LAJMI I FUNDIT:

Pas kryengritjes së Prigozhinit, mbretërimi i Putinit shkon drejt aktit përfundimtar

Pas kryengritjes së Prigozhinit, mbretërimi i Putinit shkon drejt aktit përfundimtar
Aktivistët në Moskë mbajnë portretin e Vladimir Putinit. Presidenti do ta ketë të vështirë, mbase të pamundur, që ta rregullojë imazhin e vet në sytë e popullit rus (foto: Natalia Kolesnikova/AFP via Getty Images)

Nga: Chris Donnelly / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Kur u përhap lajmi për kryengritjen e Yevgeny Prigozhinit, pyetja e parë ishte nëse fjala është për teatër apo për diçka të vërtetë? Rezultuan të jenë të dyja. Pavarësisht nivelit teatral, kjo nuk ishte shfaqje e shkruar nga Vladimir Putini. Ishte kërcënim real për presidentin rus dhe, megjithëse disa mund të besojnë se ai fitoi, brenda vendit (gjë që ka rëndësi) u dëmtua rënd imazhi i tij si car i gjithëfuqishëm.


Nëse e analizojmë situatën, duket se shkak për kryengritjen – që Prigozhini e kreu me guxim – nuk ishte vetëm entuziazmi nacionalist dhe zemërimi i drejtë, por paratë. Në një demokraci, paratë mund t’ju sjellin pushtet. Por, në sistemin feudal mafioz të Rusisë, vetëm pushteti mund t’ju sjellë para. Urdhri i ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që ushtarët e grupit Wagner të regjistrohen si trupa të ushtrisë, në fakt ishte shkurtim masiv për të ardhurat e Prigozhinit.

Paraqiste rrezik lëvizja e Prigozhinit për ta rivendosur pushtetin, por ishte i justifikuar: pasi kishte punuar ngushtë me ushtrinë, për muaj të tërë, ishte i vetëdijshëm për pakënaqësinë e përhapur në udhëheqjen e ushtrisë. E kuptoi gjithashtu brishtësinë e pozicionit të Putinit. Këto vlerësime rezultuan të sakta. Kur forcat e Wagner-it pushtuan qytetin jugor rus të Rostovit, nuk hasën në asnjë kundërshtim të rëndësishëm të ushtrisë; në marshimin drejt Moskës, as ushtria, as shërbimi i sigurisë FSB dhe as Rosgvardia, “roja pretoriane” e Putinit, nuk e morën ndonjë masë efektive për t’i ndaluar.

Në anën tjetër, Prigozhini kishte vetëm 4,500 burra me vete – jo të mjaftueshëm për ta marrë dhe për ta mbajtur një qytet, nëse trupat do të mblidheshin për ta mbrojtur Putinin. Derisa nuk u tërhoq, nuk pati as demonstrime të dukshme të mbështetjes popullore për Prigozhinin, megjithëse kjo mund të ishte për shkakun se ngjarjet thjesht lëvizën shumë shpejt. Duket se reagimi instinktiv ka qenë – të shohim dhe të presim.

Derisa kriza shkonte në konflikt, u përfol se Putini ishte larguar nga Moska. Prigozhini u përball me një situatë të pasigurt, me një forcë të pamjaftueshme. Në fund, të dy burrat menduan se çfarë përfitimi mund të nxjerrin. Poshtërimi i fundit për Putinin duhet të jetë ai se u detyrua të mbështetej te presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, për ta negociuar një marrëveshje. Prigozhini, me sa duket, u ble me amnisti, me një zgjidhje masive financiare dhe me një zbarkim të lehtë në Bjellorusi.

Çfarë tjetër? Putini do ta ketë të vështirë, ndoshta të pamundur, që ta rindërtojë imazhin e vet në sytë e popullit rus. Sa shpejt do të degradojë shteti dhe a do të mundet dikush ta mbështesë atë? Dy dekadat e sundimit të tij kanë zgavruar institucionet e Rusisë; sistemi nuk mund të funksionojë pa një dorë të fortë në timon dhe dora e Putinit nuk është më e fortë. Nëse – siç përflitet tani – e zëvendëson Shoigun me guvernatorin e Tulës, Alexei Dyumin, ndërsa shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, e zëvendëson me Sergei Surovikin, ai edhe më shumë mund të dobësohet.

Për më tepër, përpjekja për puç e Prigozhinit i ka dëmtuar seriozisht përpjekjet luftarake të Rusisë. Shtabi i Përgjithshëm ka filluar ta përmirësojë performancën e ushtrisë, por ata nuk ishin në gjendje që ta përmirësojnë moralin e ushtarëve rusë. Duke qenë se komanda e tyre e lartë po del të jetë e paaftë dhe lidershipi i tyre politik i dobët, ky moral me siguri do të bie gjithnjë e më poshtë.

Problemi kryesor i Putinit është se ai nuk ka pasardhës të dukshëm. Prigozhini e ka diskualifikuar veten. Nëse Putini nuk mund ta rivendosë kontrollin e fortë mbi pushtetin, gjë që duket e pamundur, Putini do të duhet ta gjejë një person të fortë që do ta garantojë pensionimin e tij të sigurt. Në vitin 1999, ai ia dha Boris Yeltsinit këtë garanci. Në revolucionin e trëndafilave të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili e bëri të njëjtën gjë për Eduard Shevardnadzen. Kush do ta bëjë tash për Putinin?

Ndërkohë, ushtria po përballet me më shumë probleme në Ukrainë. Prigozhini mund të mos mbetet pasiv në Bjellorusi. Putini mund të kapet me çdo kusht pas pushtetit, ndoshta duke iu drejtuar mizorive më ekstreme në Ukrainë. Rusia tani përballet me një periudhë të pasigurisë së konsiderueshme. Kryengritja e Prigozhinit mund të ketë mbaruar, por drama sapo ka filluar. /Telegrafi/