LAJMI I FUNDIT:

Prilli i thyer

Vepra ”Prilli i thyer” trajton një çështje shumë delikate dhe prezente me shekuj në shoqërinë tonë shqiptare: atë të “gjakmarrjes”. Arsyeja pse e solla pikërisht tani, ka të bëjë me procesin e zhvillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt më 2 prill, e që për koincidencë prek muajin e njëjtë si te vepra e Kadares – prillin.

E gjithë vepra shtjellon historinë e gjakmarrjes mes dy fiseve: atyre të Berishajve dhe Kryeqyqeve, e që në rastin krahasues do bëhej fjalë për konfliktin Serbi-Kosovë. Po e citoj vetëm një pjesë nga vepra, ku përshkruhet ideja e pajtimit mes fiseve, e që ndër të tjerash thuhej: ”Kërkesa për pajtimin e gjakut, aq e rrallë në malësi, bëri bujë në katund, madje edhe në flamur. U morën të gjitha masat që gjithçka të bëhej sipas rregullave të përpikta të kanunit”(në rastin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u morën masat që gjithçka të bëhej sipas rregullave të Brukselit). Vazhdon: “Ndërmjetësit e pajtimit, bashkë me ca shokë e dashamirës të Berishajve (që në këtë rast mund të bëhej fjalë për palën serbe) që quheshin ‘të zotët e gjakut’, i shkuan gjakësit, pra Kryeqyqëve (palës kosovare) për të ngrënë bukën e gjakut të pajtuar dhe, sipas zakonit, ata hëngrën drekë së bashku me vrasësin dhe caktuan çmimin e gjakut që duhej t`i paguanin gjakmarrësit. Pas kësaj mbetej vetëm që i zoti i gjakut, me sqepar e daltë, të skaliste një kryq te dera e vrasësit, të pinin një pikë gjak të shoshoqit dhe të quheshin të pajtuar përjetë”.


Mirëpo, ai çast nuk erdhi, “atëherë gjaku vazhdon” thuhej. Përkundër zhvillimit të rundeve të bisedimeve, çasti i pajtimit nuk erdhi, çmimi për të cilin duhej t`i paguanin gjakmarrësit nuk u caktua, e vetmja çka na u tha është “atëherë dialogu vazhdon”.

Realiteti i dikurshëm shqiptar me “Kanunin e Lekë Dukagjinit” ishte ligji sipas të cilit jetonin njerëzit, ku jeta dhe vdekja, miku dhe armiku, turpi dhe nderi s`merrnin kuptim pa njëri-tjetrin. Kjo ishte shpatë me dy tehe. E shijen e njëjtë të shpatës me dy tehe po na lë ky dialog që po vazhdon të zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë e që tehet në ketë mes janë të pazakontat që ndodhen këtyre ditëve të prillit: shfaqja e ylberit, dukuri kjo meteorologjike që paraqitet në atmosferën e tokës pas shiut dhe qëndrimi “agresiv” i kryeministrit Thaçi në Bruksel, edhe kjo e pazakonshme – qëndrim ky më shumë pompoz sesa real, sidoqoftë, por sado të pazakonta që mund të na duken, nuk janë edhe aq të rastësishme (sidomos kjo e dyta). Figurativisht, nëse për Kosovën, Amerika ishte Dielli dhe Serbia ishte shiu, “dialogu” mes shiut dhe diellit duhet të jetë sinjal i kthimit të ngjyrave të jetës për Kosovën, pra shfaqjen reale të një ylberi shumë-ngjyrësh, një jete plot ngjyra. Pra, vetëm atëherë do të mund të merrte kuptim shfaqja e ylberit

Por t`i kthehemi tehut të dytë të shpatës: “agresivitetit” të kryeministrit në Bruksel që ka habitur masën, e që për mua sado konspirative që mund të tingëllojë, më e besueshme do më dukej improvizimi i ylberit nga sistemi HAARP amerikan, sesa qëndrimi real “agresiv” i Kryeministrit. T`i kujtojmë tetë strategjitë e manipulimit me masën nga shkencëtari dhe filozofi amerikan Noam Chomsky, për t`i dhënë kuptim kësaj që thash. Strategjitë e tij përfshijnë: orientimin e vëmendjes, zmadhimin e problemit, gradualitetin e ndryshimeve, shtyrjen, ngjalljen e emocioneve, shkaktimin e ndjenjës së fajësisë, marrëzinë dhe paditurinë.

Le të ndalemi te secila veç e veç për të përshkruar qëndrimin e mëtejmë që do të mbajë kryeministri sipas kësaj strategjie manipulimi. Orientimi i vëmendjes, strategji besoj e njohur edhe nga ju tashmë, nënkupton zhvendosjen e orientimit të vëmendjes nga diçka e rëndësishme drejt diçkaje atraktive, por të parëndësishme, siç mund të jenë skandalet e njëpasnjëshme të Kryeministrit, e që te publiku kishin jehonë të madhe dhe shpërqendrim total nga proceset tjera politike, e po ashtu edhe nga ai i dialogut.

Zmadhimi i problemit, strategji tjetër kjo gjithashtu relevante në procesin e dialogut e ushtruar përmes propagandimit që gjoja kjo është një situatë shumë e rëndë dhe e vështirë, saqë cilado që do të jetë zgjidhja e problemit të çështjes së veriut ta zëmë, masa do të jetë e kënaqur me dhënien fund të një problemi që e mbanin mbi supe për shumë kohë. Atyre do t’iu mjaftojë fakti “mirë që s’e kemi më ngarkesë në kokë se u lodhëm”. Strategji tjetër është gradualiteti i ndryshimeve, gjithashtu prezent në dialog, saqë fillimisht nga dialogu i ashtuquajtur “teknik” i bisedimeve doli në dialog për çështje të brendshme. Këtu tregohet qartë rrjedha graduale e ndryshimit të dialogut. Shtyrja dhe ngjallja e emocioneve, kjo e shprehur tashmë së fundi, ku bisedimet u pezulluan për një kohë, me rastin e shfaqjes së emocioneve nga Kryeministri e që te masa pa marrë parasysh konkluzionin do të arsyetohet me atë se “unë reagova, më keni parë edhe ju, isha gati për ta thyer tavolinën në Bruksel, më shumë s`kisha çfarë të bëja”. Dhe, në fund vjen strategjia e shtatë dhe e tetë, e që janë: shkaktimi i ndjenjës së fajësisë dhe padituria, e që sigurisht për këtë Kryeministri do t`u vë fajin presionit ndërkombëtar për çfarëdo zgjidhje finale të dialogut. E fundit, por jo nga rëndësia, mbetet padituria. Le të shpresojmë që edhe atë do ta pranojë në fund.

Sipas Umberto Ecos, shkalla e dhjetë e përvuajtjes së njeriut është të merret vesh se mos dikush është tepër i gatshëm e i shpejt për të qeshur, sepse është shkruar: budallai duke qeshur ngre zërin e vet. E le të shpresojmë që ngritja e zërit të Kryeministrit me të përcjella zgërdhirjesh të kohëpaskohshme të mos i kushtojnë rëndë Kosovës. Le të jetë “Prill i thyer” fundi i veprës si te Kadareja, ku vrasësi – Serbia fashiste – merr pjesë në funeralin e vet, dhe sheh me dhimbje entuziazmin e të tjerëve për vdekjen e tij (fundin e politikës së saj) si vënie e drejtësisë për gjakmarrësit.