LAJMI I FUNDIT:

Pse Kosova nuk e ka një “Fiks Fare”?

Videoja e publikuar në emisionin “Fix Fare” (Top Channel) ku shfaqet ministri aktual i Ekonomisë, Ilir Meta, me ish-ministrin Dritan Prifti është pasqyra e shoqërisë, mentaliteti klanor që nuk din të ndryshoj as sot, pas 20 vitesh prej kur u rrëzua pushteti komunist në Shqipëri. Kjo aferë nuk është as e para e as së do të jetë e fundit. Së paku në Shqipëri kemi një Top Channel që bënë gazetari hulumtuese dhe frytet e saja tashmë po shihen. Në Kosovë, po mungon një televizion i tillë, edhe pse ka përpjekje që, herë pas herë disa nga kundërshtarët e qeverisë aktuale “në dorëheqje” përpiqen të “zbulojnë”, por janë shumë larg. Videoja është tmerr, siç ishte ajo e ministrit Pango. Çfarë i mbetet tjetër votuesve, qytetarëve, t’i besojnë politikës ditore të zhytur në korrupsion, deri në fyt. Më e keqja është fakti se këta mëkatarët, nuk kanë moral, një etikë, se nuk bënë me vjedh, se kur ke një postë të lartë, ke edhe përgjegjësi politike, morale e shoqërore, dhe siç do të thoshte M. Weberi i madh, çdo vendim, para se të merret, duhet llogaritur konsekuencat (pasojat).

Nuk është ndryshe as në hierarkinë tjetër të shoqërisë në nivele me të ulëta, në institucionet publike dhe private. Këta njerëz që sot janë në pushtet, në institucione të shtetit, administratë, në udhëheqje të institucioneve publike dhe private, duhet të ndërgjegjësohen njëherë e përgjithmonë sepse është turp i madh për shoqërinë dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë, të sillemi sikur ne ta kishim zbuluar rrotën, së pari. Një qeveri që ka brenda njerëz të korruptuar, njerëz kapadai që nuk i binden ligjit dhe drejtësisë dhe normave ligjore, nuk ka çka kërkojnë në udhëheqjen e shteti, pavarësisht se ku ka luftuar dhe çfarë merita ka ai në të kaluarën e lavdishme!( Kjo vlen edhe për Ilirë Metot dhe Pangot kosovarë).


Një njeri që pranon të jetë në hierarkinë e shtetit dhe pranon të korruptohet, nuk e ka vendin në zyrë, as si gazetarë, as si mësues, as si zyrtar, as si drejtor televiziv, as si ministër. E keqja jonë është se ne i mbyllim sytë para padrejtësive.

Edhe në Kosovë situata nuk është me e mirë, por këtu po mungon një TOP Channel. Dhe EULEX-i shumë ngadalë se “Fix Fare” po i hulumto rastet. Por rasti i Kosovës është pak më specifikë, sepse këtu nuk kemi liri, të të shprehurit! KE në raportin e fundit (nëntor 2010) ka kritikuar Kosovën, shtetin e ri të Ballkanit Perëndimor për funksionimin jo të duhur të administratës publike, politizimin e gjyqësorit dhe lirinë e medieve. KE vlerëson në raportin e saj për Kosovën se në Kosovë nuk është e garantuar liria e të shprehurit në praktikë. Dhe kur nuk e ke të garantuar lirinë e të shprehurit, nuk mundesh as të shprehesh, sepse të rrezikohet jeta, pasi ta shprehësh mendimin e lirë, qoftë edhe pa fakte, si mendim, pa fyer personalitetin e atij që kritikon.

Çfarë popull jemi, me se paku dëshiroj të mos jemi “Pleh i historisë” siç do te thoshte akademiku ynë i nderuar R. Qosja në vitin 1998. Media në Kosovë, nuk ka liri, siç ka ajo në Shqipëri, sepse partia në pushtet, siç u pa me ish- ministrinë Ylli Pango nuk hakmerret, me ndërmarrë masa nga nëntoka për t’i eliminuar kundërshtarët e vetë qoftë, këta edhe përfaqësues të medieve. Këtu Shqipëria është më liberale dhe demokratike. Sali Berisha nuk mund të bëjë me moral ministrat, seç janë ata në të vërtet, përpos që mund t’i largojë nga qeverisja.

Si duhet të sillet media ndaj pushtetit dhe shkelësve të ligjit, ata që vjedhin dhe bëhen më priftërinj se Papa. Televizionet tona në Kosovë, nëse nuk mund të bëhen si Top Channel, ja pra le të bëhen si ARD në Gjermani. Po jap disa shembuj. Po shpresoj se duke kritikuar fenomenet negative të shoqërisë, qeverisë me shprese mund të ndërpriten ato që nuk na bëjnë nderë, asnjëherë. Radiotelevizioni publik gjerman ditëve të muajit shkurt 2010 pasqyroi 100 ditë e qeverisjes të partive në koalicion CSU-CDU FDP. Gjatë këtyre ditëve radiotelevizioni publik gjerman ARD emitoj një mori kritikash për punën e qeverisë. Nuk munguan kritikat ndaj kryeministres Angela Merkel, ndaj ministrit të Jashtëm. Kritika kishte edhe ndaj ministrit të Financave etj. Transmetuesi publik gjerman atëherë dhe gjithë ditën vazhdon të sjell me dhjetëra emisione, debate, pasqyrime kritike dhe investigime edhe ndaj ndërmarrjeve publike dhe atyre private, ndaj Telekom-it gjerman, industrisë së barërave, rreth burokracisë e institucioneve ku demanton dhe zbulon defektet e shumta që qesin krye në shoqëri.

Vitin që lamë pa (nëntor 2010 ) na shfaqet çështja e ndjeshme; Transportimi i mbetjeve atomike nga Franca në Gjermani. Radiotelevizioni gjerman publik ishte shumë i zëshëm dhe kritik e i balancuar në raportimin e tij rreth kësaj çështje duke informuar publikun deri në detaje për rrezikun e kësaj “loje politike” me që rast u kritikua qeveria gjermane e cila duhej të marrte përsipër përgjegjësitë dhe ti llogarisë koston, e këtij vendimi politik, i cili kishte sjell dëm taksapaguesit, i kishte sjell pasojat. Taksapaguesi duhet t’i paguaj shpenzimet për intervenimin e policisë, përcjelljen e vagonëve përmes të cilave barteshin mbetjet atomike, pra policisë i duhej ballafaqimi me protestat, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, gjersa njerëzit e revoltuar protestonin kundër një vendimi të tillë politik. Vendimi politik ishte ndikuara nga lobuesit dhe prodhuesit gjigant të rrymës. Dilema e madhe që shtrohej në opinionin publik gjerman ishte:pse gjigantët dhe prodhuesit e rrymës bëjnë tregti në kurriz të taksapaguesit, blejnë mbetjet atomike për të prodhuar rrymë, sa më shumë, për të realizuar projektet gjigante në vlera me miliarda Euro, ndërsa taksapaguesi duhet të paguaj miliona Euro për ndërhyrjet dhe koston e sigurimit, përcjelljes së vagonëve nga policia, (të mos flasim për pasojat e ambientit dhe rrezikun për shëndetin e njerëzve dhe ndotjet e ambientit në veçanti për vendbanimet aty ku lokalizohen mbetjet atomike).

Radio televizioni publik gjerman vazhdon të raportoj përditë rreth anomalive të tilla edhe nga ato më pak të dukshme siç janë çështje të përditshme në mjekësi, rreth mjekëve dhe gabimeve të tyre profesionale, përparësitë dhe dobësitë e ligjeve të reja në fuqi dhe atyre që do të miratoheshin në të ardhmen. Këto ishin, në pika të shkurtra, vetëm disa fenomene sa për të përshkruar disa nga kornizat e raportimit të Radiotelevizionit publik gjerman.

RTK-ja jonë, siç e ka zakon të jetë e politizuar në këtë rast do ta mbronte qeverinë, sepse, siç thuhet, aty ku vendos qeveria, aty më nuk ka dilema, prandaj duhet bërë amin! Ky është halli ynë me mediumin publik. As në Shqipëri, mediumi publik nuk solli çudira, por mbeti ashtu “zyrtar” me ju bë amin tekeve dhe interesave të grupeve që aty menaxhojnë me politikën redaksionale…! A është e mundshme që edhe televizionet tona, tu tregojnë dhëmbët, atyre që nuk kanë turp, e nuk din të skuqen kur vjedhin, kur keqpërdorin paranë publike. Jemi shoqëri e varfër, na ka humbur morali dhe etika njerëzore, duhet tu përulemi atyre që vendosin për rrogat tona, atyre që vendosin për emisionet tona, nuk e kemi lehtë ta kritikojmë qeverisjen, politikën, biznesin i cili ka lidhje me politikën dhe anasjelltas dhe kjo e fundit, e ndikuar nga lobistët, vendosin, jo vetëm, për transportin e mbetjeve atomike, transportin e rrymës, koston e buxhetit për investimin në arsim, por ata vendosin edhe për pagën e redaktorëve dhe gazetarëve!

Cilat janë shpresat se ne mund t’i evitojmë, t’i zbulojmë krimbat që ushqehen në kurriz të shoqërisë. A mund ta bëje këtë gazetari, televizioni privat? Jo kurrsesi! A mund ai publik, për momentin, jo se jo? Radio televizioni publik, i yni, nuk e di as vet për kë punon! Një gazetar gjerman, para disa dite thoshte, “sa i lumtur që jam se vendi dhe populli gjerman ka medium publik, në ketë krizë të madhe financiare, ky duhet të jetë shpëtimi, që qytetarët ta paguajnë vet programin e tyre”.

Deri sa të krijohet infrastruktura ligjore dhe të triumfoi logjika e meritokracisë, përfund, uroj, së paku gazetarët tanë, sikur ata në Top Channel të jenë sa më shumë profesional në punën e tyre, për interesin e përgjithshëm të mbarë shoqërisë. Ashtu qoftë dhe u bëftë!!

Përfund uroj që zoti te na ruaj nga kjo hata, nga korrupsioni, është koha e bashibozukëve..! Ëndërrojmë ne, bijtë e shekullit 21, ëndërrojmë për një të ardhme ndryshe…shpresa thonë vdes e fundit! Shpresojmë ne, çfarë jemi nuk e dimë, cila ishte njëherë e një mot tradita! Cilën vallë do ta fitojmë, hiçin në fund, betejën, përballjen tonë të fundit me turpin?? Në parajsë apo ferr, në dreq të mallkuar nuk e di ku do të vejmë, nuk e di vërtet ku do të përfundojmë?!…