakaj e shpjegoi edhe me muzikën.

“Në vitin 2004-2006 ka qenë shumë e përhapur ekstazia, e kjo ndërlidhej me muzikën Rave. Viti 2008-2009 ka qenë viti ku është shtuar përdorimi i LSD-së, që po ashtu ka të bëjë me një kulturë specifike. Ndërsa marihuana ka lidhje me Rapin”.

Sipas Blakajt, Prishtina ka më së shumti përdorues të drogave në Kosovë. Pastaj vijnë Prizreni e Gjilani. Regjioni i Mitrovicës është problematik, jo duke u bazuar në të dhënat statistikore, por në bazë të raporteve dinamike. Ndërsa, Gjakova para katër viteve ka qenë e orientuar në drogën më të rrezikshme – heroinën. E, teksa përdorimi i marihuanës po shtohet, nuk dihet se me çka mund të zëvendësohet.

Mosha mesatare e përdoruesve është 27-vjeçare. Mosha ekstreme më e re e përdorimit është 12-vjeçare.

Psikologia e kësaj qendre, Gentiana Kuçi, punon me personat që vijnë për shërim e që janë përdorues të marihuanës.

“Mundohemi t’i presim sa më mirë e pa paragjykime. Kemi qasjen psikologjike me seanca të psikoterapisë, varësisht se sa i madh është problemi. Funksionojmë si ekip multidisiplinor d.m.th. vendimin nuk e marr vetëm unë si psikologe, sepse kemi edhe psikiatrin, mjekun, testet e drogave etj.”.

Sipas saj, kjo qendër i jep edukim edhe prindërve: psikoterapi familjare, grupore dhe individuale. Qendra financohet në bazë të projekteve me donacione nga jashtë, mirëpo edhe institucionet vendore kanë një bashkëpunim të ngushtë me qendrën “Labirinti”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

Lajme
Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Kushtëzimi i Kosovës për në KiE, eurodeputeti gjerman, Butikofer: Gabim i keq i Qeverisë gjermane

Lajme
Flet shqiptari që vrau gruan: Nuk pendohem, hante me paratë e mia dhe më tradhtonte

Flet shqiptari që vrau gruan: Nuk pendohem, hante me paratë e mia dhe më tradhtonte

Lajme
Rama i përgjigjet deklaratave të Vulin

Rama i përgjigjet deklaratave të Vulin

Lajme
Kalo në kategori