Nga: Petrit Ymeri
Kam lexuar para shumë ditësh disa opinione dhe sugjerime e mendime lidhur me vlerësimin dhe vënien në pah të përkthyesit, diskutime të tilla se ku duhet vendosur, sipas tyre, emri i përkthyesit dhe më tutje deri tek “të drejtat” e përkthyesit. Shumica e këtyre mendimeve janë amatore, të nxituara dhe pa njohjen e duhur, e si rrjedhim, të gabuara.
Fillimisht më duhet të nënvizoj që në Shqipëri ka pasur dhe ka vlerësim shumë të madh, deri në nderim për përkthyesit. Të kuptohemi: për ata përkthyes të rangut të Fan Nolit e deri te Sotir Caci, Misto Treska e Mitrush Kuteli, pak më vonë Robert Shvarc, Shpëtim Çuçka, Donika Omari, Afrim Koçi, Mira Meksi, Ardian Klosi, Edmond Tupe, Mirela Kumbaro, Diana Çuli, Perikli Jorgoni etj., pa pretenduar t’i radhis dot të gjithë ata punëtorë të shkëlqyer të gjuhës, që i kanë bërë shërbime të mëdha kulturës shqiptare.
Për sa i përket vlerësimit material, mund të them pa asnjë ngurrim që nuk është ai i merituari krahasimisht me punën e madhe që bëhet. Por, për fat të keq, na takon të gjithëve të përballojmë pasojat e një tregu të vogël e të varfër. Tirazhet e vogla, mungesa e investimeve dhe furnizimeve publike të bibliotekave në radhë të parë, e bën shumë të vështirë punën me librin dhe të ardhurat janë të pakta.
Megjithatë, duhet thënë që vitet e fundit është përmirësuar niveli i pagesave për përkthimin. Një mbështetje relativisht e mirë për veprimtarinë botuese, rrjedhimisht edhe të përkthyesve kanë qenë dhe janë bashkëpunimet me institucionet e shumta evropiane që mbështesin përkthimin dhe botimin në gjuhën shqipe të veprave dhe autorëve të huaj. Kjo gjë natyrisht ka përmirësuar nivelin e pagesave të honorarëve të përkthimit. Të mos harrojmë taksën e lartë 15 për qind (nga janari 2014) që është mbi kurrizin e dobët të përkthyesve, por për të cilën nuk i dëgjojmë të shprehen aspak! Përkundrazi, është Shoqata e Botuesve Shqiptarë që ka kërkuar me këmbëngulje dhe vazhdimisht uljen e kësaj takse. Qysh në muajin maj 2019 kemi paraqitur zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Shqipërisë (bashkë me shumë kërkesa të tjera) për ndryshimin e taksës, nga 15 në 6 për qind. Shpresojmë që kjo të realizohet.
Në opinionet që përmenda në fillim të këtyre shënimeve, thuhen ca të vërteta e ca të pavërteta. Përmendet p.sh., se shtëpia botuese italiane “Einaudi” do praktikojë në një prej kolanave vendosjen e emrit të përkthyesit, në faqen e katërt të kopertinës, pra në kopertinën e pasme. E vërtetë. Por është një praktikë e kufizuar e një shtëpie botuese që do e përdorë atë vetëm në një prej kolanave të saj. Nuk është ndonjë tregues i rëndësishëm! Ndërsa, nuk është e vërtetë që “Creative Europe” kërkon emrin e përkthyesit në kopertinë! Absolutisht e pavërtetë! Vetëm biografinë e përkthyesit brenda librit. Kaq. Edhe një pohim tjetër i gabuar: “Traduki” nuk na e ka kërkuar kurrë këtë gjë. Çështja e evidentimit të emrit të përkthyesit në kopertinë është e një rëndësie shumë relative. E rëndësishme është të bëhet publike në forma të tjera që tërheqin vëmendjen e lexuesve. Megjithatë, secili botues mund të ndjekë praktikat që dëshiron, të cilat nuk janë të detyrueshme apo të këshillueshme për të tjerët.
Sa për dijeni të atyre që shkruajnë siç u vjen për mbarë, por edhe të lexuesve (që të mos çoroditen), ka disa rregulla në botime se ku vendosen emrat apo edhe shenja të tjera në libër. Në kopertinën e parë janë emri i autorit, titulli i veprës dhe emri ose logoja e shtëpisë botuese. Këto përsëriten edhe në shpinën e librit. Në kopertinën e pasme vendosen të dhëna për librin dhe autorin, ISBN dhe çmimi i librit. Kjo është mënyra dhe radha e njohur dhe e pranuar. Në frontespicin e librit vendoset autori, titulli, emri i përkthyesit (nëse vepra nuk është origjinal) dhe shtëpia botuese. Në mjaft vende emri i përkthyesit vendoset në faqen pas frontespicit. Në Shqipëri tradicionalisht përkthyesi është vendosur në frontespicin e librit, për ta njohur e vlerësuar. Mund të ndodhë që emri i përkthyesit të vendoset subjektivisht në kopertinën e pasme, kurse vendosja në kopertinën e parë është shumë, shumë e rrallë dhe për mendimin tonë, e ekzagjeruar!
Pastaj duhet të bëjmë dallimin midis përkthyesve “të shkëlqyer” që mund t’u bëhen disa ndere më shumë dhe atyre përkthyesve që “i thonë këmbës, dorë”, apo që ua shpërndajnë përkthimet e tyre edhe studentëve apo të njohurve, dhe mbi to, venë emrat e tyre “të shquar”!
Për sa i përket diskutimit të parapëlqyer të disave, për gjoja të drejtat e përkthyesve, apo të konsideruarit “shegert”, ky është një diskutim i mbyllur dhe inekzistent në gjithë botën editoriale. Kujt i pëlqen ta quajë veten shegert apo çirak, le ta quajë. Ne i konsiderojmë përkthyesit bashkëpunëtorë të domosdoshëm dhe i vlerësojmë! Marrëdhënia botues-përkthyes, duke nënvizuar bashkëpunimin e respektuar, është një punë që propozohet dhe pranohet ose jo, me disa kushte të caktuara. Pra, e gjitha përfundohet në kontratë porosie përkthimi! Ajo që negociohet janë vetëm tarifa e pagesës dhe koha e dorëzimit. Nëse palët bien dakord, nënshkruhet kontrata, ku një nga pikat (që kërkohet edhe nga Pronari i të drejtave) është që përkthyesi nuk ka pretendime as sot e as kurrë për përkthimin e veprës. Për këtë ekziston edhe një kontratë e njohur ndërkombëtarisht: “Deed of translation assignment”, e cila kufizon dhe bllokon në mënyrë totale pretendimet e përkthyesit (nëse ka).
Nuk ekziston askund e drejta e përkthyesit mbi përkthimin e bërë. Është njëlloj sikur ndërtuesi të kërkojë të drejta për veprën e arkitektit, violinisti për veprën e kompozitorit, derdhësi në bronz për veprën e skulptorit apo mjeshtri që bën korniza, të ketë të drejta për pikturën…
Çështja e të drejtave të autorit në botime është shumë e qartë dhe nuk diskutohet në asnjë vend dhe në asnjë rast. Pronar i të drejtave është autori apo trashëgimtarët e tij, agjencia letrare përfaqësuese apo shtëpia botuese e origjinalit. Botuesi që merr të drejtat në një vend apo gjuhë tjetër, kundrejt pagesave, nuk është pronar i të drejtave, por vetëm i përdorimit për një kohë të kufizuar dhe në territor të përcaktuar. Pra duke mos qenë pronar, por përdorues i veprës, botuesi as nuk ka të drejtë të transferojë të drejtat apo t’i ndajë ato me dikë tjetër, qoftë edhe përkthyesi. Madje, një nga detyrimet e botuesit është të mbrojë të drejtat e autorit edhe nga pretendimet e gabuara e të tepruara, si ato të ndonjë përkthyesi.
Në rast se përkthyesi do të kërkojë të drejta mbi përkthimin e një vepre, duhet të nënshkruajë një kontratë me pronarin, por sigurisht edhe të paguajë për të drejtat që ai kërkon. Por nuk ekziston asnjë autor apo agjenci letrare përfaqësuese që të nënshkruajë, të japë e të njohë të drejta për përkthyesin. Kjo është në kundërshtim me legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e autorit dhe me praktikat ndërkombëtare dhe kombëtare.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?
Fuqia dhe utopia e një “bote me besë”, fytyrë apo maskë
Mbijetesa e poezisë
Dhjetë vjet vetmi: Bota letrare, një dekadë pa Marquezin
Pushtimi i Beogradit me vetëm shtatë ushtarë gjermanë
Karnavalet, origjina dhe domethënia
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
E jotja është mu koncentru, e karriges Gaming me t’rahatu
Karrige që ta relakson mendjen dhe trupin
Knaqja zemrën vetit: Bli fustanin me zbritje në Melodia Px
Autobusi bon me t’ik, a kjo bluzë me zbritje hiç kërqysh!
Sako nga MelodiaPx që t’shton vetëbesim!
Më të lexuarat
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri
"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion
Klopp e donte lojtarin që sot luan për Liverpoolin, por bordi kërkonte një tjetër - si nisi mosmarrëveshja mes tyre