LAJMI I FUNDIT:

PTK-së i zhbllokohet reklamimi

PTK-së i zhbllokohet reklamimi

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka përkrahur Postën dhe Telekomin e Kosovës që të vazhdojë procedurat e tenderimit për blerjen e hapësirës mediale në televizion, pa e bërë publike negocimin e kontratës. Posta ka kërkuar ndihmë nga OSHP-ja, pasi që kërkesën e saj e kishte anuluar Agjencia e Prokurimit Publik, si organ i cili mundëson procedimin e tenderëve njëburimorë.

Në vendimin e saj OSHP-ja ka konstatuar se anulimi i kërkesës për lejimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit nga Agjencia e Prokurimit ishte i pabazuar. Përfaqësues të Postë-Telekomit, sipas vendimit, kanë vlerësuar se është ekonomikisht më e favorshme hyrja në negociata me operatorin ekonomik që pretendohet të shpallet fitues, ndonëse procedurat e tenderimit ende janë në fazën fillestare. “Vendimi i APP-së është plotësisht i pabazuar. I njëjti nuk përmban as elementet themelore të një vendimi të përcaktuar me dispozita të Ligjit. Arsyetimi i APP-së është ‘nonsens”, thuhet në vendimin e organit shqyrtues, me të cilin i është mundësuar PTK-së vazhdimi i procedurave të tenderimit, shkruan Koha.

Sipas vendimit, Agjencia e Prokurimit nuk mund të thirret në vendimet e vitit 2010, pasi që kërkesa është bërë gjatë këtij viti, kur është në fuqi Ligji i ri për prokurim.
“Paneli shqyrtues jep pëlqimin për lejimin e procedurës së negociuar pa publikim të kontratës së njoftimit për kontratë me kusht që autoriteti kontraktues (PKT) të marrë përsipër përgjegjësinë se kjo mënyrë e përzgjedhjes është e vetmja formë për të zgjidhur këto aktivitete të prokurimit për shkak të natyrës specifike të hapësirës mediale të marketingut që kryhet nga PTK”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Nga PTK-ja është kërkuar që të mos paguajë më shtrenjtë sesa çmimet aktuale në treg për hapësirën specifike mediale, si dhe të qartësojë mirë karakteristikat e kontratës që pritet të lidhet me kompaninë fituese. /Telegrafi/