LAJMI I FUNDIT:

Politika evropiane me një fytyrë islamike?

Politika evropiane me një fytyrë islamike?

Apeli i Donald Trump për të ndaluar myslimanët nga SHBA provokoi bisedën e mëposhtme të dy miqve të mi: “Nëse zgjedhja do të ishte midis imigracionit mysliman dhe ruajtjes së vlerave morale liberale,” pyeta unë, “cilën do të zgjidhnit?” Të dy e mohuan premisën e pyetjes. Vetë imigrantët, sugjeruan ata, mund të kenë kode morale reaksionare, por fëmijët e tyre, të rritur në Britaninë e sotme, Amerikë apo Evropën Kontinentale, do të jenë krejt ndryshe. Por a është kjo e vërtetë?

Pyetja ime u përqendrua jo te terrorizmi islamik – një bazë e shtirur e shpërthimit të Trump, por mbi kërcënimin e shkallës së gjerë të imigrimit mysliman ndaj kodit të moralit që miqtë e mi të rinj, si shumica e evropianëve të edukuar, tani i pranojnë pa i dyshuar. Ta lëmë mënjanë terrorizmin, nuk do të shqetësoheshin ata nëse islami vinte dhe kishte një ndikim në rritje në ligjin dhe politikën britanike?


Kjo nuk është vetëm një mundësi hipotetike. Popullata myslimane në Evropë ishte 44.1 milionë në vitin 2010 ose 6 për qind në total. Kishte 2.7 milionë myslimanë në Mbretërinë e Bashkuar në 2011 (4.8 për qind të popullatës) nga 1.6 milionë në 2001. Duke marrë parasysh trendët e fundit të imigracionit dhe më e rëndësishmja normën mbi mesatare të pjellorisë te myslimanët (tre fëmijë për familje ndaj 1.8 fëmijëve te britanikët), përqindja e myslimanëve te popullata angleze do të rritet në dekadat e ardhshme.

Shumica e Evropës është në të njëjtën trajektore demografike. Sigurisht, demografika nuk është shkencë ekzakte: shumë varet nga supozimet rreth profileve të moshës, standardeve të jetesës, pabarazisë dhe kështu me radhë; dhe herët ose vonë norma e pjellorisë te myslimanët do të takohet me normën kombëtare. Por deri atëherë popullata myslimane do të jetë zgjeruar shpejt – në 10-20 për qind në total në Mbretërinë e Bashkuar. Pyetja interesante lidhet me pasojat.

Liberalët tani nuk janë të shqetësuar rreth demografisë etnike, sepse ata supozojnë se individët me kalimin e kohës do të identifikohen me normat e shoqërisë mikpritëse. Arsyetimi standard është se imigrantët pasurojnë mikpritësin, ndërsa lënë karakteristikat e papërshtatshme në shtëpi. Në veçanti, sjellja e tyre politike do të përputhet me atë të popullatës në përgjithësi.

Nëse kjo është e vërtetë, ndikimi sociopolitik i një ndryshimi në përbërjen etnike të një popullate është neutral ose edhe përfitues. Imigrantët nga Algjeria, Bangladeshi, Pakistani ose Turqia sigurisht do të bëhen pas një ose dy brezash evropianë në pikëpamje dhe politikë. Feja e tyre do të bëhet për ta një çështje private, ashtu si për shumicën e evropianëve sot dhe ata do të integrohen në të gjitha aspektet e rëndësishme.

Por ky model historik, sipas meje, varet krejtësisht në përmasën e vogël të popullatës imigrantë dhe aftësisë së saj kulturore me popullatën ‘shtëpi’. Eksperienca historike ofron pak udhëzim për pasojat sociale dhe politike të numrave më të mëdhenj dhe ndryshimeve më të dukshme kulturore në migracionet paslufte në Evropë, veçanërisht nga bota myslimane. Këto papajtueshmëri janë edhe më të mëdha.

Thelbi i problemit është se popullata evropiane bashkëkohore është laike, ndërsa qytetërimet myslimane janë fetare. Në Evropë, feja e ka humbur autoritetin mbi ligjin, arsimin, moralin dhe jetën e biznesit. Bota islamike nuk e ka kaluar një proces të tillë. Ka ndarje josimetrike të besimit dhe shtetit; familja, jo individët, mbeten në qendër të njësisë shoqërore. Thelbi i elementeve të jetës politike moderne evropiane – të drejtat dhe detyrat e njeriut dhe llogaridhënia e qeverisë ndaj popullit 0 mungojnë, veçanërisht në Lindjen e Mesme Arabe.

Pavarësisht përpjekjeve për laicizim, hendeku mes pikëpamjeve myslimane dhe perëndimore, është rritur në vitet e fundit, pasi feja ka fituar më shumë rëndësi në vendet myslimane. Sundimi i Sheriatit ndikon në kodet ligjore të tyre. Për më tepër, në shumë vende, shumica myslimane thonë se sheriati duhet të jetë ligji zyrtar.

Në Evropë, islami është feja me rritjen më të shpejtë dhe Sheriati ka penetruar sistemet ligjore evropiane. Në Britani, 100 gjykata sheriati kanë gjykuar divorcin dhe çështjet familjare, duke e nxitur Sekretaren e Brendshme Theresa May të premtojë një rishikim të gjykatave të Sheriatit “për të vendosur apo jo nëse janë në përputhje me vlerat britanike”.

Laicizmi nuk është i pashmangshëm. Siç ka argumentuar filozofi politik Larry Siedentop, ‘laicizmi është dhurata e krishtërimit për botën’. Sipas Siedentop, tiparet specifike të krishtërimit çuan në individualizmin liberal dhe ato mungojnë në fetë e tjera të mëdha të botës.

Dhurata e madhe e laicizmit, ka qenë toleranca. Pavarësisht kthimit mbrapsht të tmerrshëm të shekullit 20 në Evropë, laicizmi ka shërbyer për të mbyllur ngritjen e fanatizmit, sepse arsyetimi laik ndryshe nga zbulesa hyjnore nuk është kurrë përfundimtar.

Ekonomistët i drejtohen migracionit si një lëvizje e individëve në kërkim të një jete më të mirë dhe bëjnë thirrje për më shumë imigracion për të kompensuar plakjen e popullatës apo për t’i dhënë punëtorëve “punët e ndyra”. Por këto gjykime të “njeriut ekonomik” harrojnë një dimension kyç të migracionit: njerëzit marrin me vete kulturën përtej kufijve politikë. Ne nuk duhet të supozojmë se suksesi ekonomik çon automatikisht në përputhje kulturore.

Kjo na kthen te Trump. Çfarëdo që të ndodhë në SHBA, imigracionit mysliman në Evropë do të vazhdojë dhe do të zgjerohet në vitet e ardhshme. Vetë katastrofa siriane e siguron këtë. Gjithçka që mund të bëjë dialogu dhe arsimimi për ta mbyllur hendekun mes komuniteteve imigrantë dhe atyre pritëse duhet bërë. Por mund të jetë e pamundur të parandalohet një rikthim në politikën fetare dhe konflikti që sjell fanatizmi fetar. Nëse duam ta shmangim ecjen e përgjumur drejt një të ardhme të trazuar, duhet të njohim se integrimi i dështuar, jo terrorizmi, është rreziku kryesor me të cilin hasemi.

(Autori është anëtar i Dhomës Britanike të Lordëve dhe Profesor Emeritus i Ekonomisë Politike në Universitetin e Warwick. Shkruar për “Project Syndicate”. Marrë nga reporter.al)