LAJMI I FUNDIT:

Mendësia mesjetare për qetësinë sociale

Kosovë. Një shtet i ri. “Qytetarë të rinj”? Vendi ku shpresa për ndryshim venitet dita-ditës.
Qytetarit të Kosovës sot nuk i kanë mbetur shumë zgjidhje, paçka se zgjedhjet janë duke u bërë më shpesh se sa është e paraparë me ligj.

Duke qenë në një qorrsokak, i ka para vetes zgjidhjet më të papëlqyera nga vetë ai: krimin, syrgjynosjen… Punën e ndershme këtu e sheh të pamundur.


Nuk është ai që ka dëshirë të ketë këto zgjidhje, as që e sheh jetën me sy pesimisti, por është kjo zgjedhja që po i ofrohet atij dhe secilit në Kosovë. Fajtorët i dinë të gjithë.

Edhe “përfaqësuesit e xhepave”, parlamentarët, Kuvendi, është duke luajtur rolin e aktorit të maskuar. Gjithë kuvendarët kanë harruar se duhet të përfaqësojnë dëshirën, bindjen, vullnetin, idetë e qytetarëve, me votat e të cilëve edhe ata siguruan punën, karrigen e nxehtë. Sa shumë e donë karrigen tek ne. Çfarë botëkuptimi parazitar!

S’është vetëm rasti i fundit, i gabueshëm, i kuvendarëve tanë që më shtyri të shkruaj. Duke përcjellë punën e tyre, vazhdimisht dhe kujdesshëm, si fjalë të fundit për ta kam punën e tyre, krimin e tyre, titullin e këtij shkrimi.

Ata, duke mos vrarë mendjen për ngulfatjen e jetës së qytetarëve, interesat e të cilëve duhet t’i përfaqësojnë detyrimisht, harrojnë, apo nuk duan të mendojnë fare, dhe votojnë grumbullimin e 22 milionë eurove të marra drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarit.

Kjo u arrit pasi kuvendarët votuan ngritjen e rentës së thëngjillit. Duke qenë se kjo rentë është rritur për 1011 për qind, rrjedhimisht rritë edhe tarifat e energjisë elektrike. Ndërsa, për shkak të kësaj ngritje të rentës së thëngjillit, energjia elektrike do të shtrenjtohet për 7.6 për qind, saktësisht, ashtu siç edhe kishte propozuar Zyra e Rregullatorit për Energji. Rastësi e çuditshme!

Më herët renta për thëngjill ka qenë 0. 27 centë, ndërsa ajo tash është bërë 3.00 euro për një tonë. Gjithë ky përfitim 22 milionësh që ka Qeveria e Kosovës, është një vjedhje më shumë, një edukim më shumë për të vjedhur, një formë tjetër për të arritur qëllimin individual, jo atë të përbashkët, një kosto më e shtrenjtë e gjithë artikujve tjerë dhe e vetë jetës në përgjithësi, një arsye më shumë për tu bërë syrgjyn.

Shembulli që solla është vetëm një nga shumë që kemi. Të shkruaj për secilin s’e kam në plan, as e kam pasur ndonjëherë.

Pasi KEK-u është ai që edhe thuajse po e luan rolin e një “Qeverie” të pavarur, duke ngritur çdo ditë e më lart çmimin për tarifat energjetike – paçka se edhe ashtu janë më të lartat në rajon, ndoshta edhe në botë – është po kjo kompani që ka nevojë për një ristrukturim, rihetim, riplanifikim të formës së funksionimit, ngase ndryshe qytetari i Kosovës s’mund të pajtohet.

Evropë. Kontinent relativisht i ri me praktika të ndryshme të sundimit social, edhe atë të monarkisë.
Në secilën mbretëri kishte njerëz të njohur të shkencës dhe artit. Secili prej tyre, detyrimisht, e komentonte shkencën sipas dëshirës së monarkut, ngase nga kjo varej vazhdimi i të qenit gjallë më tej. Mund ta merrni me mend se ç’shkencë mund të ketë qenë.

Shembuj të ekzekutimit të shkencëtarëve të cilët nuk përfillën dëshirat e mbretit, por përfillën ligjet e shkencës kemi mjaft shumë. Mjafton vetëm t’i hedhësh një sy epokës së mesjetës, e lëre më po të shikosh në antikën greke, perse, kineze ose romake, ose në njëfarë mënyre edhe këtë të pasluftës, kosovare.

Bëra një hyrje të tillë, të (ri)kujtoj se rrugës që jemi nisur duhet ndërruar kahun. Duhet ndërruar këngën: s’kemi zë për këngë të tillë.

Në Kosovën tonë të vogël, dikur të dashur, Qeveria ka vendosur të zbatojë një strategji të përfitimit të Qetësisë sociale, për të tjerat s’e vret mendjen.

Në këtë mënyrë, duke shtyrë detyrimisht të rinjtë e vendit të shkollohen – që nga shkollimi i mesëm që është bërë obligues, e deri te ai universitar e edhe pas tij – kjo Qeveri, profesionalisht, po përfiton qetësinë sociale.

Të rinjtë kosovar pas mbarimit të shkollimit të mesëm të obligueshëm, duke marrë diplomë me e pa meritë, mësyjnë universitetin. Atje ata do të kalojnë më së paku pesë, më së shumti dhjetë vite. Gjatë kësaj kohe, ata do të shpenzojnë prej 20 mijë euro deri në 80 mijë euro. Një shumë e favorshme për nisjen e një biznesi të vogël, të cilin pastaj, sigurisht, Qeveria do ta mbysë me taksa e ngulfatje tregu.

Sidoqoftë, duke përdorur këtë strategji – shko në universitet e merru me studime, hesht dhe mos u merr me probleme të zhvillimit politik e social të vendit – kjo Qeveri, po ofron para qytetarëve edhe një alternativë tjetër: hapje të universiteteve private, universitete këto që pos emrit universitet, me përjashtime të vogla nuk plotësojnë as kriteret elementare. Kështu, të rinjtë kosovar, pas mbarimit të shkollimit të mesëm, nëse nuk mund të pranohen në universitetin shtetëror UP, Qeveria jonë ka ofertë për ta: qetësinë sociale, universitetin privat.

Po që se mbas mbarimit të shkollimit universitar, i riu kosovar do të gjente punësim, kjo do të kishte kuptim, por tek ne, fatkeqësisht, asnjë nuk gjen punë.

Prodhohen kuadro, s’hapen vende pune! Ç’duhen ato kuadro pra?

Prapëseprapë, edhe pas diplomimit, secili i ri duhet të punojë në ndërtimtari si argat me pagë 10 euro për ditë, ose të marrë botën në sy: syrgjynoset.

Gjithë rastet që kanë fatin të punësohen janë raste specifike: nepotizëm dhe korrupsion.

Nëse ndonjë i ri kosovar do të kishte aftësi të shkëlqyeshme profesionale, sidoqoftë, nëse nuk do ta komentonte shkencën, politikën, dhe çdo gjë tjetër sipas dëshirës së monarkut, Qeverisë, ai do të mbetej i papunë, do të ekzekutohej intelektualisht.
S’e di sa dallon mesjeta apo antika nga koha jonë!