LAJMI I FUNDIT:

Në Albanopolis zbulohet varreza romake e shekullit III

Në Albanopolis zbulohet varreza romake e shekullit III

Një grup arkeologësh shqiptarë dhe gjermanë kanë nisur gërmimet e para arkeologjike pas gati 30 vitesh në qytetin antik të Albanopolis në Krujë. Ata janë përqendruar në nekropolin e qytetit ilir, ku është zbuluar një varrezë e shekullit te 3-4 pas erës sonë, brenda të cilës u gjetën objekte të ndryshme.

Katër varre që i përkasin shekullit të III-IV të erës janë zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike që kanë nisur prej 1 prillit në qytetin antik ilir të Albanopolisit, mbi qytetin e Krujës.


Gërmimet janë përqendruar në zonën e nekropolit romak, ndërsa po kryhen nga një grup arkeologësh shqiptarë dhe gjermanë në kuadrin e një nisme të Institutit Shqiptar të Arkeologjisë dhe Universitetit “Gëte” të Frankfurtit.

Në këto varre janë gjetur objekte të ndryshme si ene qeramike, ene qelqi, stoli të ndryshme bronzi e argjendi si dhe disa monedha.

Këto janë gërmimet e para në kalanë e Zgërdheshit pas 30 viteve, dhe grupi i arkeologëve shqiptaro-gjermanë thonë se survejimi ka evidentuar disa zona ku pritet të dalin në dritë gjetje arkeologjike të periudhave të ndryshme.

Kalaja e Albanopolisit është ndërtuar në shekullin VII-VI para erës sonë. Ajo ishte qendra e fisit ilir me emrin Albanët. Për këtë qytet të lashtë ilir, filozofi grek Ptolemeu ka shkruar se qyteti antik i Albanopolis ka qenë kryeqendra e gjithë Ilirisë.

Qyteti pësoi dëmtime e shkatërrime të mëdha gjatë luftës iliro-romake e cila e shkatërroi nga themelet këtë qytet madhështor.

Gërmimet e para në këtë qytet të lashtë filluan në vitin 1871 nga arkeologu i famshëm austriak Hajn dhe vazhduan gjatë Luftës së Parë Botërore nga arkeologu i shquar Plashnik.

Pas çlirimit gërmimet i vazhduan arkeologet shqiptare Hasan Ceka dhe i biri Neritan Ceka. /Ora News/