LAJMI I FUNDIT:

Presidenti i Shqipërisë

Kur një sistem juridik nuk është konform nivelit të zhvillimit shoqëror të një populli, konform mentalitetit të tij, atëherë gjithmonë dalin probleme, prodhohet krizë. Kjo është njësoj sikur këpucët nuk i ke me numër të këmbës që të shkaktojnë siklet vazhdimisht.

Kushtetuta e Shqipërisë duhet të ndryshojë sa më parë dhe Presidenti duhet të zgjidhet drejt nga populli. Kjo formë i përgjigjet konstruktit mendor të shqiptarëve për të siguruar baraspeshën e funksionimit të institucioneve në Shqipëri.


Pavarësisht se kush është kryeministër i Shqipërisë duhet të sigurohemi nga tendenca që kryeministri i Shqipërisë të jetë de facto edhe President i Shqipërisë duke e shndërruar presidentin de jure vetëm në një kukull politike.

Në fakt, që nga zgjedhja e Presidentit Meidaini kjo ka qenë vetëm një tendencë, sepse realiteti ishte krejt ndryshe. Presidenti Meidani ishte i pari që provoi të mos jetë një kukull e kryeministrit Fatos Nano. Edhe pse konflikti mes Fatos Nanos dhe Rexhep Meidanit nuk shfaqej aq hapur në publik si ky mes Sali Berishës dhe Bamir Topit, ai ekzistonte dhe shkaktonte telashe në funksionimin e shtetit. Si pasojë, Presidenti Meidani nuk u rizgjodh.

Presidenti vijues, Gjenerali Alfred Mojsiu u zgjodh me konsensus, i propozuar nga Sali Berisha. Por, edhe ky ndoqi rrugën e Meidanit dhe nuk u rizgjodh as ky.

Presidenti i tanishëm Bamir Topi u zgjodh nga Kryeministri Berisha, por edhe ky i ktheu shpinën Berishës dhe nuk do të rizgjidhet.

Shtrohet pyetja a ka Shqipëria interes që numri 1 dhe numri 3 i shtetit të jenë në konflikt të përhershëm? Përgjigja është jo. Nuk është interes i Shqipërisë që Presidenti të jetë një kukull e Kryeministrit, por nuk është interes i Shqipërisë që numri 1 dhe numri 3 i shtetit të jenë në konflikt të përhershëm. Kjo do të ndodhë gjithnjë në Shqipëri derisa Presidenti do jetë i zgjedhur nga Parlamenti.

Presidenti i ri duhet të zgjidhet dhe nuk ka kohë që Kushtetuta të ndryshojë. Mundësitë janë që presidenti i ri të zgjidhet me konsensus apo me shumicë të thjeshtë; Të jetë një njeri nga politika apo jashtë saj; të jetë ndonjë figurë publike që nuk e ka provuar politikën.

Nëse zgjidhet një njëri jashtë politikës, ai pavarësisht reputacionit publik, realisht nuk do ta ketë fuqinë e mjaftueshme politike për të funksionuar si institucion i pavarur. Ai thjeshtë do të ishte kukull në duart e kryeministrit pavarësisht se a do të jetë i propozuar nga kryeministri apo nga opozita.

Nuk është i paarsyeshëm refuzimi i Ismail Kadaresë për të qenë President i Shqipërisë. Ai di këtë ose e ndjen këtë me shqisën e artistit dhe nuk dëshiron ta përdhosë vetveten. Dhe, kur Ismail Kadare, me gjithë reputacionin e tij ndërkombëtar nuk guxon t’i futet një aventure të tillë, atëherë cilido personalitet tjetër publik jashtë politikës nuk do të mund të ishte më tepër se kukull e kryeministrit.

Nëse Presidenti zgjidhet nga politika ai ka mundësi të jetë o nga e majta – o nga e djathta. Nëse do të jetë nga e majta ai do të konfliktuohet me Edi Ramën dhe nëse do të jetë nga e djathta ai do të konfliktuohet me Sali Berishën.

Dy janë kandidatët e përfolur dhe të mundshëm në postin e Presidentit të Shqipërisë: Fatos Nano dhe Jozefina Topalli. Të dy janë figura të fuqishme politike dhe telashet e tyre me Sali Berishën e Edi Ramën do të jenë të pashmangshme.

Fatos Nano ka sprovuar të gjitha postet politike dhe të qenët President i Shqipërisë për të nuk është ndonjë sfidë e veçantë.

Jozefina Topalli ka përparësinë e të qenët femër. Jetojmë akoma në një glob ku dominon patriarkalizmi dhe prezantimi i një vendi të vogël siç është Shqipëria me një femër është përparësi. Është edhe një aspekt tjetër formal. Që nga themelimi i shtetit shqiptar nuk kishim asnjëherë president katolik. Të gjithë ishin o myslimanë o ortodoksë. Zgjedhja e Jozefinës do të plotësonte edhe këtë zbrazëtirë në historikun e shtetit shqiptar.

Por, a do ta bëjë këtë Sali Berisha është shumë me pikëpyetje. Jozefina Topalli është krahu i djathtë i Sali Berishës në PD. Nëse Jozefina bëhet Presidente, Berisha jo vetëm që do humbë krahun e vet të djathtë po rrezikon të krijojë edhe një armik të fuqishëm, siç i ndodhi me Bamir Topin.

Në anën tjetër Berisha ka refuzuar kandidaturën e Fatos Nanos. A është kjo vetëm një lojë apo Sali Berisha mendon të bëjë edhe një përpjekje të tretë për të bërë një president kukull, mbetet të shihet. Ndoshta Berisha mendon se “e treta se e vërteta” mund të shkrepë kësaj radhe.

Një gjë është e sigurt. Nëse Fatos Nano zgjidhet President i Shqipërisë, Shqipëria nuk do të ketë një president kukull, por Edi Rama do të ketë telashe me të mëdha se sa Sali Berisha.