LAJMI I FUNDIT:

Për kë do të jenë ndërkombëtarët në zgjedhjet e ardhshme?

Për kë do të jenë ndërkombëtarët në zgjedhjet e ardhshme?

Në zgjedhjet e pasluftës, na kujtohen ata që i humbnin ato teksa shfajësoheshin duke thënë se “ndërkombëtarët po i donë këta në pushtet”. Opozita e tanishme, ku bëjnë pjesë edhe fituesit e atëhershëm, përveç akuzave për vjedhje votash, njëjtë i arsyetojnë humbjet e tyre në këto dy palë zgjedhjet e fundit: “Ndërkombëtarët po i donë ata që t’i bëjnë lëshime Serbisë”. Me kaq përfundonte analiza e humbjes së zgjedhjeve, duke e hedhur fajin prej vetes dhe hedhur atë diku larg, sa më larg që është e mundur, diku ku s’mund të preket e kapet nga votuesi i rëndomtë, pra te bashkësia ndërkombëtare, aty ku shqiptarët nuk mund të kërkojnë llogari. E pasi mos llogaridhënia është mënyrë jona e jetës publike dhe të bërit politikë, mund të thuhet se “lënia e patates së nxehtë në dorë” bashkësisë ndërkombëtare, është gjetje strategjike e partive tona politike për mosdhënie llogari dhe për “gjetjen e arsyes së vërtetë” për mosbesimin qytetar ndaj tyre.

Nga ky këndvështrim i partive, duket sikur bashkësia ndërkombëtare vendos se kush do të qeveris me ne, kurse populli duket si një instrument formal veç sa për ta marrë legjitimitetin prej tij, e jo ai që vendos. Se a është kështu, do ta detajizojmë pak më poshtë.


Meqenëse i kemi zgjedhjet përpara, pyetjet që mund të lindin nga këndvështrimi i ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare në vendimet tona për të zgjedhur (duke i përfshirë aleatët dhe kundërshtarët e pavarësisë), mund të duken si:

1. Në ç’masë mund të ndikojë bashkësia ndërkombëtare në vendimin e popullit tonë për t’i zgjedhur udhëheqësit e tij dhe a mund të jetë vendimtar ky ndikim?

2. A kanë preferenca ndërkombëtarët për ndonjë parti?

Rreth pyetjes së parë, meqenëse “bota është bërë një fshat i vogël”, jo vetëm ne, por asnjë vend i botës nuk mund t’i shpëtojë një lloj ndikimi që vije nga jashtë. Ky ndikim te ne mund të na vije përmes dy formash. Një: forma indirekte përmes qëndrimeve zyrtare të shteteve dhe faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar që e përcjellin dhe interesohen substancialisht për gjendjen dhe ecjen e Kosovës. Kuptohet se këto qëndrime, qoftë pozitive, qoftë negative për Kosovën, u faturohen partive në pushtet. Por, varësisht se nga vijnë, ashtu edhe merret vërtetësia e tyre nga elektorati. Nëse këto vijnë nga aleatët tanë, ato merren si të vërteta. E nëse vijnë nga shtetet që janë kundër pavarësisë sonë, ato ne i marrim në të kundërtën e asaj që thuhen. P.sh, nëse përmendet korrupsioni nga shtetet perëndimore, në opinionin e gjerë krijohet përshtypje negative për partitë në pushtet. E, nëse e njëjta deklaratë vije nga p.sh. Rusia, atëherë te ne përkthehet si tendencioze dhe ka shumë gjasa që të krijojë efekt të kundërt.

Nga këta shembuj, shihet qartë se çfarëdo lloj qëndrimi rreth Kosovës, qoftë nga aleatët apo kundërshtarët e pavarësisë, indirekt krijon opinion te ne. Kur jemi te krijimi i opinionit në shoqërinë tonë, mund të themi se ne edhe ashtu jemi shumë të ndjeshëm ndaj qëndrimeve që vijnë nga jashtë. Bile, në shumë raste, ne më shumë u besojmë informatave që vijnë nga jashtë sesa atyre nga brenda.

Forma e dytë e ndikimit, ajo direkte, është më e fuqishme dhe më e efektshme në ndikimin e saj. Kjo formë ka të bëjë me qëndrimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare rreth partive dhe personaliteteve të caktuara politike. Kjo formë është më e rrallë se e para. Ne e dimë që ka parti që injorohen nga disa ambasada të huaja, ashtu sikurse ka individë që janë pjesë e listave të zeza, qoftë të shteteve aleate, apo edhe Serbisë. Ata që ndodhen në listat e zeza të shteteve aleate nuk e kanë të lehtë të kërkojnë vota, kurse atyre në listat e zeza të Serbisë kjo edhe mund tu shërbejë. Ne gjithashtu e dimë që ka personalitete në Kosovë që u janë veshur epitete si Xhorxh Washingtoni i Kosovës, apo Nelson Mandela i Evropës. Kjo sigurisht që u shërben në ruajtjen e imazhit të tyre. Po të njëjtit, dikush po ashtu nga vendet aleate, i quan gënjeshtarë të popullit të vet (për çështjen e liberalizimit të vizave!), duke ua dëmtuar kështu imazhin politik.

Rreth pyetjes së dytë, se a kanë preferenca aleatët ndërkombëtarët, dhe sa e si do të duhej të trajtoheshin ato (se për kundërshtarët më të ashpër të pavarësisë, Serbinë dhe Rusinë, të gjithë ne jemi njësoj, shqiptar!), sado që mund të ketë preferenca të lehta, mendoj se ata kanë potencialin e nevojshëm diplomatik që t’i realizojnë qëllimet e tyre strategjike me cilindo parti në pushtet, pasi nga këndvështrimi ushtarak Kosova nuk është, ta zëmë Iran. Për më tepër që politika jonë është në marrëdhënie të ngushta strategjike me mbështetësit tanë.

Meqenëse forcimi i Kosovës është interes edhe i aleatëve tanë, atëherë preferenca e vetme e tyre mund të jenë partitë dhe njerëzit seriozë politikë, e jo maskarenjtë që në politikë janë vetëm për të marrë prej saj. Në këtë kuptim, më mirë se ne askush s’mund ta dijë se cilët janë njerëzit që duhet zgjedhur, pa merakun se ndonjë zgjedhje e caktuar mund të na prish më aleatët. Andaj, këshillat, qëndrimet e aleatëve duhet të jenë të mirëseardhura, por jo për ta marrë vendimin tonë, por për ta pjekur më tutje atë vendim.

Në fund, pavarësisht dashamirësisë dhe preferencave eventuale që mund të kenë aleatët tanë, ne jemi ata që e kemi në dorën tonë t’i zgjedhim udhëheqësit tanë. Besimi në partitë politike nuk është besim i shenjtë, besim hyjnor, përkundrazi, duhet të jetë besim kritik dhe i kushtëzuar me rezultate, besim që kërkon vazhdimisht. Nëse në opinionin publik ka një mendim që politika po u nënshtrohet shumë kërkesave ndërkombëtare, atëherë këtë nuk duhet ta bëjë vetë shoqëria. Shoqëria jonë duhet të ketë opinionin e saj publik të pavarur. Në fund të fundit, “zgjedhjet e lira me opinone të imponuara (jo të lira!) nuk kanë asnjë vlerë” (Xh. Sartori).