LAJMI I FUNDIT:

Një letër për mikun tim në një burg të Moskës

Një letër për mikun tim në një burg të Moskës
Ilustrimi: Ann Kiernan / The Financial Times

Nga: Polina Ivanova / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Duhen 20 rubla për një faqe për t’i shkruar mikut tim më të mirë, 65 për zarfin, 75 të tjera që ai ta ketë mundësinë për t’u përgjigjur. Muajin e kaluar ne bisedonim në një plazh. Tashti janë letrat për në burgun e Lefortovës dhe një lutje e qetë që ai së shpejti t’i pranojë ato.


Evan Gershkovich, gazetari amerikan i [ditores] Wall Street Journal, u arrestua në Rusi më 29 mars dhe u çua në një burg të Moskës. Mund ta shkruaja 100 herë atë fjali dhe nuk do të më dukej më pak absurde. Evani është marrë peng nga shteti rus. Spiunazhi: ky është arsyetimi që jep për dërgimin e një grupi banditësh me rroba civile, për ta kapur mikun tonë të hareshëm dhe për ta futur me thes në kokë në një makinë; kjo është arsyeja se pse ai tashti është i detyruar që të rri ulur në një qeli, i bllokuar, i vetmuar dhe duke pritur.

Si një kapitull tjetër i rrëfimit të tij, duket të jetë mizor. Për vite të tëra duke raportuar nga Rusia, Evani e krijoi kronikën e një vendi që po zbriste në errësirë dhe në absurditet me hapin gjithnjë e më të përshpejtuar. Mbërriti në Moskë në fund të vitit 2017, pikërisht në kohën e duhur për ta parë rizgjedhjen e Vladimir Putinit dhe katrahurën e tij më të madhe deri sot. Shkova në të njëjtën kohë, për ta filluar punën time të parë si reportere nga terreni.

Të gjithë ne u rritëm larg Rusisë, por e flisnim gjuhën [ruse] në shtëpi. Të lidhur me vendin në mënyrat tona të ndërlikuara, ishim të vetëdijshëm për të kaluarën e tij të dhimbshme, por shpresonim, në një mënyrë apo tjetër, për të ardhmen e tij [të Rusisë]. Me dy shokë të tjerë i ndoqëm të njëjtat ngjarje, mësuam si ta kryejmë punën. Evani e do gazetarinë jo vetëm si profesion, por si zanat. I citonte emrat e autorëve të mëdhenj të revistave, i njihte artikujt e tyre më të mirë që u shkruan dekada më parë, e që ne nxitonim t’i gjenim.

Në Moskë errësira ishte e pranishme që në fillim dhe shpejt ajo u bë normale. Një nga herët e para që takova Evanin ishte gjatë një mbrëmjeje të organizuar nga gazetarët rusë, në një bar të vogël në një bodrum; DJ ishte një reportere që sapo e kishte marrë veten nga goditja me thikë në qafë – nga një sulmues në studion e saj të radios.

Fundjavat e verës u kaluan duke i mbuluar protestat e rregullta masive që përmbytën rrugët e Moskës, duke parë sesi policia e trazirave rrihte adoleshentët, ndërsa moskovitët e pasur derdhnin aperolët në tarracat e restoranteve aty pranë. Si do të luajmë sot futboll, u ankua Evani pas një demonstrate. Lojtari më i mirë i ekipit të tij sapo ishte ndaluar; u hodh në një furgon policie së bashku me një çantë plot me topat e lojës.

Shtypja e opozitës u bë gjithnjë e më sistematike. Zyra e Alexei Navalnyt u bastis aq shpesh saqë Evan e shkroi një artikull për derën e tij të përparme, të thyer aq shumë nga policia saqë mezi mbyllej. “Dera e përparme e kritikut të Kremlinit, Navalnyt, e ka pasur një vit të vështirë”, ishte titulli që mbërthente në një fjali errësirën dhe absurditetin. Gjithnjë e më shumë, gazetarët rusë – shumë prej tyre miq të Evanit – u përballën gjithashtu me forcën brutale të shtetit, të etiketuar si agjentë të huaj, për çfarë u detyruan që të ikin.

Më pas, në një mbrëmje në fillim të shkurtit 2022, u takuam për ta festuar ditëlindjen time. Teksa morëm rrugën për në festë, Evani e lexoi një raport për rrjetin sesi Rusia i lëvizte furnizimet me gjak për trupat që i kishte vendosur rreth kufijve të Ukrainës. Në atë moment e kuptuam se errësira ishte gati të bëhej krejtësisht e plotë dhe kjo shumë shpejt ndodhi.

Edhe pasi filloi pushtimi i Ukrainës, Evani vazhdoi të raportonte nga Rusia, i bindur për detyrën që ka për t’i rrëfyer ngjarjet që pak të tjerë mundeshin. Një vit më vonë e bëri pushimin e tij të parë nga ky mbulim, kur disa prej nesh udhëtuam për në Vietnam. Evani e merr një kopje të madhe të Jetës dhe Fatit të Vasily Grossmanit, duke i lexuar me zë të lartë pasazhet e gjata. E kishte zgjedhur për ta lexuar në plazh, tha ai, sepse mund ta ndihmonte ta kuptonte më mirë luftën. E respektova përkushtimin e tij – në pushime unë doja të shkëputesha nga tmerri që duhej ta përthithnim dhe ta raportonim për çdo ditë. Vë bast se nuk e ka mbaruar, mendova unë, menjëherë pasi ai u arrestua.

Mësuam shpejt se si ta ndihmojmë dikë në burg. Gazetarët dhe aktivistët rusë kanë një përvojë të trishtuar përkitazi me sistemin e burgjeve të vendit, i cili është i dixhitalizuar në mënyrë të frikshme. Me një ndërfaqe miqësore për përdoruesit, mund të porosisim libra për qelitë e Lefortovës, të organizojmë abonime në revista dhe të bëjmë dërgesa të ushqimeve.

Ksenia Mironova, partneri i së cilës – gazetari rus Ivan Safronov – po vuan dënimin me 22 vjet për akuzat për tradhti, na ka mësuar se çfarë mundemi dhe çfarë nuk mundemi të postojmë. Ajo e di që ne mund t’ia dërgojmë Evanit frutat e freskëta, por jo manaferrat; djathë, por jo lëng ose vezë. Mendoj për gëzimin e madh me të cilin Evan – një kuzhinier krenar, tregimtar krenar për kohën që ka kaluar duke punuar në një kuzhinë në Nju Jork – vetëm një muaj ishte i kaptuar fal shijeve të ushqimeve që shërbeheshin në rrugët e Vietnamit.

Tashti jam në Berlin tani. Sistemi hekurudhor zhurmon dhe ulërin, meloditë e zhurmshme të popit dëgjohen nga qebaptoret, por është një heshtje përvëluese në vendet ku dikur i bëja bisedat me Evanin. Më pas, kthehet një letër. Një shënim i shkurtër, i shkruar me dorë, dhe më pas një tjetër ku shkarravitja e tij ruse bëhet gjithnjë e më e rregullt. Në letrat drejtuar miqve, Evani bën shaka, përshkruan detajet e vogla e zbavitëse për jetën në burg, për të na mbajtur të gëzuar. “Të gjithë e keni pasur një rini të bukur në Moskë; askush nuk mund ta marrë atë”, i shkroi nëna ime në një letër. “Jam ende duke shëtitur nëpër Moskë”, u përgjigj Evani, “veçse tash për tash vetëm në një vend”.

U bë një muaj që Evani e kalon kohën në burg. E ka gjetur librin e tij të madh në bibliotekën e burgut dhe e ka lexuar dy herë. Do ta filloj së shpejti, të gjithë ne, një si klub të librave të Evanit. Përkthyesi i tij në anglisht, Robert Chandler, i ka shkruar gjithashtu Evanit. E kemi dërguar atë letër dhe do të dërgojmë shumë të tjera. Njëzet rubla për faqe, 65 për zarfin, 75 të tjera që ai ta ketë mundësinë për t’u përgjigjur. /Telegrafi/