LAJMI I FUNDIT:

Muzika, kultura dhe liria

Muzika, kultura dhe liria
Ilustrim (Foto: Dave Didio, 1970)

Nga Fatos Tarifa

– Në kujtim të Kastriot Gjinit dhe për shokët e brezit tim –


Për një kohë të gjatë kam vënë re se shijet dhe pëlqimet muzikore që krijojmë në moshë të re mbeten me ne gjatë tërë jetës. Ne u kthehemi e u rikthehemi këngëve të rinisë sonë, vazhdojmë të pëlqejmë të njëjtin stil muzikor si atëherë dhe, pavarësisht se mësohemi e pëlqejmë edhe stile të reja, muzika dhe këngët tona më të pëlqyera mbeten ato të periudhës së rinisë.

Kjo nuk është një dukuri specifike shqiptare, por një dukuri e përbotshme. Elvis, Beatles, Rolling Stones e të tjerë këngëtarë apo grupe të mëdha të viteve 1960 dhe 1970, vazhdojnë të pëlqehen shumë edhe në ditët e sotme, jo vetëm sepse ata ishin vërtet të mëdhenj dhe muzika e tyre – një risi për atë kohë – vërtet shumë e bukur, por edhe sepse brezat e rinj të atyre dekadave dhe ata që në atë kohë ishin adoleshentë vazhdojnë të jenë gjallë e ta dëgjojnë atë muzikë edhe sot.

Muzika me të cilën rritemi dhe personi që bëhemi

Çdo brez i ri ka një stil dominues në muzikën e kohës së vet dhe disa këngë të veçanta hit që e dallojnë atë nga brezi paraardhës, ose nga brezat që vijnë pas. Ky stil dominues (ose stile të ndryshme po aq popullore) dhe këngët më të suksesshme të çdo periudhe lidhen në shumë mënyra me brezin e ri të asaj kohe.

Gjatë shekullit XX, si edhe sot, muzika, më shumë se çdo formë tjetër arti apo veprimtarie kulturore, më shumë edhe se letërsia, ka pasur e vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në radhët e moshave të reja, në mënyrën e jetesës së të rinjve dhe, deri diku, në formimin e personalitetit të tyre.

Studimet në neuroshkencë kanë arritur në përfundimin se dëgjimi i muzikës angazhon pjesë të veçanta të trurit të njeriut duke provokuar një reagim emocional (pozitiv ose negativ) ndaj saj, duke ndikuar në sjelljen emocionale, në ritmin e rrahjeve të zemrës (duke krijuar, sipas rastit, ankth, trishtim, ose kënaqësi), deri edhe në mënyrën e të menduarit.

Ndikimi i muzikës në mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes ka, pra, një bazë fiziologjike. Kjo do të thotë se një lloj i caktuar muzike mund të ndikojë në mënyrën e të menduarit dhe në sjelljen jo thjesht të një individi të vetëm, por edhe të një mase të gjerë njerëzish. Por, kjo do të thotë, gjithashtu, se ky ndikim ndihet jo vetëm në momentin e përjetimit imediat shqisor të muzikës, por edhe ruhet në “memorien” e dëgjuesit e mund të vazhdojë të ruhet në të për një kohë të gjatë.

Kur shumë nga njerëzit e brezit tim në Tiranë, që janë rritur me muzikën e viteve 1960-‘70, dëgjojnë sot këngë të tilla si, “Hit the Road Jack” (Ray Charles), “Yellow Submarine” apo “Lady Madonna” (The Beatles), “(I Can’t Get No) Satisfaction” apo “Gimme Shelter” (Rolling Stones), “Black Dog” (Led Zeppelin), “Superstition” (Stevie Wonder), “Rock Steady” (Aretha Franklin), “Nutbush City Limits” (Tina Turner), “Hot Stuff” (Donna Summer) ose “Stayin’ Alive” (Bee Gees), unë besoj se ata përjetojnë, siç përjetoj edhe unë, emocione po aq të forta sa në kohën kur i kanë dëgjuar për herë të parë – dhe vazhdimisht më pas – këto këngë.

Nostalgjia si një tipar i gjendjes sonë humane

Nostalgjia për atë kohë (dhe për rininë që s’kthehet më) na rrëmben mendërisht dhe emocionalisht në vitet e adoleshencës e të rinisë, edhe pse, në Shqipërinë e varfër komuniste të asaj kohe, kushtet e jetesës, liria dhe mundësitë e informimit mbi botën e të komunikimit me të ishin tejet të kufizuara.

Jam i sigurt se këngë të tilla, si dhe shumë të tjera të kënduara në atë kohë nga këngëtarë dhe grupe të njohur të muzikës rock, rhythm’n’blues dhe pop, edhe nëse pëlqehen nga të rinjtë e sotëm, nuk pëlqehen e nuk përjetohen emocionalisht prej tyre njëlloj siç pëlqehen e përjetohen nga unë dhe nga moshatarët e mi që u rritëm me ato këngë.

Ato ishin muzika dhe këngët e brezit tonë. Ne i donim dhe i duam ato besnikërisht, madje i mbrojmë me xhelozi nga kushdo që sot i konsideron ato këngë dhe atë muzikë si démodé.

“Të mirë janë”, më tha disa ditë më parë një miku im gazetar, ndërsa shihte videoklipin e versionit të këngës “Twist and Shout” kënduar nga Beatles në vitin 1963, “por për mua janë pak të vjetër”.

Fjalët e tij më konfirmuan pikërisht atë çfarë unë po përpiqem të argumentoj. Dikujt që ka lindur në vitin 1969, siç është rasti i mësipërm, pra pikërisht atë vit që bitëllsat u ndanë dhe që, për këtë arsye, u rrit pa ata, është e natyrshme që këngët e tyre t’i duken “pak të vjetra”, ndërkohë që mua dhe brezit tim ato këngë na pëlqejnë njëlloj si në kohën e tyre.

Të rinjtë e sotëm kanë muzikën dhe këngët e brezit të tyre. Dallimi në këtë çështje është kaq evident, sa shumë herë këta dy breza, që i ndan thuajse një gjysmë shekulli, e shohin njëri-tjetrin jo thjesht si të ardhur nga një kohë tjetër, por edhe nga ndonjë planet tjetër.

Muzika si gjendje kulturore e shoqërisë

Muzika e krijuar në një periudhë të dhënë të zhvillimit shoqëror integron në vetvete gjendjen kulturore të shoqërisë si dhe përjetimet emocionale të njerëzve në jetën e tyre të përditshme, sidomos ato të brezit të ri. Muzika ka ndikuar e ndikon shumë veçanërisht në mënyrën se si të rinjtë mendojnë, sillen e vishen në një periudhë kohe të caktuar. Ky ishte një tipar dallues i rëndësishëm sidomos i rinisë së viteve 1960 dhe 1970 në Angli, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada dhe në vendet e Evropës Perëndimore.

Më qartë se kudo kjo u shpreh në mënyrën e jetesës, në stilin e muzikës dhe në mënyrën e veshjes së miliona adoleshentëve dhe të rinjve amerikanë në vitet 1960, që u bënë pjesë e një kundërkulture (counterculture), e cila iu kundërvu vlerave dhe normave politike, morale, kulturore e artistike tradicionale të shoqërisë amerikane të asaj kohe. Në fakt, kundërkultura e viteve 1960 ishte ekuivalenti kulturor i opozitës politike të asaj shoqërie.

Kastriot Gjini si frymë e lirisë

Unë vetë, termin “kundërkulturë” e kam dëgjuar për herë të parë më 1970, kur isha nxënës në vitin e dytë të shkollës së mesme. Dhe kam dëgjuar së pari të flitet për të nga Kastriot Gjini – Oti, siç e njihnin dhe e thërrisnin atë familja, të afërmit dhe shokët e tij më të ngushtë – fenomeni më interesant i muzikës së lehtë shqiptare në atë kohë.

Kastrioti ishte vëllai i madh i Spartakut, shokut tim më të ngushtë, me të cilin ishim në një klasë dhe banonim në të njëjtin pallat, në kryqëzimin e dy prej rrugëve kryesore të Tiranës së Re, që në atë kohë mbanin emrat “Miqësia” dhe “Dëshmorët e 4 shkurtit”.

Kastrioti ishte diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi angleze dhe sapo kishte filluar punë në sektorin e jashtëm të Radio Tiranës. Këto dy rrethana – gjuha angleze dhe vendi i punës – ishin një avantazh i madh për një djalë të ri dhe shumë të talentuar si ai, sepse, në atë kohë, Oti ishte ndër të paktët që kishte kontakte të vazhdueshme me letërsinë dhe me shtypin e botuar në një gjuhë të huaj, të cilën shumë pak njerëz e njihnin.

Oti ishte ndër njerëzit më të lexuar e më të informuar të brezit të vet. Anglishtja, në ato vite një ornament intelektual i rrallë në radhët e rinisë së arsimuar të Tiranës, ishte për të një mjet pune, por edhe një mjet krijimtarie. Për këtë arsye, Oti 21-vjeçar ishte ndër të paktët që dinte se ç’po ndodhte në Perëndim, këtej dhe andej Atlantikut, edhe pse ai vetë asnjëherë nuk i kishte kaluar kufijtë e vendit të vet. Në një mënyrë tragjike – dhe ironike bashkë – të vetmen herë që ai doli nga Shqipëria, nuk mundi të kthehej dot më, sepse jeta e tij u shua në një spital në Romë, pa mbushur ende 30 vjeç. Sot ai do kishte moshën e vëllait tim të madh, Melsit.

Oti dhe Taku ndanin të njëjtën dhomë gjumi në apartamentin e tyre. Në atë dhomë, edhe pse jo shumë shpesh, kam kaluar mbrëmje të paharruara duke dëgjuar këngët që kompozonte dhe luante Oti në fizarmonikë. Ai na fliste për bitëllsat, për muzikën dhe për ndarjen e atij grupi pak kohë më parë, por na fliste edhe për (Rolling) Stones edhe Bob Dylanin.

“Dylan”, na tha Oti në një rast, “shkruan muzikë të një lloji të veçantë; muzika e tij është antimuzikë dhe kultura që ai përfaqëson është antikulturë”. Ai e shihte muzikën e Bob Dylanit si një shprehje të protestës së rinisë amerikane kundër padrejtësive shoqërore dhe kundër Luftës në Vietnam.

Në veshët tanë, si 16-vjeçarë, fjalët e Otit gjëmonin si kambanë. Nuk mund të them se ato fjalë çelën në ato vite një perspektivë të re, përmes së cilës ne të mund të gjykonim e të vlerësonim realitetet e asaj kohe, por jam i sigurt se kanë ndikuar sado pak për të hapur mendjet tona.

Shkëlqimi i kulturës pop në Amerikën e viteve 1950-1960 dhe simbolet e saj

Qysh në mesin e viteve 1950, Elvis Presley, i pari mega-ylli rokënrollit, kishte ndryshuar çdo gjë: muzikën. gjuhën. veshjen. Me Elvisin, të gjitha këto u bënë, si të thuash, afrodisiake dhe seksibicioniste. Ndikimi që pati Elvis në muzikën, në kulturën dhe në stilin e jetesës së rinisë amerikane të viteve 1950 dhe 1960 ka qenë i jashtëzakonshëm. Leonard Bernstein, kompozitori dhe dirigjenti legjendar amerikan, i cili konsiderohet si një ndër gjigandët e shekullit XX, e ka cilësuar Elvis Presleyin si “forcën kulturore më të madhe të shekullit XX”. Elvis shënoi fillimet e një revolucioni të ri kulturor e shoqëror, në atë masë sa Bernstein, me të drejtë ka vënë në dukje se “të gjashtëdhjetat erdhën prej tij”.

Qysh në fillimet e karrierës së tij – në vitin 1954, pikërisht atë vit që unë linda – Elvis pati një ndikim kulturor shumë të madh, sidomos në radhët e rinisë amerikane. Deri atëherë, shumica e muzikantëve amerikanë kishin krijuar kryesisht këngë për të rriturit; Elvis u dha adoleshentëve dhe rinisë amerikane një muzikë dhe këngë të një lloji tjetër, me të cilat ata u rritën.

Në mesin e viteve 1950, Elvisi qe bërë një fenomen kombëtar në kulturën amerikane dhe koncertet e tij filluan të mblidhnin turma të mëdha adoleshentësh e të rinjsh që nuk ishin parë ndonjëherë. Në fakt, Elvis e shndërroi rockun në gjuhën universale të muzikës pop dhe vetë ai u bë një ikonë kulturore e përbotshme, që vazhdon edhe sot të tërheqë miliona njerëz anë e mbanë globit.

Elvisi nuk ishte i vetmi yll i rokënrolit në vitet 1950. Shumë muzikantë dhe këngëtarë të tjerë i dhanë fizionominë e vet asaj periudhe. Thuajse në të njëjtën kohë me Elvisin, Jerry Lee Lewis dhe Buddy Holly zhvilluan një stil të tyre. Këta, si dhe një radhë muzikantësh virtuozë afro-amerikanë – Chuck Burry, Fats Domino, Bo Diddley, Ray Charles, apo Little Richard me hitet e tij të paharrueshëm “Tutti Fruti” apo “Long Tall Sally”, ose Roy Orbison me të famshmen “Ooby Dooby” – kishin sjellë një erë të re në muzikën dhe në kulturën pop të Amerikës, çka do të kishte një ndikim shumë të madh në zhvillimet e një dekade më pas.

Në fundin e viteve 1950, Elvis Presley, i cili, së bashku me Marilyn Monroen mbeten edhe sot e kësaj dite simbolet më emblematike të kulturës pop në Amerikë, kishte paralajmëruar në mënyrën e vet të paimitueshme revolucionin seksual që do të vinte një dekadë më vonë.

Po në vitet 1950, një numër filmash, në të cilët luanin aktore dhe ikona të seksit – Marilyn Monroe, Elizabeth Taylor, Jayne Mansfield, Natalie Wood dhe, më vonë, Raquel Welch (në Amerikë), Brigitte Bardot, Sofia Loren, Anita Ekberg apo Gina Lollobrigida (në Evropë) – i ndihmuan më tej thyerjes së tabuve neoviktoriane mbi imazhin dhe moralin e gruas.

Nga ana tjetër, Marlon Brando, me filmin e tij “The Wild One” (1954), në të cilin ai luan rolin e kreut të një bande motoçiklistësh që lëvizin dhunshëm në një qytet të vogël të Kalifornisë, si dhe James Dean (me Natalie Woodin), me filmin “Rebel Without a Cause” (1955), në rolin e një adoleshenti të shqetësuar në një rrethinë afluente të Kalifornisë, duke portretizuar rebelizmin e një rinie të tjetërsuar dhe sfidante ndaj vlerave të shoqërisë së tyre, ishin bërë ndërkohë jo thjesht yje të kinemasë, por heronjtë e brezit të ri amerikan.

Po në atë kohë, një kulturë e re, e njohur si kultura “Beat”, letërsia dhe një mënyrë e re jetese kishin arritur të ndikonin në shtresat e gjera të rinisë së arsimuar amerikane, duke i shtyrë ato të bëheshin pjesë e asaj antikulture që lindi në San Francisko, por që do të përhapej kudo në Amerikë, veçanërisht në vitet 1960.

Rendja e të rinjve pas muzikës rock u bë një mënyrë e preferuar e tyre për të sfiduar autoritetin e prindërve dhe të të rriturve. Në një farë mënyre, “rock‘n’rolli” u mundësoi të rinjve të çliroheshin nga ajo botë pritshmërish që të tjerët kishin për ta, i lidhi ata me ndjenjat dhe emocionet e tyre dhe i afroi me njëri-tjetrin, ngado që ishin.

Pa kaluar shumë kohë, rocku e lidhi rininë amerikane edhe me rininë e vendeve të tjera të globit, duke u bërë shprehëse e ideve, e vlerave dhe e emocioneve të brezit të ri të asaj kohe, duke i dhënë atij brezi një sens identiteti, si një grup shoqëror më vete.

Rock‘n’Rolli u bë më shumë sesa thjesht një formë argëtimi masiv për të rinjtë; për ta, kjo muzikë ishte çlirim, vitalitet, seksualitet dhe pavarësi. Si e tillë, ajo e thelloi edhe më tej hendekun mes brezit të ri dhe brezit të prindëve. Ndikimi i muzikës rock në rininë amerikane të asaj kohe ka qenë kaq i madh, sa qarqet konservatore ekstremiste do ta quanin rockun një “shpikje të komunistëve për të shkatërruar Amerikën”.

The Beatles, idioma e muzikës së tyre

Pikërisht në këtë kohë, në Amerikë mbërritën ata. The Beatles. Ky grup, historia e të cilit mbetet edhe sot legjenda më e famshme e muzikës rock, u krijua në vitin 1960 dhe shumë shpejt u bë i famshëm kudo në botë. Në shkurt të vitit 1964, John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr mbërritën në Nju-Jork për t’u ngjitur në skenën muzikore e kulturore të Amerikës duke e ndryshuar radikalisht atë.

Mbërritja e tyre në Shtetet e Bashkuara shënon atë që shpesh quhet “invazioni britanik” i Amerikës, pasi këta katër djem të rinj nga Liverpuli u pasuan nga një numër i madh grupesh të muzikës rock nga Britania e Madhe, si Rolling Stones, Led Zeppelin, Deep Purple, Pink Floyd, The Who, The Animals, The Moddy Blues e shumë të tjerë, të cilët, gjithashtu, u bënë pjesë e skenës muzikore e kulturore amerikane.

Në fakt, ishte muzika bitëllsave, idioma e së cilës ishte “Liri, dashuri dhe kënaqësi”, ajo që ndryshoi shumëçka. Bitëllsat, sigurisht, nuk ishin e s’mund të ishin një fenomen i izoluar. Një fenomen i jashtëzakonshëm po, por jo i izoluar. Bitëllsat patën një model të madh, nga i cili mësuan. Ky ishte Elvis Presley. “Kur ishim fëmijë dhe rriteshim në Liverpul”, ka pohuar më vonë Paul McCartney, “e vetmja gjë që donim ishte të bëheshim si Elvis Presley”.

Po, cili ishte mesazhi që sollën bitëllsat në kontekstin e asaj kohe? Mesazhi kryesor i tyre ishte “Jeto tani, momentin”. Ata u bënë një forcë kulturore, figura ikonë të kundërkulturës dhe përfaqësuesit më simbolikë të asaj dekade. “Nëse doni të mësoni se ç’ishin vitet 1960”, ka thënë kompozitori i famshëm amerikan Aaron Copland, “luani muzikën e bitëllsave”.

Me rebelizmin e tyre, The Beatles jo vetëm e ndryshuan peizazhin kulturor të Amerikës, por edhe e trullosën rininë amerikane më shumë sesa kushdo nga idhujt e mëparshëm të saj. Anarkisti rebel Abbie Hoffman, në librin e tij Revolution for the Hell of It, botuar më 1968, për të cilin, në atë kohë, u dënua me pesë vite burg, shkruante: “Lërini bitëllsat t’ju mbyllin gojën dhe t’ju hapin mendjen!”.

Janë bërë proverbiale fjalët “Ne jemi më të famshëm se Krishti”, me të cilat John Lennon e sfidoi në atë kohë të djathtën e krishterë në Amerikë, duke provokuar një reagim shumë të ashpër në radhët e qarqeve fetare dhe atyre më konservatore të asaj që njihet si “Brezi i Biblës” (Bible Belt) dhe ndalimin e koncerteve të tyre në stadiume dhe në mjedise të hapur kudo në Shtetet e Bashkuara.

Bitëllsat sollën një ndryshim të tillë në histori, që ndikoi në mënyrën se si ne i shohim gjërat sot. Me daljen e tyre në skenë në një prej periudhave më të trazuara në historinë e Amerikës, muzika e tyre jo vetëm reflektoi atë epokë, por edhe e tejkaloi atë, aq sa, edhe sot, ata mbeten të freskët për çdo brez pasardhës që e zbulon muzikën e tyre.

Ndërkohë, Bob Dylan, Mick dhe Rolling Stones, Jim Morrison, Jimi Hendrix, Paul Simon, Janis Joplin etj., sollën në muzikën dhe në kulturën amerikane ankthin dhe shqetësimet e brezit të ri të Amerikës, që përkundrejt padrejtësive të kohës kërkonte një të ardhme më të mirë.

Nga ana tjetër, ndërsa amerikanët dërguan të parët njerëz në Hënë, në korrikun e vitit 1969, mijëra të rinj amerikanë vriteshin çdo ditë në një luftë të padrejtë dhe shumë të kritikuar në Vietnam, ndërsa të tjerë protestonin me parullën “Cuba Si, Yankee No” dhe kishin Che Guevara-n heroin e tyre.

Kundërkultura e viteve 1960

Vitet 1960 nuk mund të kuptohen pa lëvizjen e hipive (hippies), e cila, pasi lindi në rrugët Heit-Eshbërit [Haight=Ashbury] të San Franciskos, u zgjerua dhe u përhap si një kundërkulturë në mbarë Amerikën, në Kanada dhe në shumë vende të botës. Ethosi i asaj lëvizjeje u bënë të jetuarit në komunitet dhe në harmoni me natyrën, dashuria e lirë, eksperimentimi artistik, veçanërisht në muzikë, dhe përdorimi gjerësisht i substancave narkotike.

Pantallonat “bell-bottoms”, që vinin duke u zgjerua nga gjuri e poshtë dhe që ne, në atë kohë, në Tiranë i quanim “pantallona kauboj” (ndoshta për shkak të origjinës së tyre të hershme dhe nga që i kishim parë ato në filmat uesternë me kaubojt e asaj kohe), këmishët e ngushta shumëngjyrëshe e me jaka të gjata dhe bluzat [T-shirt] të rrudhura (tie-dye shirts), pantallonat xhins të dala boje dhe sandalet – këto u bënë veshjet e legjioneve të hipive dhe të rinisë amerikane në vitet 1960.

Të veshur në këtë mënyrë para mijëra e dhjetëra mijëra të rinjve, këngëtarë të famshëm të muzikës psikodelike si Jimi Hendrix apo Jim Morrison, ose të muzikës blues-rock, si Janis Joplin e të tjerë, e popullarizuan këtë mënyrë veshjeje duke e bërë atë simbolin më jetëgjatë të antikulturës së viteve 1960. Si e tillë, kjo mënyrë veshjeje u përhap gjerësisht edhe në Evropën Perëndimore dhe, deri diku, edhe në vendet socialiste të Evropës Lindore, përfshirë – në një masë shumë më modeste dhe për një periudhë shumë të shkurtër – edhe Shqipërinë.

Të gjashtëdhjetat [The Sixties] konsiderohen zakonisht si një periudhë në të cilën jeta e rinisë amerikane konsistonte kryesisht në tri gjëra: seks, drogë dhe rokënroll. Këto kultivuan në mendjet e të rinjve utopinë e një jete ku do të zgjidheshin të gjitha problemet e tyre. Thirrjet për një hedonizëm narcisist dhe për kënaqësi seksuale të çdo lloji, si rruga drejt çlirimit dhe, rrjedhimisht, si një detyrë politike ndaj vetes dhe ndaj shoqërisë, ishin një narrativë joshëse e fuqishme për brezin e ri, të lindur pas Luftës së Dytë Botërore [boom generation], i cili, në vitet 1960 po rritej i mësuar me kulturën konsumeriste.

Në atmosferën që u krijua në fundin e viteve 1960, shprehja “If it feels good, do it”, u bë një slogan gjerësisht i përhapur në radhët e rinisë. Marihuana, që deri në atë kohë ishte përdorur fshehurazi, kryesisht nga muzikantët e xhazit dhe huliganët, tashmë filloi të përdorej kudo dhe gjerësisht nga të rinjtë. Përdorimi i saj u bë “sinonim i mendjes së hapur dhe i tolerancës” për kulturën e brezit të ri të asaj dekade.

Çfarë ndodhi – ose, më saktë, çfarë nisi të ndodhte në Tiranë – në prag të viteve 1970 dhe në dy vitet e para të asaj dekade nuk mund të kuptohet pa atë transformim demokratik e rrënjësor të shoqërisë amerikane dhe të shoqërive evropiano-perëndimore në vitet 1960.

Them në Tiranë dhe jo në Shqipëri, pasi pjesa më e madhe e vendit, me përjashtim, ndoshta, të Durrësit dhe Shkodrës, ku të rinjtë mund të dëgjonin valët e RAI Radio 1, 2 dhe 3 dhe të radiostacioneve të tjerë të huaj dhe disa – fare pak prej tyre – mund të shihnin televizionin italian dhe atë jugosllav, pjesa tjetër e vendit ishte dhe mbeti në një terr të plotë informativ thusje të plotë.

Tirana dhe rinia e saj – avangarde e ndryshimeve kulturore në Shqipëri

Tirana ishte ndryshe. Si kryeqytet, ajo gjithnjë kishte qenë më e ekspozuar ndaj trendëve kulturorë të kohës. Këtu ishte përqendruar inteligjenca krijuese e vendit, shkrimtarët dhe artistët më të mirë. Këtu jetonin profesorati dhe studentët e Universitetit të Tiranës, i vetmi universitet shqiptar në atë kohë, i cili ishte themeluar më 1957 tri vite pasi kisha lindur unë.

Qyteti me popullsinë më të madhe në vend, Tirana, kishte gjithashtu edhe numrin më të madh të nxënësve të shkollave të mesme, të cilët, në mesin e viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970 mësonin në pesë gjimnaze. Tre prej tyre, gjimnazet “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa” dhe “Sami Frashëri” konkurronin në ato vite për ekselencë.

Nxënësit e këtyre gjimnazeve u bënë në atë kohë një shtysë e rëndësishme për ndryshime kulturore në mbarë vendin. Roli i tyre në shoqërinë shqiptare mund të jetë nënvlerësuar, ose anashkaluar nga ata historianë që janë përpjekur të studiojnë Shqipërinë komuniste në vitet 1960 dhe në fillim të viteve 1970, por meriton një vëmendje më të madhe nga të gjithë ne që merremi me studime sociologjike e kulturore.

Në fakt, ajo periudhë e shkurtër liberalizimi në muzikë, në arte, në veshje dhe në mënyrën e jetesës që përjetuam në ndërrimin e atyre dy dekadave nuk do të ishte bërë e mundur pa rininë e shkollave të mesme të Tiranës. Studentët e Universitetit të Tiranës, gjithashtu, por ata, në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, jo vetëm nuk ishin më të shumtë në numër, por edhe nuk përbënin një masë homogjene e kompakte nga pikëpamja e formimit kulturor dhe e vlerave që mbartnin me vete nga krahinat dhe rrethet nga vinin.

Ne, gjimnazistët e Tiranës, përkundrazi, ishim një klasë më vete, një grupmoshë rebele. Ne krijuam një identitet social tonin. Ne jo vetëm gëzonim një mirëqenie ekonomike relativisht – vetëm relativisht – më të mirë sesa moshatarët tanë në qytetet e tjerë – dhe shumë më të mirë sesa moshatarët tanë në qytetet e tjerë dhe, sidomos, në zonat rurale të vendit, ku jetonin rreth dy të tretat e popullsisë – por edhe ishim në ato vite relativisht më të lirë e më të hapur në kërkesat dhe në dëshirat tona. Tutela prindërore, për shumicën prej nesh, ishte, gjithashtu, më e relaksuar. Më të relaksuara e më të lira ishin edhe marrëdhëniet mes djemve e vajzave.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, në atë kohë, ne dinim shumë pak për atë çfarë po ndodhte në Perëndim dhe akoma më pak e kuptonim rëndësinë e tronditjeve të mëdha politike e kulturore që po pësonin shoqëria amerikane dhe shoqëritë më të zhvilluara evropiane të kohës.

Ne nuk i kishim lexuar dhe nuk i njihnim intelektualët më të pëlqyer të rinisë në Perëndim, Wilhem Reich, Herbert Marcuse apo C. Wright Mills.

Ne kishim dëgjuar për demonstratat e mëdha të studentëve të 1968-ës në Berkli dhe në Nju-Jork, në Londër e në Amsterdam, në Berlin e në Romë, në Paris e në Tokio, dhe shumë nga ne i kishin parë ato në televizionin italian.

Por, ne, në atë kohë, ishim shumë të rinj dhe nuk i kuptonim kërkesat e tyre. Për shumicën prej nesh, që gjykimet për politikën i merrnim si të mirëqena nga më të rriturit, nga prindërit tanë në radhë të parë, ajo valë e fuqishme demonstratash studentore provonte teorinë marksiste dhe mësimet e Partisë së Punës se, në kapitalizëm, si kudo ku ka shtypje, ka edhe rezistencë, ka edhe rebelim.

Si adoleshentë, ne na bënin përshtypje jo sloganet e studentëve amerikanë e atyre evropianë dhe thirrjet e tyre kundër Luftës në Vietnam, por veshja e tyre, stili i flokëve, muzika. Këto ishin më pranë nesh. Këto ishin më të ndjeshme e më të pëlqyeshme për ne. Muzika. Veshja. Stili i flokëve. Të tjerat ishin politikë dhe shumica prej nesh ishim një brez apolitik.

Disidentë të rremë dje dhe “demokratë” ruralë uzurpatorë sot

Gjithnjë kam qenë e jam skeptik ndaj atyre njerëzve që, edhe pse kanë vuajtur (një pjesë e madhe padrejtësisht) dënim me burg ose internim në periudhën e diktaturës së proletariatit, pas viteve 1990 pretenduan – dhe vazhdojnë të pretendojnë – se në, vitet 1960 apo 1970 kishin qenë “kundërshtarë ideologjikë” të regjimit komunist – që do të thotë disidentë politikë – dhe ishin dënuar si të tillë. “Disidenca” e tyre, me disa përjashtime, është më shumë një shpikje e periudhës pas vitit 1990.

Vetëm një pjesë e vogël e atyre mijëra njerëzve që vuajtën në burgjet e komunizmit dhe në internim kanë qenë vërtet kundërshtarë të bindur ideologjikë e politikë të regjimit. Edhe nëse një pjesë e madhe ishin dënuar për “agjitacion e propagandë”, si poeti Pano Taçi, kushëriri i parë i nënës sime dhe shumë të tjerë si ai, ata kanë qenë kryesisht viktima të pafajshme të një regjimi autoritarist brutal dhe jo agjitatorë dhe propagandistë aktivë për përmbysjen e tij.

Është një fakt i njohur që, jo vetëm Shqipëria, por as vendet e tjerë komunistë të Ballkanit nuk njohën asgjë të krahasueshme me revolucionin hungarez të vitit 1956 apo me rebelimet e herëpasherëshme në Poloni. Për më tepër, në shtetet komunistë ortodoksë të Ballkanit nuk ka pasur asnjë rezistencë serioze që të mund të kërcënonte sistemin e pushtetit. Këta vende nuk njohën, madje, as një disidencë të hapur, një opozitë të organizuar, ose forma të aktivizmit militant të klasës punëtore, si në Poloni dhe në Hungari.

Në Shqipëri, ashtu si në Jugosllavi, në Rumani dhe në Bullgari, edhe nëse ka pasur përpjekje sporadike nga individë ose grupe të caktuar për t’iu kundërvënë kursit politik ekzistues, ato janë shtypur qysh në embrion. Sa u përket protestave intelektuale, ato, në Shqipëri, si dhe në Rumani e në Bullgari, kanë qenë shumë të dobëta dhe rrallë e kanë kaluar cakun e veprimtarive tepër të kufizuara letrare e artistike.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë prej “demokratëve të orëve të para”, studentë të dhjetorit 1990, që më pas hynë në politikë dhe u munduan ta përdorin këtë “kartë” për të bërë karrierë. Shumicën prej tyre, që deri atëherë, edhe pse ishin të rinj, nuk kishin kënduar kurrë të paktën një këngë italiane ose angleze, nuk i lidhte asgjë me demokracinë, aq më tepër me revoltën e ndërgjegjësuar kundër një regjimi komunist. Sali Berisha ishte – dhe mbetet – epitoma e kësaj kategorie “demokratësh” ruralë uzurpatorë!

Në të dyja rastet mund të përdorej me vend shprehja popullore: “U bë deti kos”. Rrethanat e reja që u krijuan me rënien e sistemit të socializmit shtetëror, që ishin krejt kaotike – një anomie e vërtetë – nxorën në skenë shumë sharlatanë të cilët, për asnjë meritë të tyren, u përpoqën të përfitonin – dhe shumë ia arritën të përfitonin – në kurriz të atyre që kishin guxuar dhe kishin bërë vërtet sakrifica.

Një pjesë e tyre përfituan jo vetëm pozicione të rëndësishme në partitë opozitare që u krijuan dhe në administratën shtetërore, por edhe shumë prona të pronarëve të ligjshëm të tyre. Në këtë mënyrë, sistemi i vjetër i padrejtësive u zëvendësua nga një sistem i ri padrejtësisht.

Adam Michnik e ka shprehur këtë më mirë se kushdo, duke e përshkruar tranzicioni postkomunist në vendet e Evropës Lindore si një periudhë gjatë së cilës “ortodoksitë e komunizmit u zëvendësuan me ortodoksi të një lloji tjetër”, dhe “komunizmi me fytyrë bolshevike u zëvendësua me një antikomunizëm me fytyrë bolshevike” pikërisht nga ata njerëz që, “si dhelpra ndërruan lëkurën sipas rrethanave”.

Muzika italiane në Tiranë dhe Celentano si idhull i rinisë së saj

Në mesin dhe në fundin e viteve 1960, kur në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore kishin nisur të përdoreshin gjerësisht televizorët me ngjyra, në Shqipëri ishin ende një gjë tepër e rrallë televizorët bardhezi. Ata i gjeje kryesisht në familjet e nomenklaturës së lartë komuniste, në disa prej familjeve të diplomatëve apo të drejtuesve të flotës detare tregtare.

E para herë që unë kam parë një emision në televizion ishte në klasën e parë fillore, në janarin e vitit 1962, në shtëpinë e shokut tim të klasës në atë kohë, Roland Bimo. Në familjen e tyre kishin një televizor “Rekord”, me ekran të vogël 13-inch, diçka sa përmasat e dy faqeve të një libri të hapur, të cilin babai i Rolandit e kishte sjellë nga Bashkimi Sovjetik.

Ishte mbrëmja e një dite të shtunë, dhe RAI 1 transmetonte drejtpërsëdrejti natën finale të koncertit muzikor variete “Canzonissima”, më i njohuri në ato vite në televizionin italian pas Festivalit të Sanremos.

Nuk mbaj mend thuajse asgjë nga ai koncert, përveç që atë mbrëmje kam parë për herë të parë në TV, Adriano Celentanon. Emri i tij ishte bërë ndërkohë i njohur në radhët e rinisë së Tiranës dhe ne, fëmijëve të asaj kohe, na tingëllonte ëmbël në veshë jo aq zëri i tij, se sa emri i tij – Çelentano.

Një vit më parë, Adriano ishte bërë i famshëm në Itali me këngën e tij “24 mila baci”, të cilën e kishte kënduar në Festivalin e 11-të të Sanremos. Fjalët e saj – “Con 24 mila baci così frenetico è l’amore / in questo giorno di follia / ogni minuto è tutto mio” – u bënë në atë kohë një refren që këndohej nga të rinjtë gjimnazistë të Tiranës, por këndohen edhe sot e kësaj dite, pas 60 vitesh, po nga ai brez, që sot është në mesin e të shtatëdhjetave, ose po i afrohet të tetëdhjetave, si dhe nga brezat më të rinj.

Kënga italiane që unë vetë mbaj mend se e pëlqeja më shumë kur isha në shkollë tetëvjeçare ishte një këngë ritmike e Caterina Casellit, “Nessuno mi può giudicare”, kënduar në Fetivalin e Sanremos në vitin 1966. Por, mbaj mend edhe dy kërcimtaret e njohura gjermane, motrat Alice dhe Ellen Kessler, të cilat, në fillim të viteve 1960, ishin vendosur në Itali dhe unë i shihja ato në programet e televizionit italian, në familjen e fqinjit tonë, Dhimitër Gjoni, aso kohe një diplomat që sapo ishte kthyer nga shërbimi në ambasadën shqiptare në Romë.

Në atë periudhë të fëmijërisë sonë ne dëgjonim shumë muzikë të lehtë italiane dhe u rritëm me zërat e këngëtarëve të tillë, si Mina, Lucio Dalla, Nicola Di Bari, Gigliola Cinquetti, Milva, Orietta Berti, Ornela Vanoni, Iva Zanichi, Johnny Dorelli, Mino Reitano, Bobby Solo, Albano, Massimo Ranieri, Lucio Battisti, Nada, Rita Pavone e të tjerë. Më vonë, kur isha në gjimnaz, këngëtarët italianë më të preferuar për mua, veç Adrianos, u bënë Little Tony dhe Bobby Solo. Këta të tre kishin sjellë muzikën Rock në Itali dhe unë i pëlqeja mbi të tjerët.

Mali i Dajtit dhe rinia e Tiranës nën efektin e “valëve” të tij

Duke filluar nga viti 1969, televizorët bardhezi filluan të prodhohen (nga montimi i pjesëve të importuara) në Uzinën e Radio-Televizorëve (URT) në Durrës. Aksesi ndaj programeve televizive italiane dhe jugosllave u rrit shumë në fillim të viteve 1970.

Në Tiranë, tarracat e pallateve dhe çatitë e shtëpive u mbushën me antena të kthyera nga Mali i Dajtit. Në fund të viteve 1960, autoritetet e asaj kohe kishin instaluar në Dajt një repetitor të fuqishëm, përmes të cilit, qytetarët e Tiranës dhe banorët e zonave rreth saj merrnin sinjale të fortë e të qartë të kanaleve televizivë italianë dhe atyre jugosllavë.

Në kushtet kur shumë pak familje në Tiranë kishin televizorë, ndërsa banorët e fshatrave nuk e kishin televizorin as në ëndrrat e tyre, nuk është vështirë të kuptohet se, në fakt, ai repetitor në Malin e Dajtit ishte vënë për t’u shërbyer familjeve të Bllokut dhe të nomenklaturës së lartë të regjimit.

Në Durrës, antenat u kthyen nga Perëndimi, në drejtim të Italisë, dhe nga verilindja, në drejtim të Jugosllavisë. Rai 1, Rai 2 dhe Rai 3, si dhe stacionet televizive jugosllave TV Beograd 1 dhe Beograd 2 filluan të shiheshin gjerësisht. Programet tepër modeste të Televizionit Shqiptar (TVSh) në atë kohë, edhe pse duke filluar nga viti 1971 shiheshin në të gjithë territorin e vendit, nuk mund t’i konkurronin dot programet e televizionit italian dhe atij jugosllav, kështu që në Tiranë, në fillim të viteve 1970, njerëzit shihnin më së shumti këta të fundit.

Në atë kohë televizioni u bë hobi kryesor i shqiptarëve, siç kishte qenë për shumicën e amerikanëve, të kanadezëve, anglezëve, gjermanëve, holandezëve, francezëve dhe italianëve në fundin e viteve 1950 dhe në fillim të viteve 1960.

Edhe pse, siç vura në dukje më sipër, në fillim të viteve 1970 në Shqipëri ishin shumë të pakta ato familje që kishin një televizor bardhezi – dhe shumica e tyre ishin në Tiranë – numri i shikuesve të programeve televizive nisi të shtohej nga viti në vit. Ata që s’kishin televizor në familjet e tyre shkonin mbrëmjeve te fqinjët, ose te të afërmit e tyre për të parë një film, një koncert, një ndeshje futbolli, ose një ndeshje boksi. Boksi ishte ndaluar në Shqipëri në vitin 1964 si një sport “çnjerëzor”.

Dy ndër ndeshjet më të bukura që mbaj mend të kem parë në televizor në ato vite kanë qenë finalja e kampionatit botëror të futbollit mes Brazilit dhe Italisë (4:0), që u luajt në Meksiko-Siti, dhe ndeshja mes dy boksierëve (dhe kampionëve) më të mëdhenj të kohës në peshën e rëndë, Muhammad Ali dhe Joe Fraiser, në Nju-Jork, më 8 mars 1971, e cilësuar si “the Fight of the Century”.

RAI si një dritare për të parë “fshatin global”

Vitet 1970-1972 kanë qenë vite të jashtëzakonshëm për kulturën, artin dhe muzikën shqiptare. Për herë të parë pas një kohe të gjatë në këto fusha u eksperimentua – kubizmi në pikturë, hermetizmi në poezi, ritmi në muzikë. Televizioni e kish bërë Shqipërinë, më në fund, një krahinë të vogël të atij komuniteti mbarënjerëzore, që Marshall McCluhan, qysh më 1964, e kishte quajtur Fshati Global, me çka ai kuptonte një botë të ndërlidhur përmes një sistemi nervor elektronik (media, kryesisht televizioni).

Në ato vite, ne as që mund ta imagjinonim dot se, dy breza më pas, të rinjtë e sotëm në moshës që kishim ne atëherë, do të rriteshin me televizorë HD 3D me ekranet e sheshta 50-inçëshe në dhomat e pritjes. Televizorët tanë bardhezi, me ekran 17 ose 19 inçë, të cilët përgjithësisht i mbanim në kuzhinë, ku edhe gatuanin nënat dhe gjyshet tona dhe ku hanim familjarisht, ishin në atë kohë institucione kulturorë dhe, në një kuptim shumë real të fjalës, e vetmja dritare prej nga mund të shihnim botën që rrethonte ishullin tonë të vetizoluar shqiptar.

Çdo gjë në televizor shihej familjarisht dhe diskutohej familjarisht. Prindërit e rreptë shumë herë nuk i lejonin fëmijët dhe të rinjtë të shihnin filma apo programe të caktuar në RAI apo programet jugosllave, pasi përfundonin programet e TVSh-së në orën 22:00. Kur shihnin ndonjë film të huaj dhe në ekran shfaqej papritur një skenë sado pak erotike, prindërit konservatorë e vigjilentë alarmoheshin dhe thoshin: “Çoje te Tirana!”. Dy minuta më vonë, pasi rreziku i “kontaminimit” nga morali “dekadent borgjez” të kish kaluar, të gjithë në familje vijonin të shihnin të njëjtin film.

Ne, të rinjtë e shkollave të mesme dhe studentët që nuk jetonin në konvikte qëndronim deri në orët e vona pas mesnate, pasi prindërit të kishin rënë për gjumë (dhe shumë herë fshehurazi atyre), duke parë filma perëndimorë dhe koncerte të muzikës rock.

Një ndër filmat që u ndoq në mënyrë masive në Tiranë – dhe unë besoj në Durrës e në Shkodër gjithashtu – në një mesnatë në fillim të vitit 1973, ka qenë “Tango e fundit në Paris” i Bernardo Bertoluccit, në të cilin luanin Marlon Brando dhe Maria Schneider. Filmi u pa në Beograd 2, sepse RAI nuk e transmetoi kurrë atë. Ky ishte një film që shumë e konsideruan “skandaloz” dhe, për këtë arsye, u ndalua të shfaqej në Itali dhe në shumë vende të tjerë, ndërkohë që për publikun amerikan filmit iu prenë disa prej skenave seksualisht më grafike. Vetë Bertolucci, regjisori i filmit, u dënua me katër muaj burg nga një gjykatë italiane, e cila urdhëroi gjithashtu shkatërrimin e të gjitha kopjeve të atij filmi.

Në mungesë të gazetave dhe të revistave letrare e kulturore të huaja, televizioni italian dhe ai jugosllav u bënë burimi ynë kryesor për të mësuar çfarë ndodhte në Perëndim, çfarë filmash prodhoheshin e shfaqeshin, çfarë muzike luhej dhe ç’lloj këngësh këndoheshin, cilët ishin këngëtarët dhe grupet më të mirë të muzikës Rock dhe “çdo gjë” tjetër. Kur mëngjeseve takoheshim me shokët tanë në shkollë, temat kryesore të bisedave tona ishin filmat dhe koncertet që kishim parë në TV një natë më parë. “Tango e fundit në Paris” na kishte shokuar të gjithëve. Për të u fol gjatë.

Rini kulturalisht e “intoksikuar”

Pavarësisht se në atë kohë bitëllsat njiheshin jo pak nga ne dhe pëlqeheshin mbi të gjithë, “Bitëllmania” nuk arriti të bëhej një fenomen shqiptar. Sidoqoftë, kur në vjeshtën e vitit 1969 u mësua se Lennon, McCartney, Harrison dhe Starr nuk do të këndonin më bashkë, siç ishim mësuar t’i shihnim e t’i dëgjonim ata në grup për vite me radhë, dhe kur me këngën e tyre “The End” kuptuam se ajo do të ishte vërtet kënga e tyre e fundit si The Beatles, habia jonë ishte po aq e madhe sa edhe dëshpërimi ynë. Më 1969, ne kishim moshën që kishin John, Paul dhe George në kohën kur krijuan grupin më të famshëm në historinë e muzikës rock, të cilët edhe sot mbahen mend si “the Fab Four” (Katërshja fantastike).

Në ato vite, ne nuk ishim në gjendje ta vlerësonim muzikën e bitëllsave Ne thjesht i pëlqenim ata, dhe “e dinim” se ata ishin të mëdhenj, të jashtëzakonshëm. Për ne, të rinjtë adoleshentë të asaj kohe në Tiranë, ata ishin mbi çdo gjë. Ata ishin sinonim i lirisë. Liri e fjalës. Liri e dashurisë. Liri e veshjes. Liri e stilit të flokëve. Liri e revoltës. Liri për të qenë vetvetja. Ne ishim rritur pa këto liri. Për këtë arsye, ndoshta, bitëllsat u bënë “heronjtë” e moshës sonë.

Si çdo këngëtar ose grup tjetër të njohur në atë kohë, ne i kishim parë ata në televizionin italian dhe atë jugosllav. Veshja e tyre, flokët e tyre, gjestet e tyre, lirshmëria e tyre në skenë – të gjitha këto nuk kishin se si të mos na bënin përshtypje e të mos na linin gojëhapur. Dhe, jo vetëm ata. Mick Jagger dhe Rolling Stones, Jim Morrison dhe grupi i tij The Doors, Led Zeppelin etj. ishin intoksikues për sytë, veshët dhe mendjet e moshatarëve të mi në atë kohë.

Ne i shihnim ata në televizion. Vërtet rrallë, por i shihnim. Më shpesh, për shkak të proksimitetit me Italinë fqinjë, shihnim këngëtarët italianë – Gianni Morandi, Toto Cutugno dhe shumë të tjerë që i kam përmendur më sipër – si dhe grupet italianë, si Formula 3, Pooh, Osana, I Nuovi Angeli etj.

Pjesa më e madhe e të rinjve në ato vite, sidoqoftë, e dëgjonin muzikën italiane, atë angleze dhe amerikane në radio. Përveç Radio Luxembourg (RTL në fillim të viteve 1970), një ndër më të njohurat në Evropë në atë kohë, në të cilën dëgjonim muzikë rock pasditeve, një prej programeve më të ndjekur nga rinia e shkollave të mesme të Tiranës në ato vite ka qenë “Hit Parade”.

Ky ishte një version italian i asaj çfarë amerikanët e quajnë “Billboard charts” dhe anglezët “Music charts” – tabulati i popullaritetit javor të këngëve dhe albumeve muzikorë në Itali dhe gjetkë në Evropë e në botë. “Hit Parade” transmetohej në RAI Radio 2 çdo të hënë në orën 13:00 dhe çdo të premte në 12:00, çka do të thotë se, në më të shumtën e rasteve, një pjesë e mirë e nxënësve i braktisnim orët e mësimit në ato ditë dhe shkonim në shtëpitë tona të dëgjonim në radio “Hit Parade”.

Gjimnazistët e “Petro Ninit”

Informacioni i ri muzikor që merrnim nga radiot dhe stacionet e huaja televizive dhe liria më e madhe e shprehjes dhe e sjelljes gjenin një “outlet” në “mbrëmjet e vallëzimit” që organizonim në klasat e shkollave tona thuajse çdo të shtunë. Në atë kohë, të shtunat ishin ditë mësimi – dhe ditë pune për ata që ishin në marrëdhënie pune. E vetmja ditë pushimi e javës ishte e djela.

Ne, nxënësit e “Petro Ninit”, të shtunave mezi prisnim të dilnim nga shkolla dhe, pasi pushonim ca dhe vishnim rrobat më të mira që kishim, ktheheshim në shkollë rreth orës 19:00 për “mbrëmjet” tona. Drejtoria e shkollës nuk bëhej pengesë, por kërkonte rregull dhe sjellje të mira nga ne.

Mbrëmjet ishin ndër argëtimet tona më të bukura në atë kohë. Në to, larg syve të prindërve dhe të mësuesve tanë, ne ishim të lirë. Thuajse vetvetja. Si djemtë dhe vajzat. Në gjimnazin “Petro Nini” në këto mbrëmje vinin disa nga instrumentistët më të mirë të Tiranës, që ne i quanim me emrin kolektiv “kompleks” – jo bend. Muzika që ata luanin ishte në pjesën më të madhe rock‘n’roll dhe rhythm’n’blues”. The Beatles. The Rolling Stones. Led Zeppelin. The Doors. Deep Purple. James Brown. Stevie Wonder. Por, edhe Tom Jones.

Kjo ishte koha kur në Tiranë filluan të krijoheshin grupet e parë muzikorë. I pari grup që u krijua ishte pikërisht në gjimnazin “Petro Nini”, nga katër maturantë të shkollës sonë dhe u quajt “Matura 72”. Atë vit unë isha në vitin e tretë të atij gjimnazi.

Kushdo që e ka parë filmin amerikan “Grease”, me aktorin e njohur John Travolta (i një moshe me autorin e këtyre radhëve), nuk duhet të mendojë se mbrëmjet tona të gjimnazit u afroheshin sado pak skenave të atij filmi.

Sigurisht, nuk bëhej fjalë aspak për “seksin, drogën dhe rokënrolin”. Një skenar i tillë, në një shtet policor si Shqipëria, ishte krejt i paimagjinueshëm në atë kohë. Por, në një situatë relaksimi e tolerance kulturore të ndjeshme, siç ishin vitet 1970-‘72, ne, të rinjtë e asaj kohe, gjenim hapësirë për të dëfryer, për të qenë të lirë, relativisht të lirë e të pavarur, për të dëshmuar vitalitetin tonë, për të marrë kënaqësitë e moshës dhe për të stimuluar libidon tonë.

Aksionet dhe zboret si komponentë të mundimshëm të lirisë

Shpeshherë kujtojmë me shokët e gjimnazit dhe të tjerë që janë të një moshe me ne periudhat e aksioneve dhe të zborëve ushtarakë gjatë dy viteve të fundit të shkollës së mesme (e më tej në vitet e studimeve universitare). Si zbori, edhe aksioni, që konsiderohej se ishin dy prej komponentëve të trekëndëshit revolucionar të shkollës sonë (krahas mësimit teorik), zgjasnin nga një muaj; njëri kryhej në muajin e parë të vitit akademik, në shtator, tjetri muajin e fundit, në qershor.

Për djem dhe vajza të moshës sonë, 17-18-vjeçarë, lindur e rritur në kushtet e kryeqytetit dhe nën kujdesin e prindërve tanë, si aksionet dhe zboret ishin të vështirë nga pikëpamja e lodhjes fizike dhe e dietës së varfër ushqimore që merrnim, ndaj edhe disa prej nesh përpiqeshin t’u bënin bisht duke siguruar raporte mjekësore.

Por, ato periudha, veç lodhjes dhe privimeve, kishin romantikën e vet. Ato ishin, në fakt, të vetmet mundësi (dy muaj në vit), përveç pushimeve tona në kampet e rinisë, kur ne mund të ishim larg familjeve tona, larg tutelës, këshillave dhe kontrollit të prindërve tanë, larg syve e veshëve të banorëve të pallatit apo të lagjes.

Koha pas pune në aksion dhe pas stërvitjes ushtarake në zbor ishte e tëra e jona. Ajo ishte kohë e lirë në kuptimin e plotë të fjalës. Në kohën e lirë ne ishim me askënd tjetër veç me unin tonë dhe me njëri-tjetrin. Bisedonim së bashku. Të lirë. Argëtoheshim së bashku. Të lirë.

Këndonim në grup “Yellow Submarine” dhe “Let It Be”, që sapo kishin dalë në atë kohë; këndonim “(I Can’t Get No) Satisfaction”, që ishte bërë prej disa vitesh një hit në mbarë botën dhe një këngë shumë e dashur për ne; këndonim “In the Summertime” nga Mungo Jerry, një këngë edhe kjo e re në atë kohë dhe mjaft e pëlqyer nga të rinjtë, “Mamy Blue” nga Pop Tops, një këngë, e cila, po në atë kohë, u bë një hit ndërkombëtar dhe shumë këngë të tjera, tekstet e të cilave, të plotë ose gjysma-gjysma, i mësonim nga radioja dhe nga njëri-tjetrit. Ne i dinim dhe i këndonim këto këngë lirshëm. Pa frikë. Çdo ditë. Dhe çdo mbrëmje kërcenim me muzikën e tyre që transmetohej në atë kohë, thuajse jashtë çdo censure, në Radio Tirana.

Zbori i fundit që mbaj mend nga periudha e gjimnazit ishte ai i maturës, në shtator të vitit 1972. Ministria e Arsimit e asaj kohe kishte caktuar për maturantët dhe nxënësit e vitit të tretë të gjimnazit “Petro Nini” vendin më ideal të imagjinueshëm për të bërë zborin – pyllin e Pishave të Buta në Golem, jo më shumë se 200 metra larg bregut të Adriatikut.

Djali i ministrit të Arsimit në atë kohë, Thoma Deliana, ishte maturant në të njëjtin gjimnaz si unë. Po atë vit, në radhët e studentëve maturantë dhe atyre të vitit të tretë të gjimnazit tonë ishin edhe fëmijët e disa prej anëtarëve dhe kandidatëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së – Mehmet Shehut, Ramiz Alisë, Kadri Hazbiut, Haki Toskës, Xhaferr Spahiut dhe të disa prej anëtarëve të nomenkaturës së lartë komuniste. Prania e tyre në mesin tonë ishte në atë kohë një avantazh i madh për të gjithë ne, nxënësit e “Petro Ninit”, shkollës “së privilegjuar” të Tiranës, në të cilën mësonin fëmijët “Bllokut”.

Nuk ishte një rastësi, pra, që zborin e fundit në gjimnaz e bëmë pikërisht në një plazh të tillë “ekzotik”, si Pishat e Buta. Por, atë zbor unë e mbaj mend jo aq për plazhin dhe ditët e bukura me diell, sesa për lirinë dhe muzikën e netëve të gjata me hënë. Pasditet, pas stërvitjeve të lehta me mësuesit tanë, jo me oficerë profesionistë, ishin plazh, lexim dhe për ne, djemtë, futboll. Vajzat ishin tifozet tona.

Mbrëmjeve, nga altoparlantët e varur degëve të pishave, gjëmonte muzika më e bukur perëndimore e kohës, që transmetohej në Radio Tirana – The Beatles. The Rolling Stones. Led Zeppelin. The Doors. Deep Purple. Ray Charles. James Brown. Stevie Wonder. Dhe, ne kërcenim me muzikën e tyre. Krejtësisht të lirë. Të lirë si askund tjetër në Shqipërinë e asaj kohe. Deri vonë pas mesnate.

Kjo ndodhte në shtatorin e vitit 1972. Tre muaj më vonë, në dhjetor të atij viti, me Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion, gjithçka mori fund.

Ishte një fund i shpejtë dhe erdhi në një mënyrë të tillë që ne, të mësuar në atë kohë me lirinë që na ishte lejuar, nuk kishim mundur ta parashikonim dot. Askush nga ne. Madje, as ata që e organizuan atë festival.

Pas kësaj, për më shumë se një dekadë, Shqipëria u mbyll në guacën e saj, thuajse tërësisht e vetizoluar nga Perëndimi, ndërsa rinia e vendit u vu në kushtet e një disipline dhe kontrolli të rreptë.

Vitet e shkollës së mesme në Tiranë nuk do të mbaheshin mend njëlloj nga brezi i moshatarëve të mi pa lirinë që – fatmirësisht – shijuam në atë periudhë të shkurtër liberalizimi.

Xhinset e kaltra [Bue jeans] – symbol i lirisë së kërkuar dhe i toleranës jetëshkurtër

Muzika nuk ishte i vetmi aspekt i jetës kulturore në Tiranën e fundit të viteve 1960 dhe të fillimit të viteve 1970 ku u ndie një frymë liberale e theksuar. Veshja e të rinjve dhe stili i flokëve pësuan, gjithashtu, një ndryshim shumë të madh. Këto u bënë perëndimore po aq sa edhe muzika që dëgjohej dhe luhej në Tiranën e asaj kohe. Televizioni e kishte bërë tashmë shumë të lehtë imitimin e çdo gjëje që të rinjtë shihnin se ndodhte përtej Adriatikut dhe përtej Atlantikut.

Sigurisht, mënyra boheme e jetesës, fustanet e llojit hipi dhe veshja psikodelike nuk u bënë asnjëherë pjesë e kulturës së rinisë shqiptare në atë kohë, por pantallonat “kaubojë” e me shtrat të shkurtër dhe këmishët e ngushta [slim fit], u bënë, për një periudhë të shkurtër kohe, moda e një pjese të studentëve universitarë dhe pothuajse e të gjithë rinisë së shkollave të mesme të Tiranës.

Për herë të parë të rinjtë shqiptarë filluan të vishnin në atë kohë pantallonat xhins edhe pse ato kishin një shekull që prodhoheshin e përdoreshin në Amerikë. Të popullarizuara veçanërisht nga Marlon Brando dhe James Dean në disa prej filmave të tyre të viteve 1950, pantallonat xhins u bënë simboli i rebelimit të rinisë amerikane në atë kohë dhe në vitet 1960. Duke filluar nga vitet 1970, ato u bënë një ndër veshjet më të zakonshme në kulturën perëndimore.

Pikërisht në fillim të viteve 1970, kjo lloj veshjeje hyri edhe në Tiranë e në Durrës, edhe pse pak njerëz i kishin mundësitë ta siguronin atë. Pantallonat e tilla dhe gjithçka tjetër që nuk gjendej në tregun e vendit – këpucët dhe çizmet për vajzat dhe gratë, këmishët dhe xhaketat e modës së fundit – i sillnin nga jashtë kryesisht marinarët e flotës sonë tregtare, një pjesë e punonjësve të ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme dhe familjet e diplomatëve. Për shkak se ato ishin mallra importi, kërkesa për to dhe çmimi i tyre ishin të larta.

Shumica prej nesh në atë kohë, që nuk kishim mundësi t’i siguronim ato nga jashtë shtetit, i qepnim pantallonat dhe këmishët tona në rrobaqepës privatë. Kushdo që njihte një rrobaqepës që pas orëve të punës në shërbimin komunal punonte privatisht në shtëpi, ua jepte emrin dhe adresën e tij të tjerëve. Rrobaqepësia private u bë një biznes fitimprurës, por edhe i rrezikshëm, për shkak se ata rrobaqepës që e ushtronin profesionin e tyre privatisht në shtëpi ishin të trembur e të rrezikuar nga aktivistët e Frontit Demokratik dhe, sidomos, nga operativët e lagjes.

Në vitet e gjimnazit, unë dhe Spartaku i qepnim këmishët dhe pantallonat tona te Peçi. Ky ishte një rrobaqepës i mirë, që banonte në një shtëpi njëkatëshe diku në lagjen pas parkut të autobusëve në “Rrugën e Kavajës”. Në atë kohë ishte një lagje periferike e Tiranës. Peçi ishte kushëriri i një shokut tonë të klasës dhe ishte ky që na e rekomandoi atë rrobaqepës.

Ajo që mbaj mend nga vizitat tona të herëpashershme në shtëpinë-rrobaqepësi të atij burri trupvogël e të imët ishin momentet kur unë e Taku trokisnim në derën e shtëpisë së tij dhe ai, para se të na fuste brenda për të na marrë masat, nxirrte kokën (gjithnjë vetëm kokën) jashtë derës, shihte majtas e djathtas për t’u siguruar që nuk na kishte parë njeri dhe mbyllte derën pas nesh. Çdo porosi kryhej në dy-tre ditë. Peçi ishte i lumtur me paratë tona, ne me veshjet që na qepte ai.

Edhe pse as unë as Taku kurrë nuk mbajtëm flokë të gjatë, as nuk qepëm veshje ekstravagante dhe nuk shkuam më tej “normës” së re që u krijua dhe u pranua shoqërisht në ato vite lirie kolektive, ne, si pjesa dërrmuese e brezit tonë, iu përshtatëm në atë periudhë fare mirë mendësisë dhe modës avangardiste së kohës.

Elementë të tjerë të veshjes sonë perëndimore si djem në atë kohë ishin rripi i pantallonave (i gjerë dhe me togëz të madhe), këpucët me taka të larta, shtrati i ulët i pantallonave, këmishët e ngushta, përgjithësisht të dizajnuara me ngjyra ose lule dhe me jakë të gjatë. Për vajzat, në modë ishin veçanërisht minifundet dhe çizmet e gjata deri në gju.

Xhirot e mbrëmjes në Bulevardin e Madh, në të cilat dilte e tërë rinia e kryeqytetit, ishin aso kohe një paradë e vërtetë mode. Në fakt, nëse s’bëhet fjalë për cilësinë e saj, veshja e rinisë së Tiranës në fillim të viteve 1970 nuk dallonte shumë nga veshja e të rinjve italianë që shihnim në televizion në atë kohë.

Fundi i kohës së shkurtër të lirisë në diktaturë

Kjo atmosferë lirie në krijimtarinë letrare e artistike, në muzikë, në veshje e në sjellje vazhdoi derisa gjithçka e bukur dhe e re që kishim filluar të provonim e të pëlqenim në vitet 1970-‘72 u ndalua në vitin 1973 nga regjimi në fuqi. Sidoqoftë, fryma jetësore, ajo që na bëri dhe na mbajti të lirë, siç pothuajse ishim në atë periudhë të rinisë sonë, mbeti me ne. Në mendjet dhe në shpirtrat tanë.

Edhe pse partia dhe shteti i diktaturës së proletariatit u përpoqën të na regjimentonin forcërisht – dhe në një masë të madhe ia arritën – një pjesë e muzikës, e arteve dhe e kulturës e ruajtën te ne, të rinjtë e asaj kohe, dëshirën për liri, jo thjesht si një ëndërr, por edhe si substancën morale më të thellë të shpirtit e të marrëdhënieve tona mes miqsh e shokësh, të cilat, për mua dhe për shumë nga të rinjtë e brezit tim të asaj kohe, mbetën e vazhdojnë të jenë të padeformuara nga shprishja e fabrikës sociale dhe nga meskiniteti që prodhon sot te disa njerëz përparësia e interesave materiale. /Gazeta “Dita”/