LAJMI I FUNDIT:

Opozita, Qeveria e ka fajin për FMN-në

Opozita, Qeveria e ka fajin për FMN-në

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si opozitë nuk presin që të arrihet ndonjë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe për këtë fajësojnë Qeverinë. Kurse AKR si partnerë në bashkëqeverisje, po ashtu, nuk pret ndonjë marrëveshje por vetëm dakordim të përkohshëm me FMN.

Përderisa zyrtarët qeveritarë mbeten ende të mbyllur për sa i përket informatave në lidhje me bisedimet me FMN-në, opozita në prononcimet për Blue Sky, e kritikon Qeverinë, se vendin po e dërgon drejt një krize makro-ekonomike.

Burim Ramadani nga AAK nuk pret të arrihet ndonjë marrëveshje e Qeverisë me FMN-në. “Sipas të gjitha informative, nuk ka asnjë shansë që të arrihet marrëveshje për shkak se Qeveria e Kosovës i ka shkelur të gjitha zotimet që i ka bërë ndaj FMN-së. Ky është një dëmtim i shtetit të Kosovës, jo vetëm në humbjen e miliona eurove, por, po ashtu, edhe në raport shtetëror me FMN duke e vendosur Kosovën në raport tepër të ulët në raport me FMN”, tha Ramadani.

Ndërsa Ismet Beqiri nga LDK pret njoftim zyrtar nga FMN-ja, ai e kritikon Qeverinë për gjendjen në të cilën e solli vendin. “Nuk do të dëshironim të na del ajo që kemi qenë të bindur, se do të kemi telashe të mëdha. Problemi më i madh ka qenë ngritja e pagave, LDK nuk ka qenë asnjëherë kundër ngritjes, por ka qenë që kjo të bëhet në kuadër të mundësive dhe rregullave financiare që janë gjithkund në botë”, ka thënë Beqiri.


Kurse deputeti nga radhët e AKR-së, Muhamet Mustafa, jashtë marrëveshjes, pret vetëm një dakordim me FMN-në, me çka do t’i viheshin disa kushte Qeverisë. “Do të vëhen disa kushte me të cilat duhet të hyjmë në një proces me të cilin mund të përmirësojmë menaxhimin makroekonomik dhe fiskal dhe eventualisht kah vjeshta apo fundi i vitit të diskutohen aranzhmanet e reja nëse plotësohen kushtet”, theksoi Mustafa.

Përderisa Qeveria mbetet e heshtur, ish-shefi i Njësitit Ekonomik në ICO në Kosovë, Andrea Capussela, ka publikuar në të përditshmen britanike “The Guardian” një opinion në të cilën thuhet se pritet që FMN ta deklarojë Kosovën jashtë programeve të saj. /Telegrafi/