LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, midis paragjykimeve dhe dëshirës për një të nesërme më të mirë

Maqedoni, midis paragjykimeve dhe dëshirës për një të nesërme më të mirë

Shumë njerëz akuzojnë romët se nuk bëjnë gjë për të përmirësuar vetë situatën e tyre. Kjo akuzë ka lidhje me gjendjen e tyre financiare si dhe me punësimin, arsimin, apo strehimin. Romët shpesh konsiderohen se punojnë në punë të zeza, apo se dëshirojnë më shumë të jetojnë në mirëqenie, sesa të kërkojnë punë. Nuk do të kishte asnjë kuptim që të mohohej se ka disa romë që preferojnë të jetojnë në mirëqenie. Pyetja thelbësore gjithsesi nuk është nëse ata duan të punojnë, por çfarë lloj punësimi mund të gjejnë, nëse mund të gjejnë një të atillë dhe po qe se atë e gjejnë, zakonisht është fizikisht e rëndë, shpesh e rrezikshme dhe shpesh e paguar shumë pak. Në të kaluarën shpesh është folur, po edhe është tepruar me komentet rreth një komuniteti, i cili po ndan hapësirat e përbashkëta të vetë qytetit të Kërçovës. Komuniteti rom, siç pandehin një pjesë e tyre ta quajnë veten, nuk ngurrojnë që të pagëzojnë veten për banorë të vjetër të qytetit, dhe ka nga ata që në të shkuarën ishin farkëtarë të dëshmuar, ndreqës të rrotave të qerreve, e deri tek ata më esnafët që merreshin edhe me punë tregtie. Megjithatë romët shpesh përshkruhen si persona të cilëve nuk mund t’u besohet dhe që nuk kanë dëshirë të integrohen në shoqëri. Ajo që është e vërtetë është se nivelet e dobëta të arsimimit janë një pengesë që ata të kenë qasje në tregun e punës. Kështu, edukimi i fëmijëve të tyre shihet si thelbësor në kapërcimin e varfërisë. Romët merren në punë si mbledhës plehrash, punëtorë nëpër fusha apo druvarë etj. Punëdhënësit shpesh nuk e kanë vullnetin as për të punësuar një rom me kontratë, sepse konsiderohen si njerëz të papërgjegjshëm. Mirëpo pavarësisht kushteve të rënda të shumë familjeve rome ekzistojnë edhe të atillë që kanë marrë arsimim të shkëlqyer, të cilët banojnë me popullsinë e shumicës dhe janë të inkuadruar në shoqëri.

Nevzat Mamudoski, një pastrues i këpucëve në trotuarin e sheshit të qytetit, thekson se është baba i katër fëmijëve. “Dy vajzat e mia i kam në shkollën e mesme të mjekësisë, ndërsa dy më të vegjlit janë ende në shkollë fillore dhe mësojnë në shkollën fillore ”S. Shterjoski” të Kërçovës. Sa i përket gjendjes sonë materiale, si komunitet mendoj se ka hapësirë për të dëshiruar. Jemi të përfaqësuar shumë pak, edhe pse e pranoj se edhe niveli i shkollimit na mungon. Megjithatë, nuk mundem ta mohoj se një numër i konsiderueshëm i fëmijëve nga komuniteti ynë hasen nëpër rrugë si lypsarë dhe këtë e bën ajo se jemi në varfëri të skajshme se me 2700 denarë ndihmë sociale nuk mundesh ta nxjerrësh kokën as vetë e jo më të mbash familjen”. Sa i përket përfshirjes së romëve në shoqëri ka një numër të vogël nga ata që janë përfshirë në punë shteti, po kjo nuk mjafton.


“Kemi nevojë që dikush t’na ndihmojë për punësime dhe përfaqësim”, thotë për KOHA Nevzat Mamudoski.

Sidoqoftë kjo shtresë e popullsisë ka më shumë nevojë për përfshirjen e tyre në shoqëri dhe për përkrahje. Kur jemi tek përfshirja e romëve në arsimimin dhe ngritjen e tyre, ata kryesisht janë përfshirë në shkollën fillore të qytetit “Sande Shterjoski”, ku mësojnë nxënësit edhe të komuniteteve të tjera, si shqiptarët, turqit dhe maqedonasit.

Pjesëtarët e këtij komuniteti përdoren për të plotësuar numrin e paraleleve me mësim në maqedonisht, sepse mësimin e zhvillojnë në gjuhën maqedonase dhe kështu janë shpërndarë në disa paralele. Dhe kur jemi këtu duhet të theksojmë, edhe stereotipet që janë krijuar nga e kaluara, sepse në dy shkollat tjera të qytetit “Kuzman Josifoski” dhe “Dr. V. Polezhinoski”, nuk ka vend për të tjerët pasi ato janë të rezervuara vetëm për maqedonasit, edhe pse numri i tyre përditë është në rënie, ata, sërish po i rezistojnë kësaj duke bërë kamuflazh të numrit të nxënësve dhe paraleleve. Nga shkolla fillore “S. Shterjoski” e Kërçovës, kur flitet për përfshirjen e romëve në sistemin arsimor, theksojnë se “pjesa më e madhe e këtij komuniteti janë të përfshirë në sistemin e shkollimit fillor, dhe mësojnë në paralelet me mësim në maqedonisht dhe gjuha rome është përfshirë si gjuhë fakultative.

Kur jemi te ky komunitet, duhet të thuhet se ka probleme brenda për brenda tyre dhe ata janë ndarë në grupe, njëri që duan ta mësojnë gjuhën rome dhe tjetri që e llogarisin veten për egjiptianë, të cilët nuk duan ta mësojnë atë. Sa për paralele me mësim në gjuhën rome, nuk mund të bëhet fjalë meqë, tani për tani, nuk ka ndonjë kuadër të kualifikuar që e njeh gjuhën rome, në nivelin që kërkon sistemi arsimor dhe kjo çështje mbetet në kuadër të mësimit fakultativ”, thekson Lulzim Mehmedi, ish drejtor i kësaj shkolle, i cili përmes projekteve të ndryshme nga organizata ndërkombëtare, ka udhëhequr edhe shkollimin e integruar të komuniteteve, të cilat kryesisht kanë qenë pilot projekte, për të vënë në sprovë efektin e arsimit të integruar dhe që këto projekte kryesisht janë përkrahur nga USAID, ambasada norvegjeze dhe ajo zvicerane për zhvillimin e shoqërisë së hapur.

Ajo që është e vërtetë është se nivelet e dobëta të arsimimit sot janë një pengesë madhore që ata të kenë qasje në tregun e punës. Kështu, edukimi i fëmijëve romë shihet si thelbësor në kapërcimin e varfërisë. Thuhet që ata nuk bëjnë gjë për të përmirësuar situatën e tyre mirëpo tek ata ende jeton shpesa për një të nesërme më të mirë, që një ditë të mund të punësohen, arsimimi dhe edukata të jenë në nivelin e duhur. Pavarësisht kushteve minimale të jetesës, rritja e numrit të popullsisë rome mbetet një fenomen dhe gjithsesi ndonjë ditë kjo çështje do të kërkojë zgjidhje. Kur jemi tek niveli i kushteve të jetesës së këtij komuniteti, i cili në të kaluarën ishte pre e paragjykimeve nga komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe që ndajnë të njëjtin qiell, duhet thënë se ky komunitet është i përqendruar në vendbanimin që quhet lagja “Meksiko” dhe tek lagja e tyre tashmë e vjetër që ata i thonë “Bella Kulla” (Shtëpia e Bardhë). Po qe se si një kalimtar rasti të bie të kalosh nëpër lagjen e ashtuquajtur “Meksiko”, të bie në sy dallimi social, por ka edhe nga ato familje të romëve, të cilët për vete kanë krijuar kushte të mira për jetesë dhe kanë krijuar mirëqenien e tyre sociale. Kur i pyet ndonjërin prej banorëve të kësaj lagjeje, se nga kanë ardhur ata këtu, shumica e tyre të thonë se janë ardhacakë nga qytetet tjera, dhe që tanimë janë bërë banorë rezidentë të qytetit të Kërçovës. Shumica e këtyre banorëve merren me punë të krahut, po ka edhe nga ata, që po merren edhe me tregtim. Në sektorin joqeveritar, ata janë angazhuar përmes shoqatave të ndryshme, të cilat e mbledhin këtë komunitet, por edhe për të manifestuar identitetin e tyre kulturor. Emin Mamudoski, përfaqësues i Shoqatës për emancipim kulturor të romëve, thekson se “është i kënaqur nga udhëheqja e Komunës së Kërçovës”, dhe shprehet falënderues për përkrahjen e projekteve kulturore edhe të romëve, me çka ata ndjehen të barabartë”. Se sa do të arrijnë integrimin dhe emancipimin e plotë ky komunitet në Kërçovë, mbetet të shihet në të ardhmen. Tani për tani, ndonëse ka përpjekje që individë të këtij komuniteti të shkollohen dhe të kyçen në proceset e zhvillimit të shoqërisë dhe veçmas këtij komuniteti janë përpjekje të rralla, dhe të pakta.

Në trend Lajme

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq thotë se lobi i Knausit dhe britanikët po përpiqen të bëjnë

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq thotë se lobi i Knausit dhe britanikët po përpiqen të bëjnë "një truk” tjetër

Politikë
Escobar: Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit

Escobar: Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit

Lajme

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Knaus: Komiteti i Ministrave të caktoj një mbledhje të jashtëzakonshme brenda disa jave, të votojë aplikacionin e Kosovës pasi të ketë ecur përpara me çështjen e Asociacionit

Knaus: Komiteti i Ministrave të caktoj një mbledhje të jashtëzakonshme brenda disa jave, të votojë aplikacionin e Kosovës pasi të ketë ecur përpara me çështjen e Asociacionit

Lajme
Sfidat dhe përgjegjësia e mediave në gjuhën serbe në Kosovë, flasin Zulfija Jakupi e Isak Vorguçiq

Sfidat dhe përgjegjësia e mediave në gjuhën serbe në Kosovë, flasin Zulfija Jakupi e Isak Vorguçiq

Lajme
Rama i përgjigjet deklaratave të Vulin

Rama i përgjigjet deklaratave të Vulin

Lajme
Kalo në kategori