LAJMI I FUNDIT:

Një polic konfirmohet i infektuar me coronavirus

Një polic konfirmohet i infektuar me coronavirus

Një zyrtar policor i Policisë së Kosovës është infektuar me virusin COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Kelani tha se zyrtari policor nuk ka pasur ndonjë kontakt me zyrtarët e tjerë policor, pasi që i njëjti ka qenë në pushim mjekësor, për shkak të problemeve të tjera shëndetësore.


Zyrtari policor është nga Malisheva.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar me coronavirus 88 persona, ndërsa një 82 vjeçar ka vdekur.

Institucionet shëndetësore kanë informuar se 2 prej të infektuarve tashmë janë shëruar.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Po ashtu Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e informoi dje Qeverinë e Kosovës për vendimin e saj të fundit nga Departamentit i Shtetit, deklaruar nga Sekretari Mike Pompeo se ShBA-të kanë ndarë 1.1 milion euro për luftimin e virusit COVID-19./Telegrafi/