LAJMI I FUNDIT:

MBARTËSIT E ËNDRRAVE

MBARTËSIT E ËNDRRAVE

Nga: Gioconda Belli
Përktheu: Bajram Karabolli

Në të gjitha profecitë flitet për shkatërrimin e botës.


Të gjitha profecitë thonë se vetë njeriu do të shkatërrojë vetveten.

Por, ndërkohë, shekujt dhe jeta, që përherë rinovohet, kanë lindur një brez adhuruesish dhe ëndërrimtarësh, burra dhe gra, të cilët nuk kanë ëndërruar për shkatërrimin e botës, por për ndërtimin e saj, për një botë plot me flutura dhe bilbila.

Qysh të vegjël shquheshin për dashuri, pas pamjes së zakonshme të tyre qëndronte butësia dhe dielli i mesnatës.

Nënat i gjenin duke qarë për një zog të vrarë dhe më vonë, shumë prej tyre, po ashtu, i gjetën të vdekur si zogjtë.

Këto qenie bashkëjetuan me gra të tejndritshme dhe i lanë ato shtatzëna me mjaltë dhe me bij plot gjelbërim nga një dimër ledhatimesh.

Kështu ndodhi që mbartësit e ëndrrave u përhapën në botë.

Dhe u sulmuan egërsisht nga mbartësit e profecive dhe llafazanet e katastrofave. I quajtën ëndërrimtarë, romantikë, mendimtarë utopikë, u thanë se fjalët e tyre qenkëshin të vjetra, dhe, në të vërtetë, të tilla ishin, sepse kujtesa e parajsës është zemra e vjetër e njeriut.

Grumbulluesit e pasurive i trembnin, lëshonin ushtritë kundër tyre, por mbartësit e ëndrrave bënin dashuri tërë natën dhe fara e tyre vazhdonte të derdhej në barkun e femrave të tyre, të cilat jo vetëm ngjiznin ëndrra, por i shumëfishonin ato, i bënin të rridhnin, por edhe të flisnin.

Kësisoj, bota krijoi sërish jetën e saj, siç kishte krijuar edhe ata që shpikën mënyrën për të shuar diellin.

Mbartësit e ëndrrave mbijetuan gjatë klimave të akullta, ndërsa në klimat e ngrohta ata dukej se gëlonin në breza spontanë.

Ndoshta palmat, qiejt e kaltër, shirat e rrëmbyeshme, duhet të kenë pasur të bëjnë me këtë, e vërteta është se ata, si milingonat punëtore, nuk pushuan së ëndërruari dhe së ndërtuari botën e bukur, botën e vëllait, botën e shokut, botën e atyre që mësonin njëri-tjetrin për të lexuar, që ngushëllonin njëri-tjetrin për të vdekurit, që kujdeseshin dhe shëronin njëri-tjetrin, e donin dhe e mësonin njëri-tjetrin për ta dashur, për ta mbrojtur dhe për ta bërë të lumtur tjetrin.

Ishin të lumtur në botën e tyre plot ëmbëlsi dhe erë që frynte ngado dhe e ngopte me shpirt dhe vështrime të çiltra; një botë me ata që mbartnin ëndrra, me ata që ëndërronin profeci të reja, që flisnin për epoka fluturash dhe bilbilash, me ata që nuk donin që bota të përfundonte në kasaphanë. Përkundrazi, shkencëtarët projektonin ura, kopshte, lojëra të mahnitshme, për ta bërë më të gëzueshme lumturinë e njeriut.

Janë të rrezikshëm – ulërinin gazetat e mëdha.

Janë të rrezikshëm – thoshin shtetarët në fjalimet e tyre.

Janë të rrezikshëm – murmuritnin mjeshtrit e luftës.

Duhen asgjësuar – ulërinin gazetat e mëdha.

Duhen asgjësuar – thoshin shtetarët në fjalimet e tyre.

Duhen asgjësuar – murmuritnin mjeshtrit e luftës.

Mbartësit e ëndrrave nuk habiteshin, sepse e njihnin mirë pushtetin e tyre. Por ata, gjithashtu, e dinin se jeta i kishte krijuar për t’u mbrojtur nga vdekja që paralajmëronin profecitë.

Prandaj ata e mbronin jetën e tyre me vdekje.

Prandaj ata kultivonin kopshte me ëndrra dhe i shpërndanin me fjongo plot ngjyra.

Profetët e errësirës ruanin ditë e natë shtigjet dhe rrugët për të kapur këto pasuri të rrezikshme, të cilat, kurrë, nuk arrinin t’i kapin dot, sepse ai që nuk ka sy për të ëndërruar, nuk mund t’i shikojë dot ëndrrat, as ditën as natën.

Dhe në botë ka vërshuar një lumë i madh ëndrrash që nuk mund ta ndalin dot trafikantët e vdekjes; ngado qarkullojnë pako me fjongo të mëdha që vetëm kjo racë e re njerëzish mund të shohë farën e këtyre ëndrrave që nuk mund të dallohet, sepse është e mbështjellë me zemra të kuqe, atje në strehën e gjerë të amësisë, ku këmbkat e vogla të ëndërrimtarëve përpiqen dhe godasin barkun që i mban.

Thonë se toka, pasi i lind, e mbush qiellin me ylbere dhe rrënjët e pemëve me pjellori.

Ne që i kemi parë e dimë mirë se jeta i krijoi ata për t’u mbrojtur nga vdekja që paralajmërojnë profecitë.