LAJMI I FUNDIT:

“Miqtë në Lindje”

“Miqtë në Lindje”
Ilustrim

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, u shpreh këto ditë se synon të krijojë ushtrinë, me pjesëmarrjen e njerëzve të pjesës serbe në këtë shtet, si dhe “do të miratohen ligje që shpallin nul, të pavlefshme dhe të pazbatueshme, ligjet e Bosnjë-Hercegovinës”. Me fjalë të tjera: dobësimin më tej të shtetit. Ai që shprehet kështu është anëtar i Presidencës trepalëshe të këtij shteti. Por, ai nuk do t’ia dijë për të dhe Kushtetutën e tij, ku aneksi i katërt i Marrëveshjes së njohur të Dejtonit, që iu dha fund luftës së përgjakshme, shprehet qartë, teksa citon etnitetet: Të detyruara të respektojnë Kushtetutën e nivelit shtetëror. Një kundërvënie, sipas Dodikut, ndaj Perëndimit në rast sulmi, madje, ai do të kërkonte menjëherë për ndihmë “miqtë në Lindje”. Te “Miqtë e Lindjes”, ai kupton Rusinë.

Duket që Bosnjë-Hercegovina rrezikohet të hyjë në një krizë të thellë. Republika Srpska apo Republika Serbe shtyn me të gjitha format urat e këtij zjarri. Millorad Dodiku zhurmon jo më kot rreth një sulmi të mundshëm që i kanoset republikës së vet. Kështu, ushqehet dhe mbulohet dhe një pastabilitet i njohur i vendit, duke i krijuar kushte të favorshme ëndrrës serbe. Ndaj dhe presioni bëhet më i madh me “miqtë në Lindje”, që kriza të shtrihet dhe më tej në rajonin tonë, i cili është më i ndjeshmi nga mungesa e stabilitetit.


Rusisë i vjen pas midesë ky pastabilitet, për të cilin ka kontribuar dhe kontribuon vazhdimisht dhe sidomos kohëve të fundit, që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i kthejnë shpinën integrimit euroatlantik të tyre. Kjo klimë properëndimore në vendet e rajonit e nervozon Rusinë. Ndaj, duke qenë e interesuar për ta tjetërsuar këtë situatë, në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut etj., “kontributi” i saj ka qenë më i dukshëm.

Ky është lehtësuar, dashur, pa dashur, edhe nga vetë Bashkimi Evropian, i cili me luhatjet e veta, shty sot dhe shty nesër negociatat me vendet e rajonit tonë në rrugën e pranimit në Bashkimin Evropian, i ka ardhur për shtat politikës ruse. Ofensiva diplomatike ruse kërkon të tërheqë më shumë lojtarë për ndikim më të madh në këto hapësira. Moska, edhe këto ditë, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, me ndërhyrjet e saj nuk e lejoi Christian Schmidt, përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, të informonte Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi situatën në Bosnjë-Hercegovinë.

Mbështetja hapur e Dodikut nga Moska, elozhet që i bëhen atij gjatë vizitave në Banja-Lluka apo duke u pritur çuditërisht disa herë nga Putini në Moskë bën që të mundësojë një revansh të ri për të legalizuar domosdoshmërinë e rolit të Rusisë në vendet e Ballkanit, për të mos mbetur influenca e saj vetëm në Serbi dhe në Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Nga ana tjetër, “miqtë në Lindje” synojnë realizimin e objektivave ambicioze për të mbjellë më shumë konfuzion, për të inkurajuar këtë republikë në aneksimin e saj nga Serbia, duke iu shkëputur shtetit të sotëm të Bosnjë-Hercegovinës.

Serbia fërkon duart. Ndërkohë, i rrit entuziazmin asaj, sikurse po ndodh dhe këto ditë me kryetarin e Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili deklaroi dhjetë ditë më parë në kryeqendrën e Republikës Srpska se midis Serbisë dhe entitetit serb në Bosnjë nuk ka kufij, pavarësisht kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Rritet kështu agresiviteti i kokave të nxehta në këtë republikë dhe injorohet Marrëveshja e Dejtonit e muajit dhjetor të vitit 1995, për sanksionimin e kufijve ekzistues, pa folur për nëpërkëmbjen dhe sfumimin e qeverisë së sotme të shtetit boshnjak.

Tensionet e provokuara për ndezjen e konflikteve ndëretnike e vënë Bosnjë-Hercegovinën para një rreziku real, që të humbasë sovranitetin e vet dhe rajoni ynë të mbahet larg paqes dhe stabilitetit të tij.

Krijohet përshtypja që Bashkimi Evropian duket se bën më shumë sehir, në vend që të ndërhyjë energjikisht në këtë situatë kur boshnjakë dhe të huaj ndiejnë “erën e luftës”. Pa ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vështirë të dilet nga kjo situate. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të shpejtë të bashkësisë ndërkombëtare, sikurse këmbëngul Daniel Serwer, analist i njohur për Ballkanin, ku edhe forca ushtarake duhet demonstruar për të penguar shkëputjen dhe konfliktet që mund të vijnë si pasojë.