LAJMI I FUNDIT:

Libërthi 200-vjeçar që më ktheu menjëherë në fëmijërinë time

Libërthi 200-vjeçar që më ktheu menjëherë në fëmijërinë time
Charlotte Brontë (1816–1855)

Nga: Patti Smith / The Independent
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Ajo rri duke shkruar në tryezën e kuzhinës, ndërsa peizazhi përreth goditet nga erërat e forta dhe shiu i dendur. Përtej shtëpisë së saj, qelës së famullisë, shtrihet fshati i mbipopulluar Hauort, fqinj i afërt i zgjerimit territorial industrial të Kitlit. Fshati i papastër është vend i vuajtjeve dhe i sëmundjeve, ku jetëgjatësia është e ulët dhe gjysma e fëmijëve vdesin përpara se të bëhen gjashtë vjeç.

Megjithatë, më 26 tetor 1829, 13-vjeçarja Sharlotë Bronti [Charlotte Brontë] nuk shkroi asgjë për këtë. Asgjë për kutërbimet e tmerrshme. Asgjë për dollapët bosh, për punët e pafundme. Asgjë për vdekjen e motrave më të mëdha dhe të nënës. Asgjë për frikën e humbjes së të atit, i cili kishte vuajtur për muaj me radhë nga një sëmundje mushkërish. Në vend të kësaj, në copa të vogla e të çmuara letre, ajo shkroi një himn meditues për bukurinë. Duke u përpjekur ta përkufizojë, pavarësisht rrethanave mizore, ajo ndërmerr një udhëtim mendor drejt një pylli mikpritës, ku gjithçka lulëzon në harmoni të përsosur. Dhe, kur zbulesa e bukurisë së natyrës shpërndahet, ajo gjen strehë në terrenin e imagjinatës së saj që po merrte formë.


Sharlota kanalizon reflektimet e njërit prej personazheve të saj, që ecën përmes një pylli. Nëpërmjet tij, ajo përshkruan me një saktësi misterioze madhështinë e pemëve të mëdha që ngrihen si direkë anijesh të larta. Në fund të nëntorit, në mënyrë të papritur ajo rikrijon kohën e Babelit, duke zgjeruar rrëfimin biblik të Zanafillës. E shtyrë nga një pasion i pakontrolluar për fjalën, ajo evokon atmosferën dhe shpirtrat e dënuar që përpiqen të zbulojnë vendndodhjen e Zotit përmes ndërtimit të një kulle të ndaluar.

Përshkrimi i saj, që përzien të papriturën me të zakonshmen, të kujton tablotë e Kullës së Babelit të pikturuar nga Bryheli [Pieter Bruegel]. Papritur, ajo zbret në Tokë dhe ofron një pjesë të qetë, të kthjellët – katërmbëdhjetë rreshta që i identifikon si sonet. Ajo jep kumtin për madhështinë e natyrës, por na kujton edhe xhevahiret e çmuara me dukje të zakonshme: “I bukur është ylberi i ndritshëm, por edhe më e bukur është qafa e bardhë e mjellmës”. Thjeshtësi e artikuluar aq thellë, saqë më solli lot në sy.

Pata privilegjin ta shihja vetë këtë mrekulli të vogël, libërthin e Sharlotës, në ditën e lindjes së saj. Edhe pse i shkruar pothuajse 200 vjet më parë, ai ka ruajtur freskinë e rinisë. Nuk është thjesht një tufë vargjesh rinore, por shfaqja e një ëndërrimtareje ambicioze. Pikëpamja e saj më kthen në botën e fëmijërisë sime.

Ashtu si Sharlota, isha fëmija më i madh dhe shpesh mund të më shihje duke shkarravitur tregime të vogla për të argëtuar vëllezërit dhe motrat më të vegjël. Mund të prekja atë ndjesi, kur vetmia shpërthente në mijëra vizione, e shoqëruar me një dëshirë të pashprehur që një ditë të krijoja libra që do të lexoheshin nga të tjerët. Edhe pse nuk e kisha fjalorin apo aftësitë e parakohshme të saj letrare, e njihja atë energji, atë përqendrim, atë fuqi shpikjeje që një shkrimtare e re e përdorte si një armë dashamirësie.

Motrat dhe vëllai Bronti krijuan botë të mbushura me heronj dhe vizatuan harta të çuditshme të tokave të reja, të njohura vetëm prej tyre. Të katër, të bashkuar dhe të përfshirë nga pasioni, uleshin rreth tryezës prej druri të kuzhinës, duke ndërtuar versionin e tyre të Lojës së Froneve [Game of Thrones]. Por, në vjeshtën e vitit 1829, nga tetori deri në dhjetor, Sharlota ndjeu nevojën për të krijuar diçka krejtësisht personale.

Sërish e përfytyroj teksa rri ulur, në një qelë të zymtë famullie, në një natë ogurzezë, e ngrohur vetëm nga nxitja e saj krijuese. Në copat e fundit, të çmuara të letrës, ajo kthehet te tapiceria e pasur e imagjinatës së saj të pakufishme. Në mesin e dhjetorit, me ngricën që ia pengon pamjen dhe me erën e egër që ia dridh zemrën, ajo shkruan për dimrin e vdekur të transformuar në mënyrë të mistershme. Por, Sharlota, sikur të zgjohej befas nga magjia e vet, shkruan fjalët e fundit te Kënga e vjeshtës [Autumn Song], e befasuar nga realiteti i ashpër i kalbjes, ditës së zbehjes së natyrës.

Sa i mrekullueshëm është diapazoni i mendjes së kësaj vajze adoleshente, e cila më vonë do të shkruante klasiken Xhejn Er [Jane Eyre] dhe kryeveprën Vileta [Villette], pikërisht në atë tryezë druri të kuzhinës. Ajo zotëronte aftësinë e rrallë për t’u hapur ndaj elementëve të errët dhe për t’i shndërruar ata. Sepse, përmes gjithë humbjes dhe vështirësive, ajo gjithmonë ruajti në fshehtësi dijen e fuqive të saj të cilat që në moshën 13-vjeçare i ushqente dhe i shprehte në librin e vogël me vargje – Libri i rimave [A Book of Rhymes], stinën e hershme e Sharlotës. /Telegrafi/

P.S. Sot, pothuajse dy shekuj pasi u shkrua nga Sharlotë Bronti në moshën 13-vjeçare, Libri i rimave botohet për herë të parë. Përmbledhja me kopertina të forta përmban 10 poezi të transkriptuara me kujdes dhe shoqërohet nga një parathënie e shkruar nga artistja legjendare – këngëtarja, autorja, poetja, piktorja dhe fotografja Patti Smith. Libri origjinal ndodhet në ekspozitë në Muzeun e Shtëpisë Bronti [Brontë Parsonage Museum], ndërsa botimi i ri është i qasshëm për blerje në faqen: www.bronteshop.org.uk

Në trend Kultura

Më shumë
Njëzetë roje të varrit të Enver Hoxhës, përfunduan në Psikiatri: Dëgjonim zhurma, ulërima, britma...!?

Njëzetë roje të varrit të Enver Hoxhës, përfunduan në Psikiatri: Dëgjonim zhurma, ulërima, britma...!?

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Mokusatsu dhe fjala si bombë atomike

Mokusatsu dhe fjala si bombë atomike

Si e sollën shqiptarët kafenë në Evropë?

Si e sollën shqiptarët kafenë në Evropë?

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Çfarë do të thoshte Tukididi?

Çfarë do të thoshte Tukididi?

Kulture
Kalo në kategori