Nga: George Orwell (Polemics, nr. 2, janar 1946)
Përktheu: Granit Zela
Rreth një vit më parë mora pjesë në një takim të Shoqatës së Shkrimtarëve P.E.N[1] me rastin e 100-vjetorit të Areopagiticas[2] së Miltonit, një pamflet, siç mund ta kujtoni të gjithë, që mbron lirinë e shtypit. Fraza e famshme e Miltonit për mëkatin e “vrasjes” së librit ishte shtypur në fletëpalosjen që reklamonte takimin dhe ishte shpërndarë më parë.
Në podium ishin katër folës. Njëri mbajti fjalim për lirinë e shtypit, por vetëm në Indi, një tjetër u shpreh me ngurrim dhe me fjalë shumë të përgjithshme, se liria ishte gjë e mirë; një i tretë sulmoi ligjet që kanë të bëjnë me atë që shihet si e turpshme në letërsi. I katërti ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalimit mbrojtjes së spastrimeve ruse. Ndër fjalimet e mbajtura nga pjesëmarrësit në sallë, disa iu rikthyen çështjes së turpit në letërsi dhe ligjeve që e përcaktojnë atë, kurse të tjerat ishin thjesht panegjerik për Rusinë Sovjetike. Liria morale, liria për të diskutuar hapur çështjet e seksit në shtypin e shkruar, në përgjithësi dukej se kishte marrë miratimin e tyre, por liria politike nuk u përmend. Nga kjo turmë prej qindra njerëzish, gjysma e të cilëve ndoshta të lidhur drejtpërdrejt me zejen e shkrimit, nuk doli asnjë që të vinte në dukje se liria e shtypit, nëse do të thotë diçka, do të thotë liri për të kritikuar dhe për të kundërshtuar. Ishte shumë domethënëse që asnjë folës nuk e citoi pamfletin që gjoja po përkujtohej. Po kështu nuk u përmendën as librat e ndryshëm që janë “vrarë” në këtë vend dhe në Shtetet e Bashkuara gjatë luftës. Në tërësi takimi ishte manifestim që përkrahte censurën.[3]
Asgjë për t’u befasuar. Në epokën tonë sulmet ndaj idesë së lirisë intelektuale bëhen në dy drejtime. Nga njëra anë janë armiqtë e saj teorikë, apologjetët e totalitarizmit, nga ana tjetër armiqtë e drejtpërdrejtë, të vërtetë, monopoli dhe burokracia.Çdo shkrimtar apo gazetar që dëshiron të ruajë integritetin, e gjen veten më shumë të penguar nga rrjedha e përgjithshme e shoqërisë sesa nga persekutimi konkret. Ata që punojnë kundër tij janë përqendrimi i shtypit në duart e vetëm disa të pasurve, monopolizimi i radios dhe filmave, fakti që publiku nuk është i gatshëm të shpenzojë para për libra, duke e bërë të nevojshme thuajse për çdo shkrimtar për të fituar një pjesë të jetesës me shkrime pa vlerë, ndërhyrja e institucioneve zyrtare si Ministria e Informacionit dhe Këshilli Britanik, të cilat nga njëra anë e ndihmojnë shkrimtarin të mbetet gjallë, nga ana tjetër ia harxhojnë kohën dhe i diktojnë mendimet e tyre, si dhe atmosfera e vazhdueshme e luftës gjatë dhjetë vjetëve të fundit, efektet shpërfytyrurese të së cilës s’i ka shmangur dot askush. Gjithçka në epokën tonë komploton për ta kthyer shkrimtarin, por edhe çdo lloj artisti tjetër, në një zyrtar të vogël, i cili merret me tema që i dorëzohen nga lart pa i treguar kurrë të vërtetën e plotë. Por në luftën kundër fatit ai nuk merr asnjë ndihmë nga të vetët: që do të thotë se pjesa më e madhe e opinionit publik është kundër të vërtetës së tij, duke mos e bindur që ai ka të drejtë.Në të kaluarën, të paktën gjatë gjithë shekujve që shumë vende përqafuan fenë protestante, ideja e rebelimit dhe ideja e integritetit intelektual ishin të ngatërruara me njëra-tjetrën. Një heretik politik, moral, fetar ose estetik ishte ai që s’pranonte të vepronte kundër ndërgjegjes së tij. Pikëpamja e tij përmblidhej në fjalët e himnit rilindës:
Guxo të jesh Daniel,
Guxo i vetëm të qëndrosh;
Guxo qëllim t’i vësh vetes
Guxo botës t’ia tregosh.
Që ky himn të përditësohet, një “mos” duhet të shtohet në fillim të çdo rreshti. Sepse e veçanta e epokës sonë është që rebelët kundër rendit ekzistues, shumica dhe më të dallueshmit, po rebelohen edhe kundër idesë së integritetit individual. “Guximi të qëndrosh i vetëm” është ideologjikisht kriminal si dhe praktikisht i rrezikshëm. Pavarësia e shkrimtarit dhe e artistit shkërmoqet nga forca të paqarta ekonomike dhe në të njëjtën kohë rrënohet nga ata që duhet të jenë mbrojtësit e saj. Pikërisht procesi i dytë është objekt i shqetësimit tim në këtë rast.
Liria e mendimit dhe e shtypit zakonisht sulmohen me argumente për të cilat nuk ia vlen të shqetësohemi. Kushdo që ka përvojë si mësimdhënës dhe me debate për çështje të tilla, i njeh ato si prapavajtëse. Këtu nuk po merrem fare me mëtimin (pretendimin) e njohur se liria është iluzion, apo se ka më shumë liri në vendet totalitare sesa në ato demokratike, por me propozimin shumë më të qëndrueshëm dhe më të rrezikshëm, atë se liria është e padëshirueshme dhe se ndershmëria intelektuale është një formë egoizmi kundër-shoqëror. Megjithëse zakonisht janë aspekte të tjera të çështjes që dalin në plan të parë, debati për lirinë e fjalës dhe të shtypit është në thelb një debat për paraqitjen e një realiteti siç dëshirohet të jetë, jo si është, ose thënë me fjalë të tjera, një debat për trillimin e gënjeshtrave të paqena.
Në qendër të këtij diskutimi qëndron e drejta për të raportuar për ngjarjet e kohës me vërtetësi, ose me vërtetësinë që lejon mosdija, paragjykimi dhe vetë-mashtrimi prej të cilave vuan në mënyrë të pashmangshme çdo vëzhgues. Duke thënë këtë, mund të duket sikur po them se “raportimi” i drejtpërdrejtë është i vetmi aktivitet të shkruari që ka rëndësi: por do të përpiqem të tregoj se në çdo nivel të shkruari dhe ndoshta në çdo lloj arti, e njëjta çështje lind në forma pak a shumë më të stërholluara. Ndërkohë, është e nevojshme që të shmangim vogëlsirat që rëndom e mbytin këtë debat.
Armiqtë e lirisë intelektuale përpiqen që gjithmonë ta paraqesin rastin e tyre si kërkesë për disiplinë kundër individualizmit. Çështja “e vërteta kundër të pavërtetës” mbahet në hije aq sa është e mundur. Megjithëse pika që theksohet mund të ndryshojë, shkrimtari që nuk pranon t’i shesë opinionet e veta etiketohet gjithmonë si egoist i kulluar. Ai do të akuzohet në të gjitha rastet, ose se po ngujohet në kullën e fildishit, ose se shfaq personalitetin e vet egoist, ose se shkon kundër rrjedhës së pashmangshme të historisë duke u përpjekur të kapet pas privilegjeve të papërligjura. Katolikët dhe komunistët bashkohen në një pikë kur hamendësojnë se kundërshtari nuk mund të jetë edhe i ndershëm dhe inteligjent. Secili mëton në heshtje se “e vërteta” tashmë është zbuluar dhe se heretiku, nëse nuk është thjesht budalla, ai fshehtas është i vetëdijshëm për “të vërtetën” dhe thjesht i reziston për motive egoiste.
Në literaturën komuniste sulmi ndaj lirisë intelektuale zakonisht maskohet me oratori për “individualizmin e borgjezisë së vogël”, “iluzionet e liberalizmit të shekullit të nëntëmbëdhjetë” etj. dhe mbështetet duke shpërdoruar fjalët “romantik” dhe “sentimental”, të cilat, ngaqë nuk kanë një kuptim të përcaktuar për të gjithë, është e vështirë t’u përgjigjesh. Në këtë mënyrë debati shmanget nga çështja e tij reale. Mund të pranohet, edhe shumica e njerëzve të lexuar do ta pranonin tezën komuniste, se liria e pastër ekziston vetëm në një shoqëri pa klasa dhe se njeriu është më i lirë kur punon për të krijuar një shoqëri të tillë. Por mëtimi krejt i pambështetur se Partia Komuniste synon vetë krijimin e shoqërisë pa klasa dhe se në BS ky synim është në të vërtetë në rrugën e realizimit, është futur tinëz si pjesë e kësaj teze. Nëse mëtimi i parë lejohet të përfshijë të dytin, atëherë gati të gjitha sulmet ndaj arsyes së shëndoshë dhe sjelljes qytetare mund të përligjen. Por, ndërkohë, është shmangur çështja kryesore. Liria e intelektit do të thotë liri për të raportuar atë që ke parë, dëgjuar dhe ndier, dhe të mos jesh i detyruar të trillosh fakte dhe ndjenja imagjinare. Tiradat e njohura kundër “ikjes nga realiteti”, “individualizmit”, “romantizmit” e kështu me radhë, janë thjesht mjet kontrolli me të cilin synohet që shtrembërimi i historisë të paraqitet si veprim i respektueshëm.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur mbrohej liria e intelektit, duhej të mbrohej prej konservatorëve, prej katolikëve dhe, deri-diku (sepse ata s’kishin rëndësi të madhe në Angli), prej fashistëve. Sot duhet të mbrohet prej komunistëve dhe “shokëve të idealit”. Nuk duhet zmadhuar ndikimi i drejtpërdrejtë i Partisë së vogël Komuniste angleze, por as që vihet në dyshim efekti helmues i miteve ruse në jetën intelektuale angleze. Për shkak të këtij ndikimi, fakte të njohura nuk pranohen dhe shtrembërohen deri në atë masë sa të bëjnë të dyshosh nëse mund të shkruhet ndonjëherë një histori e vërtetë e kohës sonë. Më lejoni të jap vetëm një shembull nga qindra që mund të citohen. Kur Gjermania u mund, u zbulua se një numër shumë i madh i rusëve sovjetikë (më së shumti, pa dyshim, për motive jopolitike) – kishin ndryshuar anë dhe po luftonin për gjermanët. Po kështu, një numër i vogël, por jo i papërfillshëm i të burgosurve rusë dhe të personave të zhvendosur, nuk pranuan të ktheheshin në BS dhe, të paktën, disa u riatdhesuan kundër vullnetit të tyre. Këto fakte, të njohura për shumë gazetarë në terren, thuajse nuk u përmendën në shtypin britanik, ndërkohë që në të njëjtën kohë publicistët rusofilë në Angli vazhduan t’i përligjnin spastrimet dhe dëbimet e viteve 1936-1938 duke mëtuar se BS “nuk kishte kuislingë”.
Mjegulla e gënjeshtrave dhe keqinformimi për tema të tilla si uria në Ukrainë, Lufta Civile në Spanjë, politika ruse në Poloni, e kështu me radhë, nuk ndodhin vetëm nga mungesa e vetëdijshme e ndershmërisë, por sepse çdo shkrimtar apo gazetar që është simpatizant i vërtetë ndaj BS (simpatizant, ky është termi që do të donin vetë rusët të përdornin) duhet të pranojë në heshtje falsifikimin e qëllimshëm për çështje të rëndësishme. Kam para meje atë që duhet të jetë një pamflet shumë i rrallë, i shkruar nga Maksim Litvinovi[4] më 1918, ku përshkruhen ngjarjet në kohën e fundit të Revolucionit Rus. Nuk e përmend Stalinin, por i thur lavde Trockit, por edhe Zinovievit, Kamenevit e të tjerëve. Cili mund të jetë qëndrimi i komunistit madje dhe më të ndërgjegjshmit në aspektin intelektual ndaj një pamfleti të tillë? Në rastin më të mirë, qëndrimi obskurantist, sipas të cilit, ky është dokument i padëshirueshëm dhe më mirë të lihet në hije. Dhe nëse për një arsye apo tjetër do të vendosej të botohej një version i ndryshuar i pamfletit, i cili e denigron Trockin dhe përfshin përmendjen e Stalinit, asnjë komunist që i qëndronte besnik Partisë, nuk mund të protestonte. Falsifikime gati po aq të rënda sa ky janë kryer në vitet e fundit. Por e rëndësishmja nuk është se ato ndodhin, por se edhe kur dihet nga të gjithë se janë falsifikime, nuk shkaktojnë asnjë reagim në tërësi nga shtresa intelektuale e majtë. Argumenti se të thuash të vërtetën do të ishte “e papërshtatshme” ose do të ishte “kartë në duart e njërit apo tjetrit” duket se nuk gjen reagim, dhe pak njerëz shqetësohen nga perspektiva e gënjeshtrave që ata pranojnë t’i shohin në gazeta dhe në librat e historisë.
Të gënjyerit në mënyrë të organizuar e vënë në zbatim nga shtetet totalitare nuk është, siç mëtohet ndonjëherë, mjet i përkohshëm që ka njëjtën natyrë me taktikat ushtarake. Është pjesë e qenësishme e totalitarizmit, diçka që do të vazhdonte edhe nëse kampet e përqendrimit dhe forcat e policisë sekrete të mos ishin më të nevojshme. Midis komunistëve të zgjuar qarkullon një gojëdhënë e fshehtë, sipas së cilës, edhe pse qeveria ruse tani është e detyruar të merret me propagandën e gënjeshtrave, gjyqeve të stisura, e kështu me radhë, fshehurazi ajo po regjistron faktet e vërteta që t’i nxjerrë në dritë në kohën e duhur në të ardhmen. Besoj se mund të jemi plotësisht të sigurt se nuk është kështu, sepse mendësia që nënkupton një veprim i tillë është ajo e një historiani liberal, i cili beson se e kaluara nuk mund të ndryshohet dhe se njohja e saktë e historisë natyrisht që është një çështje me vlerë. Në këndvështrimin totalitar, historia është diçka për t’u krijuar, jo për t’u mësuar. Një shtet totalitar është, në fakt, teokraci dhe kasta sunduese, për ta ruajtur pozitën e vet, duhet të mendohet si e pagabueshme. Por meqenëse në praktikë askush nuk është i pagabueshëm, shpesh është e nevojshme që ngjarjet e së kaluarës të riorganizohen për të treguar se ky apo ai gabim nuk është bërë, ose që ky apo ai triumf imagjinar ka ndodhur në të vërtetë.
Pastaj, përsëri, çdo ndryshim i madh në politikë kërkon një ndryshim përkatës të doktrinës dhe rivlerësim të figurave të shquara historike. Kjo lloj gjëje ndodh kudo, por ka më shumë gjasa të çojë në falsifikim të drejtpërdrejtë në shoqëritë ku vetëm një mendim është i lejueshëm në një çast të caktuar. Totalitarizmi kërkon, në fakt, ndryshimin e vazhdueshëm të së shkuarës e, në aspektin afatgjatë, kërkon ndoshta ngulësi mosbesimi në vetë ekzistencën e së vërtetës objektive. Miqtë e totalitarizmit në këtë vend priren të argumentojnë se meqë e vërteta absolute s’është e mundur, një gënjeshtër e madhe s’është më e keqe se një gënjeshtër e vogël. Theksohet se të gjitha të dhënat historike janë të njëanshme dhe të pasakta ose, nga ana tjetër, se fizika moderne ka vërtetuar se ajo që na duket botë reale, është iluzion, kështu që të besosh në dëshminë e shqisave është, thjesht, filistinizëm vulgar.
Një shoqëri totalitare që ia del ta përjetësojë veten, ka shumë gjasa të krijojë një sistem skizofrenik mendimi, në të cilin ligjet e gjykimit të shëndoshë ishin të mira në jetën e përditshme dhe në disa shkenca ekzakte, por mund të shpërfilleshin nga politikani, historiani dhe sociologu. Tashmë janë të panumërt njerëzit që do ta shihnin si skandaloz falsifikimin e një teksti shkencor, por s’do të shihnin asgjë të keqe në falsifikimin e një fakti historik. Pikërisht në pikën ku letërsia dhe politika takohen, totalitarizmi ushtron trysninë më të madhe mbi intelektualin. Deri tani shkencat ekzakte nuk janë të kërcënuara aspak në të njëjtën shkallë. Kjo pjesërisht ndodh për faktin se në të gjitha vendet është më e lehtë për shkencëtarët sesa për shkrimtarët të rreshtohen në mbështetje të qeverive të tyre.
Për ta pasur një perspektivë të qartë për çështjen, më lejoni të përsëris atë që thashë në fillim të kësaj eseje; në Angli armiqtë e drejtpërdrejtë të së vërtetës, dhe rrjedhimisht të lirisë së mendimit, janë lordët e shtypit, manjatët e filmit dhe burokratët, por që po ta shohësh në një këndvështrim më afatgjatë, dobësimi i dëshirës për liri te vetë intelektualët është simptoma më serioze ndër të gjitha. Mund të duket se gjatë gjithë kësaj kohe kam folur për efektet e censurës, jo te letërsia në tërësi, por thjesht në një degë të gazetarisë politike. Duke pranuar që Rusia Sovjetike përbën një lloj zone të ndaluar në shtypin britanik, se çështje si Polonia, Lufta Civile e Spanjës, Pakti Ruso-Gjerman, e kështu me radhë, nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e një diskutimi serioz dhe se nëse ti ke informacione që bien në kundërshtim me ortodoksinë mbizotëruese, nga ti pritet që ose të shtrembërosh ose të heshtësh, pasi i kemi pranuar të gjithë këtë, pse duhet që në një kuptim më të gjerë letërsia të ndikohet? A është çdo shkrimtar politikan dhe a është domosdoshmërisht çdo libër një vepër “raportim” i drejtpërdrejtë?
Edhe nën diktaturën më të ashpër një shkrimtar nuk mund të mbetet i lirë brenda mendjes dhe t’i distilojë ose maskojë idetë jodogmatike në mënyrë që t’u hedhë hi syve autoriteteve dhe ata të mos arrijnë t’i kuptojnë. Dhe në çdo rast, nëse vetë shkrimtari është në një mendje me dogmën mbizotëruese, pse duhet të ketë një efekt shtrëngues mbi të? A nuk ka gjasa që letërsia ose çdo lloj arti në shoqëri të lulëzojë ku nuk ka konflikte të mëdha mendimesh dhe dallim të mprehtë midis artistit dhe audiencës së tij? A duhet ta marrim si të vërtetë se çdo shkrimtar është rebel, apo edhe se shkrimtari si i tillë është një person i jashtëzakonshëm?
Sa herë që dikush përpiqet ta mbrojë lirinë intelektuale kundër shprehjeve të totalitarizmit, ai përballet me këto argumente në një formë ose në një tjetër. Ato mbështeten në një keqkuptim të plotë të asaj se çfarë është letërsia dhe se si, ndoshta duhet thënë më mirë, pse ajo lind. Ata hamendësojnë se një shkrimtar është ose thjesht argëtues, ose përndryshe një kalemxhi i shitur i cili mund të kalojë nga një linjë e propagandës në tjetrën aq lehtë sa një organist ndërron meloditë. Por, në fund të fundit, si ndodh që shkruhen librat? Në një nivel të ulët letërsia është një përpjekje për të ndikuar në këndvështrimin e bashkëkohësve me anë të regjistrimit të përvojës. Dhe për sa i përket lirisë së shprehjes, nuk ka shumë dallim mes një gazetari të thjeshtë dhe shkrimtarit më “jopolitik” të letërsisë së trilluar.
Gazetari nuk është i lirë dhe është i ndërgjegjshëm për mungesën e lirisë kur detyrohet të shkruajë gënjeshtra ose të ndrydhë atë që i duket lajm i rëndësishëm: shkrimtari i letërsisë nuk është i lirë kur duhet t’i falsifikojë ndjenjat subjektive, që nga këndvështrimi i tij janë fakte. Ai mund ta shtrembërojë dhe të bëjë karikaturën e realitetit për ta bërë më të qartë kuptimin e tij, por ai nuk mund ta keqparaqesë peizazhin e mendjes së vet: nuk mund të thotë me bindje se i pëlqen ajo që nuk i pëlqen, ose se beson atë që nuk e beson. Nëse detyrohet ta bëjë, përfundimi i vetëm është që aftësitë e tij krijuese thahen. Ai s’e zgjidh dot problemin duke qëndruar larg temave të diskutueshme. Nuk ekziston diçka e tillë si letërsia e vërtetë jopolitike, më së paku në një epokë si e jona, kur frika, urrejtja dhe besnikëria e një lloji drejtpërdrejt politik janë afër sipërfaqes së ndërgjegjes së secilit. Edhe një tabu e vetme mund të ketë efekt të gjithanshëm gjymtues mbi mendjen, sepse ekziston gjithmonë rreziku që çdo mendim që ndiqet lirisht mund të çojë te mendimi i ndaluar. Nga kjo rrjedh se atmosfera e totalitarizmit është vdekjeprurëse për çdo lloj prozatori, megjithëse një poet, një poet lirik, mund të arrijë të marrë frymë. Dhe në çdo shoqëri totalitare që mbijeton për më shumë se disa breza, ka të ngjarë që proza e llojit që ka ekzistuar gjatë katërqind vjetëve të fundit, si pasojë, të marrë fund.
Letërsia mund të ketë lulëzuar edhe nën regjime despotike por, siç është theksuar shpesh, despotizmat e së shkuarës nuk ishin totalitare. Aparati i tyre shtypës ishte gjithmonë i paaftë, klasat e tyre sunduese zakonisht ishin ose të korruptuara ose apatike ose gjysmë liberale në pikëpamje, dhe doktrinat fetare mbizotëruese zakonisht ishte kundër përsosmërisë dhe nocionit të pagabueshmërisë njerëzore. Megjithatë, është më se e vërtetë që proza letrare ka arritur nivele më të larta në periudhat e demokracisë dhe hamendësimeve të lira. I ri në totalitarizëm është fakti se doktrinat e tij nuk janë vetëm të pakundërshtueshme, por edhe të paqëndrueshme. Ato duhet të pranohen nga frika e ndëshkimit, por nga ana tjetër gjithmonë priren të ndryshohen pa një pa dy. Kini parasysh, për shembull, qëndrimet e ndryshme, krejtësisht të papajtueshme me njëra-tjetrën, që një komunist anglez ose “shok i idealit” i është dashur të përvetësojë ndaj luftës midis Britanisë dhe Gjermanisë. Për vite me radhë përpara shtatorit 1939 pritej të ishte thellësisht i shqetësuar për “tmerret e nazizmit” dhe të shtrembëronte gjithçka që kishte shkruar për ta denoncuar Hitlerin. Pas shtatorit 1939, për njëzet muaj, duhej të besonte se Gjermania ishte më shumë viktimë e së keqes sesa burim i së keqes, dhe se fjala “nazist”, të paktën për sa i përket shtypit të shkruar, duhej të hiqej menjëherë nga fjalori i tij. Menjëherë pasi dëgjoi edicionin e lajmeve të orës 8.00 të mëngjesit të 22 qershorit 1941, duhej të fillonte të besonte edhe një herë tjetër se nazizmi ishte e keqja më e tmerrshme që bota kishte parë ndonjëherë. Tani është e lehtë për një politikan të bëjë ndryshime të tilla: për një shkrimtar rasti është disi ndryshe. Ai do t’i ndryshojë bindjet në çastin e duhur, ose duhet të thotë gënjeshtra për ndjenjat e tij subjektive, ose t’i ndrydhë plotësisht ato. Në të dyja rastet e ka shkatërruar burimin e tij të energjisë. Jo vetëm që s’do t’i lindin më ide të reja, por edhe fjalët që përdor do të duken se bëhen të ngurta kur dalin prej tij. Shkrimi politik në kohën tonë përbëhet pothuajse tërësisht nga fraza të parafabrikuara të bashkuara si faqet katrore të kubeve për fëmijë. Ky është përfundimi i pashmangshëm i auto-censurës. Për të shkruar me një gjuhë të thjeshtë, energjike, duhet të mendosh pa frikë, dhe nëse mendon pa frikë, nuk mund të jesh dogmatik politikisht. Mund të jetë ndryshe në një “epokë të besimit”, kur dogma mbizotëruese ka lëshuar rrënjë prej kohësh dhe nuk merret shumë seriozisht. Në atë rast, do të ishte e mundur, ose mund të ishte e mundur, që zona të mëdha të mendjes të mbeten të paprekura nga ajo që dikush beson zyrtarisht. Megjithatë, vlen të theksohet se prozëshkrimi gati u zhduk gjatë epokës së vetme të besimit që Evropa ka gëzuar ndonjëherë. Përgjatë gjithë Mesjetës pothuajse nuk kishte fare prozë të mirëfilltë letrare dhe shumë pak të shkrimit historik: udhëheqësit intelektualë të shoqërisë i shprehën mendimet e tyre më serioze me një gjuhë të vdekur, e cila pak ndryshoi përgjatë një mijë vjetëve.
Gjithsesi, totalitarizmi nuk premton edhe aq një epokë besimi sa një epokë skizofrenie. Një shoqëri bëhet totalitare kur struktura e saj bëhet në mënyrë flagrante artificiale: atëherë kur klasa sunduese e ka humbur funksionin, por arrin të ngjitet në pushtet me forcë ose mashtrim. Një shoqëri e tillë, pavarësisht se sa këmbëngul të jetë e tillë, nuk arrin kurrë të bëhet as tolerante dhe as intelektualisht e qëndrueshme. Nuk mund të lejojë kurrë as regjistrimin e vërtetë të fakteve, as sinqeritetin emocional që kërkon krijimi letrar. Por për t’u korruptuar nga totalitarizmi nuk duhet të jetosh në një vend totalitar. Thjesht mbizotërimi i disa ideve mund të përhapë një lloj helmi që e bën një temë të mëpasshme të pamundur për qëllime letrare. Kudo që ka një dogmë të detyruar, apo edhe dy dogma, siç ndodh shpesh, nuk ka më shkrim të mirë. Kjo u ilustrua më së miri nga Lufta Civile e Spanjës. Për shumë intelektualë anglezë lufta ishte përvojë shumë tronditëse, por jo përvojë për të cilën mund të shkruanin sinqerisht. Ishin vetëm dy gjëra që të lejoheshin t’i thoshe dhe të dyja ishin gënjeshtra të dukshme: si rezultat, lufta prodhoi hektarë me botime, por gati asgjë që ia vlente të lexohej.
Nuk është e sigurt nëse efektet e totalitarizmit te poezitë janë po kaq vdekjeprurëse sa te proza. Ka shumë arsye pse është disi më e lehtë për një poet sesa për një prozator të ndihet rehat në një shoqëri autoritare. Së pari, burokratët dhe njerëz të tjerë “praktikë” zakonisht e përçmojnë aq shumë poetin sa nuk interesohen shumë për atë që thotë. Së dyti, ajo që po thotë poeti, pra çfarë “do të thotë” poezia e tij nëse përkthehet në prozë, është relativisht e parëndësishme edhe për vetë atë. Mendimi që përmban një poezi është gjithmonë i thjeshtë dhe nuk është qëllimi kryesor i poezisë ashtu sikurse anekdota nuk është qëllimi kryesor i një tabloje.
Poezia është kombinim tingujsh dhe shoqërizimesh, kurse piktura është kombinim i gjurmëve të penelit. Për fragmente të shkurtra, si në refrenin e një kënge, teksti poetik mund të heqë dorë plotësisht nga kuptimi. Prandaj, është mjaft e lehtë për një poet që të qëndrojë larg temave të rrezikshme dhe të shmangë herezitë: madje edhe kur nuk i shmang, ato mund të mos vihen re. Por poezia e mirë, para së gjithash, ndryshe nga proza e mirë, nuk është domosdoshmërisht produkt individual. Disa lloje poezish, si baladat, ose strofa shumë artificiale, mund të kompozohen në bashkëpunim nga disa njerëz në grup. Nëse baladat e lashta angleze dhe skoceze janë krijuar fillimisht nga individë, apo nga shumë njerëz, është e diskutueshme, por gjithsesi nuk janë krijime individuale në kuptimin që ndryshojnë vazhdimisht duke kaluar gojë më gojë. Edhe te botimet, dy versione të një balade nuk janë të njëjta. Shumë bashkësi primitive kompozojnë vargje së bashku. Dikush fillon të improvizojë, ndoshta duke e shoqëruar këtë me një instrument muzikor, dikush tjetër ndërhyn me një varg ose një rimë kur këngëtari i parë ngecën dhe kështu procesi vazhdon derisa të ekzistojë një këngë ose baladë e plotë autori i së cilës nuk dihet.
Në prozë ky lloj bashkëpunimi intim është krejt i pamundur. Proza serioze, sidoqoftë, duhet të krijohet në vetmi, ndërsa ngazëllimi i qenies pjesë e një grupi ndihmon vetëm në lloje të caktuara vjershërimi. Vargu, dhe ndoshta vargu i mirë i llojit të vet, megjithëse nuk do të ishte i nivelit më të lartë, mund të mbijetojë edhe nën regjimin më inkuizitor. Edhe në një shoqëri ku liria dhe individualiteti ishin zhdukur, do të kishte ende nevojë ose për këngë patriotike dhe balada heroike për festimin e fitoreve, ose për shembuj të hollësishëm dimitrabesh: dhe këto janë llojet e poezive që mund të shkruhen me porosi ose të kompozohen në grup, pa nënkuptuar domosdoshmërisht mungesën e vlerës artistike. Proza është një çështje tjetër, pasi prozatori nuk mund ta ngushtojë gamën e mendimeve pa e vrarë aftësinë e tij krijuese. Por historia e shoqërive totalitare, ose e grupeve të njerëzve që kanë përqafuar pikëpamjen totalitare, sugjeron se humbja e lirisë është armiqësore ndaj të gjitha formave të letërsisë.
Letërsia gjermane gati u zhduk gjatë regjimit të Hitlerit dhe nuk ishte më mirë në Itali. Letërsia ruse, për aq sa mund të gjykohet nga përkthimet, është përkeqësuar dukshëm që nga ditët e para të Revolucionit, megjithëse disa nga poezitë duket se janë më të mira se proza. Pak ose aspak romane ruse që mund të merren seriozisht janë përkthyer për rreth pesëmbëdhjetë vjet. Në Evropën Perëndimore dhe në Amerikë, shumica e shtresës së intelektualëve që lëvrojnë letërsinë ose ka kaluar nëpër radhët e Partisë Komuniste ose ka qenë tejet dashamirëse ndaj saj, por e gjithë kjo lëvizje majtas ka krijuar jashtëzakonisht pak libra që ia vlen të lexohen. Katolicizmi ortodoks, sërish duket se ka një efekt te disa forma letrare, veçanërisht te romani. Gjatë një periudhe treqindvjeçare, sa kanë qenë në të njëjtën kohë edhe romancierë të mirë edhe katolikë të mirë? Është fajtor që disa tema nuk mund të festohen me fjalë, dhe tirania është njëra prej tyre. Askush nuk ka shkruar një libër të mirë që lavdëron Inkuizicionin. Poezia mund të mbijetojë, në një epokë totalitare, dhe për disa arte ose gjysmë-arte, si arkitektura, triania mund të duket t’u sjellë përfitime, por prozatori s’do të kishte zgjidhje tjetër përveç heshtjes dhe vdekjes. Proza letrare siç e dimë është produkt i racionalizmit, i shekujve protestantë, i individit autonom. Dhe rrënimi i lirisë intelektuale e gjymton gazetarin, shkrimtarin shoqëror, historianin, romancierin, kritikun dhe poetin, të gjithë me radhë. Në të ardhmen është e mundur që një lloj i ri letërsie, që nuk përfshin ndjenja individuale apo vëzhgime të vërteta, mund të lindë, por një gjë e tillë aktualisht nuk mund të imagjinohet. Duket shumë më e mundshme që nëse kultura liberale në të cilën kemi jetuar që nga Rilindja në të vërtetë merr fund, arti letrar do të zhduket bashkë me të.
Natyrisht, shtypja do të vazhdojë të përdoret dhe është interesante të hamendësosh se çfarë përmbajtjeje do të mbijetonte për t’u lexuar në një shoqëri të ngurtë totalitare. Gazetat, me sa duket, do të vazhdojnë derisa teknika televizive të arrijë një nivel më të lartë, por përveç gazetave nuk është e sigurt nëse edhe tani masa e madhe e njerëzve në vendet e industrializuara e ndien nevojën për të lexuar ndonjë lloj letërsie. Ata nuk janë të gatshëm, sidoqoftë, të shpenzojnë sadopak për të lexuar madje as sa shpenzojnë për disa veprimtari të tjera çlodhëse. Ndoshta romanet dhe tregimet do të zëvendësohen plotësisht nga filmat dhe emisionet radiofonike. Ose ndoshta do të mbijetojë një lloj letërsie sensacionale e shkallës së ulët, e krijuar nga një lloj procesi zinxhir që e zvogëlon tej mase pjesëmarrjen aktive të lexuesit gjatë leximit.
Ndoshta nuk do të jetë përtej aftësive të mendjes njerëzore që në të ardhmen të shkruhen libra nga makineritë. Por një lloj procesi mekanizues tashmë mund të vërehet te filmi dhe radioja, te reklamat dhe propaganda si dhe në nivelet e ulëta të gazetarisë. Filmat e Diznejt, për shembull, krijohen sipas një procesi që është i njëjtë me atë të prodhimit të mallrave në fabrikë, një pjesë të punës e bëjnë makineritë, pjesën tjetër ekipet e artistëve që zhdukin stilin e tyre individual. Skenarët e emisioneve të radios zakonisht shkruhen nga kalemxhinj të lodhur, të cilëve u diktohet paraprakisht tema dhe mënyra e shtjellimit: megjithatë, ajo që ata shkruajnë është thjesht një lloj lënde e parë të cilën producentët dhe censorët e ndajnë në pjesë.
Kështu ndodh edhe me librat dhe broshurat e panumërta të porositura nga dikasteret e ministrive. Krijimi i tregimeve, romaneve që botohen pjesë-pjesë dhe i poezive për revistat e rëndomta, ngjan edhe më shumë me procesin mekanik të prodhimit. Gazeta të tilla si Shkrimtari janë plot me reklama të shkollave letrare, të cilat ofrojnë subjekte të gatshme për pak shilinga. Disa, së bashku me subjektin, të shërbejnë me fjalitë hapëse dhe mbyllëse të çdo kreu. Të tjerë të pajisin me një lloj formule algjebrike me të cilën ti mund të krijosh vetë subjektet e tua. Të tjerë ofrojnë pako me letra si në lojën me letra, ku në secilën prej tyre janë shënuara personazhe dhe situata, të cilat duhet vetëm të përzihen dhe shpërndahen në mënyrë që të krijohen automatikisht histori të papara.
Ka gjasë që letërsia e një shoqërie totalitare të krijohej kështu, nëse letërsia do të shihej ende si e nevojshme. Imagjinata, madje edhe vetëdija, aq sa është e mundur, do të asgjësohej nga procesi i të shkruarit. Librat do të planifikoheshin në linja të përgjithshme nga burokratët dhe do të kalonin nëpër kaq shumë duar e kur të përfundonin s’do të ishin më një produkt individual krejt njësoj si një makinë Ford në fund të linjës së montimit. S’do mend që çdo gjë e prodhuar në këtë mënyrë do të ishte broçkull, por çdo gjë që nuk ishte broçkull do ta rrezikonte strukturën e shtetit. Për sa i përket letërsisë që ka mbijetuar në të kaluarën, në një shoqëri të tillë do të duhej të lihej në harresë ose të paktën të rishkruhej me hollësi.
Ndërkohë totalitarizmi nuk ka ngadhënjyer plotësisht kudo. Vetë shoqëria jonë është ende, në përgjithësi, liberale. Për ta ushtruar të drejtën e fjalës së lirë, duhet të luftosh kundër trysnisë ekonomike dhe kundër një pjesë të fuqishme të opinionit publik, por ende jo kundër policisë sekrete. Mund të thuash ose të shtypësh gati çdo gjë për sa kohë që je i gatshëm ta bësh pa rënë në sy. Porse ogurzi në këtë rast, siç e shpreha në fillim të kësaj eseje, është fakti se armiqtë e ndërgjegjshëm të lirisë janë ata për të cilët liria duhet të ketë më shumë rëndësi se për këdo tjetër. Publikut masiv mund të mos i interesoj kjo çështje në një mënyrë apo tjetër. Ata nuk e mbështetin persekutimin e heretikut dhe as nuk bëjnë asgjë për ta mbrojtur. Ata janë në të njëjtën kohë shumë të arsyeshëm dhe shumë të cektë nga mendja për ta rrokur botëkuptimin totalitar. Sulmi i drejtpërdrejtë dhe i vetëdijshëm ndaj ndershmërisë intelektuale vjen nga vetë intelektualët.
Ka mundësi që inteligjenca rusofile, edhe nëse nuk do t’i nënshtrohej atij miti të veçantë, do t’i ishte nënshtruar një tjetri të të njëjtit lloj. Por sido që të jetë, miti rus është aty, dhe zvetënimi prej pushtetit që shkakton ai kutërbon. Kur vëren që një i mirarsimuar është indiferent ndaj shtypjes dhe persekutimit, ti pyet veten çfarë të përçmosh më shumë, cinizmin apo dritëshkurtësinë e tyre. Shumë shkencëtarë, për shembull, janë admirues të pakushtëzuar të BS-së. Ata duket se mendojnë se rrënimi i lirisë s’ka rëndësi për sa kohë që kjo nuk lidhet me punën që ata bëjnë. BS është një vend i madh, me zhvillim të shpejtë, i cili ka nevojë të madhe për punëtorë shkencorë dhe, për rrjedhojë, i trajton ata me bujari. Nëse pranojnë haptazi që u rrinë larg temave të rrezikshme si psikologjia, shkencëtarët janë persona të privilegjuar.
Nga ana tjetër, shkrimtarët persekutohen egërsisht. Është e vërtetë që prostitutat letrare si Ilia Ehrenburgu[5] apo Aleksej Tolstoi paguhen me shuma të mëdha parash, por e vetmja gjë që ka vlerë për shkrimtarin si e tillë, liria e të shprehurit, i hiqet. Të paktën disa nga shkencëtarët anglezë që flasin me kaq entuziazëm për mundësitë që gëzojnë shkencëtarët në Rusi janë në gjendje ta kuptojnë këtë. Por reflektimi i tyre del të jetë i tillë: “Shkrimtarët persekutohen në Rusi. E pastaj? Unë nuk jam shkrimtar”. Ata nuk shohin se çdo sulm ndaj lirisë intelektuale dhe ndaj konceptit të së vërtetës objektive, kërcënon në planin afatgjatë çdo lëmë të mendimit.
Tani për tani shteti totalitar e toleron shkencëtarin sepse ka nevojë për të. Edhe në Gjermaninë naziste, shkencëtarët, përveç atyre hebrenj, trajtoheshin deri diku mirë dhe komuniteti shkencor gjerman, në tërësi, nuk i bëri asnjë rezistencë Hitlerit. Në këtë fazë të historisë edhe sundimtari më autokratik është i detyruar ta marrë parasysh realitetin fizik, pjesërisht për shkak të ngurrimit sipas zakoneve liberale të mendimit, pjesërisht për shkak të nevojës për t’u përgatitur për luftë. Për sa kohë që realiteti fizik nuk mund të shpërfillet plotësisht, përderisa dy dhe dy duhet të bëjnë katër kur ti vetë, për shembull, po vizaton skicën e një aeroplani, shkencëtari ka funksionin e vet dhe, madje, mund t’i lejohet një përmasë lirie. Zgjimi i tij do të vijë më vonë, kur shteti totalitar të jetë i konsoliduar. Ndërkohë, nëse do ta ruajë integritetin e shkencës, është detyra e tij të ruajë një lloj solidariteti me kolegët e letrave dhe të mos e shohë si çështje ndaj së cilës mund të rrish indiferent në një kohë kur shkrimtarët detyrohen të heshtin ose shtyhen drejt vetëvrasjes, dhe gazetat falsifikohen në mënyrë sistematike.
Por, sido që të ndodhë me shkencat fizike, ose me muzikën, pikturën dhe arkitekturën, është e sigurt, siç jam përpjekur të tregoj, që letërsia dënohet nëse asgjësohet liria e mendimit. Jo vetëm që dënohet në çdo vend që ruan një strukturë totalitare, por çdo shkrimtar që përqafon pikëpamjen totalitare, që përligj për persekutimin dhe falsifikimin e realitetit, e shkatërron veten si shkrimtar. Nuk ka rrugëdalje nga kjo. Asnjë tiradë kundër “individualizmit” dhe “kullës së fildishtë”, asnjë predikim i devotshëm që thotë se “individualiteti i vërtetë arrihet vetëm nëpërmjet njëjtësimit (identifikimit) me komunitetin”, s’mund ta mohojë faktin se një mendje e blerë është një mendje e prishur. Nëse në një pikë a në një tjetër krijuesi nuk tregohet i natyrshëm, krijimi letrar është i pamundur dhe vetë gjuha bëhet e drunjtë. Do të vijë një kohë në të ardhmen, kur nëse mendja njerëzore bëhet diçka krejtësisht e ndryshme nga ajo që është tani, mund të mësojmë të ndajmë krijimin letrar nga ndershmëria intelektuale. Sot për sot dimë vetëm se imagjinata, ashtu si disa lloj kafshësh të egra, nuk bëhet pjellore në robëri. Çdo shkrimtar apo gazetar që e mohon këtë fakt, dhe pothuajse i gjithë lumi i lëvdatave të sotme për Bashkimin Sovjetik, mbartin ose nënkuptojnë një mohim të tillë, gjë që do të thotë se kërkohet shkatërrimi i vetë asaj. /Revista “Akademia”/Telegrafi/
________
[1] PEN-shkurtim nga anglishtja për “Poetët, Esesistët, Romancierët”. (Shënim i përkthyesit).
[2] Areopagitica: fjalim i Xhon Miltonit në parlamentin e Anglisë për lirinë e shtypjes pa lejen e qeverisë. U botua si pamflet më 1644, në kulmin e luftës civile (1642-1651) për të protestuar kundër një urdhri të lëshuar nga parlamenti një vit më parë sipas të cilit të gjithë librat e botuar duhej të kërkonin miratimin nga parlamenti dhe qeveria. Titulli rrjedh nga “Areopagus” (Kodra a e Aresit), emri i vendit nga ku gjykata e lartë e Athinës vendosi censurën e përgjithshme. Në një stil prozë që mbështetet shumë tek modelet greke, Miltoni mbron qarkullimin e lirë të ideve si thelbësore për zhvillimin moral dhe intelektual. Ndërsa objektivi i “Areopagitica”, shfuqizimi i marrjes së lejes nga qeveria nuk u arrit për 50 vjet të tjera, trakti ka zënë një vend të përhershëm në literaturën e të drejtave të njeriut. (Shënim i përkthyesit).
[3] Është e drejtë të thuhet se festimet e klubit PEN, të cilat zgjatën një javë ose për më tepër, nuk ishin gjithmonë në të njëjtin nivel. Më ka ndodhur të kaloj një ditë të keqe. Por një shqyrtim i fjalimeve (shtypur me titullin “Liria e shprehjes”) tregon se pothuajse askush në ditët tona nuk është në gjendje të flasë aq fort në favor të lirisë intelektuale sa Miltoni mund të bënte treqind vjet më parë – dhe kjo pavarësisht nga fakti që Miltoni shkruante në një periudhë lufte civile.
[4] Maxim Litvinov (1876-1951) revolucionar rus dhe diplomat i shquar sovjetik. Në vitin 1930, u emërua Komisar Popullor i Punëve të Jashtme, posti më i lartë diplomatik në shtetin sovjetik. Gjatë dekadës së mëvonshme, ishte zë udhëheqës për politikën zyrtare sovjetike të sigurisë kolektive me fuqitë perëndimore kundër Gjermanisë naziste. (Shënim i përkthyesit).
[5] “Në epokën e Stalinit, kur shkrimtarët e mëdhenj të Rusisë po shtyheshin në mërgim ose ekzekutim, si Babeli dhe Pilnyak, ose po kryenin vetëvrasje, si Esenini dhe Majakovski, ose po heshtën, si Pasternaku dhe Zoshçenko, u gjetën disa që ishin më të zhdërvjellët. Aleksej Tolstoi thuhet se u kishte thënë miqve të tij se një jetë të lehtë dhe luksoze e priste këdo që do t’i bindej Stalinit dhe do të bëhej një prostitutë letrare. Njeriu që e ndoqi më nga afër këtë këshillë ishte Ilia Ehrenburgu (1891 – 1967). Ehrenburgu jetoi në Paris për shumë vite. Romani i tij më i mirë dhe më i hershëm, “Julio Jurenito”, ishte antikomunist. Ai qëndroi në Evropën Perëndimore deri në vitin 1940 por në fillim të viteve 30-të ishte bërë komunist. Në kthimin e tij në Rusi, ai e kënaqi Stalinin me një seri romanesh të papërpunuara sociologjike që përshkruanin shoqërinë, kryesisht në Francë, jo ashtu siç ishte në të vërtetë, por siç parapëlqente ta mendonte Stalini. Gazetaria e tij, nga ana tjetër, ishte e shkruar mirë dhe pa klishetë e shumicës së shkrimeve komuniste. (Ky shënim për Ehrenburgun ka për autor J.M.Arden dhe është botuar si pjesë e shkrimit “Ilya Ehrenburg” më 24 maj 1957, në revistën “Spekteitër”, (Shënim i përkthyesit.)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje