LAJMI I FUNDIT:

Mediet dhe pushteti

Përderisa pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor rregullohen nga zgjedhjet legjitime, përkatësisht nga vota e lirë e qytetarëve, pushteti i katërt që konsiderohet ai i medieve nuk rregullohet me votime, por rregullohet me ligje demokratike dhe nga nevoja e shoqërisë për të reaguar ndaj problemeve.

Javën e kaluar kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, deklaroi se do të hiqet TVSH-ja për mediet, premtim të cilin e kishte bërë para se të rizgjidhet kryeministër. Ky premtim u prit që të miratohet në projektligjin për TVSH-në në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar, por nuk ndodhi një gjë e tillë.


Si “shpërblim” për mediet, Qeveria e Republikës së Kosovës sponsoroi projektligjin për kodin penal në vend të atij për TVSH-në. Neni 37 dhe ai 38 i projektkodit penal rrezikon lirinë e shprehjes, duke u munduar kështu që opinioni të kontrollohet përmes medieve të shkruara dhe atyre elektronike.

Në nenin 37 thuhet se “autori i informacionit është penalisht përgjegjës nëse vepra penale është kryer përmes publikimit të informatës në gazetë ose në lloj tjetër të shtypit periodik, radio, televizion, internet ose mjete tjera të komunikimit”. Kurse me nenin 38 gjykata mund t’i obligojë gazetarët të heqin dorë nga fshehtësia e burimit të tyre që do ta kenë shumë më vështirë pastaj të punojnë. Me përfshirjen e këtyre neneve në Kodin penal, Qeveria jo vetëm që po hedh disa hapa mbrapa në pengimin e punës së medieve, por edhe nenet e përmendura më lartë janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Me nenin 40 dhe 42 Kushtetuta e republikës së Kosovës garanton lirinë e shprehjes, gjegjësisht lirinë e medieve. Në nenin 40 pika 1 thuhet shprehimisht se “Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”. Ndërsa në piken 2 përmendet se “Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”. Në nenin 42 pika 1 theksohet se “Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve”, si dhe ne piken 2 theksohet qartë se censura është e ndaluar.

Hartuesit e kodit penal duhet të mos harrojnë se çdo gjë qe është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit është e pavlefshme dhe nuk mund të fitojë fuqi juridike, pra në këtë rast edhe neni 37 dhe 38 i kodit penal.

Në një shoqëri demokratike çdo parti politike qe vjen në pushtet mundohet në të gjitha format dhe me mjetet qe disponon të rritë ndikimin mbi mediet, prandaj vija e parë e fronit përballë pushtetit nuk është opozita, as shoqëria civile, por janë mediet, të cilat ngritin zërin e opinionit publik.

Presioni ndaj punës së gazetarëve dhe shprehjes së lirë nuk është duke u ushtruar vetëm nga qeveria, por për çudi edhe Kuvendi i Kosovës është bërë pengesë në punën e medieve, duke ua ndaluar me rregulloren e re gazetarëve të kenë qasje në hollin e Kuvendit, gjë që Kosova po bëhet shembull i keq në këtë pjesë të Evropës juglindore.

Përderisa politikanet flasin terë kohën për demokraci dhe jetën demokratike në vendin tonë po ndodh ngufatja e medieve, po tentohet të vihet kontrolli mbi pushtetin e katërt, duke rrezikuar kështu të ardhmen dhe perspektiven e vendit tonë.

Përgjegjësia kruciale e medieve të shkruara dhe atyre elektronike është të jenë në shërbim të qytetareve duke informuar dhe mbrojtur interesat e tyre e assesi të politikave ditore.

Prandaj gazetarët janë makth për politikanet. Njerëzit në pushtet duhet të jenë të afërt me mediet, të krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi dhe assesi nuk duhet që të mundohen t’i venë nën kontroll ato, sepse është shkelje e demokracisë, e lirisë dhe e të gjitha akteve dhe konventave ndërkombëtare.

Pushtetarët nuk duhet harruar se tani në kohën bashkëkohore edhe në vendet e pakta në botë qe kanë sistem monist, fuqinë e informacionit askush nuk po arrin ta ndalë.

Informacioni, që i kapërcen lehtë kufijtë shtetërorë, është bërë një faktor kryesor, si në politiken ndërkombëtare, ashtu edhe atë të brendshme.

Një nga arsyet pse interneti është bërë aq i fuqishëm është pikërisht fakti se në internet njerëzit janë të lirë t’i shprehin opinionet dhe qëndrimet e tyre, liri që në shumë vende u mohohet nga mediet e shkruara dhe elektronike.

(Autori është student i Fakultetit Juridik në studimet postdiplomike-Master, drejtimi civil në UP dhe politolog i diplomuar)