LAJMI I FUNDIT:

POEM KOSOVAR: Dhe këndova kosovarin, njerinë që banon n’atë vend ‘prej qindra vjet- prej mijra vjet- rrënjë pas rrënje’

POEM KOSOVAR: Dhe këndova kosovarin, njerinë që banon n’atë vend ‘prej qindra vjet- prej mijra vjet- rrënjë pas rrënje’

Në nëntor të vitit 1943, nis të dal ditorja “Bashkimi i Kombit” . Drejtor i kësaj ditore ishte Akile Tasi, ndërsa kryeredaktor Gjergj Bubani. Redaktor ishte edhe Mustafa Greblleshi.

Në librin “Kujtime: 1939-44”, që tash vonë ka dalë në shitje, Greblleshi tregon se më 14 prill 1944, një faqe e tërë e kësaj gazete iu kushtua bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.


“Përkujtoheshin, gjithashtu, edhe masakrat mizore të serbëve ndaj popullsisë së pafajshme. Masakra dhe vazhdimisht masakra. Në shekullin VI Justiniani dëboi vandalët nga Ballkani. Ku ta dinte ky perandor ilir se në trevat e çliruara prej tij do të nguliteshin serbët e dyndur?”, ka thënë ai.

Për këtë gazetë ka shkruar edhe Mitrush Kuteli. Ai kishte vizituar Kosovën dhe te “Bashkimi i Kombit” më 8 dhjetor 1943 boton reportazhin “Në Prizren, midis të gjallëve dhe vdekurve”. Kuteli pastaj shkruan “Poemin kosovar”. Kështu Greblleshi i kujton momentet e leximit të tij në redaksi: “Redaksia e gazetës ka qenë në katin e dytë të godinës, përmbi shtypshkronjën, në një sallë tepër të madhe, me dritare gjithashtu të mëdha. Në ballë ishte tryeza e kryeredaktorit, Gjergj Bubanit. Ka qenë mbrëmje kur e recitoi Gjergj Bubani nga kreu gjer në fund ‘Poemin kosovar’. Gjergj Bubani ishte një recitues i mrekullueshëm, sepse në rini kishte debutuar edhe si aktor teatri në Athinë dhe në Bukuresht. I fiku të gjitha dritat e sallës dhe la ndezur vetëm abazhurin e tryezës së tij. Pra, ne ishim në errësirë dhe ai në penombër. Në këtë recitim, përveç redaktorëve zë gazetës, kanë asistuar edhe dy artistë lirikë të njohur, sopranoja Tefta Tashko dhe tenori Kristaq Antoniu”.

Ndërkaq, në ditarin e tij, Kuteli ka shkruar: “Dikur (1943) e vizitova Kosovën, këtë kopësht të lulëzuar të Shqipërisë së Jashtëme, dhe shpirti m’u mbush me gaz: në qytet flitej shqip, në katund flitej e këndohej vetëm shqip. A ka gaz më të madh për një njeri, që ka ngrënë njëzet e kusur vjet bukën e mërgimit se sa të “zbulojë” se me të vërtetë ekziston një Shqipëri e jashtëme?

Dhe atëhere, që të mos kthehem me duar bosh nga ky udhëtim, shkrojta një vepërzë: Poemin kosovar. Tani kur m’u thanë pikëzat e lotit të gazit të atëhershëm, e kuptoj se kjo vepër ka qenë tepër e ashpër kundër jugosllavëve, bile shoviniste, por atëhere unë thosha se e kam për detyrë ta dua popullin që flet gjuhën e nënës sime më shumë se çdo tjetër.

M’u kujtuan çiliminjtë kosovarë, muhaxhirë, të zbathur, të rreckosur, të verdhë që kisha parë më 1925, në Stamboll, nëpër vagonë kafshësh e baranga, që ku do t’i degdisnin për të kolonizuar shkretëtirat e Anadollit, m’u kujtuan sharrxhinjtë kosovarë, njerëz pa tokë, që brithnin ‘me kryet përdhe- me sharrën në krah- jaban e beter- derë më derë- për një kotherë bukë’ nëpër rrugët e rrugicat e Belgradit të kralit, m’u kujtua e ashtuquajtura reformë agrare e Jugosllavisë së vjetër qene, që ua rrëmbeu tokat bujqve të vegjël shqiptarë dhe ua dha t’i bëjnë ferma dhe çifligje fajdexhinjëve, ushtarakëve dhe të tjerëve (‘agrarët, xhandarët, tyxharët- të gjithë tok- u bënë shokë- si sorrat- për kërmë!’) dhe këndova kosovarin, njerinë që banon n’atë vend ‘prej qindra vjet- prej mijra vjet- rrënjë pas rrënje’.

E pohoj hapur se kjo vepër është e ashpër, ka shumë të meta, por ka edhe një thelb të vërtetë.

Edhe qymyrguri që nxirret nga toka ka shumë lëndë të huaj, të pavlefshme, por kjo nuk e ndalon të jetë i dobishëm…”.

Këtë dedikim të Kutelit, për Kosovën, mund ta lexoni më poshtë. /Telegrafi/

POEM KOSOVAR

KËNGA E PARË: QËNDRIMI

Jam kosovar
pra jam shqiptar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar
mbi këtë Dhe
q’e e kam si fe;

E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brezi,
që gjithëmon!

Ti shkja thërret,
ti shkja bërtet,-
gjer lart në retë;
se jam barbar.

Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
Isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!

KËNGA E DYTË: DURIMI

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që vogëli.

Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulë-bardh e krye-lidh,
krye-lidh me një shami,
me tri shami;
për trimëri!

Jam eshtër-madh,
i vrazhdë jam
e bojalli-
jam’ plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
-Si s’ka njeri-
Për drejtësi
e për Liri!

Si gjithë Asimët
e gjith Qerimët
e Vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që vogëli;
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
dhe gllavnikët.

ma vranë,
Se urdhër dha Vojvodi
e Krali- vetë;
Të vritet.
Se ishte Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!

Dhe tokën që kisha nga Baba
nga Gjyshi
– rrënjë pas rrënje-
prej qindra vjet,
prej mijra vjet!
ma muarr. Ah!
ma muarr Vatanin
q’e desha si xhanin!

Ma muarr
me armë në duar,
– me gjak nëpër duar-
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shokë;
si sorrat!
për kërmë!

Oborrin ma muarr
gjer në shtëpi
dhe ngrehnë për vete shtëpi
në sytë e mi!

Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot;
mbeta pa dhe,
– bujk pa dhe,
bari pa kope-
këtu,
në dherin tim.

Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…

……………………………

Po shpresa s’m’u vyshk! Durova,
durova,-
Sa nuk duron njeri,
as perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i Kombit tim.

Më dhanë armë të vras
vëllanë
sipas kanunit
të gjakut…,
Po s’desha!
Dhe në e bëra,
ma falni;
Se jam gjaknxehtë.

Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej!
Se vetëm andej
paska për ne
-Popull pa zot-
vend boll…

Po malli i Tokës s’më la,
po malli i Fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.

Dhe mbeta këtu,
i huaj,
– si qen!-
në vendin tim,
të Babës tim…

Mbeta raja,
ndënë raja
si për hata;

në uri
në qesëndi,
në skllavëri
të shkjaut të zi.

Më thanë të ik n’Allbani,
– Vatan i ri
i Kombit tim-
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.

Po dot nga toka s’u ndava,
Dhe mbeta të jem,
ku jam
e ku do të jem!

Më thanë të shkoj në sheher
të shkjaut të madh
me sharrën më krah,
me kryet përdhe,
jaban
e beter;
portë më portë
derë më derë
i mjerë
e zemër- sterrë;
për një kotherrë
bukë,

Po malli i Vendit s’më la
e mbeta këtu,
raja
ndënë raja
të ha
një bukë- zeher
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres!
një tjatër mëngjes.

E dit për dit,
e net pas net,
e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjash;
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!

Po prita
dhe prita
të vijë dhe për mua
dita!

Tani,
tani,
Liri!

KËNGA E TRETË: SULMI

Ta shemba shkjah kufinë
që ngrite ti
në Vendin tim
e përmbi varr
të Babës tim.

Ta shemba
ta dogja;
me zjarrin e shpirtit
të vojtjes
dhe të urrejtjes.

Me zemërim
me vrull të madh,
e bubullim
që s’ka mbarim.

Se vjete ti më çave
më ndave
më vrave!
armik- lugat!
armik- xhelat!

Ti bëre azape:- s’u tremba,
Ti ngrite kufire me gjemba
fortesa ti ngrite;
t’i shemba!

Tani,
tani!
atje ku ti
o Mal i Zi!
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!

sot!
shkon,
e valon
parmenda!

T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t’u zhduk
si në ujë.

Ta shemba armik kufinë
-derë burgu-
dhe është tani
si ish!
-si do të jetë;-
përjetë;
Lëndinë!

KËNGA E KATËRT: NDËRTIMI

I bje arës mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të Babës tim,
të Birit tim;
sot e përpjet,
jetë pas jet!

Dhe ndje qysh flet
me zë të qet
im Atë vet
nga balta posht;

Të mbroni Dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam…

Të mbroni Dhenë
që e ushqe’
dhe sot si dje;
me kurmin tim…

Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot-
po kurrë lot!
as sot, as mot!….

Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!

Jam eshtër-madh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.

Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
më rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj…
Të pash të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.

Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot.
pa asnjë lot, pa asnjë lot.

Dhe prita sot të derdh një lot.

KËNGA E PESTË: QËNDRIMI

Tani,
tani,
unë jam gati!
të vdes që sot-
se rroj përmot;
mbytyr me gjak
por jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!

Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e krej
kush gjak shqiptari ka në dej.

Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!

Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëhu gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi;
për Liri!
Për Shqipëri!

Tani
tani!
-O Mal i Zi-
ja un,
ja ti!
Po un- jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…

Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati-
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!

Se jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën – fushë
e malin mal.

Un jam këtu
e do të jem
– dem baba dem-
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!

Në trend Kultura

Më shumë

"Universiteti i Durrësit i vitit 1380 - i pari universitet në Ballkan"

Kulture
ÇASTE

ÇASTE

Poezi
I kanë thënë të mençurit...

I kanë thënë të mençurit...

Kulture
Xhojsi dhe Uliksi: I rrezikshëm, soditës, sfidues, emocionues ...

Xhojsi dhe Uliksi: I rrezikshëm, soditës, sfidues, emocionues ...

Kulture
NYT më 1982: KGB ka organizuar të paktën tri përpjekje për puç në Shqipëri

NYT më 1982: KGB ka organizuar të paktën tri përpjekje për puç në Shqipëri

Kulture
POEZI PËR DASHNORIN E LARGUAR PREJ KOHËSH

POEZI PËR DASHNORIN E LARGUAR PREJ KOHËSH

Poezi
Kalo në kategori