LAJMI I FUNDIT:

Pas 12 vjetësh pritje, Kosova e gatshme për liberalizimin e vizave

Pas 12 vjetësh pritje, Kosova e gatshme për liberalizimin e vizave

Për më shumë se 12 vjet pritën qytetarët e Kosovës që Bashkimi Evropian t’i japë dritën jeshile liberalizimit të vizave, hap ky të cilin e mori të martën.

Parlamenti Evropian më 18 prill miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën pa votim pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. Ndërsa, një ditë më vonë në Strasburg u nënshkrua akti ligjor që e vendos Kosovën në listën e shteteve që mund të lëvizin pa vizë në zonën Schengen. Me këtë vendim u përmbyll një proces i stërzgjatur për shtetin më të ri në Evropë.


Qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.

Tashmë konsiderohet se vendi është i gatshëm dhe se i ka plotësuar të gjitha kriteret për lëvizje pa viza në zonën Schengen.

Diona Grezda, hulumtuese në Grupin Ballkanik për hulumtimin e politikave, në një prononcim për Telegrafin tha se pas tri javësh, akti publikohet në gazetën zyrtare të BE-së.

Diona Grezda

Tutje, ajo theksoi se qytetarët do të mund të lëviznin lirshëm 20 ditë pas publikimit të aktit në gazetën zyrtare në rast se Franca nuk do ta kushtëzonte liberalizimin me sistemin ETIAS.

Sa i përket këtij sistemi, Grezda tha se pritet të funksionalizohet në vjeshtë të vitit 2023, megjithatë edhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sipas saj, kosovarët mund të lëvizin lirshëm prej datës 1 janar 2024, si datë e fundit e përcaktuar tashmë. Ajo dha edhe disa shpjegime çka është ETIAS dhe si funksionon ai.

“Sistemi ETIAS apo Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit është një sistem elektronik që mundëson mbajtje të evidencës së vizitorëve nga shtetet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Schengen. Pra secili individ që synon të udhëtoj drejt zonës Schengen duhet që fillimisht të plotësojë aplikacionin i cili zgjat rreth 10 minuta dhe kushton 7 euro për person.  Autorizimi ETIAS është valid për 3 vite dhe pa të qytetarët nuk mund të udhëtojnë në zonën Schengen.

Ky sistem i ngjan ESTA-s (Sistemit Elektronik të SHBA për Autorizimin e Udhëtimit) së ShBA-ve dhe është krijuar për arsye të sigurisë, pra për menaxhimin e rreziqeve dhe migracionit në BE. Ky sistem pritet të jetë funksional në vjeshtë të vitit 2023”, shtoi ajo.

Sipas Grezdës, funksionalizimi i sistemit ETIAS mbetet si kusht por jo si domosdoshmëri, ndërsa tha se kushte të tjera nuk ka.

“Megjithatë, duhet theksuar që edhe nëse BE-ja nuk arrin të funksionalizojë sistemin, Kosova e ka tashmë një datë të përcaktuar për lëvizje të lirë drejt BE-së dhe kjo është 1 janari i vitit 2024. Në rastin tjetër, nëse sistemi ETIAS funksionalizohet më herët apo në nëntor të vitit 2023, Kosovarët ende duhet të presin datën 1 janar 2024 apo përfundimin e Presidencës Spanjolle të Këshillit”, u shpreh tutje ajo.

Se Kosova është e gatshme për lëvizjen e lirë pa viza e thotë edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Dritëro Arifi

Për këtë ai deklaroi se janë bërë shumë përgatitje përgjatë pritjes mbi një dekadeshe dhe se ka pasur edhe kampanja vetëdijesuese për rregullat që duhet t’i respektojnë qytetarët e Kosovës kur lëvizin në zonën Schengen. Të tilla ai vlerësoi se duhet të ketë edhe në vazhdimësi deri më 1 janar 2024.

“Kosova është e gatshme për liberalizimin e vizave pasi janë bërë shumë përgatitje duke pasur parasysh që pritja jonë është gati 12-vjeçare. Po ashtu, gjatë kësaj kohe ka pasur edhe kampanja vetëdijesuese se çka nënkupton lëvizja e lirë dhe se cilat janë rregullat që qytetarët e Kosovës duhet t’i respektojnë kur lëvizin në zonën Schengen  Por, duhet të organizohet sërish një kampanjë e tillë deri më 1 janar 2024 në mënyrë që t’ua rikujtoj qytetarëve këtë gjë”, u shpreh Arifi.

Sa i përket sistemit ETIAS, ai tha se është pritur që të hyjë në fuqi këtë vit por se ka dështuar dhe një gjë e tillë për shkak se nuk janë bërë përgatitjet e duhura brenda BE-së.

“ETIAS është sistem elektronik përmes së cilit qytetarët duhet të bëjnë paraqitjen para se të udhëtojnë, por kjo ende nuk është funksionalizuar. Është pritur që të hyjë në fuqi këtë vit, por ka dështuar pasi nuk janë bërë përgatitjet e duhura brenda BE-së ndaj pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm”, u shpreh tutje profesori.

Kosova ishte vendi i vetëm në Ballkan që akoma kishte regjim të vizave. /Telegrafi/