LAJMI I FUNDIT:

Mirush Kabashi dhe nderet e tjera të kombit

Mirush Kabashi dhe nderet e tjera të kombit
Frano Kulli

Nga: Frano Kulli

Me Mirush Kabashin, në përvjetorin e 100-të të Konferencës së Paqes, më 2019, në një aktivitet përnderues për Fishtën patëm shkëmbyer këtë bisedë:


– Qysh kur e mban Fishta titullin “Nderi i Kombit” – më pyet Mirushi.

– Nga 2002-shi-i – përgjigjem unë … Mirushi ishte aty e do të recitonte njërën prej poezive të Fishtës, fort të pëlqyer prej tij, “I d’buemi”. Po përpara se të fillonte, iu drejtua pjesëmarrësve në atë veprimtari:

– A e dini se tani së voni i është dhënë titulli “Nderi i Kombit” këtij burri – dhe bëri me dorë nga shtatorja e poetit kombëtar, aty pranë. – Po të njëjtin titull si ky burri mbaj edhe unë. Edhe pse e di veten me njëfarë kontributi në këtë vend … s’di se si ndihem … Nderi i kombit unë e nderi i kombit ky burrë … – e përmbylli parafjalën e tij atëherë Mirush Kabashi.

Më erdhi në kujtesë ky rrëfim i shkurtë i mjeshtrit të madh, në ditën e fundit jetës së tij këtu, atëherë kur po përcillej për në botën e qiellit. Pas veprimtarisë, drekuam së bashku, vetë i treti, me Tonin Çobanin. Edhe aty, në tavolinë te “Diella” në Kune, e rimorëm përsëri në bisedë Fishten:

– Gjergj Fishta ka nga të huajt katër dekorata të larta: “Mearif, kl. II, 1912”, akorduar prej qeverisë osmane, “Ritterkreuz” (1912), prej Austro-Hungarisë, prej Papa Piut XI “Medaglia di Benemerenza” (1925) dhe prej Mbretit të Greqisë, “Phoenix” (1931), të cilat figurojnë në jakën e zhgunit të fratit, në një foto të vitit 1932. Është edhe një tjetër, që pak është e njohur dhe rrallë përmendet … I dinte edhe Mirushi këto, po prapë ai e ngacmonte bisedën.

– Përpos katër dekoratave shumë të larta, ka edhe disa dhurata simbolike për t’u shënuar. Një tufë atdhetarësh të qytetit të Beratit i kushtojnë një pendë të artë, në shenjë nderimi e mirënjohjeje si shkrimtar e atdhetar (viti 1918). Po, ka një dhuratë të shtrenjtë prej Krajl Nikollës së Malit të Zi: një teste (komplet prej 12 copësh) lugë, pirunj e thika të arta, që Fishta e mbante në një vend të dukshëm të dhomës së tij në Kuvendin e Gjuhadolit dhe kishte dëshirë t’ua tregonte miqve, duke shtuar, jo pa ironi, se “këto janë punë krajlash”!

Kurse, më e larta medalje nderuese prej kombit të vet, të cilit i dha emër si pakkush ndër shqiptarë, i akordohet vonë, shumë vonë. Në vitin 2002, pra – rithekson me pezëm Mirushi … Nuk e di a e mbajnë këtë titull, më të lartin titull zyrtar nderimi ata baballarët e vërtetë të kombit, emër për emër ata, që historia jonë i ka shënuar si të tillë. Të gjithëpranuar e të pakontestuar … Ata, që në historitë e kombeve të qytetëruara kanë zënë vend në tempuj …

Atë ditë, unë edhe Tonini mësuam prej tij atë kumtin e trishtë të sëmundjes. Sapo ishte kthyer nga Turqia, i diagnostikuar me të keqen, por jo me shpresa të humbura. Në prillin e sivjetëm ishim prapë së bashku në Namur (Belgjikë), të ftuar të shoqatës “Nënë Tereza”, prej Arjan Bajraktarit, stërnip i Çun Mulës emërmadh të Hotit. Për Fishtën … për “Gjuha shqype” tash, e për të tjera poezi që Mirushi i kishte për zemër. Me mjeshtërinë e rrallë që ai kishte e me pasionin e pashtershëm … deri në frymën e fundit.

Pastë dritë, Mirushi i mirë!

Në trend Kultura

Më shumë
PERËNDITË

PERËNDITË

Poezi
POETI

POETI

Poezi
Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra

Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra "Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia"

Kulture
Romët

Romët

Kulture
ATDHEU

ATDHEU

Poezi
BABAI, BIRI

BABAI, BIRI

Poezi
Kalo në kategori