LAJMI I FUNDIT:

Pajtohen për thellim e bashkëpunimit Kosovë e Kroaci

Pajtohen për thellim e bashkëpunimit Kosovë e Kroaci

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj ka takuar të shtunën presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, ka diskutuar për zhvillimin dhe thellimin e mëtejme të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të dy shteteve, me theks të veçantë për bashkëpunimin në lëmin e ekonomisë.

Presidenti Josipoviq edhe me këtë rast shprehu përcaktimin e tij dhe institucioneve të Republikës së Kroacisë për të përkrahur Kosovën në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.

Presidenti i Kroacisë u shpreh për thellimin e më tejmë të marrëdhënieve ekonomike në mes të dy shteteve, respektivisht për krijimin e kushteve që prodhimet nga Kosova të jenë më shumë prezentë në tregun e Kroacisë.

Ministri Beqaj e informoi presidentit Jospipoviq lidhur me prioritetet e programit të zhvillimit ekonomik të vendit. Beqaj u angazhua për krijimin e lehtësirave për qytetarët dhe bizneset nga Kosova dhe kërkoi heqjen e vizave për vizita në Kroaci, nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore që do të eliminonte taksat e dyfishta dhe nënshkrimin e marrëveshjes mbi pranimin e sigurimit të automjeteve.


Gjatë vizitës në Kroaci, të premten ministri Beqaj është takuar me zëvendëskryeministrin për investime Domagoj Milosheviq dhe me ministrin e ekonomisë, punës dhe ndërmarrësisë, Gjuro Popijaq, me të cilin nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik në mes të dy vendeve.

Gjithashtu të shtunën ministri Beqaj është takuar edhe me Sekretarin Shtetëror në Ministrinë se Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tonqi Bozhaniq. /Telegrafi/