LAJMI I FUNDIT:

Në kundërshtim me ligjin, Komuna e Klinës shpërblen me tender ish-shefin e Prokurimit Publik

Në kundërshtim me ligjin, Komuna e Klinës shpërblen me tender ish-shefin e Prokurimit Publik

Në kundërshtim me ligjin, ekzekutivi komunal në Klinë ka shpërblyer me kontratë ish-shefin e Prokurimit Publik, Abaz Foniqi, i cili në vitin 2018 ishte shpallur fajtor për gjashtë vepra korruptive në lidhje me tenderët.

Foniqi për më shumë se dy dekada ka punuar në Zyrën e Prokurimit në Komunën e Klinës. Por, më 26 shtator të vitit të kaluar ai u pensionua. Ai mbante pozitën e shefit të Prokurimit në ekzekutivin komunal që udhëhiqet nga Zenun Elezaj. Por, angazhimi i tij në komunë do të vazhdoj të paktën edhe një vit, pasi së fundmi ai përfitoi një kontratë njëvjeçare në vlerë prej 7 mijë e 200 eurove.


Një tender i cili u hap në tetor të vitit 2021 me procedurë të hapur për pozitën ekspert – bashkëpunëtor për prokurim publik, u dha për ish-shefin Foniqi. Kontrata e cila ia siguron atij një pagë mujore prej 600 euro në muaj, u nënshkrua nga Ali Gashi, ndërsa kriteri i dhënies së kontratës ishte “tenderi ekonomikisht më i favorshëm”.

Por, tenderi i fituar nga ish-udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit në Klinë, doli të jetë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Sipas këtij ligji, një zyrtar i lartë nuk mund të përfshihet në aktivitete kontraktuale pa kaluar dy vite, pas përfundimit të funksionit publik. Ndërsa, Foniqi vetëm dyzetë e katër ditë pas pensionit ka nënshkruar kontratën me Komunën e Klinës.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik”, thuhet në nenin 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.2 të këtij ligji”, thuhet në Ligj.

Dënimi për korrupsion

Abaz Foniqi, në të kaluarën ka pasur telashe edhe me ligjin, ai ishte dënuar me kusht gjatë vitit 2018 për gjashtë vepra korruptive në lidhje me tenderët. Ish-shefi i zyrës së Prokurimit, e kishte pranuar fajësinë, ndërsa aktgjykimi nuk parashihte që të njëjtit t’i ndalohej angazhimi në punë.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, operatori ekonomik nuk duhet të marrë pjesë në aktivitetet e prokurimit nëse është shpallur fajtorë nga një gjykatë kompetente në dhjetë vitet e fundit për kryerjen e një vepre penale ose civile, duke përfshirë praktikat e korrupsionit. Kështu tenderi që e ka fituar Foniqi nga Komuna e Klinës, bie në kundërshtim edhe me këtë ligj.

Po ashtu, në dosjen e tenderit është parashikuar e njëjta kërkesë për operatorin ekonomik, duke saktësuar se mos përmbushja e këtij kriteri, do të qonte në eliminimin e tyre nga konkurrimi. E kjo, nuk ka gjetur zbatim në tenderin e fituar nga Foniqi, sepse ka vetëm pesë vite që kanë kaluar nga dënimi i tij për korrupsion.

Të njëjtën e ka theksuar edhe Albana Hasani, zyrtare ligjore në Lëvizjen FOL, sipas të cilës, fitimi i tenderit nga ish- shefi i Prokurimit është përcjellë me shkelje të shumta ligjore.

“Fitimi i këtij tenderi nga Foniqi pretendohet të jetë i kundërligjshëm. Ekzistimi i rrethanave juridike ku i lartpërmenduri ka pranuar se ka qenë i dënuar për vepër penale të korrupsionit, si dhe i njëjti nuk e ka respektuar afatin kohor prej 2 viteve nga përfundimi i funksionit, që kërkohet për të aplikuar për këtë tender – përbëjnë bazë të qëndrueshme juridike për të konstatuar se e gjithë procedura e tenderimit është zhvilluar në kundërshtim të plotë me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik dhe të Ligjit për Prokurimin Publik”, ka thënë Hasani.

Por, të gjitha shkeljet ligjore, ish-shefi i Prokurimit i ka mohur. Ai thotë se duhen pyetur zyrtarët komunal se pse ai është shpallur fitues i tenderit me një kontratë njëvjeçare.

“Nuk është shkelje, sepse unë nuk kam marrë projekt për ndërtim, por kam marrë për t’i trajnuar stafin që është tani në zyrë”, ka thënë Foniqi.

“Për atë duhet të flasësh me komunën, që e kanë filluar procedurën sepse është dhënë procedurë e prokurimit për t’u angazhuar dikush. Fol me zyrtarët e prokurimit të Klinës. Unë jam i angazhuar për ta mbikëqyrur dhe për ta trajnuar stafin e ri që e kanë marrë tani pa përvojë, edhe kështu është”, vlerëson ai.

Tutje, ish-shefi i Prokurimit mohon të jetë favorizuar, ani se, ai u shpërblye me kontratë njëvjeçare nga institucioni ku punoi për më shumë se 20 vjet.

“Nuk ka favorizim aty do të thotë, favorizim është kualifikimi, përvoja dhe asgjë tjetër”, thotë Foniqi.

Kontratën njëvjeçare në shumën prej 7 mijë e 200 euro për Abaz Foniqin e ka nënshkruar Ali Gashi. Ai ka qenë i autorizuar për rreth gjashtë muaj të kryejë detyrat e udhëheqjes së prokurimit nga data 29 shtator 2021, përkatësisht dy ditë pas pensionimit të Abaz Foniqit, deri më 29 mars të këtij viti. Gashi, nuk ka pranuar ta sqaroj rastin se pse Foniqi, ish-udhëheqësi i Prokurimit doli të jetë fitues i tenderit.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, fillimisht ka thënë që nuk ka shumë informacion për rastin. Por, pas insistimit, ai tha se është njoftuar së fundmi për kontratën dhe ka marrë masa.

“Nuk është temë që mundem me dhanë përgjigje tash sepse unë tani po dëgjoj për këtë punë. Pra, merr përgjigje në linjë zyrtare”, deklaroi fillimisht Elezaj.

“Jam njoftuar para dy jave, përmes linjave të caktuara dhe kam marrë masa për këtë çështje”, vazhdoi tutje ai, duke mos dhënë detaje se çfarë masa janë ndërmarrë në lidhje me tenderin që përfitues u zgjedh ish-shefi i Prokurimit, në ekzekutivin lokal të Klinës.

Por, të dhënat e siguruara përmes kërkesës për qasje në dokumente publike tregojnë që Komuna e Klinës, për këtë rast ka kërkuar sqarim ligjor dhe juridik në Zyrën Ligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike më datë 1 qershor 2022, shtatë muaj pasi që është dhënë kontrata nga ekzekutivi lokal.

Në sqarimin ligjor që është kërkuar nga drejtori i Administratës në Komunën e Klinës, Binak Sylaj, thuhet që kanë paqartësi nëse ish-zyrtarit të prokurimit i lejohet angazhimi pas pensionimit për kryerjen e shërbimeve që janë të parapara në kontratë.

Komuna e Klinës, kishte obligim ligjor të informonte jo më vonë se 30 ditë Agjencinë kundër Korrupsion, për mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit për këtë rast, bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Paragrafi 3, i nenit 18 të këtij ligji parasheh që “Institucioni në të cilin zyrtari i lartë ka ushtruar funksion publik duhet, sa më parë por jo më vonë se tridhjetë (30) ditë, të informojë Agjencinë për ndonjë nga rrethanat e përmendura në paragrafin 1. të këtij neni”.

Në anën tjetër, Agjencia kundër Korrupsion, institucion përgjegjës për interpretimin e Ligjit për Konfliktin e Interesit, tashmë ka filluar ta trajtoj rastin e ish-udhëheqësit të Prokurimit Publik në Komunën e Klinës, Abaz Foniqi, duke bërë të ditur që së shpejti do të dalin me një vendim.

Për këtë çështje kishte reaguar edhe organizata joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO), duke e vlerësuar si të kundërligjshëm shpërblimin me kontratë për ish-udhëheqësin e Prokurimit të kësaj komune. Në reagimin publik të INPO-s, kërkohet që ekzekutivi i komunës së Klinës dhe Agjencia Kundër Korrupsion të ndërmarrin masa ndaj përgjegjësve të cilët kanë lejuar një shkelje të tillë ligjore. /Autore: Shpresa Hasimi/Telegrafi/

(Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autores dhe Lëvizjes Fol. Në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Telegrafit).