Putini po mbështet te dështimi i vullnetit politik në Perëndim, përpara se Rusisë t’i mbarojë fuqia e zjarrit
Nga: Timothy Garton Ash / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Lufta ruso-ukrainase po zbret në garën mes dobësimit të vullnetit politik të demokracive perëndimore dhe të mjeteve të dëmtuara ushtarake të diktaturës së Vladimir Putinit. Por, kjo garë do të jetë maratonë, jo sprint. Mbajtja e këtij vullneti politik kërkon atë lloj udhëheqjeje largpamëse që mungon te shumica e demokracive. Kjo bën me dije se, në një aspekt me rëndësi, edhe vendet tona janë në luftë – dhe në një politikë analoge afatgjate.
A është kjo ajo që dëgjoni kur e ndizni televizorin tuaj në Shtetet e Bashkuara (ku jam tani), në Gjermani, në Itali, në Britani apo në Francë? A është kjo tema kryesore në garën e Partisë Konservatore për ta zgjedhur kryeministrin e ardhshëm të Britanisë, apo në pragun e zgjedhjeve italiane të 25 shtatorit, apo në fushatën për zgjedhjet afatmesme në ShBA më 8 nëntor? Jo, jo dhe jo. “Ne jemi në luftë,” dëgjova dikë të thoshte kohët e fundit në radio; por, ai ishte një analist energjetik, jo politikan.
Fakti se forcat ukrainase po përgatiten për kundërofensivë të madhe për ta rimarrë qytetin strategjik e jetik të Hersonit, kjo tregon se çfarë mund të arrijë kombinimi i armëve perëndimore me guximin ukrainas. Sistemi i raketave të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë (Himars) i furnizuar nga ShBA-ja – sisteme raketash me shumë lëshime të rrezes së gjatë – u kanë mundësuar ukrainasve t’i godasin depot e artilerisë, urat dhe pikat komanduese shumë prapa linjave ruse. Forcat ruse janë ridislokuar nga Donbasi, për t’u mbrojtur kundër ofensivës së pritshme, duke ngadalësuar kështu përparimin rus në lindje. Richard Moore, kreu i Shërbimit të Inteligjencës Sekrete të Britanisë (MI6), kohët e fundit vuri në dukje se Rusia mund të jetë “gati për mbarim të entuziazmit” në Ukrainë, për shkak të mungesës së materialeve dhe të trupave të trajnuara në mënyrë adekuate. Pra, Ukraina ka një shans të mirë këtë vjeshtë për ta fituar një betejë të rëndësishme; por, është ende shumë larg nga fitimi i luftës.
Në fushatën e tij për të mposhtur jo vetëm Ukrainën, por edhe Perëndimin, Putini po mbështet në dy aleatët tradicionalë të Rusisë gjatë kohës së luftës: Mareshalin Kohë dhe Gjeneralin Dimër. Udhëheqësi rus po e armatizon energjinë, duke i reduktuar rrjedhat e gazit përmes tubacionit Nordstream 1, në mënyrë që Gjermania të mos mund të plotësojë si duhet depozitimin e gazit përpara se moti të bëhet i ftohtë. Më pas, ai do ta ketë opsionin për ta fikur plotësisht gazin, duke i zhytur në një dimër të dëshpëruar – Gjermaninë dhe vendet e tjera të varura evropiane. Çmimet e larta të energjisë, si rezultat i luftës, vazhdojnë ta karikojnë inflacionin në Perëndim, ndërsa xhepin e luftës të Putinit e mbajnë të mbushur me miliarda euro të cilat Gjermania dhe të tjerët ende i paguajnë për gazin dhe për naftën ruse. Megjithëse tani disa anije me drithë po largohen nga Odesa, bllokada e porteve të Ukrainës – nga ana e tij – ka shkaktuar krizë të çmimeve të ushqimit në disa pjesë të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, duke rezultuar në më shumë mjerim njerëzor dhe potencialisht në flukse refugjatësh dhe në kaos politik. Edhe këta janë miqtë e Putinit. Për të thënë më mirë: jugu global duket se për këtë fajëson po aq shumë Perëndimin sa edhe Rusinë.
Analiza kulturore dhe politike e Putinit për Perëndimin, e bën atë të besojë se koha është në anën e tij. Sipas tij, Perëndimi është dekadent, i dobësuar nga multikulturalizmi, imigrimi, post-nacionalizmi i BE-së, të drejtat e LGBTQ+, ateizmi, pacifizmi dhe demokracia. Prandaj, nuk mund të krahasohet me fuqitë e mëdha luftarake grabitqare të cilat ende kapen me trinitetin e vjetër të Zotit, familjes dhe kombit.
Ka njerëz në Perëndim që janë dakord me të, duke përmbysur unitetin perëndimor dhe evropian përbrenda. Thjesht, lexojeni fjalimin e fundit skandaloz të Viktor Orbanit para një auditori etnik hungarez në Rumani, me këmbënguljen e tij që hungarezët të mos bëhen “racë e përzier”, me kritikën e tij gjithëpërfshirëse për politikën e Perëndimit ndaj Ukrainës dhe përfundimin se “Hungaria duhet të bëjë marrëveshje të re me rusët”.
Edhe pse partia që ka të ngjarë të dalë fituese nga zgjedhjet italiane të muajit të ardhshëm – Fratelli d’Italia – është pasardhësi indirekt i një partie neofashiste të themeluar në vitin 1946, ajo të paktën mbështet pozicionin perëndimor për luftën në Ukrainë. Por, udhëheqësit e partnerëve të mundshëm të koalicionit të Fratelli-t, Matteo Salvini i Lega-s dhe Silvio Berlusconi i Forza Italia, kanë një të kaluar pro-Putin dhe nuk mund të mbështetemi tek ata për të mbetur të vendosur në Ukrainë, siç ka bërë kryeministri aktual italian, Mario Draghi. Në Gjermani, një numër i madh i atyre që u pyetën në një sondazh të fundit të opinionit (47 për qind) thanë se Ukraina duhet të heqë dorë nga territoret e saja lindore në këmbim të “paqes”. Zërat evropianë që i bëjnë thirrje Ukrainës që të “vendoset” në këto linja do të bëhen më të forta teksa lufta vazhdon (ish-udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn, së fundmi iu bashkua atyre, megjithëse ndërhyrja e tij nuk do të ndikojë në konsensusin e fortë ndërpartiak në Britani për mbështetjen për Ukrainën).
Më të rëndësishmet janë zgjedhjet afatmesme në ShBA. Nëse Donald Trump shpall kandidaturën e tij presidenciale pas sukseseve të zgjedhjeve afatmesme për partizanët e vet, kjo mund të sjellë telashe të mëdha për atë që deri tash ka qenë konsensus i rrallë dypartiak në ShBA – për mbështetjen ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, në shkallë të gjerë. Duke qenë se nuk ka dëshirë të kritikojë Putinin, Trump u ka thënë mbështetësve të tij se “demokratët po dërgojnë 40 miliardë dollarë tjerë në Ukrainë, teksa prindërit e Amerikës po luftojnë madje edhe për t’i ushqyer fëmijët e vet”.
Çfarë duhet për të dëshmuar se lideri rus e ka gabim në lidhje me dobësinë e brendshme të demokracive perëndimore? Ka goxha shumë. Dy ushtritë më të mëdha në Evropë do ta garojnë me muaj dhe me shumë gjasa në vitet në vijim në Ukrainë. Asnjëra palë nuk heq dorë; as nuk ka një rrugë të qartë drejt fitores. Të gjithë skenarët aktualë të paqes janë jorealistë. Kur nuk mund të filloni të shihni se si diçka do të përfundojë, ajo nuk ka gjasa të përfundojë së shpejti.
Për ta mbështetur rezistencën e Ukrainës dhe për t’ia mundësuar ushtrisë së saj të rikuperojë territorin e humbur, kjo kërkon furnizimet me armë në shkallën që është e madhe edhe për kompleksin ushtarako-industrial të Amerikës. Për shembull, ShBA-ja thuhet se ka dërguar tashmë një të tretën e të gjithë stokut të saj të raketave antitank Javelin. Sipas një ish-zëvendësguvernatori të Bankës Kombëtare të Ukrainës, vendit i duhen edhe pesë miliardë dollarë të tjerë në muaj, si mbështetje makroekonomike vetëm për të siguruar që ekonomia të mos shembet – afërsisht dyfishi i asaj që po merr aktualisht. Kjo është para se të arrini në sfidën e rindërtimit të pasluftës që mund të kushtojë deri në një trilion dollarë.
Nëse e mbajmë këtë kurs, atëherë Mareshali Kohë do të jetë në anën e Ukrainës. Stoqet e armëve më moderne dhe trupat më të trajnuara të Putinit tashmë janë varfëruar. Vazhdoni me presionin dhe – na thonë ekspertët ushtarakë – ai do të kthehet te tanket 40-vjeçare dhe te rekrutët e dobët. Sanksionet perëndimore po godasin pjesët e teknologjisë së lartë të ekonomisë, të nevojshme për furnizim. A mund ta kompensojë ai humbjen e trupave të afta me një mobilizim të përgjithshëm? A do t’i vijë Kina në ndihmë me furnizime moderne të armëve? A mund të përshkallëzohet? Këto pyetje sigurisht se duhet të shtrohen, por presioni do të rikthehet mbi të.
Në demokraci, në shkallë të gjerë liderët duhet ta justifikojnë dhe shpjegojnë para votuesve këtë lloj angazhimi strategjik, përndryshe ata nuk do ta mbështesin atë në planin afatgjatë. Putini atëherë do të kishte të drejtë në diagnozën e tij të dobësisë së demokracisë. Kaja Kallas e Estonisë po jep shembull të një lidershipi të tillë, por njerëzit e saj tashmë dinë shumë për Rusinë. Për momentin nuk shoh asnjë lider të një demokracie të madhe perëndimore që do të bëjë të njëjtën gjë, përveç ndoshta Mario Draghi – dhe ai po largohet. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPërleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin ku po rinovohet stadiumi "Camp Nou"
Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik
Uragani Milton merr formën e frikshme të 'kafkës' pak çaste përpara se t'i afrohet Floridas
Trent Alexander-Arnold nuk hezitoi kur përmendi klubin e tij 'të preferuar' - pas Liverpoolit
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Verë ‘e majme’ për estradën kosovare: 10 milionë euro qarkullim veç për tre muaj, ATK i dënoi 329 herë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Arda Guler nga Turqia i dërgon mesazh Carlo Ancelottit për minutazhën te Real Madridi
Çfarë janë uraganet, sa të rrezikshëm janë dhe çfarë mund të ndihmojë në zbutjen e dëmeve?
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Pamje nga vizita e Jakup Krasniqit te varri i vëllait, më pas i takon familjarët në fshatin e tij
Kaloi 50 mijë konkurrentë në audicion - kush është Nora Tushi, shqiptarja që po mahnit jurinë gjermane
Berisha: Do të dalin audio-incizime të tjera, do të na vijë turp