LAJMI I FUNDIT:

Nga Drenasi asambliste në Suedi, Aurora Pirraku Nika rrëfen historinë e saj të jetës në shtetin skandinav

Nga Drenasi asambliste në Suedi, Aurora Pirraku Nika rrëfen historinë e saj të jetës në shtetin skandinav

Ka 30 vjet që jeton në shtetin skandinav, Suedi. E integruar plotësisht në jetën shoqërore, kulturore e institucionale dhe e suksesshme në punën që ka zgjedhur, por pa harruar asnjëherë vendlindjen.  

E viziton disa herë gjatë vitit Kosovën dhe e gatshme të ndihmojë shtetin ku lindi e ka të parët e saj.


Kjo është Aurora Pirraku Nika, nënë e katër fëmijëve e cila në moshën 19 vjeçare nga Drenasi migroi në Suedi.

Aurora është femra e parë shqiptare që ka kryer studimet në Psikoterapi të Nivelit të Avancuar në Akademinë Skandinave për Psikoterapi.

Vajza nga Drenasi e cila ka 30 vjet që punon e vepron në Suedi, nga viti 1996 punon për komunën e Västeråsit dhe prej 15 vite në Agjencinë suedeze të punësimit  për regjionin e Västmanlandit.

Është edhe asambliste në Asamblenë e Regjionit Västmanland/Region fullmäktige edhe në Asamblenë e regjionit Utvecklingsnämden.

Ishte edhe kandidate për Parlamentin në Suedi 2022.

Telegrafi: Aurora nga tregoni pak nga jeta juaj? Që sa vite jetoni në Suedi, studimet e punën që bëni?

Aurora Pirraku Nika: Origjina ime është nga Kosova, nga Drenasi. Jam nga një familje intelektuale, por që në moshën 19 vjeçare për shkak të situatës u transferova në Suedi, saktësisht nga maji i vitit 1992.

Që në ai moment ka nisur angazhimi im i pa ndalur me studime dhe angazhime në punë. Në vitin 2007 zuri fill dhe karriera ime politike që përbën një pjesë të rëndësishme të jetës sime, pasi ndjej detyrën për të përfaqësuar zërin e njerëzve dhe për të përmirësuar jetën e tyre.

Kam të përfunduara tri fakultete si dhe nivelin Master në të tri fakultetet. Bëhet fjalë për Fakultetin për Lidership, Fakultetin për Kriminologji, Fakultetin në Shkencat e Sjelljes (psikologjia e vendit të punës dhe e shëndetit), ndërsa kam përfunduar edhe Specializimin në Psikoterapi.

Tani jam duke e përfunduar Masterin e katërt që ka të bëjë me Policinë, që është për herë të parë në Suedi. Në këtë drejtim janë pranuar vetëm 20 persona dhe unë jam në mesin e tyre. Kjo ofron studime të avancuara në fushën dhe drejtimin me çështjet policore.

Punoj që nga viti 1996 për komunën e Västeråsit dhe prej 15 vite në Agjencinë suedeze të punësimit për regjionin e Västmanlandit.

Jam edhe deputete në Asamblenë e Regjionit Västmanland/Region fullmäktige edhe në Asamblenë e regjionit Utvecklingsnämden.

Aurora Pirraku Nika gjatë punës në regjionin e Västmanlandit

Për punën time në Suedi jam shpërblyer edhe me shumë çmime.

Po ashtu, punoj edhe në ordinancën time private “Psykoterapia Aurora”.

Telegrafi: Sa ishte e vështirë fillimi, si keni arritur të adaptoheni dhe si qëndron diaspora shqiptare atje?

Aurora Pirraku Nika: Asgjë nuk është e lehtë, asgjë nuk dhurohet. Për të arritur këtu ku jam sot, e përmbushur në aspektin personal e profesional duhet shumë angazhim, sakrificë e punë.

Natyrisht, suksesi nuk ka ardhur për një ditë, janë dashur vite angazhim e punë e pa ndalur.

Fatmirësisht, ne populli shqiptar kemi një kulturë të çmuar, ku vlerat tona shkojnë me ato të suedezeve dhe kjo e ka lehtësuar përshtatjen me një kulture të re. Nga ana tjetër, duke pasur gjithmonë atdheun në mendje, mungesa e ambientit shqiptar bëhet një barrë ne zemër, por këtë e kam kthyer në forcë e motiv për të punuar tutje, e angazhuar për të bërë ndryshime.

Në Suedi kemi mbi 60,000 shqiptarë dhe janë mirë të integruar, kanë edhe pozita të larta.

Telegrafi: Aurora, na tregoni pak për sfidat tuaja gjatë zhvillimit profesional në Suedi? Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat jeni ballafaquar?

Aurora Pirraku Nika: E theksova edhe më sipër që asgjë në jetë nuk dhurohet dhe për të arritur atë që dëshiron duhet shumë punë e angazhim.

Nuk jam ndalur kurrë, pavarësisht se kisha fëmijë të vegjël, kisha punën apo familjen. Kam studiuar çdo ditë, pa u ndalur dhe kjo me ka sjellë deri këtu ku jam. Një femër e edukuar është pasuri, pasi ajo përcjell këtë imazh në familje. Kështu kam vepruar dhe unë, dashur e padashur.

Fëmijët e mi kanë ndjekur rrugën time sa i përket edukimit dhe jam shumë krenare.

Dy djemtë e mi punojnë avokatë në kompaninë e tyre ”Der Juridik” në Stockholm. Vajza ime punon në Stockholm teksa kryen Masterin në New York në Amerikë.

Ndërkaq, djali i vogël, Dielli, para dy viteve ka arritur që të ndryshojë librat në shkollën ku ishte Suedi, e që ka bërë që në ato libra të përfshihet edhe Kosova.

Natyrisht, e gjithë kjo arritje e imja dhe e fëmijëve të mi nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e parezervë të bashkëshortit.

Aurora Pirraku Nika

Telegrafi: Pse vendosët të merreni edhe me politikë?

Aurora Pirraku Nika: Në fakt, me politikë kam filluar të merrem pas ftesës që më është bërë.

Tani jam në Partinë Moderate të Suedisë, por fillimisht isha e angazhuar me Partinë Socialdemokrate dhe për shkak të shumë arsyeve e bëra ndryshimin.

Principet, puna dhe vlerat e partisë Moderate janë në një linjë me të miat dhe pikërisht për këtë u bëra pjesë e tyre.

Programi i tyre është modern dhe i avancuar. Pjesë e pandalshme e angazhimit tim ishte edhe përfaqësimi i femrës në politikë, gjë që është një çështje e padiskutueshme për Moderate. Mendoj se angazhimi im politik ka akoma shumë rrugë për të përshkruar.

Telegrafi: T’i kthehemi pak Kosovës, si shqiptare në Suedi, si e shihni zhvillimin në Kosovë? Çfarë të pëlqen në Suedi që do të doje ta kishte edhe Kosova?

Aurora Pirraku Nika: Asnjëherë nuk e kam harruar vendlindjen time, pavarësisht që ka 30 vjet që jam në Suedi.

Në çdo moment jam e gatshme ta ndihmoj aty ku kërkohet nga unë, e ku mund ta jap kontributin tim. Kosova është një shtet që para 22 vjet ka pasur luftë dhe natyrisht se ka shumë e shumë gjëra për t’i rregulluar.

Por, unë kam marr një edukim mjaft të zgjeruar këtu në Suedi dhe mendoj se diçka që mund të bëja ndryshe do të ishte në fushën e Psikoterapisë.

Dhe në këtë drejtim mendoj se Kosova duhet të ketë një sistem online, ku të gjitha profesionistët e fushave të ndryshme nga diaspora do të mund ta jepnin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit, qoftë në mjekësi, drejtësi, në siguri, e në shumë fusha. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori