LAJMI I FUNDIT:

Përkohësia

Përkohësia

Nga: Raimonda Shundi

Jemi të përkohshëm – në ekzistencë, në dashuri, në hierarki, në pushtet, në privilegj, në pasuri, përveç banesës së fundit. Jemi të përkohshëm në përkohësinë tonë. Jemi të përkohshëm dhe nuk mundemi dot as ta shohim, pasi na ka hipnotizuar lartësimi, na ka magjepsur ethja e përvetësimit të së paprekshmes, na ka kapluar epshi për të pamundurën, na ka gllabëruar uni, na ka shtypur mendimet gjithëpushtetshmëria duke bërë kështu t’i largohemi vetes sonë të mirë. Po ndjekim hijen e ambicies me besimin se do ta bëjmë tonën dhe më pas… bota le të përmbytet.


Mohojmë miq të kthyer tashmë në armiq, shkelim parime, ligje, besime fetare, shkruajmë monologë për paqen dhe dashurinë, organizojmë tubime në emër të sublimitetit njerëzor, shpikim e nxjerrim heronj, rrëmojmë të shkuarën tonë dhe nxjerrim fantazmën që duam, lexojmë Kamynë, Marksin, Dostojevskin, Shekspirin, Eskilin, Euripidin dhe vijojmë të flasim me penën e tyre sikur të jemi vetë ata. Jemi kthyer tashmë në një kopje të autoritarizmit, kopje të aparencës dhe boshësisë.

E gjitha kjo përse?! Për unin, lartësimin tonë. Aspak për fisnikërimin, aspak për njerëzit, komunitetin, vendin ku jetojmë, aspak për vazhdimësinë dhe bashkësinë. Sot familjet shqiptare janë shumë larg nga ato çka ishin dikur. Sot tradita e formësimit të saj është as jona, as ballkanase, as europiane apo nordike. Është një bashkësi të këqijash, nga ku thelbi molepset me etjen e lartësim, etjen për para, lavdi, etje për të qenë gjithmonë të “ri” pas një bisturie, duke shkelur gjithçka mbartur nga trungu ynë. Të mirat janë si farat e lules së mirë, janë si zogjtë unik të fazanit që po zhduket, pelikanit apo breshkës së oqeanit. Të mirat tradicionalisht të kaluara brez pas brezi janë si kutia e fshehur në valixhen e prindërve që ti e hap kur je bërë tashmë një prind i rritur.

Është esenca që të ka bërë ai që je. Por, jo. Etja për t’u pasuruar e lartësuar na ka errur sytë dhe mendjen. Kur shqiponja, zotëruesja e lartësive, për t’u ushqyer me breshkën, e sigurt në zhguallin e saj në tokë, në mes shkurresh, i duhet ta konsumojë si ushqim vaktorë, përdor një metodë tinëzare dhe mjaftueshëm mbresëlënëse. Ajo e kap prehën me kthetrat e saj, e ngjit lart në qiejt e amëshuem dhe lëshon drejt shkëmbinjve të thepisur. Më pas, shijon qetësisht mishin e saj të njomësuar me gjakun nga kjo përplasje fatale. Është mahnitëse ngjashmëria e çuditshme midis botës shpendoro- kafshërore, në raport me atë të tonën, njerëzoren.

Dhe teksa ekstaza e lartësimit momental drejt realizimit të ëndrrës së individit të mbështjellë në zhguallin e vet, pasi sheh nga poshtë kthjelltësinë e gjithësisë, dhe adhuron atë, lakmon ta pretendojë edhe parajsën qiellore. Më godet mjaftueshëm i njohur ky lëshimin drejt shkëmbit të thepisur, duke bërë kështu që edhe ëndrra e breshkës të zgjat fare pak. Ajo përfundon në stomakun e të pushtetshmit. Vetëm kaq zgjat ëndrra gjatë lumturisë së ngjitjes. Vetëm kaq i duhet edhe shqiponjës pesha e saj, për ta çuar drejt lartësisë qiellore, së pushtetshmes shqiponjë. Vetëm kaq kohë i intereson shqiponjës për të përmbushur oreksin e ditës. Pas kësaj, radha për dikë tjetër. Përkohësia jonë na jep pafundësisht mesazhe për atë çka na pret dhe jemi të destinuar të jemi.

Na e tregon nëpërmjet komshiut se çfarë i ndodh, na ther në ind kur familjari ynë na e kthen shpinën, kur miku na del nga fjala, kur kolegu na lëndon, kur shefi na injoron, kur i pasuri na përbuz, kur pushtetari na përdor, kur vëllai na mallkon, kur askush nuk të dëgjon. Pas të gjithave fle ajo, egoja, lartësimi, pasurimi dhe harrojnë se po vetmohemi e helmohemi çdo ditë e më shumë. Po largojnë lëngun që i bënë sytë të qeshin e shpirtin t’u fluturojë pa asgjë në kthim. Pa asnjë kusht. Zgjedh të jem e lumtur në përkohësinë time, në formën time, në shkurren time, të cilën dua ta kthej në një pyll me shumë pemë, zogj, liqene dhe njerëz që dinë si edhe unë të shohin përkohësinë tonë, e cila çdo ditë na shkurtohet