Nga: Fatmira Nikolli
Është një studim i mirëfilltë materiali i Oliver Jens Schmitt-it nën titullin “Zoti në Shqipëri”, që shoqëron esenë fotografike të Jutta Benzenberg-ut me të njëjtin titull, çelur në kuadër të Tetorit Gjerman.
Nga Perandoria Romake e deri në ditët tona, teksa sheh raportin e banorëve të këtyre zonave me Zotin, besimin e tyre fetar dhe mbijetesën, rrëfen njëherësh edhe boshtin historik. Një histori e shkurtër e Shqipërisë dhe shqiptarëve, shekujt parakalojnë duke cytur herë pas here dëshmi të kohëve e vendeve, dëshmi të shqipes e shqiptarëve, të lidhjeve me Oksidentin a Orientin.
Sipas tij, shumëllojshmëria fetare e shqiptarëve është rezultat i historisë e cila shtrihet në mbi dy mijë vjet dhe ndërlidhet shumë me perandoritë në të cilat kanë jetuar shqiptarët dhe shpesh kanë pasur rol të rëndësishëm në ushtri dhe administratë.
“Nga fetë e mëdha që gjejmë në Shqipëri, krishterimi është më i vjetri. Në kohën e lindjes së Krishtit, rajoni i sotëm i Shqipërisë kishte një shekull e gjysmë që i takonte Perandorisë Romake. Në këtë perandori, Adriatiku juglindor kishte rëndësi të madhe strategjike: nga Dyrrahu, Durrësi i sotëm, vijonte Via Egantia. Kjo rrugë ishte vazhdim i Via Appias, e cila lidhte Romën me portin Brindisi; nga Dyrrahu rruga kalonte përmes Ballkanit deri në Bosfor”, thotë ai në ese.
Duke bashkëndarë të njëjtin titull me Benzenbergu-un, Schmitt thotë në studim se Shqipëria ishte në arterien e qarkullimit të një perandorie botërore.
“Trualli dhe njerëzit ishin shumë të integruar në administratën dhe kulturën e Perandorisë Romake, kurse paraardhësit e shqiptarëve të sotëm ishin gjithçka përpos një popull i izoluar malor. Kjo shoqëri, që në studime quhet protoshqiptare, jetonte në atë pjesë të Ballkanit, në të cilën si gjuhë e administratës përdorej latinishtja. Prandaj, numri i huazimeve latine në shqipen është proporcionalisht i lartë”, vëren studiuesi.
Në një material të përkthyer nga Blerta Ismajli në kuadër te ekspozitës për Tetorin Gjerman, Schmitt thotë se treva antike e vendbanimeve të shqiptarëve në periudhën romake ishte organizuar në një sistem mjaft të dendur dioqezash, qendrat e të cilave ishin qytetet.
“Aty banonin pranë njëri-tjetrit guvernatori si përfaqësues i perandorit dhe peshkopi i vendit. Të dy ishin shtylla të sundimit dhe të kulturës romake. Ky sistem u trondit rëndë nga imigrimi i fiseve sllave. Nga mesi i shekullit VI, ky e shkatërroi hap pas hapi sistemin romak të vendbanimeve, gjë që mund të vërehet në rrënojat e bazilikave të shumta të krishtera në tërë Ballkanin jugperëndimor”.
Ai veçon se sllavët në Ballkan shkatërruan Perandorinë Romake bashkë me kishën.
“Kështu humbi edhe kultura e shkrimit e zhvilluar më parë e çdo formë e diferencuar e organizimit pushtetor. Vetëm pika periferike në bregdet, si Dyrrahu, nuk u pushtuan nga sllavët. Popullsia protoshqiptare u tërhoq pjesërisht në male dhe vazhdonte jetën e vet në nivel të lartë kulturor, por duke u marrë me blegtori në përputhje me kushtet klimatike, siç dëshmojnë p.sh. gërmimet në rrënojat e qytetit Delmace në malet e Shqipërisë së Veriut”.
Për të, fakti që në Shqipëri ka katolikë dhe ortodoksë nuk mund të shpjegohet vetëm me një diferencim të përgjithshëm midis dy kishave si institucione të pushtetit – zona e populluar nga shqiptarët më tepër ishte epiqendër e këtij zhvillimi historik.
Ai thotë se përgjatë Via Egnatias tani takoheshin dy lloje ortodoksie, në gjuhën greke dhe në sllavishten kishtare, ndërsa përmes portit të Dyrrahut hynin elemente adriatiko-latine. Kështu, në jug të Via Egnatias gradualisht u krijua një trinitet i gjuhëve të shkruara – greqisht, sllavishte kishtare, latinisht, ndërsa shqipja përdorej vetëm në të folur.
Studiuesi shënon se kur kryqtarët pushtuan Kostandinopojën më 1204, raportet midis katolikëve dhe ortodoksëve arritën një pikë të ulët. Por, kush mendon se në këtë sfond Shqipëria përjetoi “përplasje kulturash”, gabon.
Bizanti pas vitit 1204 dhe Despotati ortodoks i Epirit, Napolit dhe Venecias luftuan për bregdetin shqiptar, por jo në kuptimin e luftës së besimit. Familjet fisnike rajonale shqiptare ishin mësuar t’i përshtateshin gjendjes jo të qëndrueshme politike, duke marrë besimin e më të fuqishmit. Prandaj, kalimi herë në kishën ortodokse, herë në atë katolike nuk mund të kuptohet si “tradhti”, por vetëm si reagim ndaj pretendimeve të fuqive të mëdha kundërshtare.
“Kështu, në Mesjetën e vonë në Shqipëri u krijua një kulturë fisnike bikonfesionale; dokumentet lëshoheshin në shumë gjuhë – latinisht, greqisht, sllavishte kishtare në redaktime rajonale, gjuhën venete; kalimi midis konfesioneve dhe gjuhëve të shkrimit ishte i rrjedhshëm, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Teksa veriu mbeti kryesisht katolik, jugu ishte nën ndikimin e kulturës kishtare bizantine në gjuhën greke. Kalimi herë në njërin konfesion, herë në tjetrin, mund të vërehet mirë në kryepeshkopatën e Dyrrahut, ku varësisht nga raportet e forcave, herë ishte një kryepeshkop ortodoks, herë një katolik”, shprehet Schmitt.
Duke vënë në dukje se shqiptarët në Ballkan, sot janë një shoqëri multi-fetare, por shumica e tyre i përket Islamit, ai shton: “Kjo vlen sidomos për shqiptarët në ish-Jugosllavi: në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbinë jugore. Si shpjegohet ky kontrast? Osmanët kishin përparuar në Shqipëri tridhjetë vjet pasi kishin fituar terren në Evropë – Via Egnatia kishte përsëri një rëndësi të madhe (1385). Që në vitin 1417, osmanët kishin pushtuar pjesë të mëdha të Shqipërisë së sotme dhe i kishin organizuar ato si krahina Sanxhaku Arvanid. Trembëdhjetë vjet më vonë ata kishin pushtuar pothuajse të gjithë Shqipërinë, me përjashtim të bazave veneciane përreth Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës”.
Në këtë studim, Schmitt i kthehet edhe njëherë figurës së Skënderbeut, për çka vite më parë pati nxitur debat. Pjesën për heroin po e lëmë pa ndërhyrje, që të mos nxisim të tjera keqkuptime:
“Sapo filloi mbledhja e taksave dhe zbatimi i sistemit ligjor nga osmanët, pjesë të fisnikërisë shqiptare u çuan në kryengritje, së pari në 1433-1436, pastaj nga 1443 nën një udhëheqës karizmatik, Gjergj Kastriotin, i quajtur Skënderbe. Nën Skënderbeun, pjesë të Shqipërisë u shndërruan në skena të një lufte të hidhur me osmanët. Për çfarë bëhej fjalë? Vetë Skënderbeu vinte nga një familje e vogël fisnike nga Dibra, ku bashkoheshin botët shqiptare, sllave dhe vllahe (ballkano-romane); babai i tij i kishte dhuruar tokë manastirit ortodoks serb Hilandar. Vëllai i Skënderbeut do të vdiste si murg në këtë manastir. Pra, Kastriotët ishin të lidhur me mjedisin e ortodoksisë sllave të Ballkanit. Pas disfatës së babait të tij, i riu Gjergj Kastrioti, si shumë djem të tjerë të aristokracisë ballkanase, duhej të shkonte si peng në oborrin osman. Atje ai u konvertua në islam; ka shumë të ngjarë në mjedisin e dervishëve, përndryshe mistikëve islamë. Ata luajtën një rol të rëndësishëm në pushtimin osman të Ballkanit, veçanërisht në ushtrinë osmane. Si ushtarak osman, Skënderbeu mori pjesë në luftime në Serbi dhe në Transilvani. Më 1443, kur një ushtri kryqëzate përparoi kundër osmanëve në Ballkanin e brendshëm, ai bashkë me oficerë të tjerë u ngritën kundër Sulltanit. Në Shqipëri, shumë fisnikë iu bashkuan kryengritjes.
Motivet ishin komplekse: si më 1433, shumica e fisnikëve luftonin kundër përqendrimit të pushtetit te sulltanët, ata luftonin humbjen e kontrollit ndaj tokës së tyre dhe pasuesve të tyre; Skënderbeu gjithashtu kishte një motiv personal për të marrë hakun e babait të tij, i cili ishte vrarë nga Sulltani. Arsyet fetare duket se vështirë të kenë luajtur ndonjë rol te Skënderbeu personalisht – madje më 1454, një vit pas rënies së Kostandinopojës, më 29 maj 1453, një i dërguar nga Skënderbeu kishte thënë edhe para papës se zotëria i tij po luftonte ‘jo për besim, por nga hakmarrja’. Por, përkatësia fetare ishte ndarja thelbësore midis kryengritësve dhe osmanëve. Në anën e Skënderbeut luftonin vetëm të krishterët. Simboli i tyre ishte shqiponja perandorake bizantine, e cila sot stolis flamurin shtetëror shqiptar. Përballë tyre ishin myslimanët, por edhe ortodoksët që shërbenin në ushtrinë osmane. Për kishën katolike në Shqipëri fjala ishte qartë për një luftë besimi kundër islamit që po përparonte.
Shpejt, kur Skënderbeu u përpoq ta zgjeronte pushtetin e tij në kurriz të fisnikëve të tjerë, kryengritja e humbi mbështetjen. Kështu Skënderbeu u detyrua të kërkonte ndihmë nga jashtë. Kisha katolike në Shqipëri u tregua mbështetësja më e qëndrueshme, mbi të gjitha kryepeshkopi i Durrësit, por edhe papët në Romë. Papa humanist Piu II planifikonte ta kurorëzonte Skënderbeun si mbret të një mbretërie katolike të sapokrijuar të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, Skënderbeu kishte hyrë në botën e katolicizmit politik. Arsyet janë të dukshme: Kisha ortodokse nuk e mbështeste kryengritjen e tij dhe pjesa bizantine e Shqipërisë mbeti e qetë, sepse më 1453 Patrikana e Kostandinopojës kërkonte pajtim me Sulltan Mehmetin II. Nuk kishte shtete të forta fqinje të krishtera që mund të ndihmonin.
Kisha katolike, nga ana tjetër, ishte institucioni që vazhdimisht i kundërshtonte osmanët; shekuj me radhë papa kishte përkrahur rezistencën e armatosur kundër sulltanëve. Skënderbeu e njihte sistemin e pushtetit osman nga brenda dhe prandaj, ndryshe nga shumë princër ortodoksë ballkanas, e refuzoi ofertën e Sulltanit për të qeverisur një principatë të veten si vasal. Ndryshe nga despotët serbë – ky ishte titulli i princërve serbë – ai vendosi për një rezistencë pa kushte.
Armiqësia midis Shqipërisë katolike dhe Perandorisë Osmane çoi në shkatërrim të gjerë të zonave të rezistencës nga Osmanët midis viteve 1466 dhe 1479. Në Dibër dhe Mat, midis dy të tretave dhe tri të katërtave të popullsisë u vranë ose u morën skllevër. Mbrojtësit e Drishtit, qendrës kulturore të kulturës katolike të Shqipërisë veriore, të famshme për shkollën e saj latine dhe priftërinjtë shumë të arsimuar, u masakruan nga osmanët mu para mureve të Shkodrës. Kur pak pas kësaj (1479), Shkodra, kryeqyteti i Shqipërisë së qeverisur nga Venediku, u desh të hapte portat e saj me urdhër të Venedikut, i cili kishte bërë paqe me osmanët, Sulltani u la të mbijetuarve të zgjidhnin: të tërhiqeshin të lirë ose të qëndronin në shtëpi duke pranuar sundimin e ri. Shkodranët, të cilët kishin luftuar për Republikën e Shën Markut për vite me radhë, emigruan në bllok në Venedik, nga ku djemtë e të mbijetuarve vazhduan luftën kundër osmanëve në ushtrinë dhe flotën veneciane. Shkodra ndërkohë u ripopullua nga myslimanët. Kishte ndodhur një shkëmbim i vërtetë i popullsisë, i shoqëruar me një ndryshim rrënjësor kulturor-fetar. Kryeqyteti i kulturës adriatiko-katolike të Shqipërisë ishte shndërruar në një qytet mysliman, nga i cili pushteti i ri osman i kontrollonte malet.”
Për Schmitt-in, shumica e shqiptarëve u konvertuan në islam midis shekullit XV dhe fillimit të shekullit XX. Fakti që ky proces zgjati më shumë se 400 vite tregon se duhet pasur kujdes nga përgjithësimet në lidhje me rrjedhën dhe motivet. Ai thotë se shumë shqiptarë të islamizuar u ngritën shpejt në pozita të larta në ushtri dhe administratë. Ata luftuan në të gjitha frontet e perandorisë botërore në zgjerim, nga kufiri hungarez në stepat e Ukrainës, në Kaukaz dhe në rajonin arab. Dhjetëra shqiptarë shërbyen si vezirë (të mëdhenj), edhe më shumë si gjeneralë: “Në Ballkan, arnauti u barazua me një ushtar ose një polic, si pjesë e rendit osman. Në Ballkan, shqiptarët myslimanë, së bashku me boshnjakët e islamizuar, ishin shtylla e sundimit osman dhe kujdeseshin që shumica e krishterë të mbahej nën kontroll. Në këtë mjedis mysliman midis sllavëve dhe shqiptarëve u gjendën pika të afërta të kontaktit, të cilat pasqyrohen për shembull në këngët e kreshnikëve. Bashkësia komunikuese boshnjako-shqiptare nën çadrën e Islamit mund të krahasohet me lidhjet analoge midis shqiptarëve dhe dalmatëve si dhe katolikëve boshnjakë”.
Ndërsa, sa i përket raportit me jashtë, Schmitt thotë se pasi Zogu i vuri nën kontroll sunitët, veçanërisht pronarët e mëdhenj të tokave, sunduan shtetin e ri dhe katolikët dhe ortodoksët vetëm gradualisht hoqën mosbesimin e tyre ndaj kësaj elite. Njëkohësisht, ortodoksët pakësuan lidhjet e tyre me Greqinë.
“Krijimi i kishës ortodokse autoqefale, e cila në 1937 u njoh nga Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës pas shumë hezitimesh, shënoi fundin e emancipimit kombëtar dhe institucional të ortodoksëve shqiptarë”, thotë ai.
Për të, në vitin 1944, pas një lufte civile në Shqipëri erdhën në pushtet partizanët komunistë.
“Fokusi i tyre ishte në jug dhe në radhët e tyre kishte shumë ortodoksë, përfshirë arumunë dhe maqedonas. Ata fituan falë mbështetjes së udhëheqësit partizan jugosllav Josip Broz Tito. Ashtu si Tito, burri i ri i fortë i Shqipërisë, Enver Hoxha, ishte një stalinist i vendosur”.
Pos Skënderbeut, që gjithherë hap debat, një tjetër çështje e ndjeshme që prek tashmë Schmitt-i është raporti i shqiptarëve me islamin, krishterimin dhe të huajt që financojnë.
“Kur ra regjimi komunist më 1991, bota shikonte nga Shqipëria: çfarë do të bëhej me shtetin zyrtarisht ateist? Sapo u hoq ndalimi i fesë, jeta fetare u shfaq përsëri e gjithashtu lulëzoi egër. Komunitetet e mëdha fetare u kthyen dhe shpejt u gjendën në konkurrencë me njëri-tjetrin, siç shihet nga ndërtimi i xhamive dhe kishave të shumta, shumica e të cilave u financuan nga jashtë. Në kryeqytetin Tiranë, katolikët, ortodoksët dhe së fundmi sunitët kanë ndërtuar faltore të mëdha për ta shfaqur edhe në mënyrë arkitektonike pretendimin për pushtet. Shpesh këto ndërtesa nuk marrin parasysh format tradicionale arkitektonike – përfaqësimi dhe pushtimi i hapësirës publike janë më të rëndësishme. Xhamia e madhe që është duke u ndërtuar në Tiranë është një projekt prestigjioz i politikës së jashtme neo-otomane të regjimit aktual autoritar në Turqi. Greqia dhe donatorët grekë kanë mbështetur për shumë vite ndërtimin e kishave ortodokse. Vatikani ka mbështetur fuqimisht kishën katolike në Shqipëri”.
Për të, si një komb me shumicë myslimane, shqiptarët pas rënies së komunizmit i shtruan vetes pyetjen, nëse dhe në çfarë mase dëshironin dhe duhej t’i përkisnin cilës botë?
“Perëndimit të brumosur nga krishterimi, por në fakt të sekularizuar fuqishëm, apo Orientit islam në të cilin rrymat radikale fetare kanë mbizotëruar në dekadat e fundit? Rreth 15 vjet më parë u kristalizuan kampet e intelektualëve perëndimorë-laikë, nacionalistë dhe pjesërisht autoritarë përreth shkrimtarit Ismail Kadare dhe dijetarët konservatorë-sunitë, por nacionalistë, rreth intelektualit kosovar Rexhep Qosja të cilët patën një polemikë të fuqishme”.
Sipas tij, “fakti që përfytyrimi për veten si një vend laik me njerëz indiferentë dhe tolerantë në aspektin fetar nuk korrespondonte gjithmonë me realitetin shoqëror, u bë i qartë për të gjithë botën kur disa vite më parë disa qindra shqiptarë nga Ballkani shkuan në të ashtuquajturin xhihad në Siri. Sigurisht, duhen ruajtur relacionet: shqiptarët emigrojnë në masën më të madhe si punëtorë migrantë paqësorë në vendet e brumosura nga krishterimi në Evropë. Xhihadistët bien në sy dhe janë shqetësues, por formojnë një grup të vogël që kundërshtohet qartë nga shumica dërmuese e shqiptarëve. Për më tepër, duhet të bëhet një dallim i qartë midis pjesëve të shoqërisë shqiptare në Ballkan: midis shqiptarëve kryesisht sunitë-konservatorë të Maqedonisë e Veriut dhe pjesës sekulare të popullsisë në Tiranë ka dallime shumë të mëdha”.
Schmitt thekson se, siç tregojnë fotografitë në këtë vëllim, Shqipëria është e shumëllojshme në aspektin fetar, të shumëllojshëm janë edhe njerëzit e saj dhe opsionet dhe vendimet e tyre kur bëhet fjalë për fenë.
“Por shumëllojshmëria nuk duhet t’ju shtyjë ta ekzotizoni Shqipërinë”, kujton ai, duke shtuar se “edhe stereotipet e të gjitha llojeve, siç u përmendën në këtë ese, duhet të shihen me skepticizëm, njësoj si deklaratat e funksionarëve të tanishëm fetarë që duan ta ekzagjerojnë rëndësinë e tyre. Shqipëria shtrihet në kryqëzimin e ndikimeve si nga shoqëritë shumë sekulare ashtu dhe nga ato të radikalizuara fetarisht përreth Mesdheut, të cilat prekin qytetarët e saj”.
Ai nënvizon se shqiptarët janë një shoqëri tejterritoriale, pasi shumë njerëz jetojnë në Evropë dhe Amerikë, por rrallë në vendet islame. Nëse shqiptarët votojnë me këmbë, atëherë rrugët të çojnë në Romë, Athinë, Munih, Cyrih, e më pak në Stamboll, Riad ose kryeqytetet e tjera të shteteve islame.
“Por, është po ashtu e vërtetë se, vetkuptueshmëritë e vjetra të manualit për fenë dhe besimin e shqiptarëve nuk vlejnë më. Por, pse në një botë që aktualisht po përjeton përmbysje të mëdha, pikërisht shqiptarët të mos ndryshojnë po ashtu?”, mbyllet me pikëpyetje studimi i Schmitt-it.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Nata e fundit e jetës së Naim bej Frashërit
GJUHA SHQYPE
Historia e shqiptares Laskarina Bubulina, Heroinës Kombëtare të Greqisë!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme