LAJMI I FUNDIT:

Po humbim gjuhën, identitetin…

Po humbim gjuhën, identitetin…

Nga: Ben Andoni

Ikja e madhe e shqiptarëve jashtë vendit dhe përpjekja për t’u socializuar me të gjitha mundësitë në vendet pritëse ka sjellë përveç rrezikut klasik të Vendeve në Zhvillim – shpopullimin dhe humbjen e gjuhës. Dhe, tashmë nuk mjafton as propaganda lëbyrëse e qeverisë por dhe mllefi patetik i opozitës për të treguar kura imagjinare e një fasadë tjetër: vendi realisht po pakësohet.


Paçka remitancave që shpresohet se do sjellin të larguarit, e ardhmja parashikohet shqetësuese. Opozita duke iu referuar shifrave të EUROSTAT-it, llogariste se nga viti 2014 deri në 2019, 173 785 shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE. Por, pak ditë më vonë zëvendëskryeministri Braçe risolli të dhënat e referuara të para kësaj kohe, që rezultonin edhe më të dhimbshme. Kësaj armate, që është ndalur disi prej pandemisë për 2020, i shtohet shifra e frikshme e vitit 2019, kur 20.500 shqiptarë kërkuan azil.

Por, kjo është më pak shqetësuese sesa ajo që pret identitetin tonë. Një pjesë jo e vogël, për shkak të përvojave të këqija në vend dhe tjetra syresh për shkak të përshtatjeve personale, pjellin shumë gjëra duke dashur t’i largohen realitetit identitar. Dhe, realiteti i ri i shqiptarëve i është larguar shumë asaj që pret vendi prej tyre dhe që ata fatkeqësisht nuk ia japin dot.

“Fuqia njerëzore varet nga bashkëpunimi masiv, ky i fundit nga prodhimi i identiteteve në masë-dhe të gjitha identitetet në masë bazohen në histori të trilluara, jo në fakte shkencore dhe as në nevoja ekonomike”, shprehet Yuval Noah Harari tek “21 leksione për Shekullin XXI”.

Por, a po e dëmton vendin kjo rrjedhje dhe natyrisht humbja e identitetit te një masë jo e vogël, që po ndodh me ritme galoponte? Shumë nga familjet e të larguarve, të cilat vinë nga Vendet e Perëndimit, dallohen për humbje të sforcuar të tipareve të identitetit, e që përshfaqet që nga humbja e akcentit por edhe me shtrembërimet gjuhësore dhe sidomos braktisjen vullnetar të identitetit.

Në të gjithë këtë hulli, nuk po marrin në evidencë ata që po duan të lënë nënshtetësinë shqiptare. Për ironi të së gjithës, është një listë jo e pakët dhe e njerëzve ose e të afërmëve të politikanëve, të cilët duhet të jenë vetë digë ndaj largimit.

Dhe, ironia shtohet, kur pak ditë më parë, mediat greke ironizonin paq shtetasit shqiptarë të cilët jo thjesht refuzonin të flisnin gjuhën shqipe në publik, por pretendonin se e kishin harruar!! Për ta bërë më të hidhur problemin, kujtojmë se Shqipëria prej fare pak vitesh ka një Ministri Diaspore (MD), që po përpiqet më kot të zbusë këtë hendek përmes projekteve të saj.

Duket se nuk mund ta përballojë e vetme. Tek e fundit, me gjithë fondet e akorduara dhe punën e MD-së, emigrantët dhe të larguarit shqiptarë duan të ndihen realisht të përfaqësuar dhe të vlerësuar. Kuptohet se edhe për këtë fakt, kryeministri e rezervoi një vlerësim pak kohë më parë: emigrantët kanë kontribuar në ekonominë e vendit dhe sipas tij janë plot 618 milionë euro të ardhura nga emigrantët.

“Të mos zhytemi çdo ditë në lotët e krokodilit për ata që ikin. Ne jemi duke punuar për një program kombëtar strehimi për emigrantët”, shprehej Rama. Ndërkohë në vendet shqiptarfolëse, realiteti është më i zymtë. Kosova, Mali i Zi dhe në vende të tjera, shqiptarët po e braktisin “normalisht” gjuhën, duke u futur në realitete të tjera, pa kuptuar se me këtë humbje kanë humbur nga pak dhe identitetin. Ata që e dinë lidhjen thelbësore të gjuhës me identitetin kanë kohë që apelojnë.

Por, nëse problemi do merrej më i lidhur me realitetin e përbotshëm parashikohen disa përfundime mes tyre nga më të dhimbshmet. Në një studim referohet se vendet e vogla përballen me humbje të mëdha në shekullin XXI, nisur me sfida të paimagjinueshme. Parashikimet mëtojnë se 90 përqind të gjuhëve të botës do të vdesin deri në fund të këtij shekulli.

Ja çfarë humbasim të gjithë fillimisht me humbjen e gjuhës, shkruan Kat Eschner dhe rendit disa prej faktorëve kryesorë. Ne humbim “Shprehjen e një vizioni unik se çfarë do të thotë të jesh njerëzor”. Ne do humbim kujtesën e shumë historive dhe kulturave të planetit. Ne do humbasim disa nga burimet më të mira lokale për të luftuar kërcënimet mjedisore, pasi të gjithë po humbasin gjuhën e tyre amtare”.

Identiteti, në formën klasike, lidhet me pyetjen bazike se: “Çfarë jam unë?!” Identiteti ka të bëjë me vlerat më qendrore të një individi, por përbën edhe kyçin, i cili na hap dyert për zgjedhjet që bëjmë në jetë e që fillojnë nga lidhjet sociale, karriera por edhe e ardhmja. Duke futur matricën e arsimimit, traditës, janë pikërisht këto zgjedhje të cilat reflektojnë realisht se kush jemi dhe nëse e kemi identitetin e duhur. “Për të formuluar një përkufizim të përdorshëm të identitetit shqiptar, them se në fillim duhet dalluar midis identitetit sinkronik ose horizontal, ose vetëdijes së pandërmjetme, intuitive, që kemi të gjithë se jemi ‘shqiptarë’ dhe identitetit diakronik ose vertikal, i cili përcillet brez pas brezi, në histori”, shkruan Ardian Vehbiu, por kjo përbën aspektin mirëfilli teorik, sepse për identitetin nuk mbarojnë temat dhe përqasjet.

Mbi të gjitha, nuk duhet harruar se shqiptarët që kanë kaluar në harkun e 100 viteve, plot 4 sisteme ekonomiko-shoqërore të ndryshme e kanë pasur të vështirë të mbrujnë identitetin. Më të shumët përcjellin traditat e familjes dhe i ngrenë deri në tipare të identitetit ose hapësirës ku janë. Komunizmi u përpoq të ngrinte steorotipe të reja dhe nisi të krijonte njeriun e ri, që Demokracia e shndërroi në një formë tjetër, duke i dhënë identitetit disa tipare ose më ndryshe disa identitete.

Jo më kot, njeriu, sot e mbivendos identitetin mbi aftësinë për t’u përshtatur. Qënia e sotme zgjedh disa identitete për të përballur këtë realitet, por që megjithatë kjo nuk po e ndalon vendin të zbrazet frikshëm, sepse e sheh këtë vend gjithnjë e më të pajetueshëm. Oscar Wilde te “De Profoundis”e shprehte më në formë cinike të gjithën, por në kushte dhe realitete të tjera: “Shumica e njerëzve janë njerëz të tjerë. Mendimet e tyre janë mendimet e dikujt tjetër, jeta e tyre është një imitim, pasionet e tyre një citim ”.

Përgjatë tre dekadave të fundit, shqiptarët kanë bërë përballjen më sfiduese më identitetin, pasi ai është munduar të përshtasë identitete, duke humbur gjuhën, duke sakrifikuar duke lëshuar thjesht për të mbijetuar, por sot ka ardhur koha, që ne të punojmë seriozisht me të.

Mbase nuk kthen shqiptarët më pas, por mund t’i jap pak kuptim jetës sonë, që për hir të së vërtetës është shumë bosh…dhe këtë nuk e rregullon dot dhe identiteti ynë i munguar.