LAJMI I FUNDIT:

Në kërkim të shokut tim imagjinar

Në kërkim të shokut tim imagjinar

Nga: Ilaz Hysaj

Qelia numër një në burgun e Ferizajt, ishte shumë e vogël. Dera e hekurt hapej nga jashtë dhe në lartësinë e kokës kishte një vrimë të vogël që quhej “shpijunka”. Nga ajo vrimë gardianët herë pas here shikonin çfarë po bënim. Edhe pse nuk kishim çfarë të bënim në tre metra katrorë. Sipër derës ishte një grillë nga ku futej pak dritë nga korridori i burgut. Majtas ishte një shtrat dykatësh prej metali dhe anash ngelej një hapësirë e vogël sa për të ecur pa e prekur murin.


Aty qëndrova tre muaj. Muajin e parë qëndrova i vetëm, kurse në muajin e dytë me Nexhatin, një djalosh i ri, futbollist dhe valltar i “Kastriotëve”, akuzuar për demonstratat e prillit në Ferizaj. Në muajin e tretë prapë u gjenda vetëm për njëzet ditë, kurse nga fundi e sollën në qelinë time Ganiun, vendasin dhe mikun tonë të familjes. Nuk u besova syve kur e pashë, dhe posa u mbyll dera i bëra me shenjë të ketë kujdes dhe i drejtova gishtin drejt llambës elektrike në tavan që ta kuptojë sa aty ishte një mikrofon survejimi. Ditëve sa ai qëndroi në qelinë numër një, bënim vetëm llafe aventurash dashurie me vajzat nga gjimnazi, kujtime nga grupi dramatik për shfaqjen “Ngjarja në Vishi” me të cilën Teatri amator i Ferizajt pati zënë vendin e parë në festivalin e teatrove të Kosovës me çka ishim kualifikuar në garat federative të teatrove amatore në Trebinje. Flisnim për vajzat e bukura dhe të gjata boshnjake, takimet me trupat tjera nga gjithë Jugosllavia dhe gëzimi kur shfaqja nga Ferizaj, regjinë e së cilës e kishte bërë vëllai im Fadili, mori çmimin më të lartë, “Maskën e artë”. Por, asnjë fjalë nuk flisnim për demonstrata apo veprimtari ilegale.

Ishte viti 1981. Dita në qeli ishte e gjatë. Dera hapej dy herë për të marrë ushqimin dhe një herë për shëtitjen ditore 20-minutëshe si dhe zbrazjen e qypit me urinë që mbushej gjatë njëzete e katër orëve. Çdo hapje tjetër dere jashtë këtij orari, ishte e frikshme, sepse ajo përmes një korridori tjetër përfundonte në zyrat e sigurimit ku të priste inspektori dhe pyetjet e llojllojshme, presionet që të pranosh atë që e ke bërë dhe atë që nuk e ke bërë, e që shpesh përfundonin me dajak e fyerje. Gardianët e burgut ishin të gjithë shqiptarë, pos një serbi që quhej Toma. Ata ishin mjaft të sjellshëm dhe të kujdesshëm njëkohësisht. Kur na merrnin nga zyra e hetimit dhe na çonin korridorit deri te qelia, nuk flisnin, por në sytë e tyre vërehej dhimbja dhe debulesa që kishin ndaj të burgosurve politikë. Njëri nga ta, para se ta mbyllte derën më tha se e ka një vajzë dhe ka shumë dëshirë që të regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë. Më pyeti a është i vështirë provimi pranues. I thash jo, asgjë nuk është e vështirë kur duam diçka.

Me kalimin e kohës u mësova ta ndajë ditën në disa fragmente. Nga zgjimi e deri te shëtitja e rregullt në oborrin e burgut, fillova të bëjë ecje të shpejta. Gjatësinë prej 2.5 metrash të qelisë e përshkoja me katër hapa dhe katër tjerë për t’u kthyer. Dhe, kështu numëroja shkuarje-ardhjet marramendëse që rriteshin çdo ditë e më shumë, e që kur i mblidhja më dilnin rreth dy apo tre kilometra. Mandej vinte shëtitja e rregullt dhe pas një ore dreka. Pas drekës shtrihesha në shtrat me kujdesin më të madh dhe sapo dëgjoja zhurmën e hapave ngrihesha shpejt dhe rrija ulur, sepse nuk kishim të drejtë të flinim gjatë ditës. Nuk kishte libra në vetmi, as laps, as fletore. Koha deri në darkë ishte e gjatë për mua. Nga korridori që kishte edhe katër dhoma tjera, përcillja zhurmën e hapjes së dyerve tjera që dilnin në shëtitje dhe domosdoshmërisht kalonin para derës së qelisë sime numër një. Nga hapat që ndjeja mundohesha të qëlloja se sa të burgosur kishte secila dhomë, kurse nga pesha dhe shpejtësia e hapave mundohesha të përcaktoja moshën, peshën dhe morfotipin e secilit të burgosur. Pasdarka më kalonte më shpejtë, sepse shtrihesha në shtrat dhe lëshoja imagjinatën deri në kozmos dhe nganjëherë bisedoja edhe me jashtëtokësorë dhe ua kërkoja nganjëherë fuçinë e tyre për të rregulluar çmenduritë njerëzore mbi tokë.

Nën krevatin e poshtëm ishte një lojë e vjetër shahu me katrorë gati të fshirë nga koha. Nga java e dytë fillova të shtrijë figurat në katrorët bardhe e zi të fushës së kësaj loje magjike, që e kisha merak qysh si fëmijë. Fillova të luaj me kundërshtarin tim imagjinar. Luaja një “potez” për vete dhe një për të. Dhe, deri nga mesi i lojës luaja mirë, aq sa dija, si për vete ashtu edhe për të. Por, ma vonë kur loja i ofrohej epilogut, filloja të bëja hile. Luaja më mirë për vete e bëja gabime të qëllimshme për kundërshtarin. Vetëm e vetëm që lojën ta fitoja unë. Luaja disa parti shahu në ditë dhe gjithmonë fitoja unë. Vetëm një ose dy herë luajta barazim. Dhe, sa herë që shtrihesha për të fjetur e analizoja sjelljen time bizare dhe mundohesha të kuptojë përse kisha nevojë të fitojë gjithmonë ndaj një kundërshtari imagjinar, që nuk bëzante, që nuk më shante apo nuk mi përplaste figurat fytyrës nga mllefi!

Pas dhjetë ditësh ma morën edhe lojën e shahut. Gardiani më tha se duhet t’ia japin një dhome tjetër, me shumë të burgosur, se t’i më tha je i vetëm dhe nuk të nevojitet. U ndjeva shumë keq sepse me lojën e shahut ma morën edhe shokun tim imagjinar që m’i shkurtoi dhe mbushi aq shumë ditët e gjata të burgut në vetmi. Dhe, u ndjeva shumë keq që nuk e lash të fitoi as edhe një parti të vetme shahu. E gjykova shumë veten atë ditë. I thash se je një egoist i keq. I thash se edhe ti qenke njeri, si gjithë të tjerët.

Pas aktgjykimit më dërguan në Burgun e Gjilanit dhe lojën e shahut e vazhdova me shokë realë. Me Naim Ramadanin luanim dhjetëra parti të rrepta shahu në ditë. Dhe, ngacmoheshim me fjalë gjatë lojës. Me Hamdiun gjithashtu.

Loja e shahut më përcolli edhe tetëmbëdhjetë muaj të tjerë në Burgun famëkeq të Leskocit. Me Kadriun, Azemin e Muratin luanim deri nga tridhjetë parti shahu në ditë, saqë kur bija të flejë m’u shtireshin imazhet gjigande të mbretëreshës apo të kalit të zi.

Por, asnjëherë nuk e kam pasur atë ndjesinë e lojës sikur me kundërshtarin tim imagjinar i cili në të vërtetë ishte miku im më i mirë që e humba gjatë ditëve të vetmisë.