LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësim dinjitoz i Kosovës në Frankfurt

Përfaqësim dinjitoz i Kosovës në Frankfurt

Në mesin e mbi 7.500 botuesve të më se 100 shteteve të botës, Kosova ka qenë njëra ndër to, në Panairin e 66-të të librit në Frankfurt të Gjermanisë.

Në këtë panair u fol shumë për gjendjen dhe perspektivat e librit, por megjithatë sipas folësve në këtë panair, si ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti i Finlandës Sauli Niinisto, libri fizik po i mbijeton bindshëm konkurrencës së librit elektronik.

Dëshmi për këtë, thuhet të jetë pjesëmarrja e mbi 7.500 botuesve të më se 100 shteteve të botës.


Në një njoftim për media, që ka ardhë nga përfaqësuesit e Kosovës në Frankfurt, thuhet se panairin e sivjetmë e veçojnë numri i botuesve, i titujve të rinj, i vizitorëve që pritshmëria e të cilëve duhet ta tejkalojë 300 mijëshin (nga të cilët 175 mijë janë profesionalë), por edhe interesimi i mediave botërore me mbi 10 mijë gazetarë të akredituar, gjithashtu edhe aktivitete shoqëruese, me rreth 650 agjentë letrarë që përfaqësojnë të drejtat e autorëve të të gjitha kontinenteve.

E pjesëmarrës në këtë panair, ka qenë edhe braziliani Paulo Coelho, i cili nderohet me Certifikatën e Guinnesit, “Alkimisti” i të cilit u përkthye tashmë në 67 gjuhë të botës, duke qenë autori më i përkthyer i gjallë!

Në këtë panair tashmë ka krijuar traditë të mirë pjesëmarrjeje edhe Kosova, e cila prezantohet me një stendë, me imazhe impresionuese historike, natyrore e letrare, duke e bërë Kosovën konkurrente në hap me kohën si pjesëmarrës i shteteve tashmë me përvojë në këtë fushë.

Në njoftimin e pjesëmarrësve nga Kosova, thuhet se qysh në ditën e parë (sot) stenda u vizitua nga vizitorët e brendshëm (për vizitorët e jashtë janë rezervuar e shtuna dhe e diela) si dhe personeli i Konsullatës së Kosovës në Frankfurt.

Mbresëlënëse për pjesëmarrësit e Kosovës, thuhet të jetë edhe vizita e shkrimtarit të ri francez Eduard Louis, i cili në qershor ishte mysafir i panairit të librit të Prishtinës.

Stenda e Kosovës, bartëse e së cilës është Shoqata e Botuesve të Kosovës, e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës që ka paguar vetëm shpenzimet e stendës, ka ekspozuar mbi 200 tituj të dy viteve të fundit, më shumë se gjysma e të cilëve janë të këtij viti.

Në këtë mes janë botuesit si: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Historisë i Kosovës, Koha, Buzuku, Albas, Dija, Mendimi Pozitiv, Rugova Art, Titanik etj.

Ditën e shtunë pritet të organizohen disa përurime në stendën e Kosovës, ku të pranishëm pritët të jenë shumë bashkatdhetarë kosovar në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Francë, Austri, vendet skandinave etj.

Stenda e Kosovës nderon me një pano të veçantë 200-vjetorin e Jeronim de Radës, përvjetor i përbashkët i ministrive përkatëse të kulturës së Shqipërisë dhe të Kosovës. /KP/